E enjte, 01.05.2025, 01:37 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Luan Çipi: Vizitë në Akuarium

E diele, 30.01.2011, 08:19 PM


VIZITË NË AKUARIUM

 

Nga Luan Çipi

 

Sot familjarisht vizituan Akuariumin e Çikagos, që  më saktë quhet

“Shedd Aquarium”.  Ja vlen të shkruhet për të:

Dy vjet me parë, kur kam vizituar dhe kam shkruar për Parkun Zoologjik të Torontos, pavijonet me akuarium, që kishin një shumëllojshmëri peshqish, më tërhoqën vëmendjen dhe mu duken mjaftë interesante. Po, duhet ta them që në fillim me sinqeritet, te Akuariumi i Çikagos unë kam ngelur pa mënd, megjithëse  të them të drejtën, nuk jam fare pa njohuri për peshqit, se, me falni që po ju a shpjegoj, po unë kam lindur dhe jam rritur në Vlorë, në një qytet të vogël bregdetar, po me flotë relativisht të madhe peshkimi dhe deri me një kombinat për konservim peshqish, çka më ka bërë të interesuar edhe për të parë e lexuar në këtë drejtim.

 

Godina madhështore e Akuariumit të Çikagos, është fare afër me zonën tonë të banimit “South Loop”, ndaj për të shkuar atje në këmbe kaluan vetëm dhjetë minuta. Po, për të hyrë brenda godinës na u desh të rinim e të prisnim në radhë për gati një orë. Ishte ditë e Shtunë dhe qytetarët e Çikagos i shfrytëzojnë mirë dhe në mënyrë të këndshme e të dobishme pushimet javore, ndaj të vendosur njeri pas tjetrit vizitorët e duruar, kapnin deri rrugicat rrethuar me borë të ngrirë, aty afër Stadiumit të Madh, në gati 500 metro gjatësi, duke përballuar pa u ndrojtur të ftohtit e madh dhe erën e liqenit përbri, që fryn e fryn, pa mëshirë

 

Akuariumi i Çikagos  është inauguruar si i tillë më 30 Maj të vitit 1930 nga John Shedd, ndaj dhe mban emrin e tij të nderuar dhe është ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim, nga arkitekti Graham Anderson. Ai e zgjodhi ketë formë të bukur, pasi studioi klasikët, duke e vendosur godinën e re në gjurmët e arkitekturës së lashtë Greke. Akuariumi tashti është pronë publike, por drejtohet dhe administrohet me sukses nga një grup privat.

Aktualisht Akuariumi  gjigand i Çikagos mbarështon dhe ekspozon 25 mije peshq në depozita të qelqta uji, basene, ujëvara dhe abitate me 19 milion metrokub ujë, të sjellë e vendosur aty nga dete e oqeane, në përshtatje me kërkesat e dëshiruara të specieve te ruajtura në ato kushte origjinale fillestare, me mikroflorën dhe temperaturën, qetsinë, lëvizjen dhe rrjedhshmërinë optimale. Mjediset e godinës madhështore të Akuariumit të Çikagos për shumë kohë kanë merituar, për nga madhësia, vendin e parë në botë.  Aty ruhen, ekspozohen dhe mbarështohen me një kujdes të posaçëm, 1500 specie deti, të natyrës së peshqve, gjitarëve e zvarranikeve, amfibeve dhe zogjve detare e deri insekteve që i rrethojnë ata në mirëkuptim e harmoni jetësore. Shumëllojshmëria e specieve dhe numri i tyre, tradita e zgjedhur e dhe e vendosur prej vitesh, niveli i thelluar specifik i personelit shkencor, punonjësit e kualifikuar të drejtimit, menaxhimit dhe shërbimit, nga më të dalluarit në botë, kanë sjellë rezultate të pakrahasuara dhe interesim nga të gjithë admiruesit,  amatorët dhe kurjozët. Ndaj ata zënë radhë çdo ditë, të ardhur nga Çikagua, Amerika dhe mbarë bota , për të ndjerë kënaqësi në përballje me këtë mrekulli të realizimit Amerikan. Këtu regjistrohen mbi 2 milion vizitorë në vit dhe shumë herë vendosen rekorde të paarritura nga Muzetë më me emër në botë.

 

Vend të rëndësishëm midis specieve detare dhe kreun klasifikimit botëror në volumin ujor, ky Akuarium madhështor e zë me gjitarët, ku përfshihen balena te llojeve të rralla, luanë të detit, peshkaqenë, delfinët e zgjuar, përfshire delfinin e bardhë të Pacifikut dhe specie të tjera të vendosura në rreth 11 milion litra ujë.

Breshkat e detit janë një tjetër kuriozitet dhe madhësi e konsiderueshme ekspozimi. Po kështu koralet e bukura shumëngjyrëshe, që të magjepsin e të lidhin pas tyre, për ti soditur nga afër në ekspozita e vitrina komode karakteristike e specifike. Për të ardhur deri këtu është dashur shumë mund e punë. Ka pasur vend për krijimtari dhe eksperimente të vlefshme. Është kërkuar domosdoshmërish dhe një  kujdes i përhershëm për ti ruajtur gjallë e shumuar të mbajtura me dashuri nga personeli shembullor i këtij Muzeu. Kjo e ka kthyer atë njëkohësisht në një qendër të madhe kërkimore, shkencore, ku janë përfshirë edhe deri anije përkatëse ekspedite me emër, që kanë zëvendësuar ndër vite njëra tjetrën.

Një tjetër variacion i vizitës së këndshme të Akuariumi të Çikagos është shfaqa artiske me delfinët. Të benë përshtypje amfiteatri shumëshkallësh dhe baseni i madh i ndërtuar për ketë qëllim, kombinuar përfund me pamjen e plot të liqenit Miçigan, që nga dritaret me hapësirë të madhe, të jep përshtypjen sikur shtrihet deri në largësi të pafundme.

 Një paraqitje filmike paralajmëron shoun real me delfinët e zgjuar. Pastaj demonstrohet realisht ushqimi dhe eksitimi i tyre dhe më pas loja reale me lëvizjet e kombinuara. Ato lëvizje energjike e të zgjuara me hedhje, rrotullime, zhytje e sprinte, të ushtruara e të mësuar paraprakisht prej kohësh, ishin  përvetësuara për bukuri nga egërsirat e shkathëta. Lëvizjet e tyre komentohen fillimisht nga platforma ndërmjetëse nga spiker të shkathët dhe përfundojnë me entuziazmin dhe duartrokitjet e publikut dhe veçanërisht te fëmijë të shumtë.

 Mjediset e tjera ndihmëse si shitoret për veshmbathje dhe suvenire, kafene dhe vendngrënie, kënde lojërash për fëmije, kënde për pushim, shlodhje e relaks, si dhe qindra fotografi e skulptura të vendosura në muret e tavanet, shoqëruar me ndriçim të përshtatshëm, krijojnë kushte ideale për pushim e dëfrim.

Largohemi nga kjo mrekulli, pasi pajisemi, kundrejt pagesës përkatëse, me nganjë kartë anëtarësimi. Ajo na jep të drejtën, ashtu si edhe do bëjmë, për të ardhur edhe disa herë, deri sa të gjejmë kënaqësinë e plot dhe njohuri të tjera për botën e madhe fantastike të  perandorisë së madhe të nënujit.

 

Çikago, Janar. 25.2011



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx