Udhëpërshkrim
Xhelal Marku: Kulla e Sufë Laçit në Gjurrë-Reç të Dibrës
E hene, 18.07.2011, 07:16 PM
Kulla e Sufë Laçit në Gjurrë-Reç të Dibrës
Objekt i rëndësishëm i trashëgimisë tonë kulturore, i panjohur më parë
Nga Xhelal Marku
Gjurrë-Reçi është fshati më verior i krahinës së Reçit në rrethin e Dibrës, i cili i mbështetur në prehër të maleve në të djathtë të rrjedhës së lumit Malla, duket sikur i fton dhe i përshëndet vizitorët me pamjen e tij piktoreske e tërheqëse. Një fshat i vogël dhe i bukur, me njerëz punëtorë e mikpritës, trima dhe bujarë, por dhe të besës, që kanë ditur të ndërtojnë jetën e tyre edhe këtu në lartësitë e bjeshkëve. Ndonëse me pak tokë, ata vazhdimisht kanë pasur një ekonomi të stabilizuar e me të ardhura të mjaftueshme, të cilat i siguronin kryesisht nëpërmjet blegtorisë. Është kjo arsye, që shtëpitë e tyre të bukura e të grupuara, hijeshojnë fshatin me bardhësinë që kanë dhe njerëzve të saj u lexohet dukshëm bujaria, -kjo traditë e lashtë e Dibrës dhe e gjithë shqiptarëve. Unë pata rastin ta vizitoj këtë vjeshtë Gjurrë-Reçin, që tanimë lidhet edhe me rrugë makine, sepse luginës së Mallës po ndërtohen tre hidrocentrale të rinj. Dhe, të them të drejtën, u befasova me pamjen madhështore të kullës së Sufë Laçit, e cila qëndronte si kështjellë në krye të fshatit me pamjen e saj të gurtë, ashtu si dyqind vjet më parë: me oxhakët që tymonin papushim, me portën e hapur të mirëseardhjes e të bujarisë, por dhe me njerëz, që oxhakun e odës bujare të Laçëve e kanë mbajtur përherë të ndezur. Një kullë e madhe, jo vetëm për nga përmasat, por së pari për nga teknologjia e ndërtimit të saj, me një arkitekturë të rrallë e të veçantë për zonën e veriut, ku spikat dukshëm mjeshtria e lartë e ndërtuesëve vendas, të cilët tek ky objekt, duket sikur kanë derdhur tërë talentin e tyre. Kulla e Sufë Laçit, tashmë ka hyrë në shekullin e tretë të jetës së saj- thonë trashëgimtarët e kësaj kulle, ku kanë banuar pesë breza të fisit Laçi me rreth njëqind pjesëtarë të kësaj familjeje. Ajo u ndërtua si nevojë e domosdoshme për të përballuar numrin e madh e në rritje të mysafirëve të saj, që vinin nga të gjitha zonat e Dibrës, por dhe të rretheve të tjera fqinj e më gjërë. Kjo kullë, ishte një objekt i njohur dhe shumë publik, që kishte bërë emër për vlerat e saj mikpritëse e humane, por dhe që shërbente si një pikë orientimi për udhëtarët, që kalonin për herë të parë e që nuk e njihnin rrugën në krahinë. Kulla e Sufë Laçit njihej gjithashtu si vatra më mikpritëse e zonës, por edhe si vatra me ekonominë më të mëkëmbur në Reç të Dibrës. Ajo kishte hyzmetqarë, të cilët shërbenin në punë të ndryshme, si: ruanin bagëtitë, bënin dru për zjarr, punonin tokën, mbillnin e korrnin, por dhe që gatuanin dhe shërbenin në punë të tjera, si shtëpi e madhe që ishte. Kjo shtëpi, mbante rreth një mijë krerë bagëti të imta dhe një numër të konsiderueshëm gjedhesh, ku pothuajse çdo natë therej nga një bagëti për të respektuar mysafirët e ardhur në kullë. Ndaj, shprehja: “Bujrum tek Sufë Laçi!”- ishte e njohur për të gjithë kalimtarët, qoftë edhe ata të rastit. Sipas një përllogaritje, tek kjo kullë, janë pritur me bujarinë e reçjanit rreth dy mijë mysafirë në vit, pa llogaritur këtu ardhjet gjatë ditës. Dhe e gjithë kjo mikpritje, që kishte një kosto të madhe, bëhej krejtësisht falas në kullën e Sufë Laçit, të cilës sipas rrëfimeve të banorëve vendas, emrin e mirë për bujarinë dhe mikpritjen e saj, e kishin dëgjuar bashkëkohësit edhe tej kufinjëve shqiptarë, deri në Stamboll të Turqisë. Ndaj, shprehja: “ Ta ndezim zjarin në oxhak si tek Sufë Laçi, ta shtrojmë sofrën si në odën e Laçit”etj- dëgjohej kudo në Dibër. Ajo ishte një portë përherë e hapur për mysafirët, ku e jashtëzakonshme konsiderohej vetëm nata pa miq. Dhe nuk ishte vetëm mikpritja e bujaria, që i ftonte mysafirët tek kjo vatër e njohur në krahinë, por së pari vlerësohej shkalla e lartë e sigurisë në këtë kullë, besa dhe burrëria, që i karakterizonte banorët e saj në vite. Që këtej e ka burimin edhe shprehja e të zotit të shtëpisë Sufë Laçi në atë kohë: “Rrini lirshëm miq ! Jeni në besën time “! – shprehje, të cilën ai e përsëriste shpesh në odën e miqëve. Ndaj, për këtë arsye, por dhe për komoditetin që kishte kulla, kjo vatër u kthye edhe në një objekt të rëndësishëm historik, ku vinin e takoheshin shpesh personalitetet më të larta të Kombit tonë, si: Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mit`hat Bej Frashëri, Bajram Curri, Muharrem Bajraktari, Elez Isufi, Dali Ndreu, Cen Elezi etj., të cilët bisedonin dhe merrnin vendime për probleme të rëndësishme për fatet e këtij vendi.
Vlerat ndërtuese të Kullës
Duke parë numrin e madh të mysafirëve, që frekuentonin kullën e Laçit, Beshir Laçi i parë bashkë me Merë Laçin, të cilët me punën e tyre të palodhur kishin vënë pasuri në vite, vendosën të ndërtojnë një kullë të re, që sot njihet me emrin: “Kulla e Sufë Laçit”. Kjo kullë tre katshe u ndërtua përgjat dy viteve nga ustallarë vendas dhe njihet si kulla me arkitekturën më të veçantë në rrethin e Dibrës. Për ndërtimin e saj, punuan njëzet e pesë mjeshtra e punëtorë të llaçit e të transportit. Ajo që bie në sy me pamjen e parë të saj është cilësia e lartë e punimeve të kullës, e cila është ndërtuar krejtësisht me gurë të gëdhendur dhe në stilin e vjetër të traditës, duke ruajtur tipiken e odës dibrane. Madje, me gurë të gëdhendur janë ndërtuar këtu, jo vetëm muret e jashtme të saj, por edhe pjesa e brendshme e mureve, ç`ka i jep kullës rezistencë e qëndresë të jashtëzakonshme dhe një shkallë të lartë sigurie për banorët e saj. Të gjithë gurët e gëdhendur, që janë vendosur në pjesët e brendshme të mureve, janë punuar me daltë të llojit kunj, gjë që mundëson qëndresën e suvatimeve mbi `to. Kulla është ndërtuar me frëngji, për efekt sigurie dhe mbrojtjeje dhe është e rrethuar gjithashtu edhe me një avlli karakteristike me mur guri të punuar, që arrin lartësinë mbi dy metra. E gjithë sasia e gurëve, që është përdorur për ndërtimin e kullës, është marrë në masivin shkëmbor të Kojzakut, e cila pasi është punuar në vend, është transportuar pranë objektit vetëm me kafshë, ç`ka përbën një volum tepër të madh pune. Po kështu, edhe lënda e drurit e kullës, është prerë e gjitha në bjeshkët e Rëptacit dhe në Livadhin e Nushit, që ndodheshin në një distancë tepër të largët dhe e gjithë sasia e saj është transportuar krejtësisht me krahë. Kuptohet qartë pra, preokupimi i madh i mjeshtrave të ndërtimit të kësaj kulle, për të zgjedhur cilësinë e lartë të bazës materiale, pa marrë parasysh largësinë, vështirësitë dhe kohën e gjatë, që duhej për transportimin e saj për në objekt. Dhe kjo cilësi e lartë punimesh, duket edhe në qëndresën e kullës, tek e cila në më se dy shekuj, nuk ka lëvizur asgjë. Ajo qëndron e bukur, e fortë, e pastër dhe pa asnjë dëmtim, siç ka qënë në fillimet e saj.
Historia e kullës
Kulla e Sufë Laçit është e njohur në Dibër, jo vetëm për vlerat e veçanta arkitektonike që ka, por dhe për vlerat e saj historike të trashëguara në vite. Është ky fakt, që në këtë kullë, janë arkivuar jo vetëm cilësitë më të larta të malësorit dibran, si: mikpritja e besa, por dhe një pjesë e historisë së kombit, sepse jorastësisht, këtu kanë qënë mysafir edhe disa nga personalitetet tona më të larta kombëtare, që takoheshin jo rrallë me njëri tjetrin dhe bisedonin, për t`u dhënë zgjidhje problemeve të rëndësishme për fatet e vendit tonë. Ishte së pari besnikëria e burrave të kullës së Laçit, siguria, qetësia dhe bujaria, por edhe komoditeti i kësaj kulle, që i ftonte për kuvend figurat e kombit. Ata vinin tek kjo kullë, për supërsigurinë që ajo kishte nga brenda me njerëzit e saj: besnikë e trima, të urtë e të drejtë dhe nga jashtë, me avllinë e fortifikuar dhe oborrin rreth saj, që e ruanin një tufë qensh të egër e të rrezikshëm, për të panjohurit që afroheshin. Kështu, fill pas konferencës historike të Pezës, në kullën e Sufë Laçit, me ndërmjetësimin e Ramadan Çitakut, është organizuar takimi i parë i Haxhi Lleshit me Muharrem Bajraktarin, për të arritur kompromiset e nevojshme politike për interesat e kombit, por për shkak të pikëpamjeve të kundërta që mbronin palët, nuk u arrit asnjë rezultat konkret. Në këto kushte, Muharrem Bajraktari shpalli papajtueshmërinë me lëvizjen e Frontit Nacional-Çlirimtar dhe iu kundërvu hapur asaj deri sa u arratis në vitin 1946. Por, kulla ka pritur e përcjellur në besë edhe mjaft figura të tjera të kombit, që tek kjo vatër bujare e krahinës takoheshin e bisedonin për problemet më jetësore të vendit.