E diele, 04.05.2025, 09:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Anila Brakaj: Shiu

E hene, 20.06.2011, 06:34 PM


Anila Brakaj

 

SHIU

 

Pas shumë e shumë kohësh me diell të pluhurosur e me pluhur të diellosur, sot ra shi.

Jo një shi i pakët që bie si i ndrojtur pasi i lajmëron njerëzit e i pyet: “ A mund t’ju lag pakëz?”, por një shi i vërtetë, një shi i rrëmbyer, me një trok të shpejtë e tërë forcë mbi pellgaçet e ujit që filluan të hapnin gojët kudo, një shi që e dinte që duhej të mbizotëronte vetëm ai!

Shiu  e kishte urdhëruar qiellin  që herët në mëngjes që të merrte një mbyllje horizonti në një gri të shoqëruar me ca penelata blu, por njerëzit, pa i kushtuar as më të voglin vështrim, ose menduan se ajo ishte një tjetër tekë paralajmëruese e shiut që nuk do të realizohej, ose  e nënvlerësuan totalisht duke  e shumëzuar me zero fuqinë e shiut.

Mesditës pikat u hodhën në sulm. Përnjëherësh, si të sapozgjuara, si të sapoforcuara me energji, si të ushqyera prej muajsh me urrejtje kundër pluhurit të rrugëve që pa pasur aspak frikë prej tyre shtrihej e qetësohej nën diell gjatë gjithë verës duke u çlodhur e duke u kapardisur në qindra e mijëra kokrriza të vogla, të hirta, të ndotura e të pluhurta.

Sapo pikat e para filluan ta goditnin, pluhuri filloi të mblidhej  në kokrriza sa vinte e më të mëdha, duke u bërë kokrra gjigande që rrokulliseshin shpejt, duke rendur si t’i shpëtonin inatit të pikave. Por gjithçka ishte e kotë. Shiu i vuri të gjitha kokrrizat përpara duke i shoqëruar me radhë të tëra currilash uji që u rrinin anash si xhandarë, duke i detyruar “Më shpejt! Më shpejt!”.

I fuste nëpër puseta ose, kur s’mund ta bënte këtë, i detyronte të shtypeshin nën forcën e tij dhe i torturonte duke i zhdukur e asgjësuar pas një kalvari nëpër gurecë të vegjël, që çoroditeshin dhe vetë e rrokulliseshin si nëpër një ëndërr ku  e sheh rrezikun të të afrohet dhe, jo vetëm që nuk bën dot asgjë, por as zërin për t’i thirrur frikës sate s’mund të nxjerrësh.

Pasi iu duk se e shprehu mjaftueshëm dufin e tij mbi pluhurin, shiu u kthye të shihte si dhe sa po e respektonin njerëzit. Shumica po i bënin falje e përkulje, të kërrusur nën ndonjë copë karton, gazetë a ç’tjetër mund të gjenin për të mbuluar disi kokën, duke  e”ndjekur” nga pas “idhullin “  e tyre, me vrap, aq shumë të zhytur në “adhurim”, sa edhe hapat i hidhnin me një shpejtësi të çmendur sipas melodisë dhe ritmit të trokut të pikave.

Një pjesë tjetër, më  e pakët, ishin ngjeshur nën strehëza ndërtesash, nën degë pemësh e ku të mundnin tjetër, për ta lënë rrugën të lirë e për të parë më mirë të kalonte para tyre, t’u kërcente rreth e rrotull dhe t’i përkëdhelte nga sipër i adhuruari i tyre.

…Nuk  e di pse shiu  e ka inat pluhurin.

Nuk e di as pse njerëzit i tremben a e urrejnë shiun.

Qëndrova në rrugë, një copë kohë. Pa ecur. Me kokën lart për të parë mos ndoshta kishte ndonjë dorë që i hidhte pikat që lart, për të parë si vinin ato të gëzuara drejt meje.

Pastaj eca. Eca fare ngadalë drejt banesës sime, duke mos qenë e vetme kësaj here, dhe as e harruar…

Shiu krijonte për mua melodi e ritme hapah, dhe unë i ndoqa gjurmët e tij pa frikë se gaboja.

Ai më ofronte një ujëvarë të tërë mirësie pa kusht, dhe unë e pranova.

Pikat e tij rridhnin butësisht në mua. Mbi flokë, faqe, trup e deri në brendësi të këpucëve…

E unë ndieja çlodhje, larje, kënaqësi. “Jam e pastër”!

Ashtu, e qetë me veten e botën, ndërrova teshat.

Shiu pushoi dhe iku për ca kohë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx