Udhëpërshkrim
Sabit Rrustemi: Shëndritja e Beqir Musliut
E enjte, 30.06.2011, 07:59 PM
SHËNDRITJA E BEQIR MUSLIUT
Shkruan: Sabit Rrustemi
Shënimi i 15 vjetorit të shkuarjes në amshim të shkrimtarit Beqir Musliu, këtij emri që aq shumë i dha letërsisë, dëshmoi se Gjilani nuk i harron, po i nderon dhe vendos ku duhet e si duhet figurat që i bënë nder , qoftë me vlerën e tyre njerëzore, kulturore e intelektuale po dhe trashëgiminë artistike që lanë pas për breza e breza.
Organizatori i këtij përvjetori, Ars Clubi “Beqir Musliu” i mbështetur dhe nga institucionet komunale, ashtu siç dhe kish paralajmëruar që në fillim të këtij viti por, edhe më pas, për këtë figurë të shquar të letrave shqipe, përveç tjerash, organizoi dhe Simpoziumin letrar , i pari i këtij lloji në Gjilan që kur mbahet mend, një eveniment me premisa të mirëfillta shkencore, nën titullin “ Beqir Musliu – emblema e modernitetit shqiptar në letërsi”, ku u shpalos, u shtjellua dhe u vlerësua krijimtaria e tij në poezi, në prozë, dramë dhe në publicistikë..
Pastaj, vazhdoi dhe me dhënien e Çmimit Letrar “Beqir Musliu”, çmim ky që rikthehet tash dhe do jepet për çdo vit dhe ate për vlera të mirëfillta artistike. Po, edhe procedoi me një propozim i cili u aprovua nga Kuvendi Komunal ku, Beqir Musliu, post – mortum u shpall Qytetar Nderi i Gjilanit.
Simpoziumi letrar për Beqir Musliun, përvç që dëshmoi një univers të madh letrar që shtrihet gjerë e gjatë krijimtarisë së tij, ishte dhe shumë cilësor e, mbi të gjitha dhe gjithëpërfshirës, qoftë nga aspekti gjeografik i hapësirës shqiptare po, edhe nga aspketi vlerësues i tërë gamës krijuese të “mbretit të mefaorës” siç u cilësua me të drejtë.
Njerëz me grada të larta shkencore dhe njerëzore, nga Shqipëria, Maqedonia , Kosova (përfshirë këtu dhe Gjilanin) nw mesin e tyre dhe studiues të rinj të letërsisë, dëshmuan se, përvç që dijnë të vlerësojnë, dijnë për t’i gjetur dhe thënë dhe të pathënat e deritashme për krijimtarinë e Beqir Musliut. Dijnë edhe të dëshmojnë respektin e thellë për emblemën që, edhe sot ushqen e motivon dhjetëra e dhjetëra krijues për të ecur rrugës së rëndë e të mundimshme të artit. Dhe, këtë e bëjnë në mënyrë të vullnetshme, të shtyrë e motivuar nga figura që e kanë idol në jetën dhe angazhmin e tyre.
Ceremonia e shpalljes së Beqir Musliut Qytetar Nderi (post mortum) nga ana e Kuvendit të Komunës, ishte dhe një akt solemn i këtyre ditëve kur po përkujtohej njëri nga bijtë më të mëdhenj që dolën nga gjiri i këtyre anëve. Ishte dhe një obligim qytetar e intelektual dhe, gjithsesi dhe një dëshmi se gradualisht po mësohemi për ta nderuar një vlerë intelektuale që dhe në kohërat më të errëta nuk nguroi të t’i thoshte këtij populli “në do shpëtimin, gjeje rrugën tënde”.
Këtë përvjetor më domethënës e bëri dhe i pari i komunës së Gjilanit, z. Qemajl Mustafa, i cilim edhe në ditën kur u shpall fituesi i sivjem i Çmimit letrar “Beqir Musliu” (shkrimtari , Ibrahim Kadriu), po edhe para kuvendarëve lokal si dhe në Akademinë Solemne me rastin e dhënies së po këtij Çmmimi , e tha dhe e përforcoi premtimin e tij për ta ndihmuar e mbështetur përgatitjen për botim të të gjitha dorëshkrimeve të mbetura të Beqir Musliut.
Thesari i bollshëm krijues i Beqir Musliut do të pasurohet dhe me një spektër të gjerë veprash që do shohin dritën në vitet e ardhshme.
Ars Clubin “Beqir Musliu” i cili kohë më parë organizoi dhe një Manifestim rajonal të poezisë në ditën e lirisë për Kosovën, vërtetoi dhe njëherë para opinionit të gjerë, si brenda dhe jashtë Kosovës se nuk e mbanë kot këtë emër – emblemë , se ka krijuar një identitet kulturor përmes veprimtarisë së tij, ku me një mbështetje sado modeste e me një vullnet të pashoq, di dhe mund të bëj vepra të lakmueshme. Dhe jo vetëm për Gjilanin,
Shënimi i këtij përvjetori që ishte i paralajmëruar dhe transparent për gjithë të interesuarit, dëshmoi se emrat e mëdhenj nuk i mbulon harresa. Se ata nuk i zvetnon në asnjë mënyrë injoranca dhe zilia provinciale . Se ata gjithmonë mbajnë të ndezur një dritë në fund tuneli për t’ju dhënë shenjë dhe atyre që s’dijnë të gjejnë rrugën...
Po, dëshmon edhe për një pjekuri vepruese institucionale, profesionale e intelektuale të vetë Gjilanit që, nganjëherë di t’ ia çelë sytë dhe Prishtinës, duke i treguar se ç’duhet të bëj, por edhe t’ jua mbyllë gojën gjithë atyre smirëzinjëve që ende nuk janë mësuar t’i shohin veprat e mira që bëhen. Madje as emrin e Beqir Musliut tek shëndrit si gjithnjë në horizont.
Shëndritja e këtij emri , përmes një jete të shkurtër që bëri dhe një vepre të madhe që la, vetëm sa do shtohet viteve që vijnë.
Gjilan, 28 qershor 2011