E diele, 28.04.2024, 06:32 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Julia Gjika: Gratë shqiptare në Worchester MA

E marte, 08.03.2011, 08:59 PM


GRATE SHQIPTARE NE WORCHESTER MA

 

Nga Julia Gjika

 

Në qëndër të Massachusets ndodhet qyteti Ustër (Worchester), qyteti i dytë mbas Bostonit për nga numuri i popullsisë. Komuniteti shqiptar në këtë qytet është shtuar me shpejtësi pas vitit 1990, sepse kolonia e vjetër, e cila ka qenë shquar për atdhetarizmin e vet qysh nga fillimi i shekullit te XX, i priti mirë mërgimtarët e rinj.

 

          Traditat e herëshme atdhetare të komunitetit shqiptar të Uster-it, po përtërihen nga mërgimtarët e rinj. Shqiptarët e Ustërit kanë punuar qysh herët për botimin e gazetave, ndërtimin dhe veprimtarinë e kishës “ Fjetja e Shën Mërisë”, të shoqërive atdhetare kulturore “Bashkimi” i drenovarëve, “Bijat e Korcës”, “Vjosa” e përmetarëve, shoqata e polenakëve, “Bijat dhe Djemtë e Shën Mërisë”, Gruaja Shqiptare, shoqata ndihmëtare NEARO e të tjera.

 

           Veprimtaria e ndershme atdhetare e shoqatave shqiptare të Usterit si dhe i atyre të Bostonit MA, Southbridge MA e Natick MA, kishte bërë të mundur që në gjithë shtetin Massachusetts po të thoshe jam shqiptar, vendasit të respektonin si respektohet njeriu i ndershëm e punëtor. Edhe shqiptarët e riardhur mbas 1990-tës, filluan të ecinin në rrugën e hapur prej mërgimtarëve të hershëm. Në këtë punë grate shqiptare e treguan vetem bija të denja të kombit tone. Ato iu bashkuan organizatoreve të hershme për festimin e Ditës së Flamurit, për organizimin e Festivalit Shqiptar, plotësimin e kishës Fjetja e Shën Mërisë me anëtre të reja, përkujtimin e figurave të shquara të së kaluarës, mësimin e gjuhës shqipe në ambjentet e kishës, etj.

 

Këto vitet e fundit u rigjallërua shoqata “Gruaja Shqiptare”. Në fund të viteve 90-të dhe në fillim të viteve 2000 kjo shoqatë pati vështirësi organizative, sepse shqiptaro-amerikanet e lindura këtu ishin shumë të moshuara, kurse të riardhurat ishin shumë të ngarkuara me problemet e përshtatjes në atdheun e ri. 10-15 vjetët e parë cdo familje përjeton vështirësi e sakrifica të shumta…

 

          Në këto momente të vështira nuk mungoi kurajoja e individit, guximi i gruas së re që rezervonte brenda saj shpirt energjik. Kështu disa zonja si Diana Progëri, Marxhi Beqiri, Meri Kodra, Nina Andoni midis të riardhurave treguan vullnet e guxim ndaj vështirësive fillestare të riorganizimit. Me nismën e tyre dhe mbështetjen që i dhanë klerikët e kishës dhe Këshilli laik i saj, Diana ia nisi punës për mëkëmbjen e shoqërisë së Gruas Shqiptare. Sot kjo shoqatë ka gati 100 anëtare.

 

         Duke marrë pjesë në disa veprimtari të kësaj organizate u njoha nga afër me shumë gra e vajza plot humor e gjallëri, trimëresha që punojnë rëndë dhe konkurojnë me sukses në punë të ndryshme me bijat e këtij vendi, ku mbi të gjitha vlerësohet puna. Njohja me jetët e përpjekjet e tyre më frymëzuan të mbledh materialin e të hartoj këtë shkrim. Kënaqësitë që përjetova mes tyre, dëshiroj t’i ndaj me lexuesit e gazetes “Illyria”.

 

ME DIANEN DHE MARXHIN NE SHTEPINE E BEQIREVE

 

 Për të mësuar më hollësisht Diana sugjeroi të shkonim për vizitë në shtëpinë e Marxhit, njërës nga veprimtaret e hershme e cila është bijë Camërie martuar me Agim Beqirin, djalë nga fshatrat minoritare të Pogonit. Shtëpia e ciftit Beqiri ishte në një të përpjetë, rrethuar nga mure të ulët, sa per të kujtuar gardhet në fshatrat tona.

 

-Këtë avlli e ka bërë Agimi, tha Marxhi.

 

Pa hyrë akoma në oborrin e shtëpisë, Diana më tregon disa shtëpi përballë.

 

-Ajo shtëpia atje, tha Diana, është shtëpia e vajzës së madhe të Marxhit, e cila është e martuar dhe ka një djalë. Marxhi është gjyshe e lumtur. Diana vijoi:

 

-Prapa shtëpisë së Agimit, është shtëpia e prindërve të tij. Nëna e Agimit është një zonjë e vërtetë. Ajo ka ndihmuar shumë emigrantë. Në shtëpinë tre katshe  aty poshtë kanë jetuar të ndjerit prindërit e Marxhit. Ata gjithashtu kanë mbajtur emigrantë të ardhur nga Shqiperia pas 1990-ës. Tani ajo shtëpi dhe disa të tjera janë lëshuar me qera. Marxhi ia ka marre dorën punës së Reale Estate. Këtë punë e bën në zyrën e vogël që ka në shtëpi. Zyrën e ka të vogël por punën e bën të madhe.

 

Hymë brenda pa trokitur, e para që takuam, ishte Liria, vajza e vogël e ciftit Beqiri.

 

Ka mbaruar studimet për histori dhe është në kërkim të një pune, por që nuk ri pa punë, kur largohet ndonjë qiraxhi, ajo bashkë me nënën e vet përvesh mëngët dhe me kovat me blic e bojra, pastrojnë e lyejnë bashkë. Ato përpiqen që qeramarësit e rinj ta gjejnë apartamentin si duhet e të jenë të kënaqur.

 

Marxhi, duke na uruar mireseardhjen, na drejton në një ambjent gjithë dritë.  Sa u ulëm biseden e fillova unë duke pyetur:

 

       -Ku keni lindur dhe a keni njerëz të afërt atje.

 

       - Në Spathar të Camërisë, Trikorifo si i thonë grekët sot, u përgjigj Marxhi duke na afruar fixhanët me kafe shoqëruar me bakllava që e kishte bërë vetë për festat e fundvitit.

 

Të bie në sy shkathtësia e kësaj gruaje, jo vetëm në lëvizjet që bën për të nderuar mysafiret,  por në pergjigjet që jep kur e pyet, të shkurtra, të sakta, të pjekura dhe gjithmonë e qeshur. Fytyra e saj kurdoherë është e qetë, optimiste, e shëndetshme, të bën për vehte me vështrimin e ngrohtë dhe dashamirës, ndërkohë dëgjojmë zilen e deres, vjen Beba, mikja e ngushtë e Margit me origjinë nga Kuba. Të dyja sec kanë një gjë të përbashkët, ndoshta buzëqeshjen kështu më duket mua, por Marxhi shpjegon se bashkë i lidh një miqesi e herëshme, dëshira për të ndihmuar të porsaardhurit, kjo i ka bërë të jenë si dy motra binjake, ndonse nga vende të ndryshme. Beba, për të bërë humor na tregon pelicen që kish veshur, dhuratën qe i kishin bërë familjarët për Krishtlindjet. I kendonte në atë trupin e saj elegant. Me fytyrën e qeshur na përshendet bashke me Lirinë dhe u larguan, duke na uruar punë të mbarë.

 

        - A keni farefis në Cameri? - vazhdova unë.

 

        -Kanë ikur si ne. Prindërit e mij u larguan më 1961, kur unë isha 7-8 vjece. Një shtëpi që kishim ia lamë bashkfshatarit Ilia Paskali. Tani ai është mbi 90 vjec. Kam shkuar shumë herë atje, sepse më mer malli për vendlindjen, për varret e gjyshërve të mij, kur shkoj e vë lule. Ilia me pyet:“A e do shtëpinë, jam gati të ta kthej”, pastaj më tregon një parcelë dhe më thotë: “Ajde të shkojmë në Bashki, dua ta marësh ti, të bëjmë letrat. që edhe unë të fle rehat”.

 

- Jepja fëmijve të tu, i them, ti ke 13, unë dhe fëmijët e mij i kemi të gjitha ato që na nevoiten në Amerikë.

 

           Duke dëgjuar Marxhin mendoj se njerëzit që tregohen zemërgjerë të pushtojnë shpirtërisht dhe të bëjnë t’i duash si njerëz të afërt të gjakut, edhe pse mund të mos i kesh farefis. Marxhi u ngjan prindërve të vet, është treguar humane me të gjithë ata që ka njohur. Shumë familjeve shqiptare që erdhën mbas 1990-ës ajo u gjeti punë e shtëpi me qira, i shpuri për muaj të tërë në punë, ua kompletoi me orenditë e domosdoshme shtëpitë duke iu kërkuar miqve amerikanë moblje që nuk iu duheshin, etj.

 

       - A ruhet ende gjuha shqipe atje në Cameri?

 

       - Komshiu Ilia është grek, ai nuk di shqip, kurse komshinjtë e tjerë kanë ikur. Po në pazaret e qyteteve mund të dëgjosh pleq e plaka që flasin shqip.

 

       -Si të duket cështja came për të cilën po flitet sot?

 

       -Ka padrejtësi, por e drejta duhet të fitohet me diplomaci, me rrugë paqësore, sepse me urrejtje mund të ngjallen luftra të reja. Unë kam respekt për popujt edhe për popullin grek, camët myslimanë nuk i vrau populli grek, por ushtarët e Zervës. Ja, Ilia që ju thashë është grek, më respekton dhe e respektoj sikur jemi farefis. Populli grek mbas 1990-ës i priti mirë shqiptarët, u hapi dyert, u la celsat e shtëpive në duar. Kush është emigrant e kupton cdo të thotë të të hapet një derë. Ja ne këtë gjë e provuam kur erdhëm në Amerikë. Na erdhi shumë mirë kur populli amerikan na priti ngrohtë.

 

      -Në c’vit erdhët ju në Amerikë?

 

      -Në shkurt të vitit 1962. Në fillim shkuam në Kanada, pastaj erdhëm në Ustër. Pas dhjetë vjetësh njoha Agimin. Familja  e tij ishte një familje e arratisur nga Shqipëria. Eshtë roman më vehte jeta e Agimit. Historia e tij është për t’u bërë film, sot nuk i themi dot të gjitha. Ai ishte gjashtë muajsh, kur ia arrestoi regjimi komunist babain, ia dënuan 15 vjet burg edhe pse kishte qenë prokomunist gjatë Luftës Antifashiste. Ishte dicka e pabesueshme. Ai kishte pasuri, mijra kokë bagëti, mirëpo regjimi nuk u kënaq që ia mori të gjitha, por e plasi dhe në burg. Ishin nga një fshat greqishtfolës i Përmetit, Biovishti i Pogonit. Pasi doli nga burgu, nuk priti gjatë, po u arratis me gjithë familjen më 1 Janar të vitit 1968. Dolën në afërsi të Konicës, pas 16 orë udhëtimi nëpër male me dëborë. I shpunë në spitalin e Janinës. Mbasi qëndruan disa muaj si refugjatë në Janinë u lidhën me një bashkfshatar që kishte emigruar në Ustër dhe erdhën këtu. Unë isha 18 vjece kur u njohëm. Ai në fillim punonte në një fabrikë ëmbëlsirash, pastaj kur u martuam vendosëm të hapim biznesin tonë, një picë, të cilën tani nuk e kemi më, sepse mbasi e dhamë me qera, një ditë nga pakujdesia rra zjarri e u dogj. Kemi shumë kujtime nga puna në atë picë. Klientët e vjetër, kur doja të ndihmoja ndonjë emigrant të porsaardhur, i pyesja në se kishin objekte shtepiake që nuk u hynin në punë dhe ata na sillnin tavolina, dollape, televizorë, divane, etj. Sa herë i kam falenderuar me zemër.

 

      Më tej na tregon një rast:

 

      -Ka qënë shkurti i vitit 1991. Për herë të parë kemi pritur një familje e cila ishte futur në ambasadën turke në Shqipëri, burrë, grua me një fëmijë. I mbajtëm katër muaj. Ndërkohë shteti amerikan u jepte një ndihmë mujore, lejoheshin të punonin tetë orë, kështu e morën vehten shpejt dhe u larguan duke na falenderuar për ndihmën që u dhamë si fillim.

 

       Deri në vitin 2004 familja e Beqiri ka pritur e mbajtur farefis dhe të panjohur, jo nga një muaj e dy, por dhe me pesë muaj. U gjenin punë, u mësonin makinën, u gjenin shtëpi dhe i përcillnin për jetën e re.

 

-Lumturoheshim kur nga goja e tyre shprehej mirënjohja, falenderimi dhe zhgënjeheshim kur ndonjë ngrysej dhe shprehte pakënaqësi për pagesën, apo për punën që ia gjenim si e papërshtatshme, etj. Ne shqiptarët jemi të rëmbyer, duam të arrijmë menjëherë atje ku synojmë, harrojmë se asgjë nuk arrihet pa djersë të madhe… Disa na mbanin dhe mëri, por ne nuk ua vinim veshin, toleronim, sepse mendonim se ata nuk e dinin cdo të thotë shpërngulje e jetë në dhe të huaj. 

 

-C’mund të thuash për punët e shoqatës së gruas shqiptare?

 

-Diana është ajo që e ka marë në dorë, unë e ndihmoj.

 

Megjithse e kisha parë sesa ndihmonte Marxhi në mbrëmjet dhe në udhëtimet e grave gjatë 2010, doja të dëgjoja nga goja e saj për ato cka bënte, por ajo gjithmonë flet për shoqet nuk thotë asgjë për vehten e saj. Në cdo mbremje që organizohet, ajo gatuan falas ushqime të shijshme, ndihmon për te pastruar dhe servirur, shpenzon kohë dhe u qendron afër emigranteve të reja për t’ja u lehtësuar mallin dhe u jep kurajo si fillim, për të mos u trembur, për te mos u terhequr nga vështiresitë.

 

Bashkë me Dianën punojnë për ta ngritur organizatën e gruas që të ndihet zëri i saj, që të funksionojë me gjallëri.

 

Diana dhe Marxhi më tregojnë se gratë shqiptare të qytetit Uster, si shumë gra shqiptare të diasporas së re në botë, punojnë me ngulm për të ruajtur dhe trashëguar në breza traditat, gjuhën, vlerat tona kombëtare. Në këtë drejtim ka ndihmuar dhe zonja Luke, kryebashkiakja e qytetit, e cila është me origjinë shqiptare nga Përmeti.

 

-Sot kemi një numur të madh grash shqiptare që punojnë me dinjitet nëpër pika kyce të qytetit tone. Ka kaq shumë për të treguar sa, në një shkrim nuk mund t’i përmblidhësh dot, më thonë ato. Vetëm të vizitosh shtëpitë që kanë blerë, riparuar, zbukuruar, fëmijët e tyre që vazhdojnë studimet me rezultate të larta, të shikosh të lindurit këtu si mësojnë gjuhën e bukur shqipe, krahas anglishtes që e flasin aq bukur, ndjehesh krenare.

 

Qysh në vitet e para ranë në sy gra të përkushtuara si  Meri Kodra bashke me vajzen e saj Brunilden, Eleni Millona, Nina Andoni, Eleni Konda, Fatime Afezolli e shumë    tjera që e kanë mbështetur Dianën, sepse ato e kuptuan drejt punën e vështirë të saj. Ashtu si ajo nikoqirja në shtëpi, që vetëm me dy duart e saj nuk i bën dot të gjitha punët, po duhet ndihmuar nga pjestarët e tjerë të familjes, edhe këto e ndihmuan Dianën. Ato e ndihmuan që ajo të përvetvsonte përvojën e mbarë të veprimtareve të vjetra, që sot janë larguar nga jeta, por që kujtohen dhe nderohen me respekt, si Erifili Vani, Elpo Sotir, Krisanthi Polena, Lefteri Gjanci, Ollga Gërxhalli, Lilian Stivens, Zisa Themel, Marika Naun, Margarita Madulka e shumë të tjera.

 

Ofeli Shabani ishte kryetarja e fundit e shqiptarkave të lindura në USA, kurse Nina Andoni ishte kryetarja e parë e shqiptareve të ardhura mbas vitit 1990. Në vitin 1996 shoqata kremtoi 50-vjetorin e formimit tësaj, por për shkak se anëtaret e vjetra ishin tepër të moshuara, kurse shqiptaret e ardhura mbas vitit 90 ishin shumë të zëna me problemet e ambjentimit, kjo shoqatë u shpërnda.

 

Ishte viti 1998, kur Diana Progri me sekretare Meri Kodren ia rifilluan punës për ta ringritur shoqatën dhe e shpunë deri në 40 anetare. Më vonë Meri, me që kishte pasion mësuesinë, iu kushtua shkollës shqipe, ku sot është nëndrejtoreshë, duke qëndruar si anetare e regullt e organizatës, bashkë me vajzën e saj.

 

Diana ka pikësynim ta shtojë anëtarësinë deri në 1000, sepse në Uster e rrethina ka mbi 2000 femra shqiptaro-amerikane që janë në marrëdhënie pune. Me kuotën simbolike prej 20 dollarësh në vit, si dhe ndihmat që japin biznesmenët shqiptarë, shoqata e gruas shqiptare mund të realizojë shumë plane për të ndihmuar shkollën shqipe, grupin e valleve për ta kompletuar me veshje të reja popullore, mund të ndihmojë disa Shtëpi Fëmijësh jetimë në atdhe, etj. Nga fitimet që nxori kjo shoqatë për kremtimin e Ditës së Flamurit më 2009 i dha Kishës 2000 dollarë. Sa më shumë të ndërgjegjësohemi aq më shumë do të bashkohemi rreth kësaj shoqate kulturore atdhetare, sepse forcimi i saj do të sjellë forcimin e komunitetit tonë.

 

Në këtë punë një shembull të mirë ka dhënë gjithë familja e Dianës, bashkëshorti dhe dy djemtë e palodhur. Anëtaret Enkelejda Subashi dhe Mira Mehmeti i qendrojnë pranë në cdo moment. Nuk mund të mos e përmend dhe nënën e Dianës, z-njën Valentina, e cila është një nga ato ish vajzat ruse që u dashuruan me djemtë shqiptarë që studionin në Bashkimin Sovjetik. Valentina jetoi në Korcë, lindi dy vajza, vuajti aty edhe kur diktatura shqiptare ia arrestoi burrin për agjitacion e propaganda. Ajo i rriti me shumë mundim dy vajzat e saj. Bashkëshorti i vdiq herët. Mbas vitit 2000 ajo bëri bashkim familjar me Dianën, dhe jeton sot në shtëpinë e pensionistëve shqiptarë “Illyrian Garden”. Edhe pse është ruse ajo nuk shkoi të jetonte në shtëpi pensionistësh ku ka shumë rusë e ruska. Ajo erdhi të jetojë në Illyrian Garden, sepse midis shqiptarkave këtu e ndjen veten më ngrohtë, më të respektuar.

 

-Ne e duartrokasim Dianën, thonë Vasilika Serbo, Kleri Gjeleveshi, Albana Sanxhaku, Irini Stoja, Vasilika Stoja, Nikoleta Luarasi, Eriketa Progri, Eleni Konda, Sofika Panajoti, Marjeta Tollkuci, Kostanca luarasi, Elsa Gjino, etj, sepse kemi parë me sytë tanë punën e saj, si na ka mbledhur duke u rënë telefonave, duke na erdhur në vendet e punës, duke organizuar udhëtime në shumë vënde, mbrëmje me rastin e festave amerikane dhe shqiptare.

 

GRA QE KANE ARRITJE TE LAVDERUESHME

 

Në udhetimin me autobus në “Qytetin e Dritave” RD në prag të Krishtlindjeve më ra në sy një grua e re, shumë tërheqëse. Shpatullat e saj të gjera dëshmonin për forcë fizike, rast i rallë të jesh edhe e bukur edhe e forte. Kusherira ime Kleri që punon në firmën e veshmbathjes TJMax, më tha se kjo bukuroshe quhet Alma Manxhari, një nga shqiptarkat më të suksesshme të Usterit. Për të është shkruar në Gazeten kryesore të Usterit. Alma ishte e para grua shqiptare që kishte filluar punë në Donky Dunats. Që në fillim ajo ra në sy për korrektësi dhe shpejtësi shërbimi, për sjellje të pëlqyer. Shoqet e saj kur panë suksesin i luteshin Almës që t’iu gjente punë dhe atyre. Alma nderhynte tek menaxheri i saj, i cili i thosh: nëse punojne si ty unë marr pa frikë dhjetë prej tyre. Kështu kjo emigrante e re, pa ditur mire gjuhën e vendit, pa ndonjë shkollë të madhe, u pershtat shpejt, falë sjelljes dhe përkushtimit në punë. Ajo u emërua manaxhere dhe tani është manaxhere e përgjithëshme (General Manager) për shumë pika Donky Dunats. Për fatin tim, në restorantin ku drekuam, e pata përballë Almën me gjithë vjehrrën e saj dhe djalin e vogël gjashtëvjecar, të cilin e kishte lindur mbas 15 vjetësh në Amerikë, kurse vajzën që e kishte lindur në Shqipëri e kishte studente në Boston. Në krahun tjetër të saj ishte e motra, Desantila, një bukuroshe që të tërhiqte me pamjen dhe shikimet e saj tepër të ëmbla. Edhe ajo është sot një nga nëntë manaxheret që ka stërvitur Alma. Djali i qeshur, i bukur si e jëma, i mbështillej në gjoks si një ketër. 

 

-Sot është i lumtur, tha Alma duke ia fërkuar kokën, se është gjithë ditën me mamin, gjithë javën shihemi shumë pak. Puna jonë ka fitim, por ama mungojmë në jetën familjare. Na merr vërtet malli për fëmijët dhe burrat  tanë, po nuk kemi c’bëjmë. Për nja dy dhjetëvjecarë duhet sakrifikuar, sepse vetëm me punë mund të sigurojme të ardhmen tonë e të fëmijëve…

 

Nuk patëm kohë të flisnim më gjatë, biseda mbeti e hapur. Alma e suporton shoqatën e grave here me ndihma here duke marrë pjesë në aktivitetet e saj.

 

PREFEROJ NJE JETE TE THJESHTE

 

Kur formova  numurin e telefonit për te folur me Valbona Jahon, një nga menaxheret e sukseshme, zëri i saj përcillte disa porosi për ilacet që duheshin pirë në mëngjes, apo në dreke a darkë. Pastaj u përqëndrua tek unë:

 

    -Alo, Julja më fal se po flisja me babanë. Ka nevojë që t’ia sqaroj radhën e ilaceve.

 

Kujdesi per prinderit e tyre ose të burrit është një kapitull më vehte dhe keto bashkatdhetare e kryejnë këtë punë më së miri, duke i shpënë ata në takimet me mjeket, duke ua marrë ilacet në farmaci, duke ua kujtuar c’të pijnë, etj.

 

      -Valbona, e di që ke shumë punë, nuk dua të të mbaj shumë. Të lutem më thuaj si erdhe e si u përshtate në Amerikë?

 

     - Gjyshi i burrit ishte qytetar amerikan, i ndrittë shpirti ku ka rënë, pasaporta e tij na solli. Erdhëm në vitin 1996. Kisha mbaruar në Shqipëri shkollën e mesme profesionale për elektrike. Fillimisht hyra në një restorant, pjatalarëse. Pa ditur gjuhën, punoja me një grua italiane, quhej Lena. Cuditem edhe sot, si kuptoheshim me të dhe ajo me ne. Kur njeriu niset nga e mira u gjetka gjuha sekrete për t’u kuptuar, gjuha e shpirtit, me gjeste e lëvizje. Me të u bëmë shumë të afërta, ne mesdhetaret miqësohemi shpejt, u mësuam me njëra tjetrën sa na dukej sikur njiheshim prej shumë kohe. Punoja fort, kjo e kënaqte Lenën. Puna na largonte disi mallin për të afërmit që kishim lënë pertej oqeanit.

 

Lena më bëri të qartë se para se të arrish suksesin duhet të djersish mirë. Kur e dashuron punën nuk e ndjen shumë lodhjen, pengesat kalohen kollaj, java të duket si një ditë e vetme pune. Nuk ka më mirë sesa kur e pëlqen punën, ditët shtyhen si orë. Këtu e kuptova sa i thellë qenka kuptimi i atij mallkimit që bëjnë shkodranët: “T’u mërzittë puna!”. Mjer ai ose ajo që nuk e dashuron punën që bën. Nuk shtyhet dita duke psherëtirë of e ah.

 

Duke punuar fort e duke hapur sytë për punë më të mire, Valbona arriti të bëhet menaxhere në nje nga Danky Dunats. Ajo u bë shpejt nënë, gjë që e detyroi të largohej nga puna për pesë muaj. Rifilloi punën po aty, por pas tetë-nëntë muajsh u largua sërish pasi u bë nënë për të dytën here. Për t’i mëkëmbur dy vajzat që kishin një diferencë të vogël iu desh të qëndronte në shtëpi gati tre vjet.

 

- Në punë më thane se në cdo kohë që të isha gati për t’u kthyer, do të më presnin, do të ma ruanin vendin e punës.  U ktheva dhe aty punoj ende.

 

Valbona nuk pati kohë të ndiqte ndonjë shkollë, por iu fut punës, ëndrra e saj është t’u japë vajzave shkollë dhe t’u hapë cdo prespektivë për të ardhmen e tyre.

 

- Burrin e kam shok dhe krah të djathte. Të dy përpiqemi që vajzat të bëhen të zonjat për vehten, të na nderojnë. I duam shumë, mezi presim të shkojmë në shtëpi, por nuk i përkëdhelim shumë, nuk ua bëjmë qejfin për cdo gjë. Ne ndjekim porosinë e pleqve: “Fëmija e përkëdhelur, është fëmijë e humbur.”

 

Familja e Valbonës bën një jetë të thjeshtë, pa lluks dhe pa shumë pretendime. Si kolonjarë të vërtetë që janë, pretendimin kryesor e kanë të lidhur me punën, punë me nder për të nderuar veten, familjen, fisin, atdheun…

 

Vajzën e vogël 8-9 vjece e shpien tek shkolla e kishës, kurse të madhen, jo sepse ajo ka në shkollën e saj një mesuese shqiptare, Thea. Një herë në javë ajo u bën mësim shqip fëmijëve shqiptaro-amerikanë. Valbona ma jep në telefon ta dëgjoj si flet vajza e madhe gjuhën e nënës. Dhe vogëlushja 10-vjecare më përshëndet e pastaj fillon të recitojë:

 

Macja le të lahet

Pastaj le të thahet

Gjeli të këndojë

Sa herë të dojë.

Po nuk pati re

Jo nuk bie shi mbi dhe.

 

            E duartrokita duke i uruar suksese. Më dha një “Mirë u pafshim teta” dhe ia dha mamit telefonin. E unë vijova pyetjen:

 

           -Valbona, kur ishim bashkë në aktivitetet e fundit të vitit, ti bashkshorti yt dhe Vasilika Stoja na bëtë të na dhembnin brinjët nga të qeshurat gjatë udhëtimit me autobus. Kurse në mbrëmje, ato vallet e tua, ai trupi yt elegant e i zhdërvjellët, na mahnitën. Diana, Kleri, Sofika, Nikoleta, Albana që ishin afër meje atë mbremje, thoshin në një gojë:”Valbona është artiste e lindur, është valltare e mbrekullueshme, ashtu si është dhe menaxhere e aftë.

 

            Pra ti mund të bëhesh një veprimtare e shquar e organizatës së gruas.

 

      -Organizata e Gruas, thotë Valbona, është një organizatë që na mbledh, na bashkon, pasi aty flasim gjuhën tonë, përtërijmë traditat e zakonet tona, gjëra që na mbushin me kënaqësi, optimizëm, na cmall me Shqipërinë. Kjo organizatë është shumë e nevojshme, sepse emigracioni ka ankthe, vështirësi, të papritura e të panjohura, të cilat i kalojmë më kollaj me ndihmën e njëra tjetrës. Unë e jap regullisht kuotën, por nuk mund të jem shumë aktive, se vajzat i kam ende të vegla, babane të moshuar, por kam ndihmuar e do të nmdihmoj nëpër festivale me duar të përveshura ne kuzhinë e ne shërbime të ndryshme. Natyrisht e ardhmja do të na afrojë më shumë, ketë e ndjejmë për ditë, tani jemi më të gatshme për t’u përgjigjur se më parë. Vite vite fëmija, vite vite shtëpia, vite vite shoqëria…

 

PARKU I SHQIPTAREVE NE USTER

 

Shqiptarët që jetojnë pranë qendrës së qytetit Uster e kanë bërë zakon të mblidhen te parku i madh, i cili për shkak të frekuentimit të madh të shqiptarëve tashmë quhet “Parku i Shqiptareve”. Në parnvere, verë e vjeshtë aty ndjehesh sikur je në Shqipëri, gumëzhijnë bisedat e pensionistëve shqiptarë si dhe zërat e gëzuara të nipërve e mbesave të tyre. Tani është dimër, dëbora ka mbuluar lëndinat e gjera dhe stolat, por së shpejti bashkë me barin dhe gjethet e reja do të mbushet parku me cicerimat e zogjve dhe zërat e femijëve shqiptarë që luajnë me njëri tjetrin, zihen, vrapojnë, recitojnë vjersha e ua mbushin zemrat me gëzim gjysheve dhe gjyshërve. Gjyshërit luajnë letra, domino, shah, bisedojnë për politikë… Kurse gjyshet bisedojnë për gatimet, blerjet, c’ka ndodhur këtu e në atdhe…

 

Aty i gjen po thuaj cdo mbasdite me nipcet e mbesat Ferat e Shpresa Kroin, Berti e Marjeta Milkanin, Zhani Melkën, Loreta Treskën, Thanas e Antoneta Papën, e shumë të tjera që nuk ua kam mësuar emrat. Aty merr vesh kush do të shkojë në atdhe e kush do të vijë që andej. Zhaneta si kimiste që ka punuar në Shqiperi, lexon dhe meson si të jemi të shëndetshëm dhe të kemi jetëgjatesi, kulturen e të ushqyerit dhe trajtimin me vitamina.

 

***

 

Shoqata e grave Shqiptare të Worcester-it (Usterit) i fton të antarësohen të gjitha gratë dhe vajzat e qytetit tonë. Kësaj thirrjeje besojmë se do t’i përgjigjen shumë shpejt motrat tona të suksesshme si mjekja e diplomuar në Amerikë Lindita Ciu Afezolli, manaxherja e madhe Alma Manxhari, menaxheret Rolanda Qafoku, Aljona Jorgani, Kela Cumani, Desantila Shini,Valbona Jaho, Marinela Samarxhiu, ekonomistja Ariana Kamberi,  spikerja Zara Dede, qe perfundoi master ne biznes, Aurela Pano që mbaroi master për Psikologji, Stela Skende kimiste e talentuar, Pavlina Tollkuci, Kristina Kelli, Eli Cocollari qe kane gjetur vehten ne Real Estate, Vera Mici qe mbaroi shkollën e lartë për ekonomiste, Arta Kroi, Bebeka Murraj, farmacistja Elona Pojani, ekonomistja Eva Shtina, shkrimtarja Rezarta Reso dhe nëna e saj Ivoni,Vasilika Thomollari me motrat e vajzat e saj të shkathta e shumë të tjera që punojnë anë e kend qytetit tonë.   

 

      Më 8 Mars shoqata e gruas shqiptare do që të shkojë me më shume detyra të kryera. Në mbrëmjen që do të organizohet me rastin e ditës së gruas, do të shpalosen sukseset e deritanishme dhe do të tregojnë se shqiptarët e qytetit Uster MA. Kanë pse të jenë krenarë me bashkëshortet e vajzat e tyre, të cilat nderojnë vehten, familjet dhe qytetin ku jetojnë.

  

Dhjetor 30, 2010 - Shkurt 15, 2011

 



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Tubim promovues i librave të Eden Babanit në Bruksel Muharrem Sfarqa: Trevjetori I pavarvsisë u kremtua edhe në SHBA (Detroit) Engjëll Koliqi: Shqiptarët në Itali kremtuan denjësisht ditëlindjen e tretë të pavarësisë formale të Kosovës Abas Fejzullahi: Ahhh..., sikur të shkonte mbarë...? Ahmet Ahmeti: Në Ängelholm të Suedisë i kremtua ditëlindja e tretë e pavarësisë së Kosovës Qendra Kulturore Shqiptare në Shtutgard u riaktivizua me kryesinë e re Asllan Dibrani: Manifestimi i trevjetorit të Pavarësisë së Kosovës në Rosenheim të Gjermanisë Prezentimi i librit “Niko, Nikolin Gjeloshi cittadino del mondo”, i vlerësuar si epika e një emigranti Pëllumb Gorica: 56 gonxhe trëndafili që kundërmojnë puthje Sa më shumë kohë që do të kalojë, aq më shumë do të rritet e lartësohet gjeniu i kombit Dr. Ibrahim Rugova Lavdrim Lita: Një frymëmarrje demokracie Arif Molliqi: Në Hamburg, u festua 3 vjetori i Pavarësisë së Kosovës Sokol Demaku: Mërgata shqiptare në Mbretërinë e Suedisë shënoi tre vjetorin e Kosovës shtet Xhevat Muqaku: Manifestim i trevjetorit të pavarësisë së Kosovës në Stuttgart Asllan Dibrani: Zyrtarisht u përkujtua tre vjetori i pavarësisë se Kosovës në Shtutgard Luan Çipi: Drejt tempullit të Bahait në Çikago Muharrem Sfarqa & Agim Gashi: Në Stolberg të Gjermanisë, në përmbyllje të ceremonisë mortore, u mbajt një Akademi për veprimtarin dhe atdhetarin, Abedin Gashi Beqir Cikaqi: Theranda festoi përvjetorin e pavarësisë Bilall Maliqi: Drejt mundësisë së unifikimit të programeve e teskteve mësimore në trojet arbërore dhe diasporë Pëllumb Gorica: Hapat e ndjenjës për poezinë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora