Mendime
Çlirim Uça: Kombi kosovar, apo kombi i kokave të krisuna
E shtune, 21.05.2011, 08:00 PM
KOMBI KOSOVAR, APO KOMBI I KOKAVE TË KRISUNA
Mbi vështrimin e Bardhyl Metajt: „Përgjigje Alfred Moisiut: "Kosova s`është, s`ka qenë e s`do të jetë kurrë, një krahinë e Shqipërisë"!?
Nga Çlirim UÇA
Populli ynë, fatkeq si pak popuj të tjerë në botë, ka një plagë në trup, të thellë deri në asht. Si çdo i plagum, edhe ai andërron shërim, andërron mbylljen e asaj plage të vjetër 100-vjeçare: bashkimin e tij trupor dhe shpirtnor. Në aq vite vuejte, ai vetëm një herë e ka shijue këte andërr: ka qenë bashkue për rreth 3 vjet e në rrethana që dihen. Kënaqësinë e atij bashkimi edhe sot e kujtojnë të vjetrit, tue thanë: ,,Tri ditë jetë janë kanë “. Nuk thonë tre vjet, po tri ditë.
Tue qenë me këte plagë në trup, populli ynë veshët i mban haptë për të dëgjue ndonjë fjalë në lidhje me shërimin e tij. Asht çashtje e natyrës morale, cilën fjalë ia zgjedh ndokush: atë që shëron, apo atë që vret. Çuditërisht, po ndodhe t’i thuhen që të dyja. Dy rastet ma të freskëta janë:
Thanja e ish presidentit te Shqipnisë, Alfred Mojsiut: Kosova asht krahinë e Shqipnisë.
Thanja e Bardhyl Metajt "Kosova s`është, s`ka qenë e s`do të jetë kurrë, një krahinë e Shqipërisë “
Kështu pati zemër të thotë dhe të shkruej një shqiptar. Sa asht shqiptar i moralshëm ky njeri? Kush tjetër mendon e do të shprehej kështu si ky? Dihet: Janë edhe disa shqiptarë të tjerë; janë serbët e Kosovës dhe Serbisë; janë rusët; asht e mundshme edhe pakicat e Kosovës. Por asht pikëpyetje nëse kështu mendon edhe ish deputeti rom, z. Haxhimergja, konstruktiviteti i të cilit tashma ka kalue caqet ballkanike?
Derisa e kam për gojë, shfrytëzoj rastin t’iu drejtohem institucioneve të Kosovës ta nderojnë këtë njeri për virtytet e nalta që ai ka reflektue, si: pozitivizmin, ndershmëninë, besnikërinë, mirëkuptimin, çiltërsinë etj., vlera që nuk i kanë pjesa dërrmuese e deputetëve shqiptarë, andej e këndej.
Meqenëse realisht me këte gjendje në të cilen gjendet populli shqiptar, nuk mund të ndodhë ndryshe, pos si këndojnë këto kukuvajka, kufini i fundit moral nuk do të duhej të shkelej nga këta „ideologë “,që popull ynë të mos lëndohej përtej sa asht i lënduem, por ta jetonte andrrën e tij, siç e thotë edhe vargu i Nolit tek vjersha “Sofokliu”:
Plaku s`ka takat
Por ka dëshirë.
Por jo. Ata kanë marrë rolin e vrasësit të andrrave, tue arsyetue: Asht ma mirë mos me andrrue diçka që natyra ta ka dhanë, por i forti ta ka marrë, se mund të ndodhë që ndjenjat dhe dëshirat tona t’u ngjallin epshin atyne të fortëve, e ma keq do te gjendemi. Veçmas jetuem tash sa kohë, thonë ata, dhe veçmas le të jetojmë edhe në te ardhmen. Vetmia na ka ndryshue dhe prandaj nuk duhet as bashkue. Ndërsa rranjët e vetmisë tonë ata i gjejnë diku ma larg së sa ka arrijtë arkeologjia jonë.
Mjafton vetëm mbishkrimi i kapakut të tenxheres së markës „Bardhyl Metaj“ për të kuptue çfarë zjen mbrendë. Ashtu si unë, besoj se as lexuesit nuk i duenë erënat e këqija, kështuqë kapakun po e la mbyllë. Asht ma mirë kështu. Qarkullojnë plot gazna të këqija nga ndotja e përditëshme e natyrës dhe e politikës. Kush ka dëshirë të shohë çfarë qelbet në “tenxheren Metaj”, le t’ia hapë vetë kapakun.
Por më duhet t’i kujtoj Bardhylit, Halil Matoshit dhe gjithë ,,ideologëve” të Kompanisë së ,,Kombit Kosovar“, së idetë e tyne “të nalta e të reja” i ndajnë vetëm pak vite nga ato të origjinalit serb, që për të na vu kufi shpirtnor, na thonin: Vi ste shiftari, oni su albanci(Ju jeni shiftarë, ata janë albanca).
Nga dëshira e mirë për të ndihmue këta ,,ideologë”, që ma në fund të nisin me ecë nëpër tokë, ashtu siç asht edhe e natyrëshme, e t’i shmangen bezdisjes së popullit të lodhun nga hallet e jetës së përditëshme, i këshilloj ata të marrin këto mundime modeste:
a) Le të bashkojnë forcat dhe të ndërmarrin një testim në 3 fshatra dhe qytete me disa dhjetëra njerëz, andej dhe këndej kufinit, për të marrë mendimin e popullit rreth dëshirës së bashkimit apo të krijimit të kombit të sorrave.
b) Shkoni mandej tek tri familje të dëshmorëve dhe pyetini çfarë mendojnë ato për idenë e juaj. Pranoni pikëpamjet e tyne, sepse burojnë prej gjakut, me të cilat Ju nuk u lidhë asgja.
c) Shkoni edhe në qytezën e Istogut dhe pyeteni Muharremin (një djalosh i çekujlibruem), i cili ia ka sjellë shpirtin tek hunda flamurit tonë kombëtar, tue e mbajtë gjithë ditën mbi supe, herë me shtizë e herë pa të.
d) Mbasi t’i keni marrë këto tri përgjigje, nëse dëshironi të rrini edhe mbasandej në këte fushën e filozofisë së kombeve, ju këshilloj të paraqiteni kush tek boshnjakët e kush tek maqedonët, të cilët, falë përparimeve të mdhaja në planin pragmatik, kanë një zbrazësi të theksueme në planin teorik të çashtjes së kombeve të tyre në formim e sipër.
Po t`më lejohej një herë të flisja në emën të popullit, unë do të thoja: kuku nanë që m`ka lanë takati, e trupi me asht drobitë tue mbajtë në shpinë gjithëfarë qenësh, që edhe mishin e kambëve janë tue ma ngranë, së kurrën e kurrës nuk pata me e lanë pa e ba timen, edhe sikur bota të përmbysej, bashkë me ta edhe ju. Se, unë i gjallë e ju në pllajë tue këndue kangën ku-ku, kurrën e kurrës jo.