E enjte, 01.05.2025, 05:06 AM (GMT+1)

Mendime

Kreshnik Spahiu: Ja pse shqiptarëve u duhet nisma “Një komb, një pasaportë”

E marte, 19.07.2011, 06:53 PM


E shtunë, Korrik 16th, 2011 | Shkruar nga TemA

 

Ja pse shqiptarëve u duhet nisma “Një komb, një pasaportë”

 

Nga Kreshnik Spahiu

 

Letër zotit Bajram Rexhepi dhe qytetarëve shqiptarë në Kosovë

 

I nderuar zoti Rexhepi, dje në Prishtinë disa intelektualë nga Tirana dhe Kosova, të grupuar nën emrin Aleanca Kuq e Zi, organizuan një tryezë diskutimi në kuadër të fushatës “Një komb, Një pasaporte” në të cilën kisha kënaqësinë të merrja pjesë dhe të diskutoja me qytetarët e kryeqytetit të Kosovës.

Sot u informova për një intervistë, të cilën Ju e keni zhvilluar në radion Evropa e Lirë, në të cilën keni deklaruar “për pamundësinë e realizimit të idesë një komb, një pasaportë pasi Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të pavarura sovrane dhe nuk kanë në planin e tyre bashkimin…”.

E ndjej të nevojshme tu drejtohem ju dhe çdo qytetari me kombësi shqiptare kudo që jeton për të qartësuar dhe informuar mbi rrugëzgjidhjet juridike dhe kushtetuese të kësaj çështje, e cila në mënyrë kategorike jo vetëm që nuk cenon pavarësinë e Shtetit të Kosovës apo Shqipërisë, por madje shërben në konsolidimin e shtetit juridik në të ardhmen e përbashkët evropiane.

Së pari, çështja e dhënies së shtetësisë shqiptare nuk është një çështje politike, por thellësisht ligjore, e cila kërkon një regjim të ri juridik brenda standardeve evropiane.

Së dyti, Shqipëria dhe Kosova duhet të diskutojnë në nivel shtetëror për të gjetur dhe aplikuar ato praktika të cilat shumë nga vendet e rajonit dhe Evropës i aplikojnë.

Së treti, ka një keqkuptim të dukshëm në interpretimin e konceptit  “një komb një pasaportë”. Ky definicion nuk nënkupton që 2 milion shqiptarë të Kosovës do te marrin pasaportë të Shqipërisë dhe do të lëshojnë pasaportën e Kosovës. Koncepti i të drejtës së marrjes së pasaportës së shtetit amë nuk përjashton dy shtetësinë. Në këtë kuptim çdo qytetar me kombësi shqiptare i cili jeton në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Amerikë, Hollande etj do të përfitojë nga e drejta e marrjes së pasaportës dhe shtetësisë shqiptare, por pa hequr dorë nga pasaporta kosovare, e Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë, Amerikës, Hollandës etj. Për ta kuptuar më saktë nuk ofrohet modeli gjerman, por ai amerikan.

Së katërti, e drejta e shtetësisë është e drejtë universale e cila duhet të përvijojë mbi themelet e etnisë dhe kombësisë e më pas mbi kriteret e tjera të regjimeve të përkohshmërisë së banimit. Asnjë shtet evropian nuk lë bashkëkombasit e vet pa i pajisur me pasaportën e vendit amë, origjinë. Ashtu si gjermanët, francezët, grekët, kroatët, bullgarët etj, etj, edhe Shqipëria nuk mund të lejojë që miliona qytetarë me origjinë shqiptare të mos gëzojnë të drejtën e dy shtetësisë dhe pasaportës.

Së pesti, shqiptarët janë i vetmi vend i Evropës që nuk dinë se sa e kanë numrin e popullsisë me kombësi shqiptare që jeton në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, Greqi apo në diasporë dhe kjo është një mungesë serioziteti dhe respekti ndaj miliona shqiptarëve.

Së gjashti, Shqipëria është i vetmi vend në botë që nuk ka fqinj, pasi rrethohet në kufijtë e vet, nga shqiptarë, pra nga qytetarë me kombësinë e këtij vendi, por, që nuk gëzojnë qytetarinë e saj.

Së shtati, ligji shqiptar është shumë diskriminues dhe nuk i jep prioritet qytetarëve me origjinë shqiptare. Sot numri i shqiptarëve që disponojnë pasaportën serbe është disa dhjetëra herë më i lartë se numri shumë i kufizuar i shqiptarëve që kanë pasaportën e Shqipërisë. Së teti, standardet evropiane nuk mund të sjellin asnjë pengesë për sa kohë edhe vende anëtare të BE e aplikojnë një procedurë të tillë dhe nga Aleanca Kuq e Zi është kërkuar që këto procedura të miratohen në sinkron me komisionin evropian.

Së nënti, pasaporta është shndërruar në një “mur Berlini” për shqiptarët, të cilët i shikon në radhë të gjata në pikën kufitare të Morinës, radhë të cilat fatkeqësisht janë me të gjata se radhët e emigrantëve që vijnë nga Greqia.

Së fundmi i nderuari miku im, kredoja e rilindasit të madh Naim Frashri “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar” ende nuk është realizuar sepse  “Shqipëria po na jep nder por ende ju dhe miliona të tjerëve nuk po u jep emrin shqiptar”. Unë kam bindjen juridike dhe qytetare se njohja e emrit shqiptar nëpërmjet pasaportës kuq e zi si dhe garantimi i të drejtës së dy apo më shumë shtetësive (për rrjedhojë dhe pasaportave) do të forcojnë sovranitetin, pavarësinë dhe të ardhmen e përbashkët evropiane të shqiptarëve.

Me respekt të thellë për Ju dhe gjithë qytetarët shqiptarë të Kosovës,

Kreshnik Spahiu



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx