Kulturë
Daniel Gazulli: Muzë
E diele, 31.07.2011, 06:48 PM
DANIEL GÀZULLI
M U Z Ë
SA
Nata nën qepalla
hanën sa e thirri.
Drit’ e abazhurit
bie mbi trupin tand,
derdhet mun te gjini.
Rreze të kaltëra
përthyhen në dritare.
Përthyhet val’ e trupit.
Në bulzat e gishtrinjëve
bulëzon afsh i prushit.
Hana tej u tret.
Rreze lëshoi dielli.
Ndezë abazhuri.
Se ç’na iku nata.
Iku edhe gjumi.
NJËZET VJEÇE ISHE
Njëzet vjeçe ishe,
njëzet përsëri:
vallë a jam në andërr,
a në çmenduni.
Njëzet vjeçe ishe,
përsëri njëzet,
dhe kalue kanë
plot njëzet vjet.
Vallë, a jam në andërr,
a në çmenduni?!
- Jo, nuk je në andërr,
asht ime bijë.
SYTË E TU
Sa herë
vështrue jam
në pasqyrën qiellore
të syve të tu
plot yje.
Mos i mbyll qepallat,
të lutem;
pa dritën e tyne
ftohtë kam.
Ngrohtësia e asaj drite
pranëverën më sjell
edhe në këtë prag dimni
të viteve të mia.
D R I T Ë
Dielli puthi me rreze të purpurta detin
dhe shkoi të prehet në pafundsi.
Nuk më mungon drit’ e tij:
Në shpirtin tim
lëbyrëse
më pushtoi gjithë qenjen
drita jote.
TË ISHTE LOJË ....
Të ishte lojë ....
Le t ë fluturonin fjalët përmes eterit,
muzikë të të sillnin ato
e të argëtoheshe.
Por jo.
Asht diçka e ngatrrueme, e mira ime,
më dridhëron vështrimin buzëqeshja jote
dhe buzët përvëlojnë
tek pëshpërisin në të gjitha gjuhët
një andërr të magjishme.
KËTË MËNGJES
Me një kangë në buzë
ec rrugës së porsazgjueme
tue shkue
në takim me të papritunat e ditës
dhe shpresë
se në mes të të papritunave
do të jetë edhe qielli i përmbysun
i synit tand.
MBI FLATRA ANDRRASH
Yjet në qiell
shpupurisha.
Në mes tyne
të kërkoja ty.
Me bulza të gishtrijëve
përndava lulet aromëdehëse,
mes petalesh të paçeluna
mos gjeja ty.
Mora shtigje pyjesh,
mes sorkadheve
mos lodroje ti.
U ndala i lodhun
dhe të gjeta
strukë në zemrën time
tek më përkëdhelje
bebëzen e shpirtit.
Mbi flatra andrrash,
të përqafuem,
ku vemi, vallë?
NUK ASHT FAJI IM
Nuk asht faji im
nëse të zgjova andërrat:
kanë çelë lulet e bajameve
e flladi i detit
na gudulis cepin e buzëve.
Bora do të shkrijë
e dielli i përflakun
i mbramjeve pranëverore
Do të përthyhet
në shikimet tona
e gjakun t’na përndez
zjarr i tij.
PEIZAZH
Një fushë mbushë me lulëkuqe
dhe diell
e diell
e diell.
MË SHKRUEJ
Edhe në mos marrsh përgjigje
ti, përsëri më shkruej
dy rreshta;
Do të përkëdhel çdo rrokje,
gërmat një nga një
e ti,
përkëdheljen do të ndjesh
në brinjë.
Më shkruej.
Thuamë nëse dashuni
ban sërishmi me mue
kur harrohesh në andërra.
Nëse ke pa gjurmët e mia
edhe në borën e sivjetme;
nëse mbramjeve
tue shetitë trotuarëve
ke ndje të të përshkojë
një dridhërimë
nga prekja e lehtë e dorës tande,
gishtat shtërngue në timen.
Më shkruej:
Do të përkëdhel çdo rrokje,
gërmat një nga një.
LUTJE
Po të lutem, Zot:
Më jep dashninë e Jezusit për njerëzit
Dhe pafajësinë e shpirtit fëminor,
Më jep bujarinë e natyrës
Dhe fantazinë e grave;
Por mbi të gjitha, Zot,
Më jep qetësinë
Në çastet e vështira.