Udhëpërshkrim
Vlashi Fili: Një veprimtari që bashkon shqiptarët
E shtune, 09.07.2011, 07:58 PM
Flamuri dhe tollumbacet u vendosen qe ne fillim
NJE VEPRIMTARI QE BASHKON SHQIPTARET
Pikniku veror në Filadelfia
Nga Vlashi Fili
Ka vite që shoqata “Bijtë e shqipes” në Filadelfia organizon piknikun veror me shqiptarët. Eshtë një nga veprimtaritë masive të kësaj shoqate që bashkon familje të tëra në Neshamini State Park, një park i bukur anës lumit Dellauer.
Ishte në fillim të jetës së saj, kur këshilli drejtues i kësaj shoqate, futi në programin e vet edhe organizimin e piknikut veror. Prej asaj kohe kjo veprimtari ka marë “qytetarinë” në komunitetin shqiptar të Filadelfias. Eshtë bërë një traditë e bukur kjo në Filadelfia aq sa në këto dy vjetët e fundit, pa u shpërndarë lajmërimet e piknikut, sapo muaji maj është në përfundim, shumë familje pyesin se do të bëhet pikniku këtë vit dhe kur do të bëhet? Dhe ne nuk kemi nguruar t’i përgjigjemi me “Po” këtyre pyetjeve.
Edhe këtë vit, ecuria e kësaj tradite të bukur vazhdoi me piknikun 2011.
Qysh herët, pa u hapur porta e parkut, së bashku me Sadik Elshanin, nënkryetar i shoqatës, me makinat tona, u gjendëm në rradhë me të tjerët që prisnin orën 8:00 të hapej porta.
Me Llazar Veron kishim shkuar në këtë park, ditë më parë, për të përcaktuar vendin më të përshtatshëm brenda parkut.
Sapo u hap porta, tek vendi që zgjodhëm me Llazarin, shpalosëm dukshëm flamurin tonë. Menjëherë mbas nesh mbërriti Erblina me të motrën, Arditën, dhe së bashku filluam të frynim tollumbacet me ngjyrë të kuqe dhe të zezë e t’i vendosnim ato nëpër tavolina apo degët e pemëve. Kështu u krijua një ambjent shqiptar. Nuk vonuan dhe mbërritën Llazari, Petriti, Bashkimi dhe Suzana. Kjo e fundit erdhi jo vetëm me familjen e saj por edhe me disa miq që u kishin arrdhur një ditë më parë nga Nju Jorku. Pastaj me rradhë, në fillim erdhën disa familje që banojnë në NorthEast, që e kanë më afër parkun, pastaj ata me banim në Port Richmond si dhe ata që janë pak më larg, në SouthFila. Më pas, një grup familjesh kuksiane, librazhase, fierake, etj, etj, dhe teritori u “popullua” plot e përplot. Ndërsa ata që vazhdonin të vinin, sistemoheshin nëpër tavolina, të ardhurit më parë, filluan të përgatisnin BBQ dhe t’u vinin “flakën”, si atyre stable, të parkut ashtu edhe ato portative që i kishin sjellë me vete. Detyrën e kuzhinierit në BBQ e kryenin burrat, ndërkohë që gratë merreshin me përgatitjen e tavolinave. Nuk mungonin edhe fëmijët e vegjël në këtë piknik, për të cilët duhej kujdesje e veçantë, detyrë që në të shumtin e rasteve e kryenin gjyshet.
Takoheshin të njohurit e vjetër por edhe ata të rastit, që mbas prezantimit ia “shtronin” bisedës “vënçe”. Në atë territor dëgjohej vetëm shqipja, gjuha jonë e bukur.
– Unë vij për herë të parë në këtë piknik, por sot e ndjej veten sikur jam në Shqipëri, - tha gjithë kënaqësi një i moshuar.
– Sot jemi me të vërtetë si një Shqipëri e vogël, këtu në këtë park të bukur, - ia ktheu një tjetër aty pranë.
– Shikoni si valëvitet flamuri ynë, që na bën të jemi krenar, - vazhdonte bisedën një tjetër në një grup që me sa dukej biseda kishte hyrë në temën kombëtare.
Dhe kështu, me pritjen e familjeve që vazhdonin të vinin, me biseda e shaka, me pjekjen e mishrave në BBQ, sigurisht dhe me shijimin e atyre që piqeshin e lëshonin një arome të këndëshme, po kalonin orët e para.
Mua më kishin ngarkuar edhe detyrën e organizimit të lodrave popullore dhe kur ora u afrua tek 12:00 njoftuam për fillimin e këtyre lodrave. Llazari, Petriti dhe Bashkimi kishin blerë edhe “objektet” që do të jepeshin për fituesit e lodrave. Këto “objekte” ishin përshtatur për piknikun, disa sharqinj që mezi ngriheshin.
I ndihmuar nga Llazari, Petriti, Sadiku e Bashkimi filluan lodrat që për nga mënyra e organizimit, zhvillimit dhe vlerësimit të fituesve, jo vetëm që tërhoqën vëmendjen e të tjerëve por krijuan dhe një ambjent gazmor.
Në fillim u zhvillua tërheqja e litarit, ku u paraqitën katër skuadra burrash. Më pas me rradhë, vrapimi me këmbë të futura në thes, që u shoqërua jo vetëm me duartrokitje por edhe me të qeshura. Pak më vonë, në vijën e nisjes u rradhitën 12 pushues, burra, gra si dhe djem e vajza të reja që mbanin në gojë bishtin e lugës, sipër së cilës u vendos një kokër vezë. Me t’u dhënë sinjali të gjithë u nisën me shpejtësi por edhe me kujdesin që të mos u binte veza se skualifikoheshin nga gara dhe u hiqej mundësia e fitimit të trofeut-sharqi.
Mbas një çasti pushimi, për të shijuar ato që kishin përgatitur kuzhinierët nëpër BBQ, u zhvilluan dy ndeshje futbolli.
Ambjent të bukur krijuan çastet kur dorëzoheshin për fituesit, çmimet e vëna, për të cilët kujdesej Sadiku. Në të dy garat individuale, atë të vrapimit me këmbët në thes dhe atë me vezë mbi lugë si për rastësi dolën fitues nga dy vetë dhe çmimi u dha për të dy.
Kështu, pa u ndier orët po iknin njëra pas tjetrës.
– Unë vij për herë të parë në këtë piknik por ju i organizoni bukur këto, - u shpreh Eqerem Murataj, në momentin, që së bashku me familjen, po përgatiteshin për t’u larguar.
– Edhe unë jam për herë të parë këtu, me gjithë familjen. Ju veproni mirë që bëni këto organizime, mbasi kemi nevojë për pushime të tilla së bashku, ku ambjenti na largon nga lodhja dhe stresi i javës. Edhe ambjentin e keni zgjedhur shumë të përshtatshëm, - u shpreh një naftëtar nga Patosi.
Kemi nevojë për të qënë bashkë dhe këto veprimtari na bashkojnë dhe na afrojnë më shumë me njëri – tjetrin, - u shpreh Ramazani nga Kuksi.
Mbas orës 5:00, një e nga një, familjet filluan të merrnin rrugën e kthimit. Të fundit u larguan kur po afronte ora e mbylljes së parkut.
Koha mjaft e përshtatshme, me temperaturë jo të lartë, flladi freskues që niste nga bregu i lumit, bisedat e “ëmbëla”, ushqimet e shijshme, ambjenti gazmor i krijuar nga lodrat e zhvilluara, bën të mundur që të kalohej një ditë pushimi aktiv, me pak “lodhje” por një “lodhje” që të shplodh, me orët që kalonin pa u ndier, dhe me ripërtëritje të forcave për të filluar një javë tjetër pune.
Edhe keshtu pushohet mire |
Familje pushuese |
Gjyshja dhe mbesa |
U fillua me terheqjen e litarit |
Fituesit moren cmimin |
U vazhdua me vrapimin me kembe ne thes |
Pastaj edhe me vrapimin me veze mbi luge |
Nje grup pjesemarres ne lojnat |