Kulturë
Poezi nga Nafi Çegrani
E hene, 20.06.2011, 06:35 PM
Nafi Çegrani
LUGJE TE VERDHA
Lum kush bën jetë engjullore
në këtë shterzim kohe
së paku njëmijë e një net
do të mbetet i shndërruar
në përrallë si hije ere
asnjëherë nuk u takua me hijen
që ta çveshë nga kostim terri
në këtë kërthizë kohe
e do edhe koha që ka etje
të mbetemi vetëm të vetes
mik në këtë shartim dite
edhe për një fjalë e këngë
mjafton të jetohet prore
dhe kështu e do koha
jeta në shtiza
shekujt e bëjnë të veten
kuvendojnë kreshnikët
mes Lugjeve të Verdha.
PËRTEJ KUJTESËS!
erdhe me terrin e parë
mbolle trishtim
për ditën e lodhur
dhe vrapin e kthimit
asgjë s’ndodhi e ndodhi
si në fantazmë
harrova fillimrrëfimin
nëpër xhamat e hukatur
hetova shushurimën e gjethit
dhe hijen e erës
kush më ka faj që kujtesa iku
në kthiza të gjata
imzot, më ndihmo të dal n’dritë
për të marrë udhë të largët
përtej grilave të kësaj jete
zot, ndalo erë e mos më bë vrerë
kur mbetem jetim pa kujtesë,
përtej vitesh
skëterrë.
PLAGËT E NJË SHEKULLI
Përtej shekulli plagë
përtej largësive
ngritet piramidë e kujtimit
dhembja kurrë s’mbetet vetmitare
kot mundohesh ta zësh hijen
të çarat e motit të lënë topall
pas mugëtirrës
kurrë nuk mund ta dashurosh vetminë
Vetminë në kullë
përqafon dhembja
hajnat e natës vjedhin
mallin cullak
përtej largësive i vonuar
mbetet vegimi i vetmuar
përtej horizontit,
majë Korrabi,
Kalorës me nëntë plagë!
NJË VASHË!
1.
Një vashë
me një gaz e një përflakje,
në sy:
me një lot të tharë,
një psherëtimë e një mall,
që digjet nën harkun blu…
2.
Një vashë
që sjell puhi në ecejake,
në buzë:
me një fjalë të blertë.
Me një duf të sertë,
që mbeti imja përjetë!
3.
S’di ku më humbi loti yt i verbër,
të cilit kurrë nuk ia njoha thellësitë:
Në krijesat fatkeqe rrallë humbim si njerëz,
dhe po kaq rrallë fitojmë si perënditë,
e perënditë kanë etje
si vashë e virgjër...
VITE E VRAGË
Një përroskë më bekoi
dhe, si të kish pritur çastin fatlum,
shteroi sakaq,
në brinjë të Malit të Thatë…
përballë sytë e Sharrit.
Kraharori m’u ça,
siç ndodh kur bie sëpata në trung.
Një zjarr më prushëroi në gjak!
Me gjuhë guri skalita
kujtimin e puthjeve,
në stinën e luleve!
E nëntë palë rrudha
në mes të ballit i prita,
si vragë të vuajtjeve
në vite të zhubravitura
ku jam djegur
një mijë hërë,
vite e vragë malli
që dhembin thellë…
QIELL ME SHI NË TIRANË
Përtej reve të Dajtit
zogu humb fluturimin
Tirana e përgjumë
largësia futet në mes
majash horizonti
qielli është me barrë
në Qafështamë
edhe pak fillon lindja
se po bubullinë
kaloi andej Krrabës
zjarrshëm pa gjuhën rrufe
do të bie shumë shi
në Tiranë
moti qielli është me barrë
do të bjerë shi tërë natën
Mjellma e bardhë
do të lind zogun
e saj të mbarë…
Shqiponjat e vogla
fluturojnë nga deti
me valë dashurie
si në gojëdhënë...
NËNAT TONA MALËSORKA
Lindin e rrisin trima
më tepër se sa hapen varre
kanë halle Nënat tona
kur bijtë i gjuajnë vetëtimat
nuk u druajnë kurrë mjegullave
as reve të zeza mortore
Nënat tona ulen në tokë -
dhe bëjnë be në fëmijët
dhe kokën e tyre
në tokën stërgjyshore.
Nënat tona, malësorka
që lindin djem mali
e cuca sorkadhe
shqiponjat fluturojnë
majave në përqafim
Sharrjanët hapin sezame,
se kështu e ka jeta
dhe saga jonë
në etjen e Ballkanit.
VARGJE PËR VASHËN
kur më kaplon heshtja
i këndoj dashurisë
dhe vashës...
m’i fal sytë
sytë e tu të etur
o zot
t’i këpus dy lule
për bukurinë e gruas
vetëm një çast
të jetoj me ëndrrën e saj
sonte
më erëmoi trëndafili...
është dimër në zemër
mbiu lulebora
mund të ëndërrohet
kur vjen pranvera
ti më shfajëson
që të këputa njëherë
e kuqja e shegës…
* * *
Dhe përsëri këndoj
për vashën
dhe etjen
në buzët e saj
vetëm kënga e klithja
tash banojnë pa kulm
me zogjtë e trembur
në Kosovën e ringjallur!
Në sytë e tu e kuqja e bozhurit
ngjyrë qielli dhe trëndafili
në fustanin tënd blu
buzëqeshje zymbili...
Në ballin tënd si bjeshkë
hullira të buta kujtimi
mallin ma kallë si eshkë
n’vargun që s’vyshket shikimi.
Qan e këndon qyqja dhe bylbili.
lind e vdes në buzë
me barrën e shekujve
dhe përherë mbetet mallë
tejpërtej i bie flakës
stinët kaloj zbathur
me barrën e mallit
anë e kënd i rash kohës
vetëm zjarri më bëri hi
për Kosovë e për Shqipëri!
* * *
para hapit të ndarjes prore
unë u bëra puhi magjepse
ti u bëre barë përjetësie
me flokët tua të zeza korb
i thurre kurorë lule bozhuri
dhe ike me vegimin
nëpër Lugje të Verdha
erëmon tokë e plagë bojëdeti
gjethet dhembjes i pikojnë trishtim
nëpër buzagaz ndalet fjala...
ti erdhe e s’më gjete më
hijen e more hyjnore për kujtim
një copë diell të thyer
të mbetën shqim!
* * *
sytë shkrepin si agime të bardha
lulezambaku e prek mugullimin
dhe vlagën e përmallimin
në pelerinën e natës pushon pulëbardha
vjen e përvidhesh nëpër ëndrra
njëmijë ngjyra prore
vetëm një vegim
dhe buzagazi i saj
pikturë dashurore
magjepsej në dejt e mi
portreti i vashës
me hënën në qepallë
kurorë perëndeshe...