Udhëpërshkrim
Muharrem Sfarqa & Agim Gashi: Në Stolberg të Gjermanisë, në përmbyllje të ceremonisë mortore, u mbajt një Akademi për veprimtarin dhe atdhetarin, Abedin Gashi
E shtune, 19.02.2011, 09:00 PM
Në Stolberg të Gjermanisë, në përmbyllje të ceremonisë mortore, u mbajt një Akademi për veprimtarin dhe atdhetarin, Abedin Gashi
Teksti: Muharrem Sfarqa, Agim Gashi
Fotot: Milazim Dervishi
Dega e LDK-së në Gjermani ka organizuar këto ditë një eviniment të përmortshëm,në shenjë nderimi dhe përkujtimi të atdhetarit dhe veprimtarit të devotshëm të pavarësisë së Kosovës, Abedin Gashit, i cili shkoi në amshim më 6 janar 2011, ndërsa më pas ju bënë nderimet sipas traditës në Kosovë. E, edhe në
Abedin Gashi, i shte dhe njëri ndër themeluesit e Degës së LDK për Gjermani si dhe kryetar i Nëndegës së LDK-së për NRË dhe anëtar i kryesisë së Degës së LDK për Gjermani , nga zgjedhjet e fundit.
Për ta nderuar figurën dhe kontributin atdhetar të Abedin Gashit, të pranishëm ishin nga ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, z. Gani Azemi e z. Ramadan Gashi, zyrtari i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Frankfurt, z. Miftar Dragidella pastaj veprimtarë e publicistë të njohur që veprojnë në Perëndim, z. Faruk Tasholli, z. Muharrem Ramabaja e z. Maxhun smajli, Selajdin Gashi, afaristi në zë, Lazim Destani, udhëheqës të sotëm e të hershëm të LDK-së si Hazir Krasniqi,njëri nga themeluesit e degës së LDK-së për Gjermani,një delegacion i degës së LDK-së për Beneluks i kryesuar nga nënkryetari z.Kujtim Hajdaj, përfaqësues të partive tjera shqiptare që veprojnë jashtë,ish udhëheqës të fondit të Republikës së Kosovës, udhëheqës Klubesh e shoqatash që ishin e mbetën emra e adresa identifikuese kombëtare dhe përfaqësues të familjeve të dëshmorëvë në mesin e të cilëve ata të familjes së Ahmet Krasniqit,Tahir Zemes e Sali Cekajt.
Për figurën e Abedinit, folën sekretari i degës së LDK-së,për Landin e Rinit Verior (ku Abedini kishte qenë kryetar), z.Muharrem Sfarqa, kryetari i Degës së LDK-së për Gjermani, z.Qazim Bajgoraliu dhe poeti e publicisti Faruk Tasholli.
Evokuan kujtimet e tyre për Abedin Gashin edhe bashkëveprimtarët Qazim Thaqi, Bahtir Avdiu, Sahit Haziri, Gani Azemi, Kujtim Hajdaj, Maxhun Smajli, Muharrem Zajmi ,Sead Ramadani etj, si dhe arkitekti gjermanë Jörg Beissel,një mik i shqiptarëve dhe i Abedinit.
Një fjalë biografi për jetën dhe veprën e Abedin Gashit. për pjestarët gjermanofolës e paraqiti dhe znj. Laburina Sfarqa.
Në fundë të pjesës foljore,rapsodi ynë i mirënjohur,veprimtaritë e mikut Abedin Gashit,i kishte kushtuar një kengë elegjiake të cilën e këndoj para të pranishmëve.
Në këtë eveniment përkujtomor që shquhej për organizim dhe pjesmarrje, Dega e LDK-së për Gjermani , nderoi me Mirënjohje pas vdekjës, z. Abedin Gashi, për kontributin e tij atdhetar dhënë në përmbushjen e vizionit për liri, pavarësi e demokraci e cila ju dorëzua bashkeshortes së tij, Fexhrije Gashit.
Këtij evenimenti të përmortshëm i kishin arritur edhe n jë numër telegramesh ngushëllimi si nga dega e LDK-së së Obiliqit dhe nga veprimtarë të shumtë të mërgatës së shteteve për rreth Gjermanisë, si nga Belgjika e Holanda, me të cilët Abedini kishte një bashkëpunim intensiv.
Në pamundësi për të qenë prezentë, Organizatorin dhe familjen Gashi, përmes telegrameve e kishin ngushëlluar edhe dy laureatët e Manifestimit për Ditën e Presidentit, „ Ora e Presidentit Rugova“, z. Anton Kolaj dhe z. Sabit Rrustemi.
Në emër të familjes, faleminderoi z. Muharrem A. Gashi duke u zotuar se do përpiqen t’ I vazhdojnë veprimtaritë e të jatit dhe kontributin e tyre në të mirë të shtetit të Kosovës.Një mesazhë pikëllues e falimenderues,ka dërguar edhe Gëzim Gashi,djali i vëllait të Abedin Gashit,Muhedinit i cili gjithashtu u nda nga jeta,vetëm disa ditë pas tij.
Po shkëpusim thekse nga fjala e z. Muharrem Sfarqës,sekretarë i nëndegës së NRV-së,e kryetarit të Degës,z.Qazim Bajgoraliut dhe nga paraqitja e poetit Faruk Tashollit "LAMENT PëR ABEDIN GASHIN",një zbritje në thellësitë e dhëmbjes dhe artikulimit të përmasës së ndjenjave shpirtërore të nxjerra me vështërsi para emocioneve njerëzore për ndarjen me njeriun e dashur.Ky krijim u përcollë me emocione që bëri të derdhen edhe lotë dhimbje e krenarie,duke thyer në këtë mënyrë klishetë tradicional të mbajtjeve të Akademive Përkujtimore e tubimeve të tilla të ngjashme.
NJERI I VEPRIMIT ATDHETAR
(Thekse nga fjala e z. Muharrem Sfarqa)
Veprimtari dhe miku ynë i çmuar e, fizikisht i munguar tashmë, Abedin Gashi, ishte njeri i veprimit atdhetar për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.
Mik i shtenjtë, i dashur, njeri i urtë e të guximshëm, me vyrtyte të larta njerëzore... të tillë e nohëm dhe do ta kujtojmë gjithnjë, anise mungesa e tij është, sa e rëndë, sa e dhembshme por, vepra dhe jeta ë bëri Ai, ne ndihemi krenar sot e gjithë ditën dhe të frymëzuar për të ecur vertikal si Ai.
I vendosur në Gjermani nga viti 1992, shkaku i veprimtarisë atdhetare në kuadër të LDK-së së cilës i printe Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Abedini qe shtërnguar ta lëshojë Kosovën, por veprimtarinë e tij ai do ta vazhdojë edhe më me ngulm jashtë atdheut, brenda strukturave të LDK-së dhe të gjitha formave të organizimit kombëtar; si në fondin e 3% dhe akcionet tjera të mërgatës sonë,në kohën më të vështirë të Kosovës në tërë historinë e saj.
Gjenerata e mërgatës se këtyre viteve të bujshme së cilës i takoi edhe Abedini, ishit pjesë e proceseve të mëdha kombëtare me karakter të një mrekullie të jashtëzakonshme që rezultoi me lirinë e Kosovës, përfundimisht. Prandaj krenaria është e shumfishtë, e madhe dhe shumë domethënëse kur e dijmë dhe jemi dëshmitarë se, njëri nga protagonistët e këtij rrugëtimi, ishte dhe vetë Abedini.
Abedin Gashi, edhe pas pavarësimit të Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare, nuk e pushoi veprimtarinë. Ishte boshti i gjithë veprimtarisë sonë këtu në Gjermani e më gjerë. Edhe si veprues, edhe si frymëzues.Kishte dhe shumë projekte që i fliste me ne, i hidhte mes nesh për t’i debatuar e, realizuar... por vdekja erdhi para kohe, edhe kësaj here.
Nuk është thënë kot se madhështinë e një njeriu nuk e masim me vendin që ai zë,por me vendin që ai lë bosh pas ikjes së tij.
Abedin Gashi me sjelljen e tij, na fali përjetësisht, të vulosur në shpirt kujtimin e shtrenjtë të njëriut të mirë i cili do të kujtohet gjithmonë me pietet.
ABEDINI ISHTE NJERI I FJALËS E I VEPRIMIT
(Fjala e z. Qazim Bajgoraliut, kryetar i Degës së LDK për Gjermani)
Abedin Gashi lindi në Prishtinë më 18.03.1956. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Gjilan ndërsa studimet e ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1978, punësohet në KEK dhe punon deri në vitin 1990, kur dëbohet nga puna, me masa të dhunëshme nga okupatori Serb.
]Abedini, në vitin 1990, ishtë njëri ndër themeluesit e degës së LDK në Obiliq dhe kishte dhënë një kontribut të madh në organizimin e LDK në këtë Komunë gjerë në vitin 1992, kur detyrohet për të lëshuar Kosovën dhe merrë rrugën e mërgimit për në Gjermani. Pa humbur kohë do të vazhdojë aktivitetin e tij në LDK në Gjermani, duke ndihmuar në organizimin e mërgatës Shqiptare, aty në rrethinën ku jetonte. Në bazë të punës dhe sensit organizativ , do të vlerësohet dhe zgjidhet në hierarkinë e organizimit të LDK në Gjermani dhe kështu për shumë vite me radhë, Abedini nëpërmjet këtijë organizimi nuk do të kursej, as kohë, as mundësi materiale, duke bërë qindra mijëra kilometra anë e këndë Gjermanisë, për të forcuar dhe rritë organizimin dhe solidaritetin, për të begatuar jo vetëm Fondin e Repupblikës së Kosovës, i cili konsiderohej fondi i mirëqenies sociale, për njerëz në nevojë, të dëbuar nga puna, për mbajtjen e arsimit shqip, për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të shtetit të Kosovës me të gjitha segmetet e tij, përë të përballuar dhe sfiduar pushtuesin hegjemonist Serb.
Abedini besonte dhe punonte në vizionin e Presidentit Ibrahim Rugova.
Abedini ishte kreator dhe nismëtar,nëpërmjet manifestimeve të ndryshme, për të ndihmuar ruajtjen e identitetit tonë, për të ruajtur gjuhën, kulturen, traditat tona kombëtare.
Abedini ishte njeri, jo vetëm i fjalës, por edhe i punës me rezultatet e bereqetëshme, për popullin Shqiptarë në Kosovë, Maqedoni, Kosoven Lindore, e kudo tjetër, duke nisur e përkrahur të gjitha aksionet që kërkoheshin në ndihmë të familjeve të dëshmorve, ushtarve, studentëve, ndihma përë Univerzitetin e Tetoves, etj. Abedini ndante burrësa, nga buxheti familjar për studentët fëmij të dëshmorve, për student të Univerzitetit të Tetoves etj.
Abedini me humanizmin e tij, solidaritetin dhe ndihmën, nuk e bënte për t´u ekspozuar tek të tjerët, nuk e bënte në sy të të tjerve, por e bënte për të ndihmuar dhe them se kishte parasysh parimin, që për ndihmen e dhënë me dorën e djathtë, të mos i tregohet dhe të mos i lavdrohet as edhe dorës së majtë.
Abedini ishte i vyeshëm dhe me vyrtyte të shumta e të mëdha. Përveç që punonte, ai vlerësonte shumë edhe punën e vogel të secilit. Ai vlerësonte dhe respektonte çdo njeri me vyrtyte dhe asnjëher me punën dhe angazhimin e tij, nuk donte të dominonte mbi të tjerët.
Abedini ishte i gatshëm në çdo kohë, përë të ofruar ndihmën e kërkuar prej tij, për të ofruar këshillen e kërkuar prej tijë dhe edhe i pranonte këshillat dhe udhëzimet.
Abedini ishte edhe një urë lidhëse në mes njerzëve e veprimtarëve. Ai dëshironte që të zgjeronte rrjetin e njohjeve mes veprimtarëve, duke i lidhur e njoftuar veprmtarët e devotshëm. Ai gjithmonë prezentonte njerëz mes vete, qoftë në takime të drejtpërdrejta, qoftë edhe nëpërmjet telefonit kudo ku ishte.
Po të bisedoje dhe të tregoje për ndonjë njeri, se është burrë i mirë, patriot e veprimtar, kudo që ai mund të ishte, po të i ipej rasti, do ta kërkonte dhe e takonte, për ta njohur edhe për së afërmi dhe do ti tregonte se kush i kishte thënë fjalë të mira.
Abedini kishte burrërinë, urtësinë, modestinë, humorin e barcoletat e tij dhe i përdorte mirë si zgjidhje në biseda dhe situata të caktuara. Abedini pranonte dhe ofronte njerëz dhe unë themë, se për Abedinin, nuk egzistonte problemi, por egzistonte vetëm zgjidhja.
Unë së bashku me Anton Kolaj e Muharrem Sfarqen, në viziten e fundit që i bëmë, ashtu i lodhur tregoi se po jetonte edhe frymen e fundit me përkushtimin dhe preokupimin për Kosovën dhe zhvillimet në Kosovë. Duke ditur se Anton Kolaj, ishte kthyer nga Kosova e pyeti, si i kemi punët, si janë punët në Kosovë. Pas një heshtje që mbretëronte si pasojë që Abedinin e shihnim në atë gjendje, ai përsëri me gjysëm fryme, që herë shtrihej e herë ngrihej ulur gjatë tregimit, tha se po udhëtonin së bashku zjarri, uji dhe nderi. Kishin dronë se mund të ndaheshin dhe të humbënin dhe zjarri po u thotë, që, nëse humbi, shikoni ku ka tym, aty jam unë. Uji tha se nëse humbi, shikoni aty ku ka gjelbrim, aty jam unë. Nderi tha, më ruani për të mos humbur, se po humba, nuk kam kurrfarë shenje dhe nuk do të më gjeni kurrë më.
Abedini la mesazhin për njerëzoren, la gjurmët dhe nderin për të mos hubur kurrë dhe për ta kujtuar sa të jemi gjallë.
LAMENT PER ABEDIN GASHIN
Nga Faruk Tasholli
Abedin,
Jemi mbledhur sot, këtu e në këtë çast, ashtu si i doje ti shqiptarët, të bashkuar, por me një tubim krejt tjetër nga herat e kaluara, të të kujtojmë ty, ty që u ndave kaq herët nga ne. Sot të gjithë jemi këtu, të gjithë ata që i doje e të donin, të gjithë ata me të cilët e ndaje gëzimin e pikëllimin, por vetëm ti mungon, Abedin. Sot ti i mungon familjes, i mungon bashkëshortes, u mungon fëmijëve tu, u mungon nipërve dhe mbesave. Ti Abedin, u mungon miqve, u mungon shqiptarëve, atyre që të njohën nga afër e nga larg, brenda dhe jashtë atdheut. Ti më mungon edhe mua, mik i dashur Abedin.Ti mungon dhe prapë shfaqesh si hije ndër ne, Abedin. Secili nga ne sot të kujtojmë me mall, ne që se bashku me ty e ndamë nga një pjesë jetë, madje pjesën më të rëndë të jetës, në mërgim, këtu ku na sollën hallet e jetës. Të kujtojmë, se kush së bashku, e kush veç e veç,nga thundra e përdhunës në Kosovë, e morëm botën në sy. Edhe ti u nise një ditë, pikërisht nga ajo pjesë e fushës së Kosovës, kur në vitin e largët 1389, po zhvillohej beteja e përgjakshme për Kosovën, mes Perandorisë Osmane dhe ballkanasve. U nise 600 vjet më vonë, kur po në të njëjtin vend, serbët po u shpallnin luftë shqiptarëve. Tash sërish po bëhej lufta për Kosovën.U nise nga Obliliqi, nga ai qytet i dritës, për të mbijetuar. U nise më hallexhinj, me të dëbuar nga puna, me njerëz që po u tretej atdheu nën këmbë, Abedin. U gjende në udhë të paudhë, në dhe të huaj, aty ku edhe më parë shqiptarët i kishte sjell halli për bukën e gojës.
Por ti ishe njeri i punës, Abedin. Nuk ishe njeri që shkëputesh lehtë nga ëndrrat për Kosovën e lirë. Punove aq shumë, por jo vetëm për vete dhe familjen. Që kur e fitove kafshatën e parë nga puna në mërgim, që është nga më të idhëtat, ti e ndave me pjesën e familjes në Kosovë, me pjesën e miqve, me pjesën e njerëzve të njohur e të panjohur. Ti ishe në anën e hallexhinjve, se vetë atdheu ishte në hall të madh, Abedin. Ishin kohë të rënda, kohë kur kërcënohej zhbërja e Kosovës nga faqja e dheut. Në ato kohë të rënda, për ty, dita ishte e shkurtër: në një anë punë për familjen, në anën tjetër punë për atdheun. Ti i bërë bashkë bashkatdhetarët e shpërndarë nëpër pjesë të Gjermanisë, pa dallim feje e krahine, që me organizim politik, me organizim për të tubuar ndihma humanitare, të ruhet ajo pjesa më e dhimbshme shqiptare me emrin Kosovë. Ti ishe i pari Abedin! I pari në punë, i pari në aksion, i pari për ta dëgjuar çdo thirrje që lëshonte Kosova për ndihmë. I pari ishe për ta organizuar mërgatën shqiptare rreth atij emri të shenjtë, të quajtur Kosovë, Abedin. Në aksionet për ta ndihmuar luftën, në momentet kur ishte në pyetje të ishte a të mos ishte Kosova, ti edhe natën e bëre ditë, bashkë me djemtë e punës e të luftës për t'i dalë zot atdheut. Ishte koha kur gjithçka po jepej për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ti ishe në ballë të atyre aksioneve, i pandalshëm, si është i pandalshëm uji drejt detit dhe i pandalshëm populli drejt lirisë. Dhe erdhi ai momenti më i rëndë në jetën shqiptare, Abedin. Hija e luftës që si vranësirë me vite po i rrinte Kosovës mbi krye u kthye në flakë. Dhe Kosova po jepte shpirt a po rilindte?! Po ti ishe nga ata djem që Kosovën e kishni bërë gati të mbrohet dhe ta fitojë luftën, se të gjithë ishim radhitur në udhë të Zotit, Abedin. Dhe pas atij gjaku të derdhur, pas detit të lotëve dhe të vuajtjeve, ndodhi mrekullia. Kosova e lirë iu kthye shqiptarëve, falë bijave dhe bijve djalëzotës të saj. Edhe ti ishe në mesin e atyre dalëzotësve të Kosovës, Abedin.
Ti iu ktheve sërish Kosovës, por në mënyrën krejt tjetër. Vetëm disa hapa më larg, ku për më shumë se 600 vjet po bëhej beteja për Kosovën, në qytetin e dritës, në Obiliq, ti u ktheve me artin tënd të ndërtimit. Aty bëre një shtëpi të mrekullueshmë familjare me hapësira plot dritë, ashtu si është plot dritë ajo zemër e Fushës së Kosovës. Liria e Kosovës e shkurtoi udhën në relacionin mërgim-atdhe. Ti ishe në lëvizje të vazhdueshme në këtë relacion, Abedin. Mbi të gjitha, ti u ndale ta ruajsh edhe atë pjesë të Kosovës të mbetur jashtë, të shpërndarë nëpër brigjet e globit tokësor. Ti mbi të gjitha e ruajte shqiptarizmën. E kultivove gjuhën shqipe në familje, atë pasurinë më elementare dhe më të rëndësishme kombëtare. Në familjen tënde u kundua shqip. Në familjen tënde u lexua shqip dhe në familjen tënde për asnjë çast nuk u lëshua nga goja emri Kosovë. Kur na ra fati të përzihemi në tokë të huaj me kombet e gjithë botës, ti edhe deri në brezin e tretë, e bëre një familje plotësisht shqiptare, shqip me të kujtue, shqip me të ngushëllue Abedin.
Mik i dashur Abedin, e rëndë është ndarja me ty, por ne u ndamë, se ashtu e ndau fatin i madhi Zot.
Unë do t'i lus bashkatdhetarët që për punën e bërë në mërgim, kudo që në hapësirat ku ti punove e veprove, nëse organizohet ndonjë shoqatë humanitare a ndonjë klub kulturor shqiptar, t' i vëhet emri yt. Ti e meriton këtë, e meritojmë edhe ne.
Njeri i familjes, njeri i shokëve dhe i miqve, njeri i kombit dhe i atdheut, Abedin. Ti shkove dhe ne mbetëm me të kujtue, me të vajtue, e me të këndue. Se, njerëzit si ti, kujtohen për veprat e mira, vajtohen që lënë vendin e zbrazët dhe këndohen për sukseset në jetë. I lehtë të qoftë ai dhe i Kosovës, Abedin Gashi!