Udhëpërshkrim
Fazli Maloku: Buka e larë me lot!
E shtune, 04.06.2011, 07:59 PM
Buka e larë me lot!
Nga Fazli Maloku
besio4@hotmail.com
"Nuk do të mendoja dy herë ta vrisja vetën po ta dija se sadopak do të ndryshonte gjendja sociale e familjes time"!! (Qerim Asllani)
Ngjarje dite
Unë dhe bashkëluftarët e mi kemi për obligim amanetin e dëshmorëve, tha Limaj në Therandë
Ndërkaq, Fatmir Limaj, sekretar për Marrëdhënie me publikun, që merrte pjesë në këto tubime, tha se “gjaku i dëshmorëve është bereqeti i Kosovës. Ata sakrifikuan edhe jetën e tyre për Kosovë dhe unë dhe bashkëluftëtarët e tjerë të tyre e kemi për obligim që ta kryejmë amanetin e tyre”. (Rilindja më 30.8.2001, f. 5.
“Serbia po iu jepë mirënjohje e beneficione çetnikëve-kasapë që kanë vra e kanë gri shqiptarë-çlirimtarë, dhe këto “merita” do t’ua njohë edhe pasardhësve të tyre deri në tre breza!!! (Agim Krasniqi)
Sot rreth orës 11-të, sëbashku me z. Kadri Mani, në shenjë solidariteti me grevistët- ish ushtarë të UÇK-së, vizituam grevistët dhe në të njejtën kohë intervistuam disa prej tyre.
Udhëheqësi i grevës z. Xhevdet Qiriqi, njëherit edhe Kryetar i Këshillit për të drejtat e ish ushtarëve të UÇK-së deklaroi:
" Duke e parë se Qeveria e Kosovës si dhe Kuvendi i Kosovës, por edhe të gjitha institucionet e tjera të Republikës së Kosovës, nuk po e çajnë kokën për ta nxjerrë ligjin, i cili do t’i mbronte dhe do t’i siguronte veteranët e luftës, Invalidët e luftës si dhe për familjet e dëshmorëve të UÇK-së, jemi të detyruar të reagojmë kësisoj me grevë, në mënyrë që ndoshta ata që janë kompetentë për zgjidhjen e këtij problemi, do të zgjohen nga gjumi! Grevën e filluam më 23 maj 2011 dhe sot dita e katërt ende askush nga qeveritarët apo parlamentarët tanë nuk na e hapi derën! Përjashtim bëjnë: Hydajet Hyseni, i cili na vizitoi që ditën e parë, pastaj dje na vizitoi z. Albin Kurti me disa nga bashkëpunëtorët e tij, miku i madh i shqiptarëve, diplomati amerikanz. Woker, pastaj Kryetari i Unionit Të studentëve të Univerzitetit të Prishtinës si dhe Dekani i Fakultetit të Edukimit-z. Ajvaz Berisha.
![]() |
Udhëheqësi i grevës z. Xhevdet Qiriqi përpara tendes |
Tenda e vendosur përballë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, nuk i plotëson as kushtet minimale për të qëndruar për kohë të gjatë. Duke e marrë parasysh edhe gjendjen e tyre shëndetësore ku shumica prej tyre bartin plagë të luftës dhe kanë shkallën e invaliditetit 65%, atëherë vetëkuptohet se jeta e jonë është vënë seriozisht në pikëpyetje,
por kemi vendosur të sakrifikohemi edhe kësaj radhe, jo shumë për vete dhe familjet tona, por për të tjerët, kuptohet për tri kategoritë e luftës së UÇK-së, të cekura më lartë!Fillimisht kemi hyrë në grevë 27 veta, kryesisht anëtarë të Këshillit të sipërpërmendur. Tani sa ditë që kalon numri i grevistëve sa vjen e shtohet si dhe i atyre që na mbështesin dhe sot mund të flasim për shifër që kalon numrin 100 të grevistëve."
Xhevdeti është i martuar dhe ka dy fëmijë biri-3 vjeç dhe bija-5vjeçe. Jeton në fshatin Sllatinë e Madhe, komuna e Fushë Kosovës.
Intervistuam edhe grevistë të tjerë:
Z. Qerim Asllani 65- vjeç, veteran i luftës së UÇK-së, me 11-të anëtarë të familjes, pa asnjë burim për egzistencë, me vetëm 45 euro pension të pleqërisë! Fjalët e këtij burri ishin tepër prekëse dhe thoshe po e dridhin edhe tokën:
" Gjendjen sociale e kam po thuaj të papërballueshme! Lufta është për sigurimin e bukës së gojës për të 11-të anëtarët e familjes s'ime!
Nuk do të mendoja dy herë për ta vrarë veten, po të besoja se vrasja ime do ta ndryshonte sadopak gjendjen për të mirë të familjes s'ime!! Por tani edhe po të vritem nuk do të më shpallin dëshmor. Nuk e pata fatin të më kap plumbi i shkaut, bile sot familja ime sadopak nuk do të vuante për kafshatën e bukës!!"
Bacë Qerimi jeton në fshatin Abri e Poshtme të Skenderajt.
z. Ylber Selmani, invalid me 65%, këmbën e amputuar, i plagosur në betejën e Caralevës, datë 6 qershor '99, më shumë ka brengën për 7 bashkëluftëtarët e tij, ish ushtarët e UÇK-së, të cilët tani janë në procedurë gjyqësore të përndjekur nga prokurorë të EULEKX-it, për pjesëmarrje në demonstratën e vitit 2009."
Jemi plotësisht të pambrojtur dhe askush nuk qanë hallin për ne! Unë nuk kurseva pjesët e trupit tim për çlirimin e Kosovës bashkë me shumë bashkëluftëtarë të mi. Nuk po mundem me besue si ish komandantët tanë të na përbuzin me kaq injorancë. Për këtë gjendje fatkeqe që i sollën jo vetëm ish ushtarëve të UÇK-së por gjithë popullit të Kosovës- turp iu qoftë! Mbi ta raftë pesha e rëndë e dorës së Atdheut!"
Deklarime të ngjajshme kishin edhe z. Hamit Berisha nga fshati Koliq i Prishtinës, z. Agim Krasniqi, nga Prishtina, që të dy veteranë të luftës së UÇK-së që nga ditët e para!
Rast tepër i veçantë që na ngjalli mjaft emocione ishte grevisti:Xhemajl Ismajli, nga fshati Mollopolc i Shtimjes, ish ushtar i UÇK-së, tani invalid i luftës, me të dy sytë e humbur përgjithëmonë:
" Nuk dua të ndahem prej shokëve të idealit dhe në këtë gjendje që jam dua të jem përkrah tyre! Humba sytë e mi për t'ua mundësuar të tjerëve që t’i shohin dhe t’i shijojnë rrezet e lirisë, por ja edhe pas 12-të vitesh Kuvendi as Qeveria e Kosovës nuk patën vullnetin të nxjerrin ligjin e luftës për tri kategoritë e luftës së UÇK-së! Ne jemi të vendosur që të shkojmë kësaj radhe deri në fund, edhe nëse këtu do të jetë fundi i jetës sonë!!"
Kështu rrëfejnë çlirimtarët dhe ky është turpi më i madh i qeveritarëve, parlamentarëve tanë si dhe i të gjithë atyre që patën mundësinë të mos e bien gjendjen deri këtu. Duke e parë këtë gjendje të çlirimtarëve tanë, buka dhe loti në sofrat tona nuk do të ndahen përderisa gjendja e tyre nuk zgjidhet përfundimisht në atë shkallë që këta e meritojnë.
Ne dhe besojmë i gjithë populli shqiptar liridashës solidarizohet me këta bijë të vet çlirimtarë dhe kërkojmë nga organet gjegjëse që sa më shpejtë të nxirret ligji mbi vlerat e luftës dhe t’i mbrojë me dinjitet të drejtat e tyre legjitime, siç veprojnë në të gjitha shtetet dhe shoqëritë demokratike të botës!