Kulturë
Sabile Keçmezi-Basha: Të përgjërohem Itakë
E merkure, 03.08.2011, 07:58 PM
Sabile Keçmezi-Basha
sabile_basha@hotmail.com
TË PËRGJËROHEM ITAKË
Sonte të përgjërohem
Të më marrësh
Në gjirin tënd-Itakë
Dhe ta ndjesh dhembjen
Se si i bluan eshtrat
Të gjymtyrëve të lodhura
Nga ecejaket
IDENTIKE
Shpesh shekulli shekullit i përcjell
Kohën mjegullnajë
Me mesazhe enigmatike, Itakë
Merret Karoni plak
I ardhur nga një botë tjetër
Dhe
Befasishëm si malli
Nata e kaluar ngrohet
nga hukamë e kuqe
Që lëshuan milingonat
Në paradë mortore
Itakë, për të satën herë
të përgjëroj
Kudo që të jesh, më ndje
Puhizën e vesin të mbaj peng
Për ditën me erë ftoi
MARATONË
Të gjitha netët e veja
Në maratonë
Pësuan metamorfozë
Xhaketat prej pambuku
I këputën mangët
Dhe
Pa gjymtyrë ngeli
Koha tekanjoze
E nesër,
Moj mike
Është vonë
Për ta zënë ylberin
Që kullonte dhembje
Nga diagnozë e gabuar
NGANJËHERË
Rëndomë më është njësojë
Se çfarë grafikonesh ka
Në statistikat e tmerrit
E nganjëherë
Parqet diellore
Ma qesin gjuhën
Më përqeshin
Shpesh më ndodhë
Ma zënë pritën
Në udhëkryq-fantazmat
Dhe
Ikë me vrap kipci i im
Pa u përshëndetur
Me mua-
Shtegtaren e trembur