E hene, 29.04.2024, 03:35 PM (GMT+1)

Mendime

Hamit Xhaferi: Zyba Hysa - Poete e lirikës së dashurisë dhe bujshmërisë imagjinative

E marte, 19.07.2011, 07:57 PM


ZYBA HYSEN HYSA

 

Poete e lirikës së dashurisë dhe bujshmërisë imagjinative

 

Nga Prof. Dr. Hamit Xhaferi

 

Në brendinë e vëllimit poetik “Sikur” të poetes Zyba Hysa, vërehet në vija të përbashkëta jashtëzakonisht të shprehshme kultura poetike e një aktiviteti letrar mjaft të fuqishëm. Forca poetike e saj është e madhe, ndërsa mjeshtëria e të shkruarit poezi është dukuri e vaçant e lidhjes thelbësore nëpërmjet fjalës së shkruar. Poezitë janë mjaft interesante për lexuesin bashkëkohës, kanë një gjuhë të qartë e të kuptueshme, me versifikacion të lirë, të lindura nën ndikimin e shprehjeve të fuqishme dhe ndjenjave më të thella intime. Poetja siç duket zuri hapin me rrjedhat bashkëkohëse poetiko - letrare. Kjo nuk u përmbahet rregullave të ngurta të cilat e pengojnë krijimtarinë poetike, përkundrazi pranon trajtën e re moderne metrike, duke futur në përdorim disa mjete poetike. Për t’u shprehur me një teknikë të këtillë poetizimi ka në dispozicion një pasuri fjalësh sinonime. Mjeshtëria poetike e Zyba Hysës shihet tek ritmi dhe zgjedhja e fjalëve, të cilat përfshihen në skemën alternative të vargut, duke iu përmbajtur poetizimit të natyrshëm dhe përjetimit estetik. Atmosfera fisnike, por pikëlluese e poezive, mbështetet në shquarjen e jetës thellësisht të impresionuar dhe me frymëzime. Guximi, fisnikëria janë virtytet që e stolisin vargun poetik të saj. Ky efekt normal i poezisë me motiv dashurie është shfrytëzuar me mjaft mjeshtëri nga autorja, kështu që ajo ka krijuar një vepër me një formë poetike të rafinuar. Me shprehjen e thjeshtë dhe të fuqishme poetike i lë përshtypje të thellë lexuesit të sotëm.  Ky vëllim poetik është shkruar në një frymë thellësisht lirike duke shprehur mendimin se njeriu në këtë botë është vetëm synues, kurse vuajtjet dhe vështirësitë që e shoqërojnë në këtë rrugë e fisnikërojnë dhe e sjellin në përqafimin hyjnor. Kjo është kalueshmëria e të mirave dhe të këqijave të kësaj bote, kështu që në poezitë radhiten me ndjeshmëri pamjet e vështirësive, pësimeve, vuajtjeve, të begatisë dhe të famës. Krahas shumë mendimeve dhe ndjenjave të thella, vëllimi poetik “Sikur” përmban edhe vargjet më të bukura të lirikës së dashurisë, në të cilat shtrohet pyetja e njohur retorike: “Ku është nami i kohërave të kaluara të dashurisë dhe në cilën strofkull gjendet sot?”. Kemi bindjen se poezitë e Zyba Hysës do ta zgjojnë vëmendjen e luxuesve me detajet interesante dhe imtësitë tjera të rëndësishme të jetës së përditshme dhe me portretet mjeshtërore të karaktereve njerëzore. Vepra është e pasur me shprehje e fjalë të cilat edhe sot e ruajnë kuptimin e vet. Kjo është një përmbledhje poetike, në të cilën përshkruhen skena nga jeta, mëkate dhe dobësi njerëzore. Si e tillë, vepra ka plot detaje interesante dhe është e shkruar me një stil dinamik, në të cilën arsyetohen simbolet e bashkimit mistik me zotin, siç janë: ngrohtësia, kënga dhe ëmbëlsia. Këto simbole janë ndjesi shpirtërore, por edhe fizike që përfshijnë çaste të egzaltimit. Poezitë në vete ngërthejnë plot detaje dhe ndjesi autobiografike, të komponuara në një stil tepër të veçantë. Dallohet veçanërisht me rrjedhën e menduar mirë të vargut poetik, për plot me skena të gjalla nga jeta e thjeshtë. Duket qartë se poetja ka shkruar për mjedisin nga e cila ka dalë, duke e përpunuar dhe poetizuar në mënyrë të lirë veprën poetike.

Në mesin e këtyre poezive duhet theksuar “Pranverë në vjeshtë”, ku autorja pikëllimin e saj e shpreh përmes rrezatimit të frymës së krahasimit. Me simbolikën e stinëve ajo tregon ndryshimin e disponimit që rrjedh nga jeta e saj. Bukuria e jetës në ambient të hapur dhe dashuria fuqimisht e shprehur është frymëzim poetik i një vlere të qëndrueshme. Për të jo gjithmonë pranvera vjen e gezueshme. Edhe përkundër stinës së hareshme të pranverës, njohja përkon me vjeshtën. Stinët jo gjithmonë përkojnë me disponimin e saj. Poezia shpreh mallin e njohjes, që me pak rreshta lë të kuptojmë shumë. Jeta është e tillë si stinët, herë e hareshme e herë e pikëllueshme, duke flijuar jo rrallë të vërtetën. Zemra flet vetë, thotë zonja e bukur, ajo nuk do fjalë e mendim. Pra, për poeten zemra ka vend të shenjtë, është diçka e magjishme. Poezia “Kur flet zemra” është me mesazh të qartë dhe me një përmbajtje të theksuar, pasi ajo jep menjëherë thelbin me fjalë të drejpërdrejta që ekzistojnë mbase vetëm në imagjinatën e saj. Dashuria sipas poetes është me krah, ajo na çon në fluturim dhe na bën hyjni që faniten në ëndërr, duke i dhënë këtij sajimi një rëndësi të caktuar. Kështu fillon poezia e dashurisë ”Çudimadhja” ku duket qysh në fillim e bukur forca e dashurisë. Por, është jeta ajo që jo gjithmonë e lë forcën e dashurisë të manovrojë lirisht, duke i dhënë kësaj njëfarë gjallërie dhe droje. Poetja me figura stilistike krahasuese tregon se krahët e dashurisë goditen  dhe mbeten “lakuriq”. Poezia është gjithë kuptim, ka në vetvete thelbin e mërzisë, pikëllimit për një dashuri që qan e vuan, gjithmonë duke përdorur krahasimin, si: ”si sytë e tokës janë oqeanet që qajnë”. Vargu i radhës është gjith pasion: “qajnë e qajnë gjersa u thanë”. Forca e dashurisë mbyllet me rrëke lotësh. Sepse e tillë është dashuria e bukur dhe e trishtueshme njëkohësisht. Edhe gaz edhe lot. Kjo poezi narrative është përplot qenie dhe ndodhi e cilat ka përfundim pritjeje të pafund. Autorja është e mbyllur dhe e kapluar e tëra në pritje. E tillë duket në vargjet e shkurtëra të poezisë “Të pres”. Me vizionin e bardit të fjetur e pret dashurinë nga streha prindërore. Është një rrëfim për dashurinë e cila gjurmon pas të dashurit të saj të humbur. Pra, është poezi pritjeje, që me pak fjalë tregon një çast mallëngjimi. Me fjalë të thjeshta dhe të kursyeshme poetja tregon për magjinë e bukur që quhet “Poezia”. Trajton një rrëfim të thjeshtë dashurie, por me përshkrime e poetizime të shumta. Pa dashuri dhe pa poezi fati i poetes duket i mjerë: Lum,/ Kush të dyja/ I ka në shpirt/ Është mrekulli!. Vargu është i thjeshtë, i qartë dhe i kuptueshëm për secilin. Poetja shkruan për të gjithë, për rininë dhe pleqërinë. Poezia është jeta e saj, është magji dhe mrekullia e shpirtit të saj. Kënaqësinë e jetës e shijon nga gërshetimi i të dyjave. Në mesin e poezive të tilla hyn poezia mahnitëse “Mos ki frikë” fillon me një lutje shumë interesante “mos ki frikë nga dashuria”, nëse dashurisë s’i bëjmë teket që i kërkon ajo: “si një lule fillim marsi/ Sapo çel/ Papritmas vdes”. Për këtë fillim dashurie ajo kërkon të shihen, të flasin e të dashurohen. Gjithçka që poetja kërkon është guximi  në dashuri. Pa këtë guxim në dashuri ajo mendon se s’do të ketë sukses lidhja e filluar. Pra, ky është mesazhi poetik, guximi që fle në zemrën e saj. “Ëndërra” është pjesë e jetës, është pjesë e bukur dhe si të këtillë e do poetja, sepse personifikon veti njerëzore dhe zakonisht përmbanë porosi morale. Prandej, gjen forcë dhe këndon për muzën që i sjell shpresën për të ardhmen. Ndaj shprehet me nje kërkesë: ”mos me vra ëndërrën”. Pa ëndërra dhe pa shpresa njeriu është i vdekur. Tash vetëm i kujton fatet e lumtura duke përsëritur moton se në këtë botë çdo gjë është kalimtare. Poezia është një mendim i caktuar mbi ëndërrën e dëshiruar në një çast të caktuar. Poetja kërkon që dashuria të jetë e lirë, pa dhunë dhe e brumosur  në paqe dhe lumturi. E tillë është dashuria dhe e tillë duhet të jetë. Liria vjen mes dhunës dhe luftës thotë ajo, por dashuria s’është dhunë. Fjalët e bukura dhe të zgjedhura i përkasin dashurisë në poezinë “Dhunë dashurie”. Protagonisti i këtij arti poetik është një hero tragjik që vdes në momentin më të shkëlqyeshëm të dashurisë së vet.

Me plot detaje nga jeta të portretizuara në mënyrë të shkëlqyeshme është poezia “Jeta!”, e ndarë në dy pole të kundërta, e mira dhe e keqja. Andaj e tillë është herë si “bushtër” dhe herë si “engjëll”. Jeta sa përqafon, po aq kafshon, mjekon, gjakos, me këto fjalë shprehet opinioni i poezisë për një jetë të virtytshme. “Egërsi e dashuri!” kemi çaste të lumtura dhe çaste hidhërimi, në të cilën ajo paraqitet si një e dashuruar në shpirtin njerëzor. Jeta është një paradoks që edhe poeten e ngacmoi me ritmin e çrregullt të saj. Kur dashuria vezullon në jetë “Dhe yjet mahniten,  nga kjo bukuri”. Është një këngë e kthjelltë që shkëlqen nga ngjyrat, këngë e zogjëve dhe e gëzimeve jetësore dhe zgjimit të dashurisë. Çasti i dashurisë troket dhe ai vezullon si fishekzjarret. Dashuria është bukuri, është mrekulli. Poezia tingëllon me jehonë lumturie dhe gëzimi. Një çast pritjeje, çast duke pritur njeri - tjetrin, ”Do prehemi një çast !?” Është ky çast meditimi, një çast jetësor që poeten e pikëllon. Poezia “Kam frikë” duket si frika e vdekjes, frika  që në këtë jetë po mbetet pa të dashurin e zemrës. Frika nga humbja e kënaqësisë dhe lumturisë që ka në këtë jetë. Kujtimet e dashurisë janë “Sharrëza misterioze” çaste që e shqetësojnë poeten. Ajo thotë se dashuria të lë kujtime dhe të njëjtat dëshiron t’i mbyllë në dry. Por dashuria këput rezen, kyçi humbet. Kujtimet janë ndjenja që të lënë në zhytje të mallëngjyeshme. Ato e shqetësojnë poeten. Në poezinëMe ndihmen e Zotit”, Zoti është ai që bashkoi dashurinë e tyre. Edhe pse kaq larg, Zoti mbron dashurinë tonë, shprehet poetja. Dashuria është e shenjtë, pasi atë e ka bekuar Zoti. Ky është mesazhi poetik. Me mesazhe shumë të bukura, por të thëna thjesht e qartë, fillon poezia ”Duaj me dashuri”. Dashuria është çelësi i zemrës, i shpirtit. Paraja dhe pasioni janë kalimtare dhe s’të japin lumturinë e vertetë dhe te përjetshme. Ato janë të përkohshme, vetëm dashuria është  e përjetshme. Nëse duhemi dhe të dua duhet të vdesim për njëri - tjetin thotë vargu poetik ”Vdis për mua”. E tillë është dashuria, ajo kërkon sakrificë për njëri - tjetrin. ”Puthje dashurieështë malli i dashurisë dhe puthja e saj, që e mbajnë atë të gjallë në jetë. Tek poezia “Pult - zemra”, porosia e kësaj poezie tani është miqësia: “miku im tani trokit pa frikë”. Nëse është në pyetje miqësia, dyert e shpirtit janë të hapura apo duhet hapur. Dashuria është gjithçka që do zemra njerëzore. Me një simbolikë të veçantë është kënduar për xhelozinë në poezinë ”Kur xhelozon”: ”në zemër ngre tallaz”,”diell pa zjarr’, ”shpresë pa krah”,”frute pa ëmbëlsi”,”trup pa dashuri”, e tillë është xhelozia thotë poetja. Janë këto thënie të goditura me saktësi  dhe të gjetura ashtu siç është në realitet shpirti kur xhelozon. Si gjithë poezitë tjera të poetes Zyba edhe poezia ”Sofra e zemrës” ka në thellësinë e  shpirtit ndjenjat më hyjnore. Ruajtja e shpirtit dallohet me temën e vet shumë të preferuar të luftës ndërmjet arsyes dhe dëshirës për mbizotërimin e shpirtit. Dashuria e saj ka vendin kryesor apo është sofra e zemrës. Të tillë e do poetja dhe kërkon të mbetet si e tillë. ”Natën vonë” si gjithë të dashuruarit, poetja rri e zgjuar  dhe ëndërron syhapur për dashurinë e saj. Është një trajtim origjinal në të cilin pasqyrohen anët e mira dhe të këqija të jetës bashkëshortore me anë të disa skenave nga jeta e përditshme. Vargjet janë fjalëpaka, por mbresëlënëse. Si gjithë ndjenjat dashuriprera edhe kjo është një urim i bukur. Por poetja nuk di a është “Urim apo mallkim!?”. Ajo dëshiron të jetojë dashuria e jetës së saj sa të jetojë edhe ajo vetë. Është një fryt fisnik, i cili bashkon në vete veçoritë më të mira. E përkundërt me këtë është virgjëria e përhershme dhe përbetimi hyjnor “Urim apo mallkim!?” për qëndrimin më suptil dhe më besnik. Thënia popullore e poezisë ”Mish e thua” është shndërruar në dy vargje vetëm për të rikujtuar gjithmonë dashurinë që dhemb me ngrohtësinë e saj. Këtu porosia është pak më e kthjellët, sepse shpreh shpresën e njeriut që do të takohet me të dashurin e vet, ashtu siç i janë betuar njëri - tjetrit... Vajtimi i gruas dhe porosia e të dashurit hyjnë në mesin e poezive të rralla me motiv erotik. Largësia e dy të dashuruarve është tema  kryesore e poezisë. Me hënën në shoqëri ajo mendon për të dashurin ”Pse hëna s’di të flasë?”. Nga pamundësia që të dashurit të bisedojnë me njëri - tjetrin, ato kërkojnë ndihmën e hënës si dëshmitarë të dashurisë së tyre. Edhe këtu, natyrisht, mbizotëron atmosfera e zymtë, është shprehur fatkeqësia e gruas së lënë, të lëshuar në mëshirën e askujt, në të cilën është e detyruar të jetojë pa dashuri dhe pa mbrojtje.

 

Dashuria s’është ndjesi, dashuria je ti. Janë enigmat dhe shënimet magjike, me anë të së cilës shpreh meditimet melankolike për vështirësitë e përgjithshme të jetës njerëzore. Ky është përfundimi që nxjerr poetja duke na thënë se ”Jam gabuar”. Për dashurinë ”S’ka mjek që ta shërojë”, poetja sikur don të thotë se edhe  për zemrën e dashuruar s’ka shërim. Prandaj nuk është mjet që i ka shkaktuar mundimet e saj, edhe pse vetë vuan, në mënyrë që në fund të shkëlqejë me aureolin e fitores hyjnore si simbol i saj. Dashuria  kjo ndjenjë e bukur përsëri ngacmon shpirtin e poetes. Ështe dashuri edhe era e trupit të tij që e ngacmon. Poezia është shkruar në trajtë vizioni në të cilin poetja e sheh dashurinë si një ”Dehje” të ëmbël si “mjaltë”. Poezia ”Parimi im” përmban në vete vargjet më të mira të artit poetik që kanë vlerë artistike. Fillon me vargjet poetike: “S’dua te jemë lule që të më këpusin/ por të jemë pemë e bleruar/ të kënaqen gjithmonë nga blerimi im”. Ajo është femër me parime që dëshiron t’i përkushtohet vetëm një dashurie. Mesazhi poetik i poezisë ”Prehje në ecje  është se në dashuri s’ka prehje. Është portretizuar në mënyrë jashtëzakonisht të gjallë dhe të drejtpërdrejtë dashuria si ecje me vrap që s’ka prehje. Poetja ka arritur të stolisë jetën dashurore me të gjitha vetitë njerëzore që manifestohen. Poetja aludon në jetën në çift, siç është poezia ”Trokitje në zemër”. Ajo s’duhet ndërtuar në emër të parasë, të bukurisë dhe në emër të fisit. Porta e dashurisë hapet vetëm me dashuri. Fati rrugët tjera dikur do t’i mbyll, atëherë vetëm dashuria mbetet rruga e vërtetë. Për “Fjalëntë dua’” krahasimet jenë shumë te bukura: Më e plotë se hëna/ Më e ngrohtë se dielli. Sepse thënia e tillë të ngroh shpirtin, i jep dritë jetës: Më e saktë se saktësia/ Më e pastër se nje krua. Ndërtohet e tillë me thënie kaq të bukura simbolike, krahasuese, melodike dhe shumë të ndjeshme. Mendja dhe zemra janë dy çështje të ndara. Ndonjëherë na ndodh që mendja të thotë ndryshe dhe zemra ndryshe. Zemra e do, mendja e refuzon, kështu shprehet poetja për dashurinë e jetës së saj. Kur ”Dueli i zemrës” i lufton ndjenjat pafundësisht si duket në fund i takon dashurisë. Jeta e secilit është diçka personale, diçka e veçantë, është shtëpi në vete për secilin thotë poetja. ”Jeta mister” tregon të panjohurën që ndodhet para nesh, frikën nga jeta për të ardhmen dhe dëshirën e pafrenuar për të jetuar. Largësia nga të afërmit e zemrës shpesh ndodh në jetë dhe nga kjo largësi mësojmë se sa duhemi dhe kërkojmë një kthim aty ku ishim. Në vargjet poetike ”Të kuptosh nga largësia” të ndërtuara me rimë, secili nga ne gjen veten apo një copëz jete të jetuar. Ritmi i shpirtit ”tallaz dallgët i ngre”, shpirti gjithmonë është një trazim i fatit të jetës. Dikush nga dashuria dhe dikush nga ndjenjat tjera, si ”Tallaze shpirti” gjithmonë mbeten të pazot. Poetja atë që ndjen e hedh në letrën e bardhë  dhe kjo është një poezi e çastit jetësor. Janë çaste malli për dike, çaste që na bëjnë të harrohemi se ku ndodhemi. Në çdo vend del para nesh figura e tij, është një dashuri zemre që na ndjek si hije. Jeta ec me çaste malli, vuajtjeje dhe me dashuri për dikë që na pret diku. Poezia ”Çdo çast me ty” ka brenda vetes njëkohësisht shumë e shumë dashuri e mall. Vargjet fillojnë me tregimin për çastet e dashurisë së përjetuar dhe joshjes së saj. Nën tingujt vargore simbolike, dashuria është e bukur, e marrosur, e paqtë dhe e vërtetë. Ajo është “simfoni” shprehet poetja në vazhdim të poezisë ”Dashuri e paqtë”, sepse vetëm me të jeta ecën aq bukur si melodi. Jepen çaste dashurie pasionante dhe kujtime të bukura në vargjet e radhës. Poetja edhe ”Kur quhesh bashkëshorte?” ishte një grua që do me “dashuri femre”, me “dhemshuri nëne”, me “përkujdesje motre”. Ritmi i jetës ndryshon në bashkëshortësi dhe çastet e përjetuara së bashku sjellin afrine familjare, ’jam bërë skllavja jote” shprehet poetja. Ajo i është përkushtuar me gjithë shpirt jetës, me të dhe dashurisë i bën sakrificë duke jetuar vetëm për të.

Kujtimet e bukura të së kaluarës mblidhen në një natë vuajtjeje për poeten. Ëmbëlsia e dashurisë e çmend ate duke u shprehur se mos vallë ishte një përrallë apo çfarë tjetër: Jetuam siç jetojnë perënditë. Njdjenjat e asaj kohe janë madhështore, janë kujtime plot mirëkuptim nga koha e magjishme që përjetuan. Koha ndryshoi dhe tani asaj i kanë ngelur veq kujtimet e merzitshme për kohën “Siç jetojnë perënditë”. Çastet e jetës janë të shkurtëra. Ditët kalojnë dhe jeta ik ngadalë pa e vërejtur. Poezia ”Jeta është çaste” na mëson t’i shfrytëzojmë çastet e bukura që kemi në jetë, të luftojmë për lumturinë tonë në jetë. Vargjet bëjnë thirrje për të arritur bukurinë e jetës dhe për ta jetuar atë bukur. Poezia ”Cicërrima e shpirtit” lutet për moslargim ”mos më largo” nga vetja jote, sepse të pres në “fole”. Janë lutje që rrjedhin nga shpirti i dashuruar. Janë vargje mbresëlënëse për gjithkend që së paku vetëm një herë në jetë është dashuruar. Dashuria merr kahje tjetër, ajo është gjithçka për njëri - tjetrin, ajo është “Frymë nga fryma ime”. Me pak fjalë jepet një skicë poetike: nëse ngjitesh malit dhe te mbaron fryma/ buzet e mia ke krua. Vargje e bukura, melodika pasionante, ngjallin admirim dhe joshin plot kënaqësi. Me figura poetike, dashuria fshihet në vargjet domethënëse ”Litari i besës”. Janë lidhje bese për dashurinë që kanë dy të rinjtë dhe vetëm në këtë lidhje ata ndjehen plot shpresë për të ardhmen.

Poetja edhe në poezinë ”Vërtetësi” me pak fjalë jep mesazhin e saj poetik, ku thotë se: Jeta është e vërteta që jetojmë. Ajo duhet jetuar çdo orë çdo çast  ashtu si na vjen. Në poezinë jemi ”Në pritje” të një përgjigjeje për një dashuri, e cila në fakt është një dashuri “e padashur”, dhe e parealizuar. Poetja nuk është e lodhur nga pritja e dashurisë. Ajo është e lodhur nga mos përgjigjja e saj, nga moskthimi i dashurisë. Janë vargje shpirti që vuajnë dhe hedhin pjesë nga vuajtja në letër. Dashuria është si mali, sipas poetes ”Dhe mali s’e ndal”. Ajo bën këtë krahasim duke e bindur adhuruesin e saj se dashuria është ndonjëherë më e rëndë dhe më e largët se mali. Kjo është ndjenjë momentale e poetes së trazuar nga zjarri i dashurisë. ”Kur godet dashuria”, përvëlon, ngroh e vret. Poetja shpjegon zjarrin e dashurisë kur të rëndon shpirtin, kur të vret gjumin. Gjithashtu është goditje e magjishme pasi na rinon. Ajo mjegullon trurin, por përsëri poetja ia ka lakminë. Ajo e magjepsur nga dashuria shkruan për magjinë e saj, për shenjat goditëse të saj sikur te ishte fundi i botës. Duke u joshur nga ngrohtesia e saj ajo ndjek ritmin e jetës pa ngurrim. Vargjet fillojnë me një pikëllim që poeten e ka revoltuar. Në çaste vuajteje ndaj të dashurit të saj është e pikëlluar dhe urren. E shpreh urrejtjen e saj, por i dashuri i zemrës nuk e lejon gjatë urrejten, duke ia shëruar plagën e dashurisë kthehet përsëri te kjo ”Dashuri e etur”. Pasioni i dashurisë fshin plagën e urrejtjes dhe lëmon vuajtjen me puthjet e saj. Poezia jashtëzakonisht virtuoze, e shkëlqyeshme, në të cilën shfrytëzohet mjeshtërisht begatia e fjalëve që përbëjnë thelbin e jetës së njeriut, si “Dielli s’do të perëndojë” nga ndarja ”Ne dhe dielli”, sepse është malli i ndarjes që s’ka shërim. Pa dashurinë afër vetes s’ka gëzim, pa njëri - tjetrin s’ka dashuri, as mall dhe mërzi. Është një mesazh i poetes drejtuar lexuesit që kontakton dhe porosit përmes poezisë ”Fluturim pa kthim”. Porosia e saj është të kenë kujdes në dashuri, mos lejojnë t’u ik nga dora,  të kujdesen për te në atë mënyrë që ta kenë përherë afër vetes. Autorja jeton bashkë me dashurinë e saj, kontrollon ndjenjat e tij, i ndodhet gjithmonë pranë dhe kudo. E tillë është zemra e saj e “përgjëruar” gjithmonë me të si ”Zemra radar”. Përshkruan me sinqeritet dhe pasion dashurinë, për të cilën frymëzimin e merr nga jeta re vet personale.

 

Përfundim:

Poezitë e Zyba Hysës për nga përmbajtja kanë temën e dashurisë së perjetuar jetësore, çastet zhgënjyese nga jeta e saj dhe momentet pasionante të kësaj dashurie. Krijimet poetike të saj na duket se fillojnë pikëllim e protestë, kurse përfundojnë me qetësim dhe ngushëllim. Edhe pse poetja është munduar ndonjëherë me gjuhë të figurshme të shpreh ndjenjat e saj, kjo më së shpeshti ka zgjedhur rrugën e fjalës së drejtpërdrejtë dhe të qartë për çdo lexues që e adhuron sadopak poezinë. Nëpërmjet vizionit e përshkruan dhembjen e dashurisë e cila, si ndonjë thesar i çmueshëm, i ka rrëshqitur nga dora dhe ka tretur në dhe. Në ëndërr e sheh këtë dashuri dhe shëtit nëpër kopshtin magjepës të parajsës tokësore. Kaherë sikur i shkon për dore ta kalojë lumin e jetës që i ndan këta të dy. Por është e detyruar që të jetojë edhe më tutje pa të, duke iu përkulur vullnetit të Zotit dhe t’i dorëzohet mëshirës së tij, duke u bindur se nuk është e humbur, por e ruajtur në bukurinë dhe pastërtinë e përhershme. Gjuha poetike e saj është e kuptueshme me shumë pak metafora dhe figura stilistike. Ndjenjat e saj dëshiron t’i ndajë me  adhuruesit e saj edhe pse këto ndjenja çdo i dashuruar mendon se i ka përjetuar dhe mund të gjej veten aty. Poezia është e rrjedhshme e lehtë për ta kuptuar edhe pse ndonjëherë mund të na duket se përsëritet pothuajse në çdo poezi, duke na lënë nga një porosi që e veçon nga të tjerat. Thesari është poezi me vlera të larta estetike që, krahas ndjenjave të thella, shpreh edhe një kuptim më të thellë mistik. Është një këngë pamjesh të fuqishme skenash realiste dhe monologjesh e dialogjesh të rafinuara, me një vizion ku defilojnë e vërteta, ndërgjegjja, arsyeja, kurse karshi tyre babëzia, si trupëzim i botës komplekse dhe përherë të pakuptueshme ndaj ndjenjave dhe veprimeve të gruas. Zyba Hysa është poete e pranverës dhe vargjeve plot dritë të lirikës dinjitoze dhe lajmëtare e pasurisë poetike. Kjo për nga serioziteti me të cilin e thotë porosinë e saj morale meriton respektin e bashkëkohanikëve të saj.

 

Qershor, 2010

 

 

Biografia

 

Zyba Hysen Hysa lindi në fshatin Kokrevë të rrethit Librazhd më, 26 qershor 1955. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas në Elbasan, ku në vitin 1974 merr diplomën e mësuesisë. Në 1979 mbaron kursin filozofik dhe më pas ushtron profesionin e mësuesisë në lëndën gjuhë shqipe, në fillim në Vulçan, Polis Gostimë të Librazhdit dhe që nga viti 1999 në Vlorë. Krahas punës së mësuesisë, që nuk u nda për asnjë çast, ajo ka qenë aktiviste e rinisë duke u zgjedhur deri në forumet më të larta. Së fundmi aderon në Shoqatën për Identitet dhe Bashkim Kombëtar (SHIBK) Në funksionin e kryetares së gruas. Në ditën e shpalljes së pavarësisë ajo ka dorëzuar flamurin për Bashkimin e Kombit te kulla e Jasharëve dhe bashkë me anëtarët e kësaj shoqate janë betuar se do të falin gjithçka për bashkimin e kombit shqiptar.Një komb, një shtet, një flamurë! Ka qenë bashkëpunëtore në revistën për fëmijë “Vala e kaltër”, Drejtuese e emisionit për fëmijë “Drita e diturisë”.

Krijimet e para poetike i ka botuar qysh në vitin 1972 në gazetën “Shkumbini” të Elbasanit. Më pas dërgon poemën “Me ju nuk jemi krushq” (viti 1978) në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” në Tiranë, ku i vjen si përgjigje: “Kujdes, keni frymë moderniste në poezi!” Që atëherë poezia shkruhej natën dhe grisej ditën, përveç disa poezive për fëmijë, të cilat arshivoheshin në mendjet e nxënësve të saj.

Pas viteve nëntëdhjetë, filloi të shkruajë, por pa pasur shpresë se diça do të botonte, jo për shkak të diktaturës shtetërore, por për shkak të ekonomisë, se i duhej të rriste e të shkollonte katër fëmijë, të paktën ishte e lirë që të shkruante dhe t’i ruante, gjë që bëri të mundur botimin disa librave, kur u dha mundësia ekonomike. Kështu në vitin 2002 fillon botimet e para:

“Shkreptima Dhembjeje” (poezi) 2002

“Festa e Abetares” (poezi për fëmijë) 2002

“Erë Shqipërie” (poema) 2004

“Dritë në Llakatund” (poezi për fëmijë) 2005

“Kur Shpirti Vallzon” (monografi artistike) 2006

“Obelisku i Bektashizmit”    2007

“Sikur...” (poezi) 2009

“Nënë Engjëllore” (poemë) 2010

“Arb...” (roman) 2010

“Miset e Pyllit” (fabul) 2010

“Dritëhëna dhe Bubureza” (përrallë)

 

Janë në dorëshkrim:

Dy romane

Tri vëllime poetike

13 poema

10 libra me fabula dhe përralla për fëmijë

1 libër më gjëza dhe fjalë të mençura etj.



(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora