Udhëpërshkrim
Xhemaledin Salihu: Realizimi i Tribunës ishte i suksesshëm dhe ajo arsyetoi qëllimin e mbajtjes
E diele, 12.06.2011, 07:57 PM
Pas mbajtjes së Tribunës shkencore : “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë”, në Preshevë, më 9 qershor 2011
Realizimi i Tribunës ishte i suksesshëm dhe ajo arsyetoi qëllimin e mbajtjes
Shkruan: Xhemaledin SALIHU
Tribuna shkencore
Më 17 shkurt të vitit 2011, Komisioni Zonal dhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë shpalli Njoftimin-Konkursin në temën bosht të tribunës shkencore : “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë”, me lëndët dhe tekstet mësimore përkatëse, që do të jenë prioritare për studim: abetarja, gjuha shqipe dhe leximi letrar për shkollat fillore dhe ato të mesme, lënda e historisë, lënda e gjeografisë, trashëgimia kulturore, edukata qytetare, sociologjia, edukimi muzikor, elemente të diturisë së natyrës, që kanë lidhje me njohjen e vendlindjes, disa tekste të matematikës, të fizikës, të kimisë dhe të ndonjë lënde tjetër, për të shqyrtuar terminologjinë e përdorur dhe pastërtinë gjuhësore në shkrimet e tyre.
Konkursi u shpall në mjetet e informimit, sidomos në mjetet elektronike dhe zgjati deri më 27 maj 2011, kur u paraqitën 9 kumtesa nga ekspertë të lëmive të ndryshme dhe në temën e shpallur.
Tribuna kishte për qëllim kryesor të shqyrtohen dhe të trajtohen aspekte më të ndryshme të “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë”.
E kishim shumë të qartë se në këtë tribunë nuk do të mundemi të arrijmë të grumbullojmë tërë potencialin studiues dhe mësimor të Luginës së Preshevës, por arritëm të sigurojmë kumtesa studimi nga lënda e gjuhës dhe letërsisë shqipe, nga lënda e historisë, nga lënda e gjeografisë, nga lënda e gjuhëve të huaja, nga lënda e sociologjisë, nga problematika e arsimit shqip në Luginë të Preshevës, por nuk arritëm të sigurojmë kumtesa-studimi nga lënda e kulturës muzikore dhe kulturës së artit.
Tribuna u mbajt më 9 qershor 2011, në sallën e Konferencave të komunës së Preshevës, duke filluar në ora 10.
Gjithë punimet e Tribunës i përcolli TV Presheva.
Tribuna shkencore zhvilloi punimet e veta nën drejtimin e Z.Alixhemal Salihut, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, kryetar i Komisionit Zonal dhe Z. Xhemaledin Salihut, profesor i pedagogjisë, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi në Preshevë dhe anëtar i Komisionit Zonal për Luginën e Preshevës.
Para se të fillojë Tribuna shkencore, Z.Xhemaledin Salihu lexoi mesazhin e Prof.Dr. Ibrahim Gashi, kryetar i Komisionit Qendror të këtij Studimi në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare: “ I nderuar Z. Kryetar komune, I nderuar Z. Kryetar i Komisionit Zonal. Të nderuar pjesëmarrës në këtë Tribunë Shkencore. Në pamundësi për të ardhur , Ju përshëndes nga Tirana, duke Ju uruar suksese”.
Në tribunë me kumtesa u paraqitën : Z. Alixhemal Salihu, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe : “Analizë plan-programeve dhe teksteve mësimore të gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollat e mesme ; Z. Bade Bajrami, profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë frenge : “ Tekstet e gjuhëve të huaja te Shqiptarët e Luginës së Preshevës” ; Z Sali Salihu, profesor i historisë : “ Pengesë rreth zhvillimit të plan-programit të lëndës së historisë në shkollat fillore në komunën e Bujanocit” ; Z.Abdullah Bilalli, arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe: “Krahasimi i plan-programeve dhe teksteve mësimore të gjuhës shqipe në shkollat shqipe” ; Z. Qenan Hetemi, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe : “ Preokupime të shkollave dhe nxënësve në Luginë të Preshevës me programet dhe tekstet shkollore” ; Z. Xhemaledin Salihu, profesor i pedagogjisë dhe kryetar i Shoqatës së Trashëgimisë::” Arsimi shqip dhe disa aspekte studimi të plan-programeve dhe teksteve mësimore në shkollat shqipe në Luginë të Preshevës” dhe Z. Shkodran Ismaili, jurist : “ Krahasimi i programeve dhe teksteve mësimore të lëndës së sociologjisë të Shqipërisë dhe të Luginës së Preshevës-Serbi”.
Në konkursin e Tribunës kishin arritur edhe dy kumtesa nga lënda e gjeografisë, të Z. Sami Agushit dhe Z.Hajredin Nezirit, profesor të gjeografisë, të cilat nuk u referuan në Tribunë.
Pasi mbaruan referimet e kumtesave, Kryetari i Komisionit Zonal i falenderoi të gjithë referuesit dhe pjesëmarrësit e Tribunës. Me pastaj filloi një debat i frytshëm dhe i pasur në Tribunë, lidhur me kumtesat. Në debat morën pjesë jo vetëm referuesit, por edhe pjesëmarrësit e Tribunës. Poashtu në referimet e kumtesave dhe gjatë debatit u shtruan shumë propozime, vërejtje, sygjerime dhe përfundime. Të cekim edhe diskutimet që u zhvuilluan lidhur me punën e Z. Hysamedin Ahmeti, elektroinxinier, i cili bënë një punë lidhur me përkthimin e teksteve të lëndës së kompjuterëve. Andaj nga tribuna u formua një Grup punues në përbërje të : 1.Z. Alixhemal Salihu, kryetar, 2.Z.Xhemaledin Salihu, anëtar dhe 3. Z. Zeqirja Fazliu, anëtar, që në mbështetje të të gjithave që u tha në kumtesa dhe në debat të hartohen disa konkluza, të dala nga Tribuna dhe të përcillen për Simpoziumin shkencor në Tiranë.
Tribunën e organizoi Komisioni Zonal i studimit dhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturoe e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë dhe ishte e para e këtij lloji, Tribunë shkencore e organizuar vetëm në Preshevë nga të gjitha trevat arbërore dhe në diasporë.
Tribuna me sukses përmbushi objektivat e saja dhe përfundoi punimet me sukses.