Mendime
Halit Bogaj: Opsioni i ndarjes së Kosovës
E enjte, 19.05.2011, 07:59 PM
OPCIONI I NDARJES SË KOSOVËS
Nga Halit Bogaj
Këto ditë,njëri nga zyrtarët serbë/Ivica Daçiç/informoi opinionin e vetë se Serbia është e gatshme ta ndajë Kosovën,përkatësisht që Veriu t’i mbetet asaj,kurse Jugu Kosovës. Oferta e tij ‘’gjeneroze’’ndaj shqiptarëve kishte bërë bujë të madhe në Serbi,duke shkaktuar komentime të llojllojshme të cilat shprehnin opinionet serbe.Pjesa dërmuese e tyre hedhnin gurë e dru mbi Ivica Daçiçin,duke e konsideruar atë edhe si fajtorin kryesor për gjakderdhjen e krijuar në Serbi,i cili para luftës së Kosovës ishte dora e djathtë e kryekasapit ballkanik,duke i shkuar atij prapa dhe duke i mbetur besnik deri në ditën kur ai vdiq.Këto mendime të reja janë rezultat i presioneve ndërkombëtare ndaj Serbisë të cilat po i bëhen asaj gjithnjë e më tepër,duke hyrë këtu edhe bisedat e shpeshta dhe vizita e fundit e Borkos në Kosovë,e cila u përcoll me zhurmë dhe mospajtime të mëdha,madje edhe duke u përdorur dhuna ndaj policisë dhe ndërtesës së qeverisë sonë nga ana e ‘’Vetëvendosjes’’.Deklarata e Daçiçit është edhe një sprovë tjetër për ta matur pulsin e opinionit publik në Serbi lidhur me çështjen e Kosovës, e cila, siç e dinë të gjithë, tanimë është bërë çështje e kryer edhe për vetë serbët,ngase Kosova është pranuar nga shtetet më të fuqishme të botës dhe punë e madhe nëse nuk është pranuar nga Rusia ose Serbia.Ivica Daçiç e di fare mirë se babai i tij ideologjik ishte fajtori kryesor i cili i kishte filluar dhe humbur tri luftra në këto hapësira, për çka edhe e mori dënimin e merituar nga Bashkësia ndërkomëbtare e cila,siç po shihet edhe tani në Libi, ndërmerr kudoqoftë aksione militare kundër regjimeve diktatoriale që ua pinë gjakun me pambuk popujve të tyre.Në këtë kontekst rrjedh edhe mendimi se Serbia /përmes deklaratës më të re të Daçiçit/ka filluar të lëshojë pe ndaj Kosovës,duke na u kujtuar edhe ajo fraza shpeshherë e përsëritur e Tadiqit’’Se Serbia nuk mund të lejojë që shqiptarët e Kosovës të jenë të vetmit përfitues, kurse ajo të humb gjithçka’’,duke harruar se Kosova para 120 vitesh shtrihej deri afër Nishit,ose siç jemi mësuar të themi’’Te molla e kuqe’’,prej nga shqiptarët u dëbuan nga dhuna më e tmerrshme që e kishte parë njerëzimi,por atëherë ajo i kishte miqtë e fortë e neve nuk kishte kush të na e qante hallin.Mbase ndonjë ditë vendi ynë do t’i padisë në ndonjë gjykatë ndërkombëtare për gjenocid ngase pjesa dërmuese e njerëzve tanë i kanë edhe tapitë e tyre të kohës së Turqisë kur i kanë lënë të shkreta vatrat dhe trojet e tyre.Pra nëse shikohet se kush ka humbur më shumë, atëherë do t’i hyhet edhe asaj kohe për ta shqyrtuar,por kësaj radhe me ndonjë arbitrazh ndërkombëtar ku nuk do të mund t’i fusnin hundët miqtë tradicionalë të Serbisë,siç po ndodhë tani me Rusinë kur po shihet ashiqare se akoma është duke e mbrojtur agresorin tonë.
Se deklarat e Daçiçit nuk është e rastit,tregon edhe vizita e Stefanoviqit në vendin tonë i cili në mënyrë të drejtëpërdrejtë ka filluar ta pranojë Pavarësinë e Kosovës,ashtu siç u shpreh edhe kryeministri i Kosovës atë ditë,me të cilin oponentët e tij do të kenë qeshur sa kanë mundur,por thënë në staza më të gjata, Thaçi ka të drejtë kur mendon ashtu.Nga kjo del/se edhe po të ndodhte ndarja/ajo do të ishte shumë e dhembshme edhe për vetë Serbinë,ngase do të fillonte sistemi zingjiror i shkëputjes një nga një i teritoreve edhe më të mëdha se Veriu i Kosovës të banuara me joserbë por që duan liri dhe demokraci të vërtetë e jo hegjemonizëm serbosllav.Ato dihen dhe është e nevojshme të përmenden në këtë shkrim.Përeveç tjerash, pavarësinë e Kosovës dhe integritetin teritorial të saj e kanë siguruar fuqitë më të mëdha të botës në saje të atyre tri parimeve të njohura të Vienës nga të cilat doli edhe Plani i Ahtisarit të cilin e urrejnë sa munden të gjithë serbët e Globit tokësor, thuase ai është fajtor pse Kosova u bë e pavarur!Pra integritetin teritorial të Kosovës e kanë siguruar pikërisht ata që e çliruan këtë vend dhe që na shpëtuan nga shfarosja e sigurtë dhe ekzili i përhershëm.Ndaj gjithsesi duhet t’iu besojmë,t’i dëgjojmë këshillat e tyre dhe t’ua dimë për nder për të gjitha ato që i kanë bërë për neve,në të kundërtën do të ishte një mosmirënjohje shumë e madhe e cila do ta dobësonte karakterin tonë kombëtar ndaj miqësisë së vërtetë,e cila do të shënohej në analet e shëmtuara të historisë njerëzore.Por në disa raste po frikësohemi se jemi duke harruar pak si shpejtë dhe duke vepruar në drejtim të kundërt nga ajo që duhet në të vërtetë.