E hene, 29.04.2024, 07:27 PM (GMT+1)

Kulturë

Afrim Rexhepi: Objekti estetik hipnogen

E diele, 19.06.2011, 07:58 PM


OBJEKTI ESTETIK HIPNOGEN

 

(Dis-harmonia: Estetika e groteskut në folklor, në artet bashkëkohore dhe në letërsi)

 

Nga Prof. dr. Afrim Rexhepi – ligjërues i Estetikës në Shkup

 

Meqenëse Hëna tërheq Tokën, ndërsa Dielli shkakton deformim në lëvizjen e Hënës rreth Tokës, në shkencë u krijuan kushtet për teorinë e kaosit, me tendencë bazike "rend nga kaosi". Kaosi më nuk definohet si sferë e zbrazët dhe e panevojshme, por si tërësi pozitive autonome. Proceset kaotike kanë struktura të thella të rendit. Teorinë e kaosit e apsorbojmë si energji që krijon rend. Arti modern nuk e ka më objekt realitetin objektiv, por veten. Arti modern nuk është më diskurs për realitetin objektiv, por diskurs për vet artin.

 

"Muzika nuk duhet të shpreh diçka që është jashtë vetes, vepra muzikore është e pavarur dhe për veten e mjaftueshme". (Gërliq, 1978; 83)

 

Estetika e Hajdcikut për muzikën është referensë e konstatimit, "objekti estetik referon të plotën edhe atëherë kur nuk është e plotë, kur është e deformuar dhe asimetrike. Demonstrim i shkëlqyer është Simfonia e Shubertit në h - mol, e njohur si E pambaruara, vepër e përkryer e simfonisë muzikore. Ligji estetik duhet të respektohet. Objekti estetik është baraspeshë e të plotës dhe jo të plotës. Nëse arti klasik është konstruksion i simetrisë, harmonisë dhe ritmisë, arti modern është lule e së keqes / bukuri e zezë, arti modern është tragjik, i ngjashëm me skulpturën - art i dhembjes. Arti (post) modern është konstruksion i asimetrisë, disharmonise, disritmisë.

 

"Në fillim të vitit 2000, arti dukshëm është distancuar nga harmonia, euritmia, konsonanca, simetria, elemente këto që e projektuan atë deri në fund të shekullit të kaluar". (Dorfles, 1991; 106)

 

antikën greke, artisti ishte përfaqësues i perëndive i cili stilizonte figurën e përkryer të Zeusit, Paladit dhe Atinës, Apolonit dhe Afroditës. Artisti Fidija, ishte krijuesi i vetëm i artit, kurse recipienti athinas nga distanca perceptonte harmoninë ideale të objektit estetik. Grekët kërkonin forma të pëlqyeshme për syrin - të kujton maksimën e Da Vinçit, Syri është gjykatës universal i gjërave. Vetëdija për të bukurën, për harmoninë, për simetrinë e pjesës në raport me të plotën, në format arkitektonike, në format e natyrës dhe artit, definohej si harmoni proporcionale. Për shpirtëroren e estetikës klasike (Greke, Romake, të Renesansës, të Klasicizmit) nuk ishte i mjaftueshëm shumësi, "arti është vizion dhe intuicion i pastër" por duhet të merren parasysh edhe raportet matematikore. Gjeniale nga ana e teoricientëve të proporcionit të estetikës klasike. Nëse intuicioni do të ishte i mjaftueshëm për analizën e raporteve proporcionale, "ligji i të njejtës" do të funkcionojë. Përsëritja monotone e formave, nuk kënaq percepsionin e bukurës. Sistemet proporcionale zhvillohen në mënyrë paralele me performansat gnoseologjike matematikore, mekanike, fizike dhe optike, sitemi i përgjithshëm i raporteve harmonike dhe njësia racionale "rrënja katrore e dyshit". Proporcionet e trupit të njeriut, ne bazë të progresionit harmonik dhe të masës, e bazuar në njësitë elementare fiziometrike, është teori dhe pragmatike e Markus Vitruvius Polio, teoricient i parë i proporcionit.

 

„Katedralet nuk mund të komponohet në mënyrë të duhur, pa simetrinë dhe proporcionin, nëse pjesët nuk kanë raporte të drejta, sikur raportet e pjesëve të trupit të njeriut me trupin në tërësi’  (Petrovic, 1967; 77)

 

Koncept të ngjashëm me proporcionin klasik kishte edhe sistemi matematikor për proporcionin i gjeniut te Renesansës Lenardo da Vinçi. Ky estet i madh i analizoi proporcionet ideale jo në bazë të harmonisë metafizike, por në bazë të matjes dhe analizës së njësive të veçanta të figurës së njeriut përmes numrave. Koincipimi proporcional i të bukurës, respektivisht koincipimi harmonik i "bukurisë ideale", ishte preokupim edhe i Klasicizmit françez. Përfaqësuesit dhe formacionet stilistikore të Artit modem, Pikaso, kubizmi, surrealizmi, Pop arti, Grafikët e Nju Jorkut etj. të perceptuar në dimension estetik, pohojnë se gjithçka mund të jet objekt estetik, respektivisht inspiracionin e kërkojnë në të ultën dhe të shëmtuarën. "Kriteriumi i artistit modem, më shumë është e vërteta se sa e bukura" konstaton Herberd Rid. Artistët modem besojnë se joproeksioni është në një farë mënyre proeksion, respektivisht antiestetika është në një farë mënyre estetike specifike. Arti modern ka lindur si reaksion i paraqitjes së fotografisë, edhe kjo është vepër e artistit i cili do ta largojë figurën nga pëlhura. Më shumë kaos fotografi, kënaqësi më e madhe për kritikun modern. P. sh. zhvillimi historik i pikturës demonstron faktin që më pare figura është larguar nga pëlhura, që pastaj fotografia vetë të bëhet objekt estetik. Arti modem është e kundërta e artit klasik. Konstantat e artit modern janë : asimetria, disharmonia, disritmia. Rendi dhe simetria, respektivisht proporcioni harmonik i estetikës klasike, s'do të pranohet nga koncepcioni i estetikës moderne dhe nga arqitektët postmodern. Angazhmani estetik i estetikës moderne do të ishte mundësia, të perceptohet asimetria, të kalojë në ekzistencë kontinuale, të kapet simetria. Te perceptohet rendi nga kaosi, harmonia nga disharmonia, proporcioni nga disproporcioni. Figura semantike Metafora funksionon sipas principit të analogjisë. Analogjia ekziston natyrshëm, sepse dallimi ka modus të papërcaktuar. Në dimensionin estetik dhe gnoseologjik, asimetria midis dy elementeve të kundërta është konstruktiv.

 

"Arti është distancuar edhe më shumë po distancohet nga kushtet e harmonise, euritmisë, konsonansës, simetrisë, proporcionit (...) pa marrë parasysh a bëhet fjalë për artet figurative apo për muzikën dhe poezinë, sot arti me vetëdije apo instinktivisht është në kërkim të deformimit të baraspeshes". (Dorfles, 1991; 107)

 

Lëvdëratë disharmonisë, do të thoshte esteti postmodern Xhiro Dorfles. Konstantet e artit modern, asimetria, disharmonia, disritmia, i posedon kategoria më universale estetike - grotesku. Ekuacioni i fizicientit nuklear: zjarr - sintezë - ujë, është i barasvlefshëm me ekuacionin e artistit modern; tragjika - sintezë (paradoksale) - komika. Ekuacionet demonstrojnë konstatimin e estetit Direnmat, "Nëse në shek. 20 u krijuan kushte për bombën atomike, atëherë u krijuan kushte edhe për groteskun". Grotesku u bë potencial estetik më i eksploatuar në artin modem. Njeriu i kohës moderne nuk mundet në mënyrë aktive të ndjek apsurdin e mekanizmave shoqërore. Konstantat e artit modern, asimetria, disharmonia, disritmia janë kualitete të groteskut. Shumë më parë, Markus Vitruvius Polio duke i përshkruar ornamentet e Titit në Romë, paralajmëronte rrezikun e depërtimit të një stili dekadent dhe ekstravagant në artin romak. "Dashuron të ultën; Ajo është përherë shëmtim; Shthurjen e vargut e bëri ligj menjëherë; Dhe palaço bëri Apollonin e madh". (Uçi, 2001; 6) Grotesku është deformim specifik i formës.

 

"Grotesku është montazhë e elementeve disparate, në të cilën tragjika me theks të të tmerrshmes dhe komika me theks të të madhërishmes ndërthuren dhe japin kualitet të deformimit". (Tamarin, 1962; 25)

 

Kur në ekran shfaqet gjeniu i filmit grotesk Çarli Çaplini, ne qajmë dhe qeshim duke perceptuar njeriun e vogël si fenomen i gjeometrizuar i cili imiton shpirtin e kohës dhe të teknikës. Figura e popullarizuar e filmave vizatimorë Marinari Popaj, sipas pamjes, sipas formës, është figurë groteske. Marinari Popaj është formë e deformuar, disproporcionale dhe disharmonike, asimetri e pjesëve ndaj tërësisë.

Koncepcioni estetik i Viktor Ygosë, groteskun e definon si fillesën më me vlerë të artit modern në të cilën bëhet përzierja e bukurisë ideale me të shëmtuarën, respektivisht përzierja e groteskut me të madhërishmen. Në format e deformuara, të pakryera, Ygoi kërkonte të përkryerën, pragmatikë kjo bazike e estetikës moderne. "E bukura është edhe në të shëmtuarën" thoshte Ai. Modulacioni teorik i Viktor Ygosë, në një farë mënyre detinonte limitin e bukurisë ideale të klasicizmit, proporcionin harmonik të pjesëve në raport me të plotën. Modulacioni teorik i Ygosë për groteskun, është demonstrim i asaj bukurie e cila është konstruksion i pjesëve në disproporcion me të plotën, dhe e cila ka qenë ekzistente edhe para se të diferencohen artet dhe letërsia. P. sh. Figurtt narrative - diskursive në përrallat Një mijë e një net - Xhini me dimensione fantastike, në përrallën Maçoku me çizme, apo në përrallën shqiptare Djali i vogël sa arra - Kusaroarra etj. janë figura groteske. Janë groteske nga forma, por jo edhe nga përmbajtja sepse,

 

"Personazhet e përrallave nuk janë ambivalente, nuk janë njëkohësisht edhe pozitive edhe negative, janë ose pozitive ose negative". (Betelhajm, 1979; 23)

 

Përmes teorisë së groteskut, Ygoi mohonte konceptin e proporcionit harmonik të estetikës klasike, respektivisht mohonte konceptin e harmonisë apsolute dhe paralajmëronte format e deformuara / disharmonike. Në strukturat e përrallave Borëbardha dhe shtatë xhuxhët, apo në përrallat shqiptare E bukura e dheut, e bukura dhe e shëmtuara nuk  ndërthuren  por   funksionojnë   si  njësi   autonome,  me proporcione (dis) harmonike. Figurat narrative - diskursive Borëbardha apo E bukura e dheut, i perceptojmë si konstruksione proporcionale, d.m.th. perceptojmë të bukurën. Figurat narrative - diskursive shtriga apo djalli i perceptojmë si konstruksione disproporcionale, d. m. th. si forma të përçunduara dhe të shëmtuara. Shumësi i opozicioneve semantike e bukur - e shëmtuar, e mirë e keqe është konstruksion i formës artistike, të veçantë dhe specifike të përrallës. Përrallat pararendëse asocojnë në principet e Parthenonit apo të Shën Sofisë të cilat nuk janë vetëm shembuj ideal të harmonisë apsolute, por edhe  shembuj të atyre ligjeve të cilat cenojnë principet e harmonisë. Aplikimi i preferencës selektive në ndonjë formë apo zhanër folklorik (p.sh. përrallën e definojmë si objekt estetik që realizohet përmes narracionit diskursiv, apo përrallën e definojmë si diskurs fiksional), do të ishte një estetike interpretative e lojës tejet e dobishme për konstruksionin e formave të ardhshme inovative artistike, për proporcionet estetike që do ta formëzojnë realitetin objektiv të shekullit 21.

Perceptimi estetik i objektit, sot është pragmë interaktive estetike që konkretizohet në objektin hipnogen. Objekti hipnogen, mund të jetë çdo objekt tjetër që krijon efektin aktiv, të lojës. Është i rëndësishëm efekti që prodhohet përmes pragmës interpretative të subjektit e jo objekti për vete / objekti fatal. Logjika e kuptimit të idesë është dekonstruktive, një shpërbërje e ontologjisë së pranisë strukturore e që logjizohet përmes lojës së pastër neoklasike, teknikë kjo interpretative përmes së cilës zbërthehet në funksion universi migual dhe vizual i artit.

  

 

Referencat:

 

Danko Gërliq, Estetika III, Zagreb, 1978.

 

Dordje Petrovic, Teoreti?ari proporcije, Zagreb, 1967.

 

Diro Dorfles, Pohvala disharmoniji, Novi Sad, 1991.

 

Alfred Uçi, Estetika II, Tiranë, 2001.

 

G. Tamarin, Teorija groteske, Sarajevo, 1968.

 

Hugo Betelhajm, Znacenje bajki, Zagreb, 1979.

 



(Vota: 9 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora