Udhëpërshkrim
Gani Qarri: Fshati i jetimëve të luftës dhe Humanizmi i mësueses Dile!
E hene, 06.06.2011, 07:59 PM
Fshati i jetimëve të luftës dhe Humanizmi i mësueses Dile!
Nga Gani Qarri
Çështja e krimeve të luftës dhe mos-përgjegjësia për këto krime ka irrituar shumë familje të viktimave dhe të të zhdukurve shqiptar,si nga e gjithë Kosova ashtu edhe nga Krusha e Vogël, të cilat e kanë humbur shpresën se dikush do të japë llogari për mizoritë e pushtuesve serb,ndaj familjarëve të tyre të pafajshëm edhe pas 12 vitesh të tragjedisë së ndodhur me 26 Marsi të vitit 1999 në këtë fshat.
Fshati pa burra, siç quhet ndryshe Krusha e Vogël,i takon Komunës së Prizrenit,të cilin lumi Drini i bardhë e ndanë nga fshati Bregdrin i Hasit të Kosovës,i cili nga rreth 700 banorë,sa thuhet se ka, 145 nga ta janë fëmijë -jetim, 82 gra të veja dhe dhjetëra nëna të mbetura pa djem,nga vrasja e 114 shqiptarëve me rreth 90 nga ta të zhdukur ,që nga 26 marsi i vitit 1999,kur forcat pushtuese serbe kidnapuan nëpër shtëpitë e tyre 120 shqiptar për ti vrarë dhe zhdukur.
Masakrimi i tyre nga forcat pushtuese serbe,si në gjithë Kosovën,edhe këtu nuk kurseu as fëmijët e moshës 13 vjeçare deri te pleqtë 70 vjeç, me q`rast 114 shqiptar u ekzekutuan, ndërsa 6-të nga ta, të mbuluar nga gjaku dhe kufomat e të vrarëve,ndonjëri edhe i plagosur,kishin arrit të shpëtonin.
Trupat e shqiptarëve të vrarë,pas pakë kohe terroristët serb,për humbjen e gjurmëve të krimit,ishin kthyer për ti djegur,dhe nga 114,të vrarit,për shkak të deformimit të kufomave nga djegëja dhe bartjes së mbetjeve mortore,nga kriminelët pushtues serb,90 nga ta që nga ajo kohë, figurojnë vetëm në listën e shqiptarëve të zhdukur, pasi që edhe pas më shumë se 12 viteve të kaluara,nuk është arrit të zbulohen më shumë se trupat e 25 prej tyre, deri më tani.
Nga 2000 të zhdukurit shqiptar,që nga lufta në Kosovë, 90,prej tyre janë nga Krusha e Vogël. Kurse njëri nga 6-t, të mbijetuarit, është Qamil Shehu,para syve të të cilit i kishin vrarë dy djemtë e tij, tre vëllezër dhe pesë nipërit. Ai i kishte pa ata të vdisnin para syve,derisa qëlloheshin me të gjitha llojet e armëve nga fqinjët e tij serb,ish kolonët e dikurshëm të vendosur me dhunë aty nga pushtuesi sllavë.
Madje dy nga të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Vogël patën dëshmuar edhe përpara Gjykatës për krimet e luftës së ish Jugosllavisë,kundër kryekriminelit serb Slobodan Millosheviç, në Hagë i cili vdiq i pa dënuar,dhe të zhdukurit shqiptar sot e kësaj dite figurojnë edhe më tej në listën e të pagjeturve,duke i shtuar pritjet e gjata, të cilave as që u shihet fundi.
Fshati i Krushës së vogël,edhe sot banohet kryesisht,nga fëmijë jetim dhe gra të veja,të cilat duhet të mbajnë familjet e tyre dhe të rritin fëmijët pa etër,duke kultivuar perime; speca domate dhe patate nga të cilat nuk mund të mbijetojnë pa ndihmat mujore sociale sado të vogla që janë ato dhe Qumështorja në fshat, e cila falë punës së palodhshme dhe aktivitetit bamirës dhe vullnetar të z. Dile Prenkpalaj nga fshati Bregdrin i Hasit të Kosovës,me gjithë vështirësitë jo të pakta,funksionon edhe sot,duke ndihmuar për aq sa mundet këto gra që rrisin jetim lufte të cilët janë të shumtë në Krushë të vogël.
Me gjithë përpjekjet e familjarëve, që 54 kriminelët serbë dhe dy bashkëpunëtorët e tyre romë, të cilët banorët e mbijetuar të Krushës i njohin,për ti sjellë para drejtësisë vendore apo asaj ndërkombëtare, si përgjegjës për masakrën në fshat dhe zhdukjen e të afërmve të tyre që nga fundi i marsit 1999, drejtësia ndërkombëtare,deri më tani është marrë vetëm me të vrarët- trupat e të cilëve janë gjetur, por jo edhe me të zhdukurit dhe të kidnapuarit shqiptar, për fatin e të cilëve as sot pas 12 vitesh nuk dihet asgjë,me arsyetimin se pa gjetjen e kufomave, nuk mund të provohet as krimi.
Tanimë pranohet nga të gjithë,se zhdukja e trupave të shqiptarëve të vrarë,ka qenë qëllimi primar kriminal dhe politik i Serbisë,me bindjen e saj se pa gjetjen e kufomave nuk mund të dëshmohet gjenocidi serb,kundër shqiptarëve në trojet e tyre etnike.Madje sikur të mos mjaftonte as kjo,familjarët e shqiptarëve të zhdukur, duhet të përballen edhe me kriminelët e kthyer serbë në Kosovë,të cilët sillen sikur të mos kishte ndodhur asgjë,ngase dosjet e kriminelëve të luftës,si nga gjykatat e UNMIK-ut, ashtu edhe nga Misioni i EULEX-it,për afro 12 vite,janë hedhur në harresë, dhe vrasësit e 114 shqiptarëve në këtë fshat, sot e kësaj dite shëtitin të lirë dhe të pandëshkuar,ndonjëherë edhe në vendin e krimit.
Rreth 90 nga të vrarët nga ky fshat edhe sot figurojnë të zhdukur,madje në familjen Shehu nga 9 të vrarë vetëm dy janë gjetur dhe rivarrosur,derisa për pjesëtarët e mbijetuar të familjes çdo ditë që vjen, është më e rëndë se tjetra,pasi që shumë oborre dhe shtëpi krushjane që nga 26 Marsi i vitit 1999,i ka mbulua heshtja, nga mungesa e kryefamiljarëve,ku të freskëta dhe të dallueshme, kanë ngelur vetëm gjurmët e vrasjes së tyre makabre nga kriminelët serb.
Në Krushë të vogël përveç vuajtjes për të zhdukurit, shumë familje,në mungesë të etërve,për vite me radhë nuk iu gëzuan asnjë lindje të ripërtëritjes,ku gjallëria mbytet me heshtje dhe dëshpërim për bijtë e zhdukur pa gjurmë dhe fëmijët e mbetur jetim,të cilët e rrisin dhembjen e madhe,të kësaj plage kaq të ndjeshme,pasi që ajo në Krushë të vogël, gjendet e freskët edhe sot,si në shumë familje,anë e kënd Kosovës,të cilat me padurim,presin një lajmë për më të dashurit e tyre të pagjetur.
Në këto familje me plagë ende të pa shëruara,sa herë që dëgjohet ndonjë zhurmë nga kalimet e rëndomta në rrugë,zemrat e tyre të shqetësuara-ngadalësojnë të rrahurat dhe sytë e përmalluar kthejnë shikimin tek portat e rrugës nga vinin dikur më të dashurit e tyre,duke mos harruar premtimet e përcjellura me shumë zhgënjime të cilat sikur janë kthyera në halucinacione,nga pafundësia e pritjes së stërzgjatur për më shumë se 12 vite me radhë me shpresë se një ditë ndonjëri nga ta mund të kthehet i gjallë, apo sido që të jetë,por të paktën të kenë një shenjë,për nderimin e merituar për ta.
Përndryshe dhembja e madhe edhe pas kaq vitesh pritjeje për të afërmit e pagjetur,deri në zbardhjen e fatit të tyre, për familjarët e bënë ngjarjen aq të prekshme sa që gjatë gjithë jetës ti lëndoj plagët e pa shëruara të grave dhe fëmijëve të mbijetuar krushjanë nga tragjedia e 26 Marsit të vitit 1999,kur edhe me fatin e tyre luhej drama shekspiriane, për jetë a vdekje, dhe Dile Prenkpalaj jo vetëm se i njihte personalisht shumicën prej tyre , por e shtyr edhe nga shpirti tradicional - human i trevës hasjane dhe dinjiteti i saj njerëzor e kombëtar, i kishte strehuar të gjithë në shtëpinë e sajë dhe familjet përreth,në fshatin Bregdrin të Hasit.
Pjesa e dytë
Dile Prenkpalaj,mësuese dhe profesoreshë e matematikës , për tu shkolluar i atbotë i duhej të udhëtonte çdo ditë në Qytet,ndaj për çdo mëngjes ajo kalonte lumin Drini i bardhë,për të arrit deri në Krushë të Vogël nga kalonte rruga e asfaltuar,ku ajo e priste autobusin për në Prizren . Nga kontaktet e përditshme me Krushjanët, ajo i njihte pothuajse të gjithë banorët e atij fshati me shumicën e të cilëve kishte miqësi.
Por tanimë kishin ardh kohë të tjera dhe më të vështira se kurrë më parë, lufta ishte aty dhe fushata e forcave okupuese serbe për spastrimin etnik të shqiptarëve po zhvillohej nga afër. Me 26 Mars të vitit 1999,ekspedita e soldateskës kriminale serbe,kishte përfshi Krushën e Vogël,duke kidnapuar meshkujt që nga mosha 13 vjeçare,kurse femrat i kishin ndarë nga më të dashurit e tyre, të cilët nuk do ti shihnin më kurrë,dhe i kishin dëbuar me dhunë drejt lumit Drini i Bardhë, duke u thënë të mbyteshin në ujë që të arrinin më lehtë në Shqipëri.
Derisa kriminelët serb bënin masakrimin e meshkujve shqiptar, gratë dhe fëmijët e frikësuar dhe të shastisur nga tmerret e krimeve serbe në Krushë të Vogël,pasi që nuk kishin mundur ta kalonin ujin e shumtë të Drinit, ishin ulur pranë ujit duke qajtur me sa zë që kishin,ku zhurma e vajit të tyre ishte dëgjuar deri në fshatin Bregdrin. Dilja me familje,nga shtëpitë e tyre i kishin parë që të gjitha si në pëllëmbë të dorës dhe pasi ishte larguar policia kriminele serbe, gratë dhe fëmijët e mbetur buzë valëve të ujit të rrëmbyeshëm të Drinit,me traktor dhe çfarë kishin mundur, i kishin sjell në shtëpitë e tyre.
Para se të hynin brenda,ato kishin dëgjuar krismat e armëve duke kuptuar se ç'po ndodhte me djemtë dhe burrat e kidnapuar të Krushës, matanë lumit,vaji dhe britmat me panik-kishin vazhduar ,kurse Dilja përpiqej ti qetësonte,në momentet më të vështira dhe kohët më të rënda që po kalonin gratë dhe fëmijët e dëbuar, në jetën e tyre.
Pas pak ditësh edhe Dilja me familje,së bashku me gratë dhe fëmijët e strehuar nga Krusha,ishin detyruar ta braktisnin fshatin e tyre dhe Kosovën për tu strehuar në Shqipëri, sepse as ne Bregdrin ata nuk ishin më të sigurt nga kriminelët serb. Që nga ajo kohë, Dilja ishte bërë Baba, Nënë dhe Shpëtuese për të gjitha gratë dhe fëmijët e Krushës së Vogël, të cilët kishin humbur burrat,djemtë dhe etërit, kurse ajo ishte dëshmitare e gjithë asaj tragjedie.
Pas lufte, Dilja ndër të parat ishte kthyer në Kosovë dhe kishte filluar të punonte me organizatat humanitare,për lehtësimin e traumave të grave dhe fëmijëve që kishin humbur më të dashurit e tyre gjatë luftës në Kosovë, siç ishte rasti edhe me gratë e veja të Krushës së vogël të cilat kur ishin kthyer,përveç burrave të vrarë e të zhdukur, kishin gjetur të gjitha shtëpitë e djegura, kafshët e therura,dhe plotësisht të vetme,pa asnjë pasuri dhe mbështetje, para atij mjerimi të madh, duhej të fillonin një jetë të "re" të pa provuar deri atëherë,për të rritur në atë gjendje, fëmijët e tyre jetimë.
Atyre vetëm Dilja mund tu ndihmonte, duke u bërë prapë shpëtimtare e mbijetesës së tyre të zorshme,dhe në gjendjen në të cilën ato ndodheshin ajo u kishte propozuar të formonin e një shoqate të grave fermere por, pas gjithë atij tmerri dhe përjetimeve të papërshkruara,ato nuk kishin më forcë, as besim në vetvete për asgjë, përveç vajit të madh për humbjen e çdo gjëje dhe zhdukjen e më të dashurve të cilët të gjallë as të vdekur,nuk do të ktheheshin më kurrë, deri në ditët e sotme.
Besimin që nuk e kishin në vete,ato ia kishin falur të tërin Diles, shpëtimtares së tyre të orëve më të vështira,nga e cila kërkuan që, ajo ti ndihmonte dhe udhëhiqte për tejkalimin e gjendjes së tyre të pa shpresë.
Dhe,Dilja jo vetëm se kishte gjetur donatorë, duke filluar që nga organizata FAO për ti ndihmuar ato gra me disa lopë qumështore, por me një projekt të dytë kishte përfituar edhe donacione për lehtësimin e traumave të tyre dhe fëmijëve jetim të luftës në Kosovë”,nga organizata "Heifer Internacional Kosova"duke i nxjerr nga traumat e luftës,vetmia e madhe dhe izolimi i tyre i plotë, përmes bashkëpunimit me to dhe fëmijët e tyre.
Ajo tanimë ishte kthyer në Prind të vërtetë dhe udhëheqëse e suksesshme e tërë "kooperativës" familjare , duke qëndruar me këto gra gjatë tërë kohës,të cilat vetëm fal ndihmës së Diles kishin filluar të komunikojnë me njëra tjetrën,dhe tu kthehen përpjekjeve për mbijetesë duke provuar çdo mundësi për rritjen dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre pa etër.
Dilja ishte kujdesur edhe për hapjen e një pike grumbulluese të qumështit,në Krushë të vogël të cilën edhe sot e udhëheqë ku gratë e veja qojnë "tepricën" e qumështit për ta shitur,kurse për pagesën e tyre me rregull kujdeset gjithmonë Dilja e cila në pikën grumbulluese punon vullnetarisht, dhe trajnon edhe gratë në këtë punë.
Duke ju falënderuar punës së saj të madhe dhe përkushtimit me gjithë zemër për ndihmën e dhënë ndaj grave të veja dhe fëmijëve jetim të Krushës së Vogël, në vitin 2006, Dile Prenkpalaj ishte nderuar me shpërblimin WiLD (Women in Livestock Development Award) – "Gruaja në zhvillimin e Blegtorisë", të cilin me meritë dhe shumë të drejtë, zyra e Qendrës "Heifer Internacional" nga Little Rock – SHBA, për kontributin e saj,ia kishte ndarë Diles.
Ndaj,nëse Nën Tereza, kishte bërë aq shumë punë për të varfëritë, të sëmurët dhe të pa strehët në Kalkutë dhe gjithandej nëpër botë, motër Dilja bëri po të njëjtën gjë, me po aq vendosmëri dhe humanizëm njerëzor,krejt çfarë diti dhe aq sa mundi para dhe pas luftës në Kosovë,duke ndihmuar gratë e veja, fëmijët jetim të luftës dhe gjithë ata që patën nevojë për ndihmën e saj, duke bashkëjetuar me shpirt dhe vepra mbijetesën e tyre të rëndë, edhe pas lufte,që nga fillimi i vështirë dhe pothuajse i pa shpresë, e deri te mbijetesa e zorshme që vazhdon e mundimshme dhe me shumë probleme edhe sot.
Ndaj,Dile Prenkpalaj, nëse nuk mund të quhet "Nën" siç quhej Nënë Tereza, ajo me plot kuptimin e fjalës mund të quhet Motër,e cila jo vetëm se është motër e jona e vërtetë nga Gjaku,Kombi dhe Gjuha, por ajo këtë e meritoi më shumë dhe më mirë se cila do humaniste tjetër në Kosovë me veprat e saj humanitare,përmes të cilave ndihmoi që jeta e shumë nënave të mbetura në mëshirën e fatit,dhe rrita e shumë fëmijëve të mbetur jetim dhe pa përkujdesje prindërore ,të mos ndërpritej por të vazhdohej dhe zhvillohej pa tragjedi të reja duke kaluar edhe sfidën e cila pa ndihmën e saj dukej dhe ishte e pa përballueshme për të gjitha gratë dhe fëmijët e mbijetuar nga tragjedia e Krushës.
Dhe për fund,nëse dikush ka merituar një nderim për së gjalli, të cilin nuk mund ta arrijë secili në këtë jetë,për kohët e vështira nëpër të cilat kaloi Populli ynë, ai me siguri duhet ti takojë motrës sonë humaniste,të nderuarës Dile Prenkpalaj,të cilës në mënyrë të veçantë në Krushë të vogël,do duhej ti ngritet një Statujë-Prindërore, në shenjë mirënjohje për ndihmën e pakursyer që ajo ofroi në rritjen e fëmijëve jetim të këtij fshati dhe mbijetesës së nënave të tyre të veja të cilat nuk patën asnjë dorë tjetër ndihme dhe përkujdesjeje, përveç duarve të arta dhe shpirtit të ndritur humanitar, të zonjës Dile Prenkpalaj.
Gani Qarri
Cyrih 3 - 4 Qershor 2011