Shtesë » Lajme
WikiLeaks: Thaçi, “frikë” nga Berisha
E marte, 12.07.2011, 06:22 PM
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i mërzitur me bashkëpunimin mes Kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe Ramush Haradinajt (rival i tij politik), kishte shprehur në një bisedë në Ambasadën Amerikane se ndërhyrja e Shqipërisë në politikën kosovare paraqiste “kërcënim” për Kosovën, ndërsa ka kërkuar ndërhyrje amerikane te Berisha, duke theksuar se “Kosova është një shtet i pavarur, dhe jo krahinë e Shqipërisë”. Deklarata u bë në verën e vitit 2009, pak muaj para zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit. Në një bisedë private me zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, më 13 gusht 2009, Thaçi ishte shprehur i brengosur nga “përzierja në politikën e Kosovës” që, sipas tij, bën Kryeministri i Shqipërisë. Kështu thuhet në një kabllo ende të pabotuar diplomatike, pjesë e dosjes së WikiLeaks-it, që është dërguar nga Ambasada Amerikane në “State Department” dhe një kopje të së cilës ra në dorë të gazetës “Koha ditore”. “Në një bisedë private menjëherë pas takimit, Thaçi i tha të ngarkuarit me punë se ishte i brengosur nga përzierja e kryeministrit Sali Berisha në politikën e Kosovës”, thuhet në kabllogramin, i cili flet për takimin e Thaçit me të ngarkuarin me punë në Ambasadë, Michael Murphy. Takimi i Thaçit me zyrtarin amerikan kishte ndodhur disa ditë pas pritjes që Sali Berisha i kishte bërë Ramush Haradinajt në Tiranë, me të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi mes Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Sipas kabllos diplomatike, Thaçi kishte përmendur se Berisha planifikon një vizitë në Prishtinë për vjeshtë të atij viti dhe kishte shtuar se “ai do ta mirëpriste një vizitë nga Berisha në Kosovë për të diskutuar marrëdhëniet bilaterale, por nuk kishte dëshirë ta shihte atë duke bërë fushatë në Kosovë për LDK-në, apo për opozitën e AAK-së”. Asokohe, PDK-ja e Thaçit ishte në koalicion qeverisës me LDK-në, derisa AAK-ja ishte në opozitë, sikur edhe sot. “Thaçi tha se përfshirja shqiptare në politikën në Kosovë paraqet një kërcënim për Kosovën dhe kërkoi nga Ambasada që ta kundërshtojë një përfshirje të tillë”, thuhet në kabllon diplomatike.