E marte, 22.06.2021, 10:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Flet poetja Yllka Filipi, fituese e Çmimit të Parë në Poezi, TPSH, Vushtri 2011

E shtune, 27.08.2011, 07:45 PM


Flet poetja Yllka Filipi, fituese e Çmimit të Parë në Poezi, TPSH, Vushtri 2011: Femra është zanafilla, sikundër edhe fundi i botës.

 

“Nuk ishte e para fjala, ishte e para gruaja!”

 

Nga Albert ZHOLI

 

- Cili është libri juaj i parë dhe si jeni ndjerë?

 

Libri im i parë është libri im i fundit. Për krijuesin nuk ka kronologji veprash, pasi çdo botim i ri është një “libër i parë”, një horizont i ri pritjeje, një “fillesë” pothuajse nga asgjë-ja, pavarësisht përvojave nga shkrimet e mëparshme. Jam ndjerë sikundër çdokush shkel për të parën herë në një tokë të minuar, shanset e mbijetesës së të cilit varen nga “dashamirësia e barutit nëntokë”. Kjo është prova me kohën, veten, lexuesin. Nëse stina është me lagështirë ty të hapen portat e ekzistencës, siç ndodh në mrekullitë ku ka dorë vetëm Zoti…Për mua koha ka qenë me shi, por fatmirësisht në shpirt kam patur diell.

 

- Kur ishit e vogël a e kishit menduar ndonjëherë veten poete apo shkrimtare, apo ishte tjetër profesioni që mendonit?

 

Kur isha e vogël nuk mendoja, por ëndërroja gjithfarësoj dhe as vetë nuk isha e qartë se ku do të më shpinin ëndrrat. Sa herë që kujtoj fëmijërinë, mbaj mend përrallat që shpikja për të qenë në qendër të vëmendjes së shokëve të mi të lagjes të cilët pasditeve, pasi më dëgjonin sy e veshë, ndodhte edhe t’i zinte gjumi. Shpesh isha skeptike edhe me përrallat e gjyshes (I ndrittë shpirti!), fundin e të cilave e ndryshoja gjithmonë, aq sa një ditë e gjeja veten duke i treguar unë Asaj përralla “nga të miat…” Në botën e përrallave mund të flasësh edhe me Hënën dhe ajo të kthen përgjigje. Nuk e kuptoja atëherë rolin e poetëve apo shkrimtarëve dhe e nxitur nga dëshira e prindërve, e shihja veten mjeke. Por edhe të parit e vetes në këtë profesion, ishte pjesë e pandarë e imagjinatës që merrte krahë nga përrallat. Më pëlqente të kuroja shpirtin. Jam brenda asaj çka kisha ëndërruar.

 

- Ç’është për ty krijimtaria ndjesi, domosdoshmëri apo thjesht kohë e lirë?

 

Është një shtysë e brendshme, një mbimbushje si një lumë nga shirat dimërorë, i cili nëse nuk arrin të derdhet diku, mbyt dhe shkatërron brigjet e veta, pra vetveten. Për mua është katharsis, një gjendje ku shpirti bie në qetësi dhe paqe, pas një furtune muzash. Dhe muzat i ushqej, sepse ndryshe vdesin.

 

- Ku e ndjen veten më mirë në prozë apo poezi?

 

Unë e ndiej veten mirë kur shkruaj atë çka më dikton shpirti. Nuk ka rëndësi nëse është në vargje, në rreshta, në katrorë, në trekëndësha, apo thjesht një sistem shenjor simbolik që shpërndan mjegullën. Shpesh më pëlqen të dal jashtë konjukturave klasike. Jam thjesht metamorfoza semiotike e muzave të mia.

 

- Mësuese apo krijuese, cili është profesioni apo motivi më i vështirë?

 

Auditori më frymëzon dhe më mbush me besim në vetvete, kënaqësi e përgjegjësi për të dhënë më të mirën e mundshme. Nuk e kam të vështirë një gjë të tillë. Ndërsa për të përfytyruar krijuesin brenda vetes, më ka ardhur në ndihmë legjenda melankolike e Daudet-së, mbi njeriun me kafkën e artë, i cili për të bërë të tjerët të lumtur u përpoq të vidhte vetveten, duke shkëputur nga kafka e vet fatale herë një copë ari sa një kokërr arrë, herë pabesisht ndjeu dhimbje në kokë nga miqtë e ngushtë që i fshehën diçka pas mantelit, herë duke u tretur për të dashurën e vet ca si zog e ca si kukull, që i gërreu kafkën padashje… Gjersa në fund endej nëpër botë duke u lëkundur mes humbjes dhe dehjes pa e prekur dot kurrë lumturinë. Nuk e di sa i ngjaj krijuesve, por di të them që nëse profesioni i parë bëhet nga njeriu për njeriun, i dyti bëhet nga Zoti për njeriun. Ndjehet vështirësia tek horizonti i pritjes...

 

- Cilat janë pengesat e letërsisë shqiptare sot parë në këndvështrimin tuaj?

 

Nëse është konstatuar diçka e vërtetë deri më sot në letërsinë shqiptare bashkëkohore, ky është shkretimi i mendimit kritik. U. Eco thotë: “Një tekst kërkon që dikush ta ndihmojë që të funksionojë” Për sa kohë që krijuesi do të jetë sipërmarrës financiar i veprës së tij, do të ketë mundësi abuzimesh. Megjithatë, kritikët bëjnë thjesht gjyqin e së tashmes, gjyqin e të ardhmes për veprën e bën pamëshirshëm vetëm koha. Ky është i vetmi ngushëllim për krijuesit e vërtetë.

 

- Je penduar që ke zgjedhur të qënit mësuese si profesion?

 

Kam ndjekur intuitën time dhe nuk jam penduar aspak për këtë gjë. Megjithatë rruga për gjetjen e vetes nuk mbaron këtu. Është një itinerar të cilit i dihet vetëm fillimi…

 

- A ndihet e vlerësuar sot femra shqiptare?

 

Nëse ne do të arrijmë të marrim statusin e kombeve perëndimorë, ja kemi dalë mbi vlerësimin e femrës. Atëherë mund të themi me plot gojën: “Bac’ u kry!”

 

- A është ende maskiliste shoqëria shqiptare?

Edhe nëse është, unë mbroj tezën: “Nuk ishte e para fjala, ishte e para gruaja!”

- A je marrë me politikë… dhe pse?

 

Politikës dua t’i qëndroj sa më larg. E shoh veten jashtë saj, megjithëse dashur pa dashur hyn brenda çdokujt.

 

- Cili është problemi më i rëndësishëm i femrës shqiptare sot?

 

Të realizojë pavarësinë shpirtërore ndaj çdo supremacie mashkullore. Femra është zanafilla, sikundër edhe fundi i botës…

 

- Çështë dashuria për ty dhe a je plagosur ndonjëherë nga dashuria?

 

Dashuria është kuptimi i fillit të ekzistencës. Plagosja, nuk është dështim, përkundrazi e shoh si sukses dhe mundësi për të njohur më mirë veten, botën, jetën, vdekjen.

 

- Ju, televizioni dhe libri. Në kohën e lirë kujt i kushtoheni me shumw?

Kohët e fundit, libri është bërë pjesë e pandarë e ditëve të mia dhe e jetës sime. Kjo është një sfidë e fortë ndaj dy të parëve.

 

- Hobet e tua?

 

Udhëtimet në vende ekzotike, pasi më ngacmojnë fantazinë dhe ndjehem mirë në gjirin e natyrës. Pak nga të gjitha, muzikë klasike, poezi dhe verë.

 

- Pengu i moshës?

 

Raporti i zhdrejtë mes atyre pak gjërave që di me ato që ende nuk di...

 

- Kush ka më shumë rëndësi për Yllkën, bukuria apo inteligjenca?

Më shumë rëndësi ka nëse do të mundemi të lemë dot gjurmë përtej limiteve ekzistencialë.

 

- Mendimi juaj për politikën shqiptare të tranzicionit?

 

Atdheu është oazi ku njeriut i pëlqen të mbështesë kokën apo të vdesë, por Shqipëria po përtyp vetveten... Për mua mbetet gjithsesi e shenjtë.

 

Në poezinë tënde ka një lloj prirjeje filozofike, si e shpjegoni këtë?

 

Ndoshta një dëshirë për të rrokur universin...Për më tepër duhet të pyesni Muzat e mia për këtë gjë. Unë jam thjesht një robinjë...si në poezinë time ashtu edhe në prozë.

 

Sa gjykon se është e drejtë të zgjerohet horizonti i tematikës e poetikës në poezinë tënde?

Poezia nuk shkruhet me gjykime, as me projekte tematike. Ajo, nëse ti ke privilegjin të të vijë, të vjen ashtu siç do, jo siç mund ta planifikosh. Siç të vjen një ëndërr e beftë, kur sapo ke vënë kokën në jastëk...E paparashikuar. Ne s'mund të themi- sonte dua të shoh këtë ëndërr, analogjikisht- s'mund të themi-sonte dua të shkruaj këtë poezi, me këtë temë, me këtë strukturë, me këtë e këtë... Imazhet janë të pakonturueshme dot.

Mundohesh të pushtosh terren dhe të depërtosh në thellësi, dhe nëse mendon se ke rrahur fundin, do të ishte me interes te dimë cfarë sheh aty?

Nuk ka fund në pafund. Si mund të kërkojmë fundin kur flasim për diçka që vjen nga lart. A kanë qiejt fund...?

Përse Eternitas, dhe jo Aeternitas?

 

Eternitas! Ështe huazuar nga një sekuencë prozaike migjeniane. E ç'janë 1 miljon vjet përpara Eternitas? I KAM QENDRUAR BESNIKE MËNYRËS SESI E SHKRUAN MIGJENI YNË I MADH... Doja të ishte kështu. Jam e vetëdijshme. Nuk më ngjiti forma latinisht e fjalës, parapëlqeva këtë variant. Shmangia letrare- është e qëllimshme. Jo Aeternitas - korrekt në latinisht, por Eternitas...e drejta e autorit, apo jo...

 

A mund të njihet lexuesi me vargjet e poezisë që mori Vendin e Parë mes poezive të 83-poeteve nga e gjithë diaspora dhe Shqipëria?

 

POEZIA FITUESE E ÇMIMIT TË PARË

Sëpata

 

Një miku im

priste zemra me sëpatë

…Çak… çak… ç…a…k

Mos! Është çnjerëzore!

Dhemb!

Mos!

Janë të ngrira akull!

-më thotë-

Përmbyti deti i zemrave

Botën dhe…

Pluskuan vdekëtarët

si anijet në port…

 

U gjend një letër

kur e shishes tapë - u hap…çak!

Kujdes nga akujt zemra të ngrata!

Të fala: me mall

-Sëpata!

 

Yllka FILIPI

 



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora