E enjte, 01.05.2025, 05:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Avdullah Sh. Bunjaku: Sikur të ishte ëndërr (IV)

E diele, 13.02.2011, 04:14 PM


Avdullah Sh. BUNJAKU

 

Sikur të ishte ëndërr

 

 

Dëshmi për Dëshmorin

 

Lufta kishte mbaruar. Populli kishte obligim ndaj dëshmorëve që derdhën gjakun tu ngrisin lapidare të përjetësisë.

Ishin rrënqethëse ato kujtime që i rrëfenin, baba i dëshmorit i cili ishte në moshë të shtyrë, por mjaft i mbajtur. Ai thoshte:

- “Eh Bekim, biri i babës. Ç’po më shtrëngon diçka në zemër. Ndoshta malli për ty. U linde, u rrite, jetova dhe punove për këtë tokë të shumëvuajtur. Të ndjekën, të rrahën, të burgosën, por ëndrrën tënde asnjëherë se fundosën. Të keqtrajtuan por kurr nuk të gjunjëzuan. Eh Bekim, po ç’po më dridhen këto duar, e këmbët nuk po më mbajnë, por do ti rrëfej kujtimet që në zemër i mbajë. Migrove e le tokën të tharë e të etur për liri, e le, e le, por nuk e harrove jo”.

Me lot në sy, e vaj në buz, ky plak i urtë e vazhdonte rrëfimin për birin e tij, duke e shikuar fotografin e tij. Ai shtoi:

- “Ti shkove po rrënjët i le thellë këtu. Shumë vite kalove, shumë luftove me kohën, por malli dhe dhimbja për Kosovën, vetëm sa vinte e të shtohej. Erdhi koha ti themi një herë e përgjithmonë mjaft ma o sllavët e jugut. O Zot, erdhe, erdhe edhe ti o Bekimi i Babës, erdhe se të thirri Drenica, Dukagjini, Llapi e Qyqavica. Të thirri Atdheu, erdhe si Skënderbeu. Kalove fusha e male, kalove edhe detra, por të gjallë o bir nuk të gjeta”.

Ndërsa, nëna e tij, tregonte se si çdo natë në ëndërr po e sheh:

- “Çdo natë në ëndërr po e shoh, duke ardhë me lule në duar, duke buzëqeshur më sy të shkëlqyer duke më shikuar, sikur do të më thotë diçka, sikur do për të ma kërkuar hallallin; e unë i ofrohem, për t’ia puthur ballin por nuk mundem; diçka ka hyrë në mes e po na largon, e unë i zgjati duart për ta prekur, për ta ledhatuar, sikur kur ishte në prehërin tim. Ja ai vetë mu hodh në përqafim, oh Bekim përshpëriti dy tri herë iku e më nuk erdhi”.

Në vazhdim rrëfente se si nga fëmijërija e mundonte robëria.

- “Gjithmon të mundonte robëria, gjithmonë e pyetje zotin se kur edhe për ne do të vinte liria, por e kuptove se liria kurrë nuk vie, se liria kurrë nuk falet, por duhet të luftohet që liria të fitohet”.

Gjatë kësaj vizite, takuam shumë njerëz. Njëri ndër ta ishte edhe një shok i dëshmorit, i cili rrëfeu kujtimet nga luftëra dhe nga fëmijëria, që i kishte përjetuar me dëshmorin.

- “Edhe unë isha me të gjithmonë përkrahë tij, ai i pari na printe, i pari në vijë të frontit, i pari në çdo kohë e në çdo vend. Qysh në fëmijëri dëshironte liri, gjithmonë ishte i veqant nga të tjerët, në familje, në rrugë, në shkollë e shoqëri fliste se si ta gëzojmë një grimë liri, se si mbi këtë tokë të djegur e të bërë hi, të gjelbroi pranvera, e të qelin lulet. Ne habiteshim me fjalët e tij. Kur bisedonim bashkë e thoshte.

– “Kjo tokë duhet të lahet me gjak. Mbi pullaze do të bihet bar, shumë nana do të mbesin pa djalë, shumë konaqe do të mbesim pa zjarre, e shumë ara do të mbushen me varre”.

Ai shkoi, emigroi por nuk na harroi. Pas një kohe shumë të gjatë sërish ishim bashkë, por kësaj radhe ishte bërë burrë e u betua nën flamur, Shqiponja në krahë i buzëqeshte, e arma në dorë zjarr i shpërthente, shumë aksione luftoi, shumë njesi qetnike shpartalloi.

Një ditë më tha:

- “Unë do të vdes, për një ditë që ju do ta gëzoni, të paktën emrin mos ma harroni, dhe mos ma keqpërdorni, se kjo tokë do t’ju mallkoi e zoti do t’ju ndëshkoj”.

Atë natë edhe qielli i nxi, një korb i zi fluturoi, një plumb i rënd e qëlloi, e Bekimi jetë ndërroi.

Pasi biseduam me shokun dhe bashkëluftëtarin e dëshmorit, aty afër ishte edhe një djalë i ri, për të cilin kuptuam se ishte vllau i dëshmorit, për të cilin mungesa e vllaut të tij, tashmë i rënë dëshmor ishte mjaft e madhe, mirëpo edhe ishte mjaft krenar që ishte vllau i tij, dhe dëshironte që edhe ai ta vazhdonte rrugën e tij, ku ndër të tjera tha:

- “Shumë shpesh më mirrte pas vetes, më fliste, më tregonte se si luftohet armiku, si vdiset për atdhe, e unë krenohesha e i thosha, se ti nuk je Bekimi, ti je Mic Sokoli i ri, ti je Azem Bejta. Një ditë më tha:

- “Vëlla ndëgjo, një ditë ti do të jesh zot i kësaj shtëpije, ruaje nderin e familjes, ruaje nderin e kombit, dhe kur të marrësh frymë lirshëm, kur ta ndjesh aromën e lirisë, varrin ma vizito mua dhe shokëve të mi, dhe mos lejo mbi varr të më mbihet bar, lule më hedh ndoshta nga brenda aromën do t’ua ndjejë”.

Po o vlla, po, sotë jam gjallë, jam zot i shtëpisë, jam zot i kësaj toke të cilën ti e njome me gjakun tënd, emri yt sot gjithkund jehon, mbi varrin tënd flamuri valon, sot u marrim erë luleve të cilat ti i ujite me gjakun tënd.

E sot burrat e dheut, burrat e lapsit, po ua ka ënda të përmendin emrin tënd, se unë luftova me filanin, se ne e sollëm lirinë, po jo, jo, ti mos u bën merak, flij i qetë, se trimat e vërtetë, ata që sollën lirinë, sotë janë me ty, ata sotë pushojnë të qetë”.

Pas të gjitha këtyre rrëfimeve, fjalët që na prekën në zemër, ishin ato të cilat i tha motra e dëshmorit, ku na tregoj se si gjithmonë ka biseduar me vllaun për tu martuar.

- “E unë si motër e tij, gjithmonë e ëndërroja dasmën dhe shpeshë e pyetja:

- Vlla pse s’po martohesh ? Martohu, gëzoje shtëpinë me një nuse. Ai më thoshte:

- Po motër do të martohem, shumë shpejt do të martohem, do ta sjelli nusën më të bukur që ekziston në botë. Do të sjell nusën e Kosovës, do të sjell lirinë. E unë vërtet mendoja ashtu, sepse shumë vajza e kanë emrin Liri, dhe mezi e pritsha atë ditë, Çdo natë ëndërroja flamurin, duke valuar mbi shtëpinë tonë, oborrin të mbushur me dasmorë, me miq, valltarë e këngëtarë, vërtet ashtu ndodhi. Dasma u bë, kishte dasmor nga e gjithë Kosova. Vëllau nusën e solli, por nuk ishte vajzë por, me të vërtetë ishte liria, për të cilën më fliste dikur, e vet erdhi në arkivol i mbështjellur me flamur.

Ne në vend që të këndonim pranë derës së tij duke hyrë dhëndërr, e burrat pranë shpinës duke e goditur, ne po lotonim pranë varrit të tij, duke e përcjellur në përjetësi.

 

 Dhuratat

 

Sot shumë mirë kalova në shkollë, e sidomos në orën e matematikës. Sapo hyri arsimtarja në klasë e ngrita gishtin për tu pyetur vullnetar. Arsimtarja m’i shënoi tri detyra në tabelë, të cilat unë i zgjedha një nga një, pa asnjë problem. Arsimtarja më dha notën pesë në ditar. Edhe tri ditë e kishim provimin në matematikë. Të gjithë më pyesnin se a do t’ju ndihmoj por, unë i ndihmoja vetëm Lules, me të cilën ulesha në një bankë. Lulja ishte vajzë shumë e mirë. Kur blente ajo diçka për të ngrënë, më blente edhe mua, sepse mua nuk më jepnin prindërit e mi para në shkollë.

Kur shkova në shtëpi i tregova nënës për notën që kisha marrë, ajo u gëzua shumë. Ajo ishte duke e përgatitur drekën. E pyeta se ku është babai, sepse atë nuk e shihja në shtëpi. Kishte dalë në qytet për ti kryer disa punë.

Babai im ishte një njeri i quditshëm. Dikur punonte, kujdesej për familjen dhe mua më donte shumë. E kishte një të keqe se gjithnjë pinte shumë. Shumherë në shtëpi vinte i dehur, bërtiste, na rrihte, e nëna gjithnjë grindej me të. Nuk e di se si guxonte ta kundërshtonte babain, mirëpo ajo e bënte këtë. Kur babai e rrihte nënën time, unë futesha në një dhomë dhe qaja. I tëri dridhesha nga frika se mos po na mbyste të gjithëve.

Atë punë të cilën e kishte babai e humbi. Neve na arsyetohej se kinse i kishte zbuluar disa parregullsi, dhe e kishin larguar. Por siç ne kemi mësuar, babai kishte tentuar të vidhte aty diçka. Menjëherë e kanë larguar nga puna. Babai dilte vazhdimisht. Nuk e di se ku shkonte. Neve na thoshte se po dilte për të kërkuar punë.

Kur erdhi babai në shtëpi unë menjëherë i gëzuar i tregova se kisha marrë pesë në matematikë. Ai në vend që të më jap të holla si zakonisht, më kishte blerë diçka. Në fillim mendova se mos ishte ndonjë dhuratë por, ajo kishte qenë matëse, apo kanar në gjuhën e popullit. E pyeta se çka na duhej ajo, a ai mu përgjigj:

- Nga nesër, para dite do të shkoshë në shkollë, e pas dite do të dalësh në qendër të qytetit, që të fitosh të holla duke i matur njerëzit.

Në fillim kundërshtova, duke i thënë se të gjithë shokët e shoqet do të më shihnin, e do të qeshnin me mua. Edhe nëna gati u çmend, por ai nuk na pyeti, a njërin e as tjetrin.

Të nesërmen pas mësimit, unë dola në rrugë, e vendosa matësen para këmbëve të mia, i futa duart në xhepa, dhe po rrija në këmbë. Në atë rrugë kalonin shumë njerëz. Sa më vinte turp nga ta. Mendoja se të gjithë më njihnin. Unë nxënësi më i mirë në matematikë në vend që t’i ushtroja detyrat për provim, tani po rri këtu në rrugë. Filluan njerëzit edhe të maten. Disa mi jepnin nga njëzet cent, disa nga pesëdhjetë cent, disa nga një euro. Shumë të tjerë m’i gjuanin nga disa cent e nuk mateshin fare. Mua më vinte turp ti shikoja në fytyrë. Ua shikoja këmbët. Sa të bukura i kishin këpucët, rrobat. Shihja këpucët e mija, shumë të vjetra, vetëm sa nuk ishin shqyer, po ashtu edhe rrobat. Ato ishin të vetmet që m’i kishte blerë babai pothuajse para një viti.

Kaluan disa orë, e unë isha thelluar në mendime. Mendoja për detyrat, për provimin e matematikës të cilin e kishim për ta bërë nesër. Nga këto mendime më shkëputi Lulja, shoqja ime, e cila kishte dalë me nënën e saj për ti blerë ca gjëra. Më pyeti se çka po bëj aty në rrugë. Mu duk se qielli më ra mbi kokë. I tregova se më kishte hedhë babai në rrugë, ta fitoja ndonjë cent, pasi që ai e kishte humbur punën, dhe ne kishim mbetur keq. Nëna e Lules më pyeti se sa kisha fituar deri tash. I llogarita të gjitha: Dolën shtatë euro. Ajo m’i dha pesë euro dhe një çokollatë. Ato shkuan e unë qëndrova edhe disa minuta. Ora tashmë shënonte nëntëmbëdhjetë. E mora matësen dhe u nisa për në shtëpi. Rrugës e hëngra çokollatën.

Kur hyra në shtëpi babai e nëna grindeshin për mua. Nëna më pyeti se a isha lodhur, uritur, ndërsa babait i interesonte vetëm sa kisha fituar. Isha shumë i uritur, i dërmuar nga lodhja. I thashë nënës të ma përgatiste pak bukë. Babait ja dhashë dymbëdhjetë eurot e fituara.

Derisa unë po haja darkë babai thoshte:

- Nëse vazhdohet kështu, do të fitojmë shumë, do ti kemi të gjitha në shtëpi, dhe do ti paguanim të gjitha borxhet.

Nëna nuk kishte fare njohuri për borxhet për të cilat fliste babai, dhe prapë filluan të zihen.

Të nesërmen kur shkova në shkollë, Lulja më tha:

- Më vien keq që po del në rrugë për ti fituar disa euro. Çka do të mund të punonte babai yt po që se mund ti ofrohej ndonjë punë.

- Babai im ka punuar si inxhinier në një fabrikë.

- Prindërit e mi kanë biseduar, dhe kanë vendosur që ta punësojnë babain tënd në një depo të tyre, për të ngarkuar e shkarkuar mall. Kjo punë do të paguhet njëqind e pesëdhjetë euro në muaj.

Unë u gëzova shumë, dhe mezi prisja të shkoja në shtëpi e t’i tregoja babait.

Erdhi arsimtarja e matematikës, filluam provimin. Ajo na i shënoi katër detyra, tri prej tyre për mua ishin të njohura. I zgjodha shumë shpejt. E katërta ishte pak e vështirë, dhe nuk e di as vet se si e kam përfunduar.

Posa u ktheva në shtëpi, babai ishte duke dalë. Unë shumë i gëzuar ju hodha në përqafim, e mora dhe të dytë hymë brenda. Menjëherë i tregova për punën që ja kishin siguruar prindërit e Lules. Nëna u gëzua shumë, ndërsa babai duke qeshur tha:

- Do të vdes e nuk do ta bëj një punë të tillë; Si mund të paguhet një inxhinier njëqind e pesëdhjetë euro, e ta bëj punën e hamallit.

Nëna i thoshte se më mirë ta pranonte atë punë se sa të dal djali në rrugë, e ta humbë kohën e mësimit. Babai tha që të mos ta diskutojmë më atë punë, dhe doli.

Unë pushova pak, hëngra bukë dhe menjëherë dola në rrugë, por e ndërrova vendin. Sërish qëndrova deri në orën nëntëmbëdhjetë. Gjatë tërë këtyre orëve fitova vetëm nëntë euro e tetëdhjetë cent. Kur shkova në shtëpi babai pak sa u zemërua, pasi kishte pritur më shumë të holla nga unë. Nëna ja mori gjashtë euro për të blerë pak ushqim, pasi kishim mbetur pothuajse pa asgjë.

Babai nuk e di ku i merrte të hollat, por ai vazhdimisht pinte raki. Në frigoriferin tonë nuk kishte pothuajse asgjë nga ushqimi, por aty gjithmonë kishte birra të babait.

Të nesërmen, kur na i solli arsimtarja e matematikës rezultatet, mua ma dha një vërejtje, më tha se nuk kisha treguar rezultat ashtu siç kishte pritur arsimtarja nga unë, por megjithatë ma kishte dhënë notën pesë.

Kur shkova në shtëpi, nëna ishte zbehur. E pyeta se çfarë kishte ndodhur. Ajo më tha se kishin qenë disa njerëz, i kishin kërkuar të hollat të cilat babai ua kishte borxh. Njëri i kishte kërkuar njëqind euro, njëri dyqind e pesëdhjetë,  i treti më shumë se pesëqind euro, dhe kishin thënë se nëse për dy ditë nuk i marrin paratë e tyre, do të hynë brenda dhe do ti marrin të gjitha sendet me vlerë. Atë ditë fare nuk dola për të punuar. I bëra disa detyra, dhe mësoja në lëndën e gjuhës shqipe, pasi të nesërmen e kisha radhën për tu pyetur. Në mbrëmje kur erdhi babai, më tha:

- Eja, dorzomi të hollat që i ke fituar.

- Nuk kam dalur për të punuar, sepse kisha për të mësuar.

Babai më rrahu, e nëna i tregojë për ata njerëzit të cilët kishin ardhur sot në shtëpi për ti kërkuar parat e tyre.

Unë vazhdimsiht po punoja, herë fitoja më shumë, e herë më pak. Nëna çdo herë merrte të holla nga fitimi im për të blerë pak ushqim, babai vazhdimisht dehej. Kur na vinin faturat e rrymës, ujit, e mbeturinave, ai në vend që ti paguante, i griste ato.

Në një mbrëmje, babai më tha:

- Nuk do të shkosh në shkollë por që tash e tutje, do të shesësh cigare, mbushje të telefonave, nëpër kafe, restauranta, e vende të tjera, sepse puna që e bënë tani nuk na e sjell fitimin e duhur, dhe se më vonë do ta hapim një dyqan ku do të shesim gjëra të ndryshme.

Nëna vazhdimisht qante, sepse po i dhimbsesha unë, që po e humbja shkollë.

Të nesërmen kur u zgjova në mëmgjes, babai kishte sjellë në shtëpi, shumë lloje të cigareve, shkrepsa, e mbushje të telefonave. M’i tregoj çmimet për secilën veç e veç. Pasi hëngra pak mëngjes, dola për ti shitur. Hyja nëpër çdo kafe, nëpër çdo tavolinë i lusja njerëzit që të blenin, duke e përsëritur fjalën, cigare, cigare. Disa nga ta vetëm më shikonin, disa të tjerë luanin me mua, duke më pyetur për çmimet në fund nuk blenin asgjë. Një pjesë tjetër blenin llojet e cigareve të cilat i konsumonin, kështu që shkalla e shitjes nuk ishte edhe aq e ulët. Kështu vrapoja nga një kafe në tjetrën. Disa herë më ka ndodhur që kamarierët më hedhnin jashtë, duke më ngre për krahu. Hyja nëpër restaurante, shkoja nëpër tavolina, për ti lutur zotërinjët për të blerë diç. I shihja duke ngrënë. Tavolinat e tyre ishin të stërmbushura, me mish, gjellëra e pije të ndryshme. Sa shumë ua kisha lakmi. Shumherë mbetesha për një kohë në këmbë duke i shikuar. Shumherë më shkonte mendja që edhe unë të ulem e të porosis sado pak diçka për të ngrënë. Unë kisha kohë të gjatë që nuk e kisha ndier as erën e mishit, në familje mezi ngiheshim me supë e vezë të fërguara. Nuk guxoja, kisha frikë nga babai. Në mbrëmje e kërkonte tërë pazarin që e bëja unë gjatë tërë ditës.

Kur ecja rrugës, shikoja shumë fëmijë, të cilët kishin dalë me prindërit e tyre, blenin gjëra të ndryshme, shëtisnin, bisedonin, qeshnin. Unë vetëm vrapoja nga lokali në lokal, duke e lutur çdo njeri që e takoja për të blerë ndonjë pako me cigare, ndonjë mbushje telefoni, vetëm që ta fitoja ndonjë euro. Shpesh në mbrëmje, mezi më merrte gjumi nga dhimbjet e këmbëve. Ah, sa shumë më mungonin shoqëria, librat, shkolla.

Sërish një ditë e takova Lulen, shoqën time me të cilën dikur ulesha në një bankë. E kishte marrë shumë malli për mua. U ndalëm në një qoshe të rrugës. Biseduam shumë gjatë pë shkollën, për provimet e matematikës. Shpalosëm shumë kujtime. E mori një mbushje të telefonit nga unë, dhe ma paguajti dyfishë. Unë i thashë se më me dëshirë do t’ia falja, por nuk kam guxim nga babai. Ajo ma ktheu duke më thënë që të mos brengosem për këtë punë. Më tregoj se ku banonte, dhe më luti që ta vizitoja. Pas disa ditësh vendosa të shkoj në shtëpinë e Lules. E dija kohën kur ishte ajo në shtëpi. Kur më pa në oborr të shtëpisë ajo u gëzua shumë. Hymë në dhomën  e pritjes ku kishte qenë edhe nëna e saj e cila më pyeti për familjen, për gjendjen ekonomike. Unë i tregova që tashmë po shisja cigare. Ajo më tha që të mos mërzitem, se një ditë do të bëhet mirë, dhe se do ta kem përkrahjen e tyre si familje. Atë ditë aty hëngra drekë me Lulen e nënën e saj. Kalova shumë mirë sa që për herë të parë ndjeva një kënaqësi në shpirtin tim.

Në mbrëmje, kur u ktheva në shtëpi, nëna vetëm qante e bërtiste. E luta që t’më tregonte se ç’farë ka ndodhur. Ajo më tha se në mesditë kishin ardhë ata njerëzit, të cilët kishin ardhë edhe një herë para do kohe, për ti kërkuar parat e tyre, të cilat babai atyre ua kishte borxh. Pasi babai nuk ka pasur t’ua kthej borxhin, ata kanë hyrë brenda në shtëpi, dhe i kanë marrë sendet me vlerë. Babai nga mërzia kishte pirë dhe kishte dalë. Edhe unë u mërzita shumë. U ula bashkë me nënën, e i thashë se don zoti, një ditë do të bëhet mirë. Atë natë pothuajse nuk shtimë gjumë në sy, as unë, e as nëna ime. Dikur nga ora gjashtë e mëngjesit, erdhën policia në shtëpinë tonë. Na thanë se në parkun e qytetit kishin gjetur trupin e pajetë të babait, dhe tashmë gjendej në morgun e spitalit. Unë mezi arrita përmes telefonit të një fqiu, t’i lajmori të afërmit tanë. Erdhën menjëherë. E morëm kufomën nga spitali, u organizuam të gjithë, dhe në kohën e drekës e bëmë varrimin e tij. Nga personeli mjekësorë i spitalit, morëm raportin, se babai kishte qenë i dehur, dhe kishte pësuar infrakt.

Shtatë ditë u mbajt e pamja. Na vizituan shumë njerëz për të ndarë dhimbjen me ne, e njëri ndër ta ishte edhe babai i Lules, i cili më tha që po sa të përfundonte e pamja, të shkoja në shtëpinë e tij.

Gjatë kohës sa u mbajt e pamja, na ndihmuan të gjithë, si në aspektin moral, ashtu edhe në aspektin financiar. Kur përfundoi e pamja, unë shkova ta takoja babain e Lules. Ai kishte qenë në shtëpi, biseduam gjatë, dhe më ofroi punën të cilën ia kishte ofruar babait tim para sa viteve. Unë me shumë dëshirë e pranova. Filova të punoj, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje.

Në shtëpi jetoja vetëm me nënën. Ajo kujdesej për shtëpinë, ndërsa unë punoja. Sa i përket ushqimit tashmë kishim mjaftë, po ashtu edhe paisjet elektrike fillova ti blejë. I bleja të gjitha një nga një, çdo fund muaji që e mirrja rrogën, perveq ushqimit blija edhe diçka për shtëpi, kështu që shtëpija jonë çdo herë mbushej me gjërat e nevojshme.

Lulja shumherë vinte në depo më vizitonte. Në mbrëmje dilnim dhe pinim kafe së bashku, dhe gjithçka mes nesh ecte mirë.

Tashmë kur po pres edhe disa dite që ti mbushi njëzet vite, një ditë babai i Lules, si dhuratë për ditëlindje më ofroi vendin e ri të punës. Unë tashmë kam për detyrë që ti bëjë regjistrimet e të gjitha hyrjeve dhe daljeve të mallrave në depo. Këtë punë ma kishte besuar, pasi që unë jam njohës i mirë i matematikës. Unë me ndihmen e Lules dhe familjes së saj kam filluar një jetë normale.

Në shtëpi nuk po mungon më asgjë. Çdo gjë është e re dhe më e bukur se dikur. Edhe nënës ju ka kthyer buzëqeshja në fytyrë. Nga e gjithë kjo më e rëndësishmja është, se unë tashmë këto ditë, po pres që të fejohem me Lulen.

 

 

Sikur të ishte ëndërr

 

Tani gradualisht po e harroj atë kohë të tmerrshme, ato ditë të zeza të rinisë sime. Këtë po e arrijë falë burrit tim, tek i cili i kam gjetur të gjitha, mbështetjen, dashurinë, e respektin që duhet ta ketë një grua nga bashkëshorti i saj. Tani po jetoj shumë e lumtur, me burrin tim, dhe dy djemët tanë, Artinin e Artisin. Jetojmë një jetë të rehatshme në familje. Për çdo gjë paraprakisht konsultohemi, dhe të gjitha vendimet i marrim bashkërisht.

Agimi, burri im, punon në një organizatë ndërkombëtare; dy djemët tanë, Artini e Artisi, janë në shkollën fillore, ndërsa unë kujdesem për shtëpinë. Vikendeve, që nga mëngjesi të gjithë së bashku, dalim, shëtisim në vende të ndryshme. I vizitojmë të afërmit tanë.

“...Isha tetëmbëdhjetë vjeçare, sapo kisha përfunduar shkollën e mesme. Një kushëri i yni hapi një dyqan dhe mua më punësoi aty si shitëse. Gjatë kohës sa isha nxënëse e shkollës së mesme, kisha shumë oferta nga djemët, mirëpo nuk ua vëja veshin, dhe qëllimi im ishte që ta përfundoja shkollën me sukses sa më të mirë.

Puna në dyqan filloi mbarë. Unë punoja me orarë të plotë dhe paguhesha mirë.

Babai gjithmonë më pyeste nëse dëshiroja të fejohesha, unë nuk e di se pse por, refuzoja. Më pëlqente puna që e bëja, dëshiroja të jetoja e pavarur.

Koha kalonte, dhe unë tashmë kisha një kohë të gjatë që punoja në dyqan. Me rrogën që e mirrja, blija gjëra që më nevoiteshin për veten dhe i ndihmoja familjes sime.

Një ditë, në shtëpinë tonë erdhi një shok i babait, i cili më kërkonte për një të afërm të tij, i cili jetonte në Gjermani dhe kishte leje qëndrimi të përhershëm. Në mbrëmje kur u ktheva nga puna, babai më tregoj për ofertën e re që kisha. Unë nuk e di por, disi fillova të mendoja seriozisht për të. I thashë babait se dëshiroja të takohem me atë djalin, dhe ashtu u bë. Pas një kohe të shkurtë, ai djaloshi erdhi nga Gjermania dhe u takua me babain tim.

Në mbrëmje babai më tregoi për të gjitha dhe të nesërmen do të takohesha me të.

Mezi e kalova atë natë. Tërë kohën mendoja se si ishte më mirë të bëja. Disi ndjeja një afërsi me atë person. Të nesërmen në dyqan, as vetë nuk e dij se si punova. Dikur kur ishte edhe afër koha e mbarimit të orarit të punës, në dyqan u duk një djalë. Në fillim mendova se mos ishte ndonjë myshteri, mirëpo ai u prezantua se ishte Beni. Më pyeti se a isha une Zana. Pasi u njohtuam, të dytë u pajtuam që të shkonim në ndonjë lokal të njiheshim më mirë me njëri – tjetrin. Gjatë kohës sa pimë kafe ai më tha që kishte njëmbëdhjetë vite në Gjermani, dhe se tashmë kishte fituar statusin e banorit të atij shteti. Ishte i interesuar ta gjente një vajzë shqiptare të Kosovës, të martohej me të. Pikërisht unë isha ajo vajza të cilën Beni e kishte zgjedhur për martesë.

Gjatë tërë asaj kohe, sa kaluam në atë lokal, unë fitova një përshtypje se ai ishte një djalë serioz, dhe se do të më përshtatej mua. Për tërë një javë sa qëndroi në Kosovë, ne takoheshim shpesh.

Erdhi ajo ditë, dhe Beni u kthye për Gjermani, mirëpo i premtuam njëri – tjetrit se do të dëgjoheshim kohë pas kohe.

Unë vazhdoja të punoja në dyqan, mirëpo çdo herë mendja më rrinte te Beni. Babai më pyeste vazhdimisht, se si do të vendosja në lidhje me Benin. Një ditë vendosa, i thashë babait se kisha vendosur të martohem me Benin. Babai m’i uroi të gjitha të mirat në jetë.

Beni vazhdimisht, po thuajse çdo ditë më thirrte në telefon. Bisedonim me orë të tëra. Erdhi momenti të shpallim fejesën. Të gjithë u gëzuan, e mirëpritën këtë lajm, të gjithë vinin në shtëpin time. Të afërmit e mi e të Benit, miqtë, shokët, na uronin fejesën, dhe më sillnin dhurata nga më të ndryshmet. Unë isha mjaft e lumtur.

Pas disa ditësh, në një mbrëmje, Beni më thirri në telefon. Gjatë bisedës më tha:

- Nuk do të shkoj kohë e gjatë, dhe do të marr në Gjermani. Duhet ta lësh punën, për arsyje se tashmë të duhet kohë për ti rregulluar disa dokumenta, për pasaportë, për vizë, dha sa i përket të hollave unë do ti dërgoi.

Unë nuk e di se si u hutova, mirëpo punën e lash, për arsyje se kisha shumë besim në të. Isha shumë e dashuruar në Benin. Gjithashtu mendoja, se më kishte mbetë vetëm edhe pak kohë, që të shkoja e të bashkohesha me Benin në Gjermani, dhe mendoja që këtë pak kohë, ta kaloja me familjen, dhe të afërmit e mi.

Fillova ti rregullojë disa dokumeta, për të cilat Beni më thoshte se ishin të nevojshme. Më duhej të vrapoja nga një vend në tjetrin, të prisja me orë të tëra në radhët e gjata, e sa i përket të hollave Beni më dërgonte vazhdimisht aq sa më duheshin, shpeshherë edhe më tepër.

Një natë, në telefon më tha se edhe një javë do të vinte në Kosovë. Ah, sa shumë u gëzova. Nuk më pritej ajo ditë. Çdo ditë bëja edhe gjëra të panevojshme vetëm të më kalonte koha. Kaluan tri ditë. Në ditën e katërt, nga mesdita, u dëgjua zilja, e hapa derën dhe mbeta e shtangur. Para meje ishte Beni, me atë të afërmin e tij. Mbeta e habitur. Nuk dija ç’të thoja, sepse kjo ishte një befasi për mua. Kur doli babai në koridor i ftoi që të hynin brenda. Unë menjëherë i shërbeva me nga një lëng. Gjatë bisedës, Beni tha se i pëlqente kështu të bënte befasira. Sigurisht se kjo për mua ishte një befasi e këndshme. Ata deshtën të shkonin por babai nuk i lejoj, dhe i ndali për drekë.

Unë isha shumë e hutuar, e gëzuar, nga habija që kisha, gjatë kohës sa e përgatisja drekën, dy gota i rrëzova dhe që të dyja u thyen, nëna më thoshte që të vija në vete, mirëpo ardhja e Benit më emocionoi për së tepërmi. Kaluam shumë bukur. Gjatë drekës babai dhe Beni bisedonin për shumë tema, për shumë ngjarje të kaluara, për të cilat gjenin shumë gjuhë të përbashkët. Unë me Benin, u kuptuam që të dalim në mbrëmje, nga ora njëzet, pastaj ata shkuan.

Prindërit e mi u ndanë shumë të kënaqur nga ky takim me Benin. Unë fluturoja nga gëzimi. Menjëherë fillova të rregullohem për takimin që kisha me Benin, pasi që ora njëzet nuk ishte larg. Arrita me kohë në vendin e takimit, ku gjeta Benin duke më pritur. Shëtitëm pak rrugëve të qytetit dhe shkuam në një restaurant, ku porositëm nga një kafe, ndërsa Beni porositi edhe darkën.

Më tha se e kishte marrë malli shumë për mua, më kishte blerë shumë gjëra të ndryshme, mirëpo unë i thashë se,  dhurata më e mirë për mua, ishte vetë ardhja e tij. Unë me shikimin tim doja ta gëlltisja, isha shumë e dashuruar në të. Çdo gjë që bënte Beni, për mua ishte shumë e bukur, dhe shumë me vlerë. Gjatë darkës, Beni më tha:

- Dokumentat e tua për të udhëtuar në Gjermani pothuajse janë gati, të gjitha të rregulluara.

Unë e besoja çdo fjalë që e fliste ai.

Nuk e njihja më vetën, isha krijuar krejtësisht një person tjetër. Nuk isha më ajo Zana që dikur mësonte me shumë dashuri e përkushtim, që punonte, që i ndihmonte familjes, dhe se fare nuk ishte e interesuar për lidhje me ndonjë mashkull. Tani Zana e re, ishte e tëra e zhytur në dashuri, e dorëzuar në duart e një mashkulli, për të cilin mendonte se i dinte të gjitha, e në fakt nuk dinte asgjë. Më së shumti u befasova kur Beni më tha:

- Qëllimi i ardhjes time, është që të martohemi, të bëjmë një dasëm.

Unë në fillim nuk dija ç’të thoja, nga njëra anë, më pëlqente shumë të martohem, që të jem më shumë afër Benit. Në anën tjetër, nuk isha edhe shumë e sigurt, pasi që dokumentat e mia, për të udhëtuar ende nuk ishin gati. Kisha një parandjenjë se kjo është shumë largë. I thashë se më duhet të flasë me babain, dhe me siguri do të pajtohemi dhe ta caktojmë datën e martesës.

Atë mbrëmje kaluam shumë mirë. Më përcolli deri në shtëpi, dhe me një puthje u përshëndetëm.

Babai dhe nëna, ishin në dhomën e ditës, duke më pritur. Me të hyrë brenda, më pyetën se si kisha kaluar me Benin. Ju tregova për  martesën që më tha Beni. Babai tha:

- Nuk kam asgjë kundër kësaj, se tashmë ti je e Benit, dhe martesa është një obligim që duhet ta kryeni sot, ose nesër, dhe me një fjalë ju tashmë jeni të fejuar.

Të nesërmen, babai e mori në telefon Benin, dhe e ftoi bashkë me babain e tij për një ndejë tek ne. Nuk kaloj pothuajse asnjë orë e plotë, dhe arritën Beni me Ragipin, babain e tij.

Pasi u rehatuan, unë i shërbeva me lëng e kafe, ndërsa babai tha që ta përgatisim drekën. Gjatë kësaj kohe u krijua një atmosferë miqësore. Gjatë drekës të gjithë u pajtuam, që dasma të bëhet të enjëten, pra nuk kishim edhe shumë kohë. Menjëherë filluam përgatitjet së bashku me Benin, I blemë të gjitha gjërat e nevojshme, si për nusën ashtu edhe për dhëndërrin. I ftuam pothuajse të gjithë të afërmit tanë, të gjithë u angazhuam dhe punonim në mëyrë intenzive, që dasma të bëhej sa më e mirë.

Erdhi edhe dita e enjëte, një moment më i rëndësishëm i jetës sime. U rregullova në një sallon ondulimi, kisha një ndjenjë të veqant, isha shumë e lumtur, prindërit mi uruan të gjitha të mirat në jetë. Në përcjellje të babait, dhe të djalit të axhës, hyra në veturë e cila ishte rregulluar mjaft bukur, vargu i veturave ishte shumë i gjatë, sa që fillimi nuk mund të shihej. Kaluam nëpër shumë rrugë të qytetit, të gjitha veturat u bienin burive. Unë ndihesha shumë mirë. Kur arritëm, Beni më priste, më mori për krahu, dhe hap pas hapi hymë në oborr, ku gjendeshin shumë mysafirë. Të gjithë e hodhën shikimin në mua. Muzike jehonte, të gjithë vallzonin dhe ishin shumë të gëzuar. Kjo atmosferë zgjati deri në mbrëmje. Unë hyra në dhomë dhe prisja të vinte dhëndërri. Fare nuk ecnin minutat, prisja me pa durim, kur hyri Beni u përqafuam, shkëmbenim puthje të zjarrta, deri sa shumë vajza këndonin tek dera e dhomës tonë. Atë natë bëmë dashuri. Për mua ishte hera e parë, pra vajzërin time ia fala Benit. Mëngjesi agoi, e ne thuajse fare nuk vumë gjumë në sy. Në ditët që erdhën bëmë edhe kuror në komunë.

Një mbrëmje, Beni deri sa po përgatitej për të udhëtuar për në Gjermani, më tha të kujdesesha për shtëpinë, t’i dëgjoja, t’i respektoja, sidomos prindërit, dhe antarët tjerë të familjes, dhe që të mos mërzitesha, sepse shumë shpejtë do të bashkoheshim në Gjermani. E kisha vështirë që të përshëndetesha me Benin, mirëpo deshta, s’deshta, duhej ta bëja.

Ai shkoi, unë mbeta në shtëpi. Shtëpia ishte e madhe, kishte shumë punë në të. Në fillim i bëja vetëm disa punë të lehta, por me kalimin e kohës, vjehrra më angazhoi të bëja edhe punë të tjera, të cilat ishin bukur të rënda, si të gatuaja, të përgatisja gjellëra, ta pastroi tërë shtëpinë, dhe rrallë herë më lejonin që ta vizitoja familjen time.

Shumherë më ofendonin me fjalë të rënda. Për mua ishte shumë vështirë ta përballoja gjithë këtë e vetmuar. Më mungonte shumë Beni. Shumherë i kujtoja ditët që kalova me Benin, Ndërsa shumë rrallë më lejonin që të flasë në telefon me të. Vetë më tregonin se Beni më dërgonte të fala. Kështu nuk mund të duroja më.

Plot një vitë e gjysmë, mu deshtë që të përballesha me vuajtje. Për tërë këtë kohë, kurrë nuk erdhi Beni. Gjithmonë arsyetohej se punonte shumë, dhe nuk kishte mundësi të merrte pushim, ndërsa sa i takonte dokumenteve të mia, thoshte se në këtë muaj, e herë në atë muaj, është ky problem, është ai problem, dhe se vazhdimisht po bënte përpjekje që ti rregullonte ato.

Unë nga vuajtjet, dhe pritja e gjatë, isha dobësuar shumë. Dikur mezi kalonte koha nga dashuria, e nga dëshira që kisha për tu takuar me Benin, tani mezi kalon koha nga vuajtjet që po i përjetoj në shtëpinë e tij.

Tani u rregullaun edhe dokumentat e mia. U gëzova shumë. Mendova se ju erdhë fundi vuajtjeve të mia, mirëpo u gabova, se ato vetëm sa u bënë edhe më të mëdha. I bëra gati rrobat, dhe ca gjëra elementare të miat, të gjitha i futa në një torbë. Atë ditë, vjehrria dhe prindërit e mi më përcollën deri në stacionin e autobusëve, u përshëndeta me të gjithë dhe fillova rrugëtimin. Lotët rridhnin pa ndalë. U ula afër një gruaje, e cila shkonte mysafire te djali i saj, të cilin nuk e kishte parë tash e pesë vite. Djali i saj, kishte shkuar në Gjermani, për të kërkuar shërim, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila tek ne nuk shërohej.Tashmë kishte filluar disa terapi dhe ndihej më mirë. Ajo tregonte për vuajtjet e saj, për djalin e sëmurë, unë për vuajtjet e mia, dhe të dyjave lotët nuk na u ndalnin dot.

Kaluam shumë rrugë. Kaluan shumë orë. Kaluam shumë kufijë. Natën mbretëronte një qetësi në autobus, pothuajse të gjithë flinin. Unë nuk arrita ta bëjë asnjë sy gjumë. E kujtoja të kaluarën, vuajtjet, vështirësitë, por edhe ditët e momentet e lumtura. Mendoja për të ardhmen, mendoja se më në fund do të filloj një jetë e re, do të vinin ditë më të mira, por fatkeqësisht ashtu nuk ndodhi.

Pas tridhjetë e tri orë rrugëtimi, arrita në qytetin ku jetonte Beni. Posa zbrita nga autobusi, u takove me të, u përqafuam. Unë mora çantën, hymë në veturë dhe u nisëm. Beni më pyste se si kisha kaluar rrugës, a kishte ndonjë problem. Pas pak minutash, u ndal vetura para një ndërtese, hymë brenda. Ishte një dhomë, banjoja dhe një koridor i vogël. Beni qëndroi dhjetë minuta me mua, deri sa unë u mundova sado pak ta bëjë një pushim të vogël. Më tha që të rehatohem, dhe do të shihemi nesër në mëngjes, pasi ai shkonte në punë.

Me të dalë Beni nga banesa, unë bëra një dush. Rashë dhe fjeta afro tri orë. Pastaj u zgjova dhe shikova atë dhomë. Ishte rrëmujë. Fillova sado pak ta rregullojë. Duke i paluar disa rroba, gjeta disa prej rrobave të brendshme të femrave, i tubova dhe i lash në një vend. Ajo çka më habiti më shumë, dhe ngjalli në mua dyshime, ishte momenti kur në disa vende gjeta masa mbrojtëse kundër shtatzanisë. Edhe ato i tubova në një vend. Tani pas pak ore e tërë banesa ishte a pastër, edhe pse në të të gjitha orendit ishin të vjetra. Pasi isha rraskapitur nga lodhja, rashë dhe fjeta. Kur u zgjova në mëngjes, Beni ishte ulur afër meje, dhe më shikonte. Ma fali një puthje. U ngrita, u rregullova, dhe i përgatita dy kafe. Pasi i pimë kafet e pyeta Benin, se çka dëshironte të hante për mëngjes, ndërsa ai mu përgjigj, se do të hamë në qytet.

Shkuam në një restaurant, dhe porositëm ushqim të lehtë. Për tërë kohën sa hëngrëm mëngjes, dhe u shëtitëm aty në një park, biseduam mjaft. I tregova për të gjitha vuajtjet që kisha përjetuar por, tani po filloja t’i harroja. Tani ishim bërë bashkë. Gjatë kësaj kohe, e pyeta se të kujt ishin ato rroba, dhe ato masa mbrojtëse kundër shtatzanisë, ndërsa Beni, me një buzëqeshje të lehtë, më tha:

- Ia kam lëshuar disa herë banesën shokëve, që ta kalonin natën apo edhe disa orë,  me vajzat e tyre.

Ah, e shkreta unë, sa shpejt besoja dhe nuk dyshoja fare në të. Kështu kaloj një kohë, dhe ne kalonim shumë mirë me njëri – tjetrin. Beni punonte, unë bëja punët e shtëpisë.

Pas një kohe kuptova se kisha mbetur shtatzënë. U gëzova pa masë, ndërsa Beni më detyroi që të abortoja, me arsye se ende ishte herët për fëmijë, dhe se ende nuk i kishim kushtet. Gëzimi im që do të bëhesha nënë u shëndërrua në lot.

Një ditë, Beni më tha, se në mbrëmje do të vinin disa shokë të tij. Ishte nata më e keqe që kalova prej atij momenti që erdha te ai. Beni dhe shokët e tij, sollën shumë pije alkoolike, shtruan meze, hanin dhe pinin, e unë vazhdimisht iu shërbeja, dhe isha e detyruar tu qëndroja në këmbë tërë natën. Dy shokët e Benit, kishin marrë edhe vajzat e veta, dhe në praninë tonë putheshin dhe bënin gjëra të pamoralshme. E tëra kjo për mua ishte një tmerr. Shumherë thoja, ah sikur të ishte ëndërr, por fatkeqësisht kjo ishte e vërtetë.

Pas një kohe gjërat ndryshuan, Beni nuk ishte ai të cilin unë e njihja. Dilte edhe pa ndonjë nevojë. Nuk kthehej me orë të tëra. Dashuria e tij ndaja meje filloi të zbehej. Tani më tepër, unë aty isha vetëm një shërbëtore. Shumë rallë, ma linte telefonin që të flisja me familjen time. Sa shumë mërzitesha. Tani në rrobat e tij gjeja shumë gjëra të cilat ju takonin femrave, e shumherë, edhe i vinte era parfum të femrave.

Përsëri organizuan ndejë në banesën tonë. U tubuan shokë të Benit, me vajzat e tyre. Ajo çka ishte më e keqja, kur e pashë edhe vajzën e Benit, gati u çmenda .Banesa jonë gjasonte në një shtëpi publike. Mua më detyronte Beni që të rrija në këmbë, pas derës, dhe t’ju shërbeja për çdo gjë që ata kishin nevojë. E kuptova se mes nesh më nuk kishte asgjë, dhe tërë këto vite më kishin kaluar kotë. Në rastin e parë që mu dha të isha vetëm me Benin, i thashë se doja të shkoja në Kosovë. Ndërsa Beni ma ktheu duke më thënë:

- A mos tu ka mërzitur, apo nuk po të pëlqen Gjermania ?!

Unë vetëm qaja dhe nuk doja të flisja asgjë më tepër me të. Çdo orë për mua ishte shekull.

Pas dy dite, Beni më tha se ma kishte rezervuar biletën. Ma dha telefonin që të flisja me familjen time, dhe t’iu thosha që të dilnin të më prisnin ne aeroportin e Prishtinës. Në orët e pas ditës e kisha fluturimin. I bëra shpejt e shpejt gati rrobat e mia, dhe u nisëm. Beni më përcolli deri në aeroportin e Shtuttgardit, dhe m’i dha pesëqind euro. Më tha se do të më duheshin në Kosovë. Njëkohësisht më pyeti se sa do të rrija, pasi që biletën ma kishte rezervuar kthyese. Unë ia ktheva se nuk e di, do të shikoja sa do t’më pëlqente.

Pas dy ore e njëzet minuta, arrita në Prishtinë. Babai dhe nëna më prisnin, e hodha çantën në tokë dhe u përqafova me të dytë. Më dukej se linda për herën e dytë.

Gjatë rrugës për në shtëpi, prindërit më pyetën për shumëçka, sepse në fytyrë më shihnin se nuk isha e lumtur. Unë ju thashë se për të gjitha do të bisedojmë në shtëpi. Kur shkuam në shtëpi, hyra në dhomën time dhe për afër gjysmë ore qëndrova e shtrirë në krevatin tim. Mundohesha ta ndjeja atë kënaqësi, atë qetësi, që e kisha dikur. U çmalla me shtëpinë time.

Pasi darkuam, prindërve të mi ua tregova tërë ato vuajtje që kisha përjetuar në Gjermani. Prindërit vetëm sa nuk u çmendën. Nëna vazhdimisht qante. Atë natë pothuajse fare nuk shtimë gjumë në sy. Babai dëshironte të hakmirrej. Donte të ngre padi në gjykatë, në një formë të hakmirrej ndaj tij, mirëpo unë ju luta shumë, nuk dëshiroja të përfitoja asgjë nga ai tradhëtarë, nga ai person i ndyrë. Më vonë babai ua dërgoi një njeri në shtëpi, për të ju thënë se çdo gjë mes nesh kishte marrë fund...”.

 

Kush e vrau Besimin

 

Para luftës u martova me Feratin. Atë ditë u bë dasëm e madhe, që nuk mbahej mend në fshat. Taman një dasëm shqiptare. Shumë e doja Feratin, ishim një qift shumë i lumtur.

Në shtëpi jetonim me vjehrrën dhe vëllaun e Feratit, pra me Besimin. Ishte një djalë i mirë, i sjellshëm, fisnik. Punonte arsimtar në shkollën e fshatit, ndërsa Ferati punonte në një fabrikë të qytetit. Shtëpia ishte e vogël, por e bukur. Tokë kishim shumë. Çdo herë e punonin Ferati me Besimin dhe na bënte mjaft bereqet. Vjehrra ishte në moshë të shtyrë. Mua më donte shumë, çdo herë më thërriste bija ime. Unë e respektoja sikur nënën time. Asgjë nuk e lejoja të punonte, sepse për të gjitha kujdesesha vetë.

Zgjohesha në orën gjashtë të mëngjesit. Më ledhatonin rrezet e para të diellit. Freskohesha duke e thithur ajrin e pastër dhe të freskët të mëngjesit. Përgatisja mëngjesin, i zgjoja të tjerët nga gjumi, të gjithë hanim mëngjes së bashku, dhe më pastaj të gjithë shkonim në punët tona. Ferati e Besimi vinin nga puna të lodhur por mjaft të lumtur.

Deshti zoti, pas një viti na gëzoi me një fëmijë. Linda një djalë të bukur të cilin vjehrra ime e pagëzoi me emrin Veton. Të gjithë u gëzuan shumë, erdhën për të na uruar. Vetonit të vogël i sollën shumë dhurata. Tani me Vetonin të gjithë ishim edhe më të lumtur.

Shpeshherë natën të qajturat e tij më zgjonin nga gjumi, unë ngritesha pa përtesë. Shumë shpejt Vetoni rritej dita – ditës, kur e merrnin të gjithë në dorë për të luajtur me të, e tërë shtëpija gjëmonte nga të qeshurat e tij.

Më në fund edhe Besimi shprehi interesimin e tij për tu martuar. Unë u gëzova shumë. Thashë në vete do ta kem një kunatë në shtëpi, dhe do ta dua si motrën time. Po ashtu edhe vjehrra shprehi gëzimin e saj, thoshte se tani do të bëhet me dy reja në shtëpi. Të gjithë e prisnim me padurim që Besimi një ditë të na sillte lajmin e mirë.

Sikur tërë Kosovën, edhe ne na përcolli fati i njejtë i luftës. Jeta pothuajse e tëra u paralizua. Në fshatin tonë erdhën shumë të ikur nga fshatrat tjera, të cilat ishin të përfshira në luftë. Për fat të mirë ushqim kishim të mjaftueshëm. Si çdo shtëpi edhe ne kishim hapur dyert tona dhe e strehuam një familje, me të cilën u bëmë si të ishim familje e përbashkët. Lufta sa vinte e zgjërohej.

Ferati në një mbrëmje, më tha se kishte vendosur t’ju bashkangjitej radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë nuk e kundërshtova, pasi që Besimi ishte në shtëpi të kujdesej për neve. Të nesërmen Ferati u përshëndet me ne, kapi pushkën në dorë dhe u bë ushtari më i ri i Ushtrisë sonë.

Vetoni tashmë kishte tetëmbëdhjetë muaj, ndërsa unë sërish kisha mbetur shtatzënë.

Situata sa vinte e keqësohej, Policia dhe Ushtria Serbe, në pa mundësi t’ju bënin ballë sulmeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u hakmerrej duke vrarë, e masakruar popullatën e pa mbrojtur Shqiptare. Edhe fshati ynë u përfshi në luftë. Ne e ndienim një pasiguri, derisa një ditë, i ngarkuam disa gjëra me vlerë, ushqimin që e kishim në shtëpi, dhe u nisëm me traktorë bashkë me familjen që e kishim strehuar. Shkuam në mal, sepse atje ishte shpresa jonë e fundit për ti shpëtuar më të keqës. Atje kishte edhe shumë njerëz tjerë. E ngritëm një tendë dhe u vendosëm në të. Në atë vend hanim e pinim, flenim, pastroheshim. Shumë larg nga ne gjendej një pusë uji. Na duhej të kalonim rrugë të gjatë për të marrë ujë për nevojat tona. Kushtet ishin shumë të vështira, nën tendë kishte lagështi, binte shi, edhe pse në këtë mal ishim sado pak të sigurtë prapë në zemrat tona mbizotronte frika.

Gjatë kohës sa qëndruam në mal, Ferati na vizitoi tri herë. Ushqimi nuk na mungonte pasi që i kishim marrë të gjitha rezervat që kishim në shtëpi. Nga mali shihej shumë pastër fshati, i cili vazhdimisht granatohej, shtëpijat digjeshin.

Një ditë hynë forcat këmbësorike të armikut në fshatin tonë, pasi i plaçkitën shtëpitë, ua vunë flakën edhe atyre shtëpive të pakta që kishin mbetur në këmbë. Neve në mal të gjithëve na kapi frika, dhe vetëm prisnim kur forcat armike t’ia mësyejn edhe malit. Ishim gati të gjithë për të ikur kah të mundemi, mirëpo për fat kjo nuk ndodhi. Atë ditë e kaluam disi. Vjehrra ime ankohej pas që ishte ftohur dhe kollitej.

Në orët e para të natës, mua më kishte ardhë koha që të lindja. Ishte shumë vështirë të lindja pa përkujdesje mjekësore, mirëpo për fat të mirë erdhën disa gra. Me ndihmën e zotit e atyre grave unë pas disa orëve e linda një vajzë shumë të bukur. Të gjithë u gëzuan. Të gjithë më propozonin për ta pagëzuar vajzën, por unë vendosa që të mos e pagëzoj, për derisa të takohem me Feratin. Tri ditë pas lindjes së vajzës Ferati erdhi, u befasua kur e pa vajzën e vogël, më pyeti për të gjitha, si kisha kaluar gjatë lindjes, a kisha pasur ndonjë problem, gjithashtu se mos e kishim pagëzuar. I thashë se e kisha pritur atë që së bashku të konsultohemi. Ferati menjëherë tha:

- Fitore, do ta quajmë, Fitore e Kosovës.

Ashtu edhe u bë. Ditët kalonin Fitorja rritej.

Lufta mbaroi. Sikur të gjithë të tjerët, edhe ne u kthyem në shtëpinë tonë, e cila ishte bërë rrafsh me tokë. Së bashku me ne, Besimi e solli një vajzë për të cilën nuk na kishte folur kurrë. Në shikim të parë vërehej se ishte shtatzënë, dhe kjo të bënte të kuptosh se lidhja e tyre funksiononte që një kohë të gjatë. Vjehrrës iu plotësua ajo ëndërra e madhe që kishte dikur, për tu bërë me dy reja. Nusja quhej Shqipe, ishte një vajzë e bukur, me trup të gjatë, dhe përshtatej me Besimin.

I adoptuam dy dhoma të vogla në oborr, të cilat para luftës i shfrytëzonim për t’i lënë disa gjëra jo edhe aq të rëndësishme, e tani jetonim në to. Me kalimin e disa ditëve Ferati u kthye i gëzuar në shtëpin e tij, ndërsa Besimi e zuri një shtëpi të një sërbi në qytet, e cila poshtë kishte edhe një lokal.

Në orët e hershme të një mëngjesi, Ferati doli për ta pastruar një arë aty afër shtëpisë. Unë i bëja disa punë, ndërsa vjehrra dhe fëmijët ishin ende në gjumë. Pas pothuajse dyzet minutave, u dëgjua një krismë e madhe. Unë menjëherë me vrap arrita deri te Ferati, i cili ishte i shtrirë dhe i mbuluar me gjak. Për rreth tij nuk shihej asgjë përveq tym. Shpejt aty e lajmrova një të afërm tonin, dhe me veturën e tij e dërguam në spitalin e qytetit, ku pas kontrollit të parë që i bënë, mjeku na informoi se tashmë Ferati kishte mbetur i pa lëvizshëm.

Ky lajm na tronditi të gjithëve. Të gjitha punët ran mbi supet e mia. Tani vjehrra ishte tejet në moshë të shtyrë. Më duhej të kujdesesha për të ashtu sikur për fëmijët e vegjël, e tani në atë mënyrë kujdesem edhe për Feratin, i cili ka mbetur në karrocë.

Sado pak na ndihmonte Besimi, i cili vazhdoj punën e tij si arsimtar po tani në një shkollë të qytetit, po fitonte bukur edhe nga qiraja e lokalit që e kishte në shtëpi.

Një gëzim në familjen tonë na e solli Shqipja, gruaja e Besimit, e cila lindi një djalë të bukur, të cilin e pagëzuan Muhamet, ku e ripërtrinë emrin e gjyshit të tij, pra të vjehrrit tim.

Besimi kishte probleme me disa njerëz, të cilët e kishin blerë nga sërbi shtëpinë në të cilën jetonte Besimi, ndërsa Besimi nuk ua lëshonte shtëpinë atyre.

Shtëpinë tonë, arritëm ta rindërtojmë falë një organizate ndërkombëtare dhe të afërmve tanë. Shtëpija nuk ishte sikur ajo të cilën e kishim dikur, mirëpo arritëm ta sigurojmë një kulm mbi kokë.

Një ditë ndodhi më e keqja. Ishte në mesditë, ku një i afërm i yni erdhi dhe na informoj për vdekjen e Besimit. Ne sa nuk u çmendëm nga ky lajm. Mënjëherë shkuam në shtëpinë e Besimit. Shqipja nuk mund të qetësohej. Vetëm qante.

Ne të gjithë u organizuam dhe me kohën e drekës e bëmë varrimin e trupit të pajetë të Besimit. Dhjetë ditë e mbajtëm të pamën në fshatë, ku shumë njerëz erdhën dhe e ndanë dhimbjen me ne, të gjithë na ndihmuan në të gjitha mënyrat.

Askush nuk arriti ta zbulonte se kush e vrau Besimin, mirëpo ne dyshonim se ishin ata të cilët e kishin blerë shtëpinë nga sërbi, edhe pse ne shkuam disa herë për të shikuar se mos dikush po banonte në të, ajo shtëpi sot e asaj dite është e pa banuar.

Tani jemi në gjendje tejet të vështirë ekonomike. Po vuajmë për kafshatën e gojës. Shqipja e ve pa burrë, Muhameti jetim, Ferati i palëvizshëm. Dikur na ndihmonin shokët e Feratit, organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore, por tani kemi mbetur në harresë, në mëshirën e kohës.

 

Shënime për autorin:

 

Avdullah Shaban Bunjaku u lind më 06.09.1982 në Vushtrri. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Që nga bankat e shkollës fillore shprehu interesimin e tij për të qenë krijues në fushën e letërsisë dhe artit. Nga viti 2001 udhëheqë me Teatrin “ARS”, ku gjër më sot ka shkruar shumë skenare të zhanreve dramë e komedi të cilat i ka realizuar edhe në skenë, duke e luajtur rolin e aktorit, skenaristit dhe regjisorit. Vlen të përmenden dramat “ Vonesa e shqiptarëve po lahet me gjak”, “Nata e vorrit”, “Lypësi Memec”, ”Mungesat në Shkollë”, ndërsa në zhanrin e komedisë “Kush jam unë?”, “Cool caffe”. Edhe sot është mjaft aktiv në shoqërinë civile duke udhëhequr me organizatën  “Ars Qendra”.

''Sikur të ishte ëndërr'' është libri i tij i parë.

(Çmimi 2 euro, ndersa ime është Rr. “Jashar Jashari” Nr 10 Vushtrri Nr. i tel 044/ 384 –108)  e-mail: abunj@hotmail.com, arsqendra@hotmail.com



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx