Kerko: a
Lavdrim Lita: Strategjia e zhurmimit
E enjte, 17.03.2011, 08:58 PM
Strategjia e zhurmimit
Nga Lavdrim Lita
Ekspertët amerikanë të “spin-doctor” i quajnë “talking points”. Janë ato mesazhe specifike, të përbëra me pak fjalë, por precize, që network-u i përsërit me breshëri për ditë, ku mbrohet shefi dhe sulmohet armiku. “Talking points” janë buka e përditshme e Partisë Socialiste që konkretizohet me morinë e konferencave për shtyp. Një shembull: Megi Ajtyresa kundër Ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha. Ky i fundit dje foli për luftën kundër drogës në shkolla dhe kudo me ambasadorin e OSBE-së E. Wollfarth, kurse Megi i Ramës foli jangllësh. Të njëjtat gjëra do të thoshte Megi i Ramës për Bashën, edhe nëqoftëse ky i fundit do të kishe thënë një lutje biblike. Lulëzim Basha është një armik special, të cilit i dedikohet një vëmendje po aq e veçantë në ashpërsi dhe intrigë, përderisa ky i fundit është pretendenti kryesor për bashkinë e Tiranës, çka tërheq si rrufepritës të gjitha “gël-baze”-at e PS-së, edhe pse janë të pasuksesshëm. Kombinati i baltës socialiste i qep çdo ditë nga një akuzë. Siç na mëson sociologu spanjoll Manuel Castells, mesazhe dhe personazhe të cilët s’kanë prezencë në media “nuk ekzistojnë”. Dhe kjo nuk vlen vetëm për lider apo miq. Është bazike dhe “përzgjedhja e armiqve”.
Natyrisht për një opozitë pa asnjë politikë, me paqartësi etike dhe me një modesti aritmetike, sulmi ndaj Bashës është bazik. Operacioni ka nisur prej 21 janarit, ku sigurisht edhe pa 4 vrarët, Edi Rama do të niste fushatën e hakmarrjes së gjakut, pas humbjes së kauzës së kutisë së fundit. Nuk është e thënë që operacioni të dalë. Edhe pse objektivi është i deklaruar. Fiks siç është parulla e re majtiste “Fajin e ka Ai” jo unë: prandaj shpresa është socialiste. Shtabi i luftës opozitare ka përcaktuar strategjinë “shock emotiv”, ku tema e përditshme është “kini frikë qeverinë dhe kandidatët e saj”. Në Gërdec Rama foli për “vullkanin e korrupsionit”, kurse dje në Pukë tha se “shqiptarët janë dëshmitarë të varfërisë”.
Dëshmitari më i ri i fesë së korrupsionit (jo Jehovai) është tejet i varfër, edhe pse kryebashkiak prej 11 vitesh dhe kryetar partie prej 6 vitesh, me ato 3 mijë euro në bankë dhe shumë borxhe në qarkullim. Bile pritet që të bëhet i pasur, pasi mamaja e tij Aneta (Koleka) Rama të fitojë gjyqin me vëllanë për pasurinë, siç u shkrua në një gazetë pranë taborit të tij. Shtabi i propagandës socialiste sigurisht vesh mediat me helmetë në kokë dhe kamuflazh në trup për të “vietnamizuar” zgjedhjet lokale të 8 majit, me tentativën e krijimit të një moçali politik. Është ligji Truman: nëse nuk bind, të paktën pështjello. Këtë strategji Partia Socialiste e njeh mirë, ngase e ka praktikuar me furinë e bilbilave në mes të parlamentit, me qëllim zhurmimin e mendimit dhe largimin e ideve, çka afrojnë më shumë paqartësinë sesa demokracinë në këtë vend. Jo më strategji butaforike bilbilash që fishkëllejnë njerëzit për t’ju tërhequr vëmendjen nga problematike e përditshme të administrimit të një kryeqyteti apo qyteti.