E merkure, 30.04.2025, 06:58 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Prezantim i Aleancës Kuq e Zi në Tetovë

E merkure, 20.07.2011, 08:03 PM


 

Lëvizja Aleanca KuqeZi, pas aksionit të fuqishëm popullor kundër planeve të qeverisë shqiptare për regjistrim etnik dhe fetar të popullsisë, ka ndërmarrë iniciativën e re për pajisjen me pasaporta shqiptare të gjithë shqiptarëve në rajon.

 

Pas prezantimit të rradhës në Tiranë dhe Prishtinë, një aktivitet i ngjashëm u mbajt edhe në Tetovë. Përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi, Redi Ramaj, Inesa Hila dhe Rigert Kapllani pasi bënë një prezantim të shkurtër të historikut, objektivave dhe misionit të kësaj organizate civile nga Tirana, shpalosën idenë thelbësore të kësaj nisme. Iniciativa me moton, “Një Komb, Një Pasaportë” , ka për qëllim dhënien e pasaportave shqiptare për gjithë shqiptarët kudo janë. Në këtë kuadër, i rëndësishëm është realizimi i këtij aksioni edhe për 800,000 mijë shqiptarët në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

 

Sipas z.Redi Ramaj, Aleanca KuqeZi  ka si mision kryesor bashkimin shpirtëror të shqiptarëve. Lëvizja ka organizuar peticionin kundër regjistrimit etno-fetar në Shqipëri, pasi mendon se kjo nuk është standard i Bashkimit Europian, por një shantazh antishqiptar i qarqeve të caktuara. Aleanca KuqeZi  ka reaguar në shumë raste edhe kundër diskriminimeve që u bëhen shqiptarëve kudo në rajon dhe më gjerë. Ka formuar degë në shumë qytete europiane duke u rritur vazhdimisht.

 

Sipas z.Ramaj, “Nismat e Aleancës KuqeZi  janë tërësisht ligjore dhe kushtetuese.  Ne do të ndjekim të gjitha rrugët që përcakton ligji për të ndryshuar ligjin “Për Shtetësinë Shqiptare”, neni 9, paragrafi i fundit, ku të hiqet kërkesa e 3 vjet vendbanim në Shqipëri për tu pajisur me pasaportën e vendit të origjinës. Shqiptarët në të gjitha trevat Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e diasporë duhet të gëzojnë të drejtën e plotë të pasaportës së origjinës”.

 

Ai mëtutje potencoi se nuk është e drejtë që një shtetas i huaj me përkatësi etnike joshqiptare të përfitojë pasaportë brenda disa muajve, kurse shqiptarët e trojeve duhet të presin 5 vite për të fituar këtë të drejtë. Sipas tij, shtetet  fqinjë ballkanike kanë vepruar me kohë në këtë drejtim. Si shembuj u morën Bullgaria me pasaportizimin e maqedonasve, Sërbia e cila lëshon pasaporta jo vetëm për sërbët e Kosovës por edhe për shqiptarët e atjeshëm apo Greqia me të a.q “minoritarë grekë” në Shqipëri. Për këtë shkak, duhet proceduar sa më shpejtë me realizimin e iniciativës në fjalë.

 

Përfaqësuesja tjetër e Aleancës, znjsh.Inesa Hila, pasi falenderoi për mikpritjen, arsyetoi bazën ligjore për marjen e pasaportës shqiptare. Sipas saj, ky veprim është  në pajtim me legjislacionin shqiptar si dhe nuk bie ndesh me standardet më të avancuara të Bashkimit Europian. Ndër të tjerat znjsh.Hila u shpreh se, “Kodifikimi i të drejtave e detyrimeve të të gjithë personave të cilësuar si qytetarë përbën elementin thelbësor të procesit të ndërtimit të një kombi. Shtetësia qëndron në themel të pikpyetjes së mundësive të individit për të realizuar liritë e tij”.

 

Në fund apeloi për shkundjen e asaj gjendje shoqërore që  e cilësoi si “apati qytetare” të shqiptarëve duke kërkuar me forcë dhe me të gjitha mjetet ligjore e kushtetuese pajisjen e shqiptarëve të trojeve me pasportën e vendit amë.

 

Një ndër panelistët e ftuar ishte edhe z.Shpëtim Pollozhani, kryetar i Shoqatës së ish të burgosurve dhe përndjekurve politikë shqiptarë në Maqedoni. Sipas tij, iniciativat e këtilla të rinisë shqiptare duhen përshëndetur dhe përkrahur në vazhdimësi. Ai kërkoi që kjo nismë të zgjerohet edhe në qytetet tjera të vendit dhe të jetë afatgjatë. Z.Pollozhani u zotua që të vijojë aktivitetin në pjesët jugore të vendit.

 

Aktivisti nga Kërçova, z.Bekim Adili, pasi u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve nga Tirana, i përgëzoi për këtë iniciativë fantastike e cila duhet konkretizuar sa më shpejtë që është e mundur. Ai foli edhe rreth bashkimeve të domosdoshme në të gjitha fushat e jetës në të ardhmen.

 

Kuq e Zi
Valon Kurtishi theksoi se kjo nismë është pozitive për disa arsye. Politike, pasi rrit ndikimin shqiptar në Ballkan; Ekonomike pasi u jep përparësi bizneseve shqiptare për një lëvizje më të shpejtë dhe pa pengesa; Kulturore pasi forcon ndërgjegjen e rrezikuar kombëtare të shqiptareve jashtë shtetit si dhe shton  realisht bashkëpunimin ndëruniversitar si dhe shkëmbimet mes të rinjve shqiptarë. Kjo gjithmonë në frymën europiane pasi integrimi ndërshqiptar shihet si kusht dhe si shans për një integrim europian.

 

Pas këtyre vërejtjeve hyrëse vijoi debati me të rinj të interesuar, ku u parashtruan shumë pyetje, vërejtje, komente si dhe u dhanë  ide të caktuara të cilat aktivistët e Aleancës KuqeZi  i pranuan me seriozitetin maksimal, duke u zotuar për të bërë edhe më shumë në të ardhmen. U fol për zhdukjen e paragjykimeve mes shqiptarëve, për punën që bën AleancaKuqeZi  në këtë drejtim. Aktivistë tëAleancës KuqeZi  në Maqedoni u shprehën se kanë ndjerë në të gjitha format mungesën e dorës së ngrohtë të shtetit amë. Në një diskutim të hapur me publikun, u rrahën mendime të shumta mbi alternativat për një të ardhme të përbashkët të kombit. Këto u fokusuan në kërkesat për unifikimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe duke punuar për një Abetare dhe Histori të përbashkët; ngritjen e një Akademie të Shkencave; krijimin e një Ministrie të posaçme për shqiptarët jashtë kufijve; zgjidhjen e çështjes së simboleve kombëtare etj. duke nisur kështu hapat e parë të bashkimit të vërtetë shqiptar.

 

Redi Ramaj perifrazoi thënien e njohur të Naim Frashërit, “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar”, duke e ndërlidhur këtë me mundësinë që shteti shqiptar ta realizojë përfundimisht këtë postulat të rilindësit tonë të madh, duke u dhënë pasaportën shqiptare gjithë shqiptarëve jashtë kufinjve politikë.

 

Për fund duam të themi që ne si shoqëri civile shqiptare në IRJM, do të bëjmë çmos që me forca të bashkuara të japim kontributin tonë për plotësimin e këtij objektivi madhor të rradhës vendosur nga “Aleanca Kuq e Zi”. Të bashkuar do ia arijmë qëllimit.

 

Tetovë, 19 korrik 2011

 

 

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx