Udhëpërshkrim
Meri Lalaj: Festivali Ndërkombëtar “Drini Poetik” në Prizren
E marte, 14.06.2011, 07:59 PM
Festivali Ndërkombëtar “Drini Poetik” në Prizren
Adem Demaçi
Nga Meri Lalaj
10 qershori është një nga ditët më të shënuara të kombit shqiptar e pikërisht më 10-11 qershor 2011 në Prizren u mbajt edhe Festivali “Drini Poetik” organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës me Kryetar shkrimtarin dhe luftëtarin e mirënjohur për çështjen kombëtare Zotin Adem Demaçi.
Dita e 10 qershorit gdhiu me qiell të murrëtyer nga retë, ra edhe pak shi, por më tutje shkëlqeu dielli. Gjithë qyteti është mbuluar me flamuj kuq e zi. Në krahët e të shtatë urave të Lumbardhës, të cilat lidhin njërën anë të Prizrenit me tjetrën janë varur flamuj të kuq, një flamur i madh i kuq është shpalosur në faqen e kodrës së Kalasë, më vonë vendoset një flamur në majë të kodrës tek Kalaja hijerëndë e qytetit. Ndërsa Lumbardha rrjedh e shkon e ujërat e tij të bardha diku do të bashkohen me detin. Ndodhemi në Prizren në këtë ditë feste midis njerëzve të gjallë e të gëzuar.
Tek porta e hyrjes së Shtëpisë ku u mbajt Lidhja e Prizrenit na presin vajza të reja veshur me kostume popullore. Sapo bëjmë këmbë në oborr lexojmë shifrën “
Jemi të ulur nëpër karrige në oborrin e Shtëpisë së Lidhjes, në fillim këndohet “Himni i Flamurit” e nuk ka sesi të përmbaj lotët duke menduar për të gjithë rrugën e mundishme që ka përshkuar kombi im nëpër rrebeshet e historisë. Së pari e merr fjalën përshëndetëse Kryetari i Komunës së Prizrenit Prof. Dr. historiani Ramadan Muja, pas fjalës së tij përshëndet Kryetari i LSHK, Zoti Adem Demaçi. Poetët e ardhur jo vetëm nga viset shqiptare, por edhe nga vendet e tjera recitojnë vargjet e tyre: kështu Zeqir Gërvalla ardhur posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë Festival Poetik, Ataol Behramaglu ardhur nga Turqia, Flutura Açka nga Tirana, Irena Gjoni nga Saranda, Myrvete Dreshaj nga Prishtina, Beste Sakalli nga Qiproja Turke, Anton Gojçaj nga Tuzi, Muhamed Kërveshi nga Prishtina e të tjerë. Në pushim vizitojmë Muzeun e Shtëpisë së Lidhjes ku brenda kornizave të fotografive rrinë ata burra, të cilët u bashkuan me njëri tjetrin duke pasur vetëm një ideal; Shqipërinë. Ulemi për të pirë kafe afër shatërvanit të rrethuar me lokale. Kam qenë për herë të parë pranë këtij shatërvani në mëngjesin e 26 shtatorit 1999 dhe kam parë me sytë e mi shtëpitë e shkrumbuara, kam shkelur përmbi ato gërmadha të lëna prej luftës, por tani Prizreni lulëzon, ai është një qytet i mrekullueshëm, një nga qytetet më të bukur të Europës, i shtrirë sa gjatë e gjerë midis gjelbërimit me shtëpi karakteristike, të cilave mund t’ua gjesh shoqen veç në Gjirokastër apo Berat, por ndryshe në një ndërtim tjetërsoj.
Në Pallatin e Kulturës së qytetit organizatorët e palodhur Prof. Dr. Shyqri Galica, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Prof. Abdyl Kadolli vijojnë programin me “Lira Magjike” sërish recitime nga poetët, që ndiqen me vëmendje. Pastaj poetët hipur në një autobus bëjnë një udhëtim të bukur midis maleve dhe gjelbërimit për të vajtur e drekuar tek restoranti “Shtëpia e Bardhë”.
Pasi bie nata lart në Kala ndizen flakadanët dhe drita e tyre e kuqërremtë ndriçon tërë Prizrenin të rinjtë janë më të lumturit midis miqve të ardhur nga të gjitha viset shqiptare.
Ditën e shtunë, më datë 11 qershor, veprimtaria fillon tek “Mullini i Marrashit” me “Mjellma Poetike” fjalën e kanë poetët që kanë shkruar për fëmijë. Aty pranë ndodhet Rrapi madhështor qindravjeçar, i cili është shpallur Monument Kulture dhe mbrohet nga shteti në trungun dhe degët e tij është mishëruar vdekja e telegrafistit prej dorës së Maxhar Pashës.
Në ballë të ndërtesës së Komunës së Prizrenit është një shatërvan shumë i bukur, i bardhë me cërkat e ujit që formojnë një lule manjolë të stërmadhe dhe shndrisin në diell posi ylber. Në ora 12 mblidhemi tek salla e Asamblesë Komunale për të dëgjuar kumtesat me temë: “Si trajtohet letërsia shqipe sot?” referuan poeti dhe studiuesi i mirënjohur Agim Vinca, profesoresha e letërsisë Irena Gjoni, Arben Berisha dhe Rushit Rumabaja.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve filloi me dhënien “Medaljoni i Prizrenit” nga ana e Kryetarit të Komunës Zoti Ramadan Muja, poetit, shkrimtarit dhe luftëtarit të çështjes kombëtare Zeqir Gërvalla. Gjithashtu Kryetari i LSHK, Adem Demaçi i dorëzoi Zotit Zeqir Gërvalla titullin “Mirënjohje”.
. Çmimi “Piktura e bukur” iu nda poetit Uzeir Hajradini për poezinë “Shkuarja”. Çmimi “Metafora
Shkojmë për të vizituar Universitetin e Prizrenit, që është hapur në tetor të vitit 2010, ky është universiteti i parë publik i hapur në Kosovën e pasluftës. Na presin vajza të reja të veshura me bluza të bardha dhe funde të zinj, ato mbajnë emra të bukur: Doruntina, Nora, Arta ndërsa tri vajza quhen Qëndresa. Këtu na përshëndet Rektori i Universitetit profesori gjerman Ronald Mynç. Më tej përshëndet drejtori i Fakultetit të Edukimit profesor Xheladin Zymberi, i cili i dorëzon shkrimtarit dhe “studentit të përjetshëm” Adem Demaçi vlerësimin “Mirënjohje”.
Sa afër Tiranës është Prizreni! Mirupafshim Prizren!