E shtune, 27.04.2024, 05:31 PM (GMT+1)

Mendime

Shefik Shkodra: Për reagimin “Shpifjet në emër të shprehjes së lirë” të S. Rrustemit

E marte, 19.07.2011, 08:02 PM


NUK JANË SHPIFJE ATO QË DUKEN

 

(Për reagimin “Shpifjet në emër të shprehjes së lirë” të S. Rrustemit)

 

Nga SHEFIK SHKODRA

 

Me keqardhje, realiteti nuk mund të fshehet. Nuk mund të mbulohet me llafe të pamatura, si zakonisht. Po t’ishe i arsyeshëm si duhet, nuk është dashur të reagosh fare. Ti në letrën tënde, në një mënyrë, i ke pranuar të gjitha ato që t’i kam thënë. Po pështjellon diçka sikur të ka faj “artikull-shpifësi”, hë! S’u bërë njëherë i sinqertë. Nuk kam kurrfarë nervoze, se, prej teje nuk kam pritur më mirë. Po ta kisha pasur mundësinë të bisedoj sy me sy me ty, nuk ma kishe sjellë rastin të shprehem për opinione publike. Nuk do t’isha marrë me ‘llafet’ tua. Fillon me aq siklet dhe e mbaron po me atë intonacion reagimin. Nuk tregon fare përmirësim nga çka është thënë për ty. Po, ti vetë i bën gjërat e pahieshme me njerëz përreth. Duke i quajtur “injorantë”, “smirëzi”, etj. Ti nuk thua kush janë ata “smirëzez” e “injoratë”. Thuaj, kush janë ata që të paskan “qitë në pusi”! Të gjithë përpiqemi për integrime, ti bën ndarje. Nuk të kam ardhur unë dhe të tjerët në “muhabetet” që i ke bërë, se, ti nuk më ke ftuar, dhe jo veç mua, dhe jo veç këtë herë. Ndoshta, me predisponim të të (pa)ftuarve e me parandjenjë tëndën që dikush “zgërdhihet” në organizimet tua, a! Sa i përket atdhedashurisë, njerëzve përreth, poetëve e këngatarëve, në përgjithësi, artistëve dhe veprës së tyre, po harron e s’e du çka thua, nuk je veç ti që i respekton. Veç është një fat, që të gjithë nuk përziejnë si vepron ti.

 

Nuk jam “shpifës” për ty dhe për askënd tjetër

 

I drejtohesh redaksisë së gazetës pa nevojë, kapeni “shpifësin” ,“një (farë) opinionisti”, që merret me “përgojime”, “etiketime”. Si pas teje, “një e gjuajtur e dy të vrara”. Kush je ti që ta kanë inati aq shumë? Çfarë shpifësi jam, cilat përgojime dhe etiketime i bëj? Këto epitete ty të takojnë. Të mos e pranosh realitetin, do të thotë, je hipokrit! Nuk gjen arsyetim dhe shan, a? Ajo që nuk të ka hije, zotëri, ti bën diferencime. Me sjelljet e tilla, sa je shkrimtar, po aq edhe shkatërrimtar. Kjo nuk ndodh vetëm njëherë. Por, edhe kur nuk e pranon fajin tënd dhe e hedh me të shara te të tjerët, kjo sërish s’të bën nder ty, po askujt me siguri. Kur “byrytesh” aq shumë, dheun hidhe në shpinë tënde, jo në të huajën! Me kënd i krahason ti specialistët e shkencave filologjike e me çka punën e tyre? Ata nuk janë të barabartë me ty. Ti dëshiron t’i varësh ata?! Ata kanë punuar në studimet e tyre. Nuk janë marrë me thashetheme. Të gjithë ata sa i njoh, veç tjerash, janë marrë edhe me veprën e Beqir Musliut. Prof. dr. F. Shkodra: ‘Ndikimi i letërsisë gojore në poezinë e B. Musliut’. Tjetri ka shkruar, kur ti ke qenë i fjetur, “Nëpër korridoret e ‘Parabolës’ së B. M.”, prof. M. Rexhepi, ‘Artjetëshkrimi’, edhe prof. dr. Begzad Baliu, Nuhi Ismajli, etj. studiues të letërsisë. Po edhe këtyre të tjerëve që nuk kanë shkruar për shkrimtarin tonë, po t’u kishe kërkuar të përgatiten, shumica do ta kishin bërë. Edhe për poetin tjetër në “amshueshmëri”, R. Elmazin, shumë me interes e qartë kanë shkruar, po një pjesë e këtyre që u përmendën dhe të tjerët.

 

Klubi letrar “Rexhep Elmazi” i viteve të  ‘90

 

Me mos funksionimin e KL “Dardania” (emër shumë simpatik), pas viteve të nëntëdhjeta,  iniciues për një klub të ri ishin, H. Këqiku, M. Rexhepi, s’më kujtohet dhe kush tjetër, edhe unë iu bashkëngjita. Formimin dhe zgjedhjen e kryesisë së këtij klubi e kemi bërë në Shtëpinë e kulturës në Perlepnicë (vend ku janë mbajtur edhe shumë takime e manifestime të ndryshme politike, kulturore) përcjellë me një orë letrare. Prej këtij momenti e deri më 1994, janë mbajtur me dhjetëra e dhjetëra orë letrare, qoftë nëpër disa fshatra të rrethinës, po edhe në qytet. Ka pasur takime edhe të komunave të tjera të Kosovës. Ka qenë i pranishëm B. Musliu dhe të tjerët, jo vetëm të kësaj ane. Klubi s’ka qenë i privatizuar, sikur bën ti tash. Nuk kemi bërë diferencime. Më 1993 e kemi botuar librin “Agurrona”, me prozë e poezi, me nja njëzet autorë, nën emrin e Klubi “Rexhep Elmazi”. Libër shumë i vogël, jo nga modestia, më shumë nga skamja. Aq sa na falnin para ndonjëri prej atyre që kishin filluar të merreshin me tregti apo diç tjetër. Libër që ti e quaje si ta pa vlershëm, sepse ti nuk ishe aty. Për çdo të shtune janë mbajtur takime në formë tribunash letrare, gjuhësore e kulturore. Të gjitha aktivitetet për javë janë shënuar në kronika të vogla nga gazetari të gazetës “Bujku” atëherë.

 

I uzurpove të gjitha

 

S’e kemi marrë me mend që hidhërimet tua janë akumuluar shumë shpejt dhe t’i nga partia (në kryesinë e LDK) u përgatite që t’i uzurposh të gjitha sa ka në kulturë.

Në pranverë të vitit 1994, pa u konsultuar me askënd nga ky klub, S. Rrustemi ka organizuar Pranvera e librit ’94. Dhe asgjë negative nuk e kemi quajtur. Por, në atë fshatin që ishim tubuar, me të ftuarit, kolegë e miq të poetit Rexhep Elmazi, ke qenë ti i përgatitur i pari (të gjithë kanë folur për veprimtarinë atdhetare të Rexhepit), por jo edhe atë letrare. As ti e askush tjetër s’e ka përmendur Klubin letrar me emrin e këtij poeti, që kishte funksionuar, tashmë katër vite. Anëtarët e kryesisë janë tubuar të nesërmen dhe janë shpërndarë duke pas lënë punën në këtë klub. Thua, “po mos të isha unë me trokit...s’ishte botuar as libri “Fryma” i R. Elmazit, s’ishte bërë as Pranvera e librit...” dhe i ke bërë e ke “trokitur” nëpër dyer. Ndoshta, nuk ke “trokitur” shumë. Ti ke qenë në kryesi të partisë dhe të kanë ndihmuar. Dhe i ke marrë të gjitha, arbitrarisht. Edhe revistën. E di, me “trokitjen” tënde janë botuar dhe janë realizuar edhe manifestimet që kemi përmendur! Për këtë kemi folur. Ke “dorëshkrime” ti?! Edhe unë kam, jo dy po më tepër. Unë nuk shpresoj se m’i financojnë institucionet. Se unë nuk mund të “trokiti” para teje në asnjë derë e deriçkë.

Ti edhe tash shpik diç arbitrarisht, si: “Trekëndëshi poetik”, në ato malet pak përtej shtëpisë. Çfarë trekëndëshi a trapezi, mu në mesin e oborrit të shtëpisë na del gjeometër?! Kjo s’është kurrfarë simbolike që tregon shenjën më të vogël të një vizioni poetik e kulturor. Në “trekëndëshin”, që po limiton dhe po e promovon me vetë-dëshirë edhe gjeografikisht vendin?!

 

Kërcënimet e tua me “gjyq”

 

Ne të kemi duruar qe njëzet vjet si ke dashur të luash me këto punë. Ti përnjëherë reagon me aparat shtetëror, a? Se ti  mundesh edhe me gjyq me ua ndal gojën të tjerëve. Shihe ti! Ky farë pushtetari! Mendon se e “frikëson arushën me shoshë”, nëse ka gjyq veç për ty që të tjerët t’i shtypish, mundet(?!). Po këtë gjyqin s’je veç ti që e përmend. Je konsultuar me dikë që të bësh shantazh? Kot. Mos hy “llugave”! më parë më mirë është për ty. Dija hallin veti! Zapoje veten! E ke lexuar ti artikullin e kolegut në “Infopress” dhe në dritaret elektronike? Ai ishte anëtar i kryesisë së Klubit tënd. Dhe ai s’ishte në manifestimin e fundit me ty. Dhe, tash atë përpiqesh ta prekësh, në anën tjetër ta lirosh nga kjo aferë, si me spontanitet e për asgjë: “...nuk erdhi për ‘iks’ arsye”. Bisedo ti me të vetë! Edhe me mua mund të bisedosh, nuk jemi larg, por jo me paramendime, që të akuzosh me (pa)arsyet tua!



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora