E shtune, 27.04.2024, 07:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Profesori

E merkure, 01.06.2011, 07:43 PM


PROFESORI

 

Tregim nga Luan Çipi


            Gjithnjë kam ëndërruar e pritur nga mërgimi i gjatë lajme të mira për bijtë e mi të dashur. Po ata edhe llafet në telefon, sikur i kanë me “kandar”.

-Po, thuana një fjalë të mirë që të na gëzosh, more bir, ndonjë realizimin tënd të suksesshëm. Po në qoftë se nuk ke, të tillë, sajo diçka, qoftë dhe ndonjë gënjeshtër pa zarar, i përsërisja shpesh në telefon.

Dhe një ditë, një telefonatë e djalit tim, Anit nga Amerika e largët, vërtetë na gëzoi, po, sa nuk na çmendi.

-Babi, mami! Erdhi një rast që mbase do t’ju gëzojë. Po ju flas nga një tjetër qyteti i madh i Amerikës, që quhet Filadelfia. Jam me disa nga pedagoget e mi dhe specializantë të mjekësisë amerikane, në një Konferencë. Unë këtu do referoj një temë shkencore, po kjo është një si rutinë pune e zakonshme. Ajo që është e re dhe ka njëfarë lajmi për ju, është fakti se këtu, po më propozohet emërimi i punës si pedagog në Universitetin e Mjekësisë të Sent Luizit, ku unë, siç e dini, jam duke përfunduar specializimin për Anestezi-Reaminacion.

Unë, nga gëzimi që ndjeva, nga ky lajm i papritur, pa dashur u mbulova nga emocioni dhe lotët më rrodhën çurkë, deri në mollëza e mjekër dhe më pas u rrëzova  mbi dyshek, si i alivanosur. Bisedën e ndoqi, ime shoqe, Hanëmja, që më pas më solli në jetë, me një gotë uji fytyrës dhe  me nja dy shuplaka faqeve dhe më pas më shpjegoi e më përsëriti me qetësi lajmin befasues.

Pasi u qetësova i frymëzuar e i gëzuar, si rrallë herë në jetë, u ula para kompjuterit, duke kaluar ndër mend gjithë kalvarin e jetës sonë, në Shqipërinë e vogël, plot vuajtje e mundime, po që duket nuk do jetë e tillë, po shumë më e mirë dhe krejt tjetër, për fëmijët e mi dhe brezat e ardhshëm. Kështu, natyrshëm e fare lehtë, më lindën vargjet e mëposhtme, që u bënë më vonë shkak replikash e këmbim batutash, midis meje, tim biri dhe të tjerëve

Profesori i Universitetit


 Larg, nga Filadelfia, erdhi lajmi sot

Lartohet im bir, sa një mal me borë,

Nga qerpikët te mjekra, po pikojnë lot:

Ani në Amerikë bëhet profesor.


                                        Ikën mbi 10 vjet lodhje e mundime,

Ditë e net pa gjumë, pa asnjë dëfrim

Mbi volume librash, eksperimentime,

Prova e provime, gjithnjë në kërkim.


 I ndarë nga familja, po me Delen pranë,

Si faktor e ndihmë, si melhem për mallin.

Ti, kurrë nuk të mposhtën, shpresën dot s’ta vranë,

Shumë shpejt triumfove dhe arrite ballin.


 Mjeku nga Tirana,  nuk qe fund stacioni,

As licenca e doktorit, në US Amerikë,

As si specialist anest - reaminacioni.

Synove më lart... pozicionin shik:


 Shpallet pedagog prej Universitetit

Midis kandidateve, zgjidhet më i miri,

Një Vlonjat i denjë, lindur buzë detit,

Një bir Shqiptari, një stërnip Iliri.

Poezinë, si më sipër me titullin bombastik “Profesori i Universitetit” dhe me një fotografi të fundit të Anit, dalë  para  një viti kur erdhi me pushime në Kaninë të Vlorës, ja nisa urgjent tim biri.

Rija në pritje të fjalëve miratuese, për gëzimin e ndjerë dhe për poezinë dalë nga shpirti i një babai, kur zhurma në “Skaj”in kompjuterik, shoqërohet me figurën e tim biri dhe zërin e tij:

-Po ti, o babi, ç’pate, me atë entuziazëm të papritur dhe me atë refleksion të shpejtë poetiko-sentimental? Duket që je plakur, më shumë nga sa mendoj.
-Si ç’pata? ( I përgjigjem i mërzitur, dhe i habitur për guximin e tij çka nuk prisja, qe djali im shqiptar të qesëndiste kaq direkt babën e tij).

- Mua, emërimi yt, në atë pozicion, më duket një realizim i madh, për ty dhe për ne, një hop i rëndësishëm dhe i menjëhershëm. Pse ç’pret më shumë ti, o biri im?
-Jo nuk them ndryshe, punë e mirë dhe e nderuar është edhe ajo e mësuesisë, po jo sa të alivanosesh. Për mua ky pozicion ka vlerë vetëm për sivin, për dokumentet vetjake. Se, si vend pune e karriere jetike, nuk më pëlqen. Madje, nga ana profesionale është një pozicion i parakohshëm e disi frenues.

Mendova se im bir është bërë mendje madh dhe, në këtë rast, si rrallë herë, tregohet i papjekur. Thash me vete: Kush nuk do ta pëlqente, pa asnjë rezervë këtë pozicion kaq superior, sikur edhe në Shqipëri po të ishte, pa le në vendin më të madh e më të përparuar të botës...

Im bir, sikur e kuptoi nga aq larg, sa ishte, mendimin tim, ndaj filloi të formulojë e të shtojë argumentet e tij:

-Se unë, baba i dashur, asnjëherë nuk e kam lakmuar karrierën akademike. Nuk e ndjej veten të aftë për ligjërim. Kot nuk thua ti shpesh: Po folna një fjalë, o Ani? Po të ishte për mua, babo, do zgjidhja e do desha tjetër gjë, vazhdoi me më shumë intimitet e  respekt, im bir.

-Po  më thuaj, se mbase të ndihmoj unë prej këndej, vazhdova të pyes kurrjoz e si me shaka, çfarë do parapëlqeje, ti?

- Po ta them me sinqeritet dhe haptas: Unë do desha dhe do luftojë me këmbëngulje për këtë, duke kërkuar e aplikuar mbase për shumë kohë, të punojë në specialitetin tim, që ishte ëndrra e jetës sime dhe që e ndoqa me dashuri e pasion për shumë vjet. Dhe kjo, po të jetë e mundur, duke punuar në një Klinikë, ku mundësisht, të mos ketë pasur dështime e fatkeqësi  vdekjeprurëse për disa vjet rresht.

-Po pse këmbëngul për këtë?

-E para, siç të thash, që të bëhem specialist i mirëfilltë në profesionin e dëshiruar, pastaj në të tilla klinika, paguhesh edhe shumë më tepër, se, një pasanik i mençur, boll që ti shpëtohet, apo ti zgjatet jeta dhe është gati deri ta sakrifikojë krejt pasurinë, ose një pjesë të saj. Kjo nuk e përjashton karakterin human, por e nxit mjekësinë, që të investojë gjithnjë e më shumë për të zgjatur jetën mesatare të njeriut dhe për të përmirësuar cilësinë e saj.

Tani, që e shikoj të përfshirë në një grup mjekësor kirurgësh në Çikago të Amerikës, e perceptoj më mirë tim bir, të larguar prej nesh para 15 vjetësh. Ai  i trajton çështjet me tjetër mendësi,  gjykon si Amerikan. Unë, “shqiptari i staxhionuar” nuk do bija plotësisht në një mendim me të.



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora