Udhëpërshkrim
Murat Gecaj: Vizitë në Ulqin, me të njëjtin qëllim...
E diele, 26.06.2011, 03:59 PM
VIZITË NË ULQIN, ME TË NJËJTIN QËLLIM…
(Veprimtari e Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare)
Nga: Prof. Murat Gecaj
Publicist e studiues dhe përgjegjës sektori në IIKSH
Vizita në Ulqin dje, e grupit të punës së Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë dhe me drejtor Rezart Gashin, ishte vazhdim i udhëtimeve tona, që u bënë pak ditë më parë, në Shkup, Preshevë e Prishtinë. Qëllimi ishte i njëjtë, pra bashkëpunimi e bashkëveprimi me kolëgët tanë në Malin e Zi, me synimin kryesor: Njësimin e programeve dhe teksteve mësimorë, me përmbajtje kombëtare shqiptare, në të gjitha trojet amtare e në diasporën shqiptare. Në përbarje të grupit tonë, kësaj here, ishin: Dr. Ibrahim Gashi, kryetar i Komisionit Qendror të IIKSH; përgjegjësit e grupeve të punës dhe veprimtarët pranë këtij Instituti: Prof.Hulusi Hako, Prof.Emil Lafe, Prof.Murat Gecaj, Prof.Osman Kraja, Bedri Telegrafi, Namik Selmani e Liliana Gashi. Gjithashtu, ishin përgjegjëse sektorësh të Njësisë Bashkiake nr.8 të Tiranës, Manjola Elezi (Toska) e Anila Tugu.
Pasi përshkuam autostradën Tiranë-Shkodër, me një një mikrobus me shofer Bledin, bëmë një ndalesë të shkurtër pranë Urës së re të Bunës. Pastaj udhëtuam për në Ulqin, nëpër një rrugë automobilistike të ngushtë dhe jo aq cilësore, duke lënë në të dyja anët zona me drurë të gjelbëruar dhe fshatra të ndryshëm shqiptarë. Në pikën e kalimit kufitar, pra në Muriqan, bëmë procedurat e zakonshme të dokumenteve dhe nuk patëm vonesë. Unë, si dhe ndonjë tjetër, e bëja për hërë të parë këtë udhëtim në Ulqin dhe kisha kërshëri të shihja sa më shumë. Ndërsa arsimtari e poeti N.Selmani tregonte se kishte qenë disa herë dhe se atje kishte të njohur, kolegë, publicistë e shkrimtarë.
Nga pritja e grupit të punës, në Komunën e Ulqinit…Duke folur: Dr. Ibrahim Gashi
Ndalesën e parë, pasi arritëm në këtë qytet bregdetar, e bëmë në Komunën e Ulqinit. Në mungesë të kryetarit, Gëzim Hajdinaga, që ishte diku me shërbim, na pritën përgjegjësi i kabinetit, Sadik Perniku dhe arsimtari e publicisti Zenel Katana. Pasi Dr. Gashi u parashtroi atyre synimet e punës së Institutit, nga ne folën dhe H.Hako, N.Selmani, E.Lafe dhe O. Kraja. Në përgjithësi, në fjalën e tyre, vendësit dëshmuan gatishëmri për të bashkëpunuar në këtë projkct me vlera të larta atdhetare, arsimore e kulturore. Po kështu, pranuan mundësinë e binjakëzimit të asaj Komuneje, me Njësinë Bashkiake Nr.8 të Tiranës dhe të dy shkollave të tyre 9-vjeçare, me dy të tilla në kryeqaytetin tonë. Në këtë takim, Dr. Gashi u dhuroi vendësve disa libra e ata bënë po të njëjtën gjë, pra dhuruan libra për IIKSH. Ndërsa përfaqësueset e Njësisë Bashkiake Nr.8 të Tiranës, në emër të Arben Tafajt, dorëzuan dy albume të Shoqatës “Tirana”, ku ai është kryetar.
Pjesa më e vlefshme për misionin tonë në Ulqin ishte pjesëmarrja në “Tryezën e rrumbullakët”, që u organizua në mjediset e Hotelit “Mediteran”, me pronar Isa Beqon. Ky tubim ishte organizuar me kujdesin e kryetarit të komisionit të IIKSH për Malin e Zi, Dr. Nail Draga. Merrnin pjesë drejtues shkollash 9-vjeçare e të mesme, mesues specialist të lëndëve të ndryshme, në shkollat shqipe atje etj. Tubimin e hapi N.Draga dhe pastaj Dr. Gashi u paraqiti pjesëmarrësve punën e bërë, deri tani dhe synimet e mëtejshme të IIKSH. Në vazhdim, e morën fjalën me radhë vendësit: Bilal Alaj, Nail Draga, Ismail Doda, Ferid Kurti, Sabit Kurti, Ali Gjeçbritaj, Aishe Gjeçbritaj, Kadri Doda, Basri Lika e Flamur Anamali. Secili prej tyre, duke patur përvojë të mjaftueshme në drejtim ose në mësimdhënje, parashtroi mjaft probleme të mprehta, sidomos për përmbajtjen e teksteve dhe zbatimin e tyre me nxënësit e shkollave shqipe. Ndër të tjera, u shpreh shqetësimi i natyrshëm që atje ende punohet me teskte të përkthyera, pra që janë përgatitur posaçërisht e kryesisht për shkollat në gjuhën malazeze. U nënvizua se vërtet është e lejueshme nga që 20 përqind e lëndës të jepet nga mësuesi, duke e lidhur me traditat kombëtare shqiptare, por kjo gjë nuk është realizuar. Një gjë e tillë ka ndodhur se, praktikisht, është e pamundur që këtë gjë ta bëjë vetë mesuesi, kur nuk janë përgatitur as materiale shtesë nga mësues specialistë shqiptarë. Keqardhje u shpreh edhe sepse në organet drejtuese qendrore të arsimit as në shtëpinë botuese të teksteve mësimore nuk ka ndonjë arsimtar shqiptar!?
Bashkë me komisionin e IIKSH të arsimtarëve në Malin e Zi, pas “Tryezës së rrumbullakët”…
Për këto e probleme të tjera, N.Draga tha se është përgatitur një memorandum drejtuar organeve drejtuese arsimore në Malin e Zi. Le të shpresojmë që, në bazë të të drejtave të natyrshme të shqiptarëve në këtë Republikë dhe të mirëkuptimit ndëretnik, duke patur dhe përkrahjen e organeve qeveritare në Republikën e Shqipërisë, pra në shtetin amë, këto problerme aktuale do të marrin zgjidhjen e duhur, sa më shpejt dhe sa më mirë.
Por edhe nga grupi ynë diskutuan e shprehën mendimet e tyre në këtë “Tryezë”, për çështje të ndryshme dhe me interes të ndërsjelltë: H.Hako, N.Selmani dhe E.Lafe.
Është e natyrshme se qendrimi në një qytet të tillë të bukur shqiptar dhe me histori të lashtë qindravjeçare, nuk mund të lihej pa u shoqëruar me vizitën në Muzeun e pasur Historik të tij. Aty na priti e na dha shpjegime interesante e të hollësishme punonjësi Gazmend Kovaçi. Ai përmendi fakte e dokumente të pakundërshtueshme, arkeologjike, historike, etnografike etj., që dëshmojnë se Ulqini ka tradita shumë të lashta të kulturës dhe të identitetit kombëtar shqiptar. Për këto çështje, kanë shkruar e publikuar disa libra edhe autorë të huaj. Kur po dilnim, në emër të grupit tonë, N.Selmani shkoi plot frymëzim në librin e përshtypjeve të Muzeut, përmbajtjen kryesore të atyre, që përmenda më lart dhe secili nga ne la firmën e tij aty.
Një objekt i lashtë i qytetit të Ulqinit dhe me vlera të veçanta historike është “Xhamia e Marinarëve”. Siç na shpjeguan, mendohet që ajo është ndërtuar para ardhjes së turqëve në Shqipëri, pra kur marinarët e vendeve arabe ndalonin aty dhe kryenin ritet fetare. Megjithëse gjatë periudhave të ndryshme janë bërë përpjekje për ta dëmtuar ose për ta ndërruar identitetin e xhamisë në fjalë, ajo ka adhur deri në ditët tona dhe tani po bëhej rokonstruktimi i kujdesshëm nga disa specialistë turq.
Anëtarë të IIKSH, nga Tirana, dëgjojnë me kureshtje shpjegimet, në Muzeun e Ulqinit…
Megjithëse tani mësimet kanë mbaruar edhe në shkollat e Ulqinit, na ftoi për një vizitë në Gjimnazin jopublik shqip “Drita”, e vetmja shkollë e mesme e tillë në gjithë Malin e Zi, drejtori i saj, Bilal Alaj. Ai na shpjegoi se ky gjimnaz është çelur në vitin 2006 dhe numri i nxënësve e i mësuesve nuk është i madh. Pra, për shembull, sivjet vijuan aty 110 nxënës e kishte 22 mësues të rregullt e disa të tjerë me kontratë. Nga kjo shkollë kanë dalë dy matura, vjet 12 veta e sivjet 31 veta dhe ata i kanë vijuar ose do t’i vijojnë shkollat e larta, si në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
Vërtejtëm se ky lokal shkollor ishte me mjedise të përshtatshme, kishte sallë me komjutera e pajisje të tjera. Por pamë se aty mungonte biblioteka me libra shqipe, çka është një mangësi për formimin e nxënësve me traditat kombëtare shqiptare.
Ishte kënaqësi për ne që, Dr. Draga, kur po ndaheshim, na dhuroi disa nga librat e tij, si: “Gjurmë gjeografike”(1997), “Komente dhe opinione”(1999), “Kultura dhe shoqëria civile” (2009), po kështu dhe disa numra të revistës “Lemba”, ku ai është kryeredaktor. Me këtë rast, m’u kujtua dhe miku im Nikë Gashaj, që nxjerr në Podgoricë revistën e bukur “Malësia” dhe që, për aryse pune, nuk erdhi dot për të na takuar.
…Të përcjellur me dashuri e respekt nga kolegët tanë në Komunën e Ulqinit e më gjërë, ne u kthyem për në kryeqytetin Tiranë. Përveç detyrave e mësimeve, që morën aty, të dyja palët shprehën mendimin e përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë. Një ndër punët më të afërta dhe me rëndësi, është përgatitja e temave studimore për tesktet ekzistuese shkollorë, për t’i paraqitur në Konferencën Mbarëkombatare Shqiptare, e cila do të organizohet sivjet në vjeshtë, në kryeqytetin Tiranë. Dhe të gjithë shpresojmë e besojmë se ajo do të përgatitet e zhvillohet me frytshmëri të lartë.