E hene, 29.04.2024, 07:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Lis Bukuroca: Mashtruesi i rangut

E enjte, 10.02.2011, 08:59 PM


Mashtruesi i rangut

 

Sprovë

 

Nga Lis Bukuroca

 

Zakonisht gjuhëve u mungojnë nocione për ndonjë dukuri, ndjesi abstrakte apo për një gjësend, që nuk e posedojnë. Shumë gjuhëve u mungon termi semantik i barasvlershëm me substantivin “besë”, prandaj zakonisht përkthehet me togfjalëshin “fjalë nderi”. Gjuhës shqipe i mungon një term i barasvlershme me fjalën e gjermanishtes: “Hochstapler”, (shqiptimi fonetik: ['ho:h?ta:pl?]). Në fjalorin gjermanisht-shqip të A. Klosit, përkthehet me mashtrues karriere, kurse substantivi “Hochstapelei” me mashtrim rangu, pra me togfjalësh.  Në gjuhën shqipe kemi fjalën batakçi por semantikisht nuk mbulon kuptimin e fjalës gjermane.  “FGJSSH” “batakçi” e shpjegon në këtë mënyrë: “Ai që mashtron për të nxjerrë një përfitim për vete, ai që përpiqet t'ia hedhë tjetrit me rrugë të pandershme; njeri i pandershëm, të cilit nuk mund t'i zihet besë. Batakçi i regjur (me vulë).”

 

Batakçiu sipas përshkrimit na del një mashtrues i nivelit të ulët. Ai mund të mashtrojë një apo disa veta, por jo një shoqëri të tërë, sepse është mashtrues i nivelit të ulët, gjendet në bazë, nuk synon  majën. “ Hochstapler” ka kuptimin e mashtruesit në nivelin e lartë. Si në shoqëri elitare apo dikur aristokratike. Një njeri që shtiret, simulon dhe gënjen për të mashtruar, për përfitime personale apo karriere. Te ne kjo fjalë sigurisht nuk është krijuar, sepse nuk është ndjerë nevoja për një përshkrim të tillë. Kanë munguar shtresat shoqërore, si ajo aristokratike, rrjedhimisht ka munguar edhe mashtruesi i këtij niveli, mashtruesi profesional, mashtruesi maniak. Sot e kemi. Për fat të keq duhet krijuar një fjalë të re apo duhet huazuar hohshtaplerin.

 

Maçoku me çizme

 

Ju kujtohet përralla e vëllezërve Grim? Djali i mullisit duke u shtirë dhe duke paraqitur veten si bir i një konti, natyrisht me ndihmën e maçokut me çizme, arrin të martohet me princeshën dhe të trashëgojë fronin mbretëror. Ai gënjeu. Ai fsheh të kaluarën e tij, për të trashëguar mbretërinë dhe uzurpuar atë. Me ndihmën e maçokut me çizme bëhet trashëgues  i mbretërisë.  Në rastin tonë maçoku me çizme është anëtarësia e PD-së, që krenohet me një despot komunist, që fshehë  të kaluarën e tij dhe mohon bindjet e dikurshme. Mbreti ishte naiv, naive është edhe anëtarësia e PD-së. Dallimi mirëpo është në substancë: mbreti nuk dinte gjë për mashtruesin e varfër, i beson asaj që  tregon maçoku dhe djali i mullisit. Anëtarësia e Partisë Demokratike dinë se drejtohet nga një komunist despot, si askund në planetin Tokë, por nuk reagon !

 

400.000 € për banorët e një fshati serb në Kosovë

 

Ai vuan për të kaluarën e tij dhe nga mungesa e guximit për t’ u bërë disident kur duhej, bëhet disident kur nuk duhet, pas rënies së komunizmit dhe përdor mu atë leksik, që do ta kishte përdorur kundër komunizmit, sikur të mos kishte pasur atëherë frikë. Natyrisht sikur të kishte pasur guxim, siç ka sot.  Megjithëkëtë, ai nuk ka pasur nevojë kurrë të tutet, sepse me familjen e diktatorit ishte i miqësuar dhe këtë e dëshmojnë edhe fotografitë. Hanin e pinin së bashku. Meqenëse ishte komunist shembullor, diktatori e shpërbleu dhe e  dërgoi në Paris për specializim. Ai luan rolin e disidentit, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë. Me një qëllim: për ta impresionuar maçokun me çizme dhe për të mos humbur përkrahjen e tij. Ai në fakt urren disidentët e vërtetë, sepse asnjë nuk e ka në pozitë të lartë në partinë e tij, sepse ata janë konkurrent me peshë dhe vepër, jo me fjalë dhe mendjemadhësi. Ja, kjo është arsyeja pse ai në vend se t’ i dëmshpërblejë ish të burgosurit politik dhe t’ u ndihmojë, ai merr 400.000 euro nga tatimpaguesi shqiptar, aty paguajnë edhe të burgosurit e djeshëm dhe, ua falë serbeve të një fshati në Kosovës. Pse? Sepse ai dëshiron të fitojë simpati në Serbi. Si Zogu. Ai dëshiron të fitojë përkrahje në Itali dhe t’i marrë hedhurinat e Berluskonit dhe ai dëshiron të fitojë përkrahje në Greqi dhe, t’ i falë detin! Madje,  nuk skuqet. E pse të fitojë simpati jashtë e jo brenda? Sepse ai është i bindur se populli shqiptar nuk kupton, është i padijshëm dhe se mund t’ i vrasë nëse e rrezikojnë apo tua mbyllë gojën me kërcënime e shantazh.  Edhe atë, pa pasoja. Simpatia te shtetet fqinje, sipas tij,  garanton karrierën. Zgjedhjet mund të organizohen dhjetëra herë, ai do të fitojë gjithmonë, sepse ai është i bindur se populli shqiptar nuk dinë të votojë drejtë dhe ai duhet t’ i vjedhë ato, edhe atë, të vjedhë për të mirën e popullit.

 

Pseudologu

 

Rasti i maçokut me çizme dhe biri i mullisit na tregojnë se Saliu nuk është vetëm gënjeshtar kronik- dikur quhej në psikologji pseudolog, kurse sot më dendur përdoret gënjeshtar patologjik-, por ai është mashtrues i nivelit të lartë dhe pikërisht për këto hile dhe dredhi na mungon fjala shqipe, edhe pse protagonistin e kemi gjallë, me shëndet dhe shumë aktiv dhe shumë trazovaç. Pse nuk është vetëm gënjeshtar? Sepse atij rrena i shërben për qëllime karriere, për mashtrime, për dominimin e kundërshtarëve, që nuk mendojnë si ai apo që kanë si ideal shtetin ligjor dhe luftojnë realitetin despotik, lindor.

 

Tartufi dhe perandori romak Mark Aureli

 

Ju kujtohet Tartufi i Molerit? Ai futet në shtëpinë e një të pasuri, Orgonit dhe gati ia merr bijën dhe pasurinë. Të gjithë vuajnë nga prania e tij, mirëpo askush nuk mund t’ ia ndryshojë mendjen Orgonit. Elmira përpiqet ta pengojë martesën e tyre dhe në fund kupton se Tartufi në fakt nuk dashuronte Marianën, por dashuronte vetëm vetveten. Saliu nuk e donë më Shqipërinë, por karrigen. Dashuria ndaj atdheut tregohet edhe duke u larguar nga skena, kur shihet se je duke dëmtuar jetën e popullit dhe ekonominë e tij.  Ai kërcen si Putini prej karrige në karrige. Ndoshta pret një premtim si Jelcini nga Putini. Kjo pyetje duhet t’ i bëhet shumë privatisht. Tartufi mendjelehtë në fund burgoset pa realizuar synimet e veta. Si do të përfundojë Saliu, akoma nuk dihet, por sidoqoftë, nuk do ta ketë një largim fisnik e me nder. Për një largim të tillë, punon ditën dhe natën. Ky polarizim dhe kjo armiqësi na përkujton rastin e Mark Aurelit dhe vëllai të tij Geta, që në vitin 290 pas Krishti duhej ta qeverisnin së bashku Perandorinë Romake. Meqenëse smironin e urrenin njëri tjetrin, ata vendosën ta ndajnë Perandorinë në dy pjesë: Mark Aureli do të sundonte Europën dhe Afrikën veriore, kurse Geta  provincat në Azinë e Vogël. Këtë plan e rrëzoi nëna e tyre Julia Domna duke u shtruar këtë pyetje: “ A do të më ndani edhe mua? Pasi prishet plani, Mark Aureli vret ose urdhëron vrasjen e vëllait. Edhe Nëna Shqipëri duhet ta ngre zërin, për të evituar ndarjen shpirtërore,  për të evituar vdekjen! Fjalët e fundit të Getas, që vdiq në prehër të nënës ishin: “ Nënë që më ke bartur në zemër, oh nënë që me ke lindur, më ndihmo. Më vranë!” Edhe shqiptari po klithë: Shqipëri, Shqipëri o Nëna ime, po na vrasin, po na vrasin edhe në demokraci!

 

Günter Guillaume?

 

Ju kujtohet Günter Guillaume? Ai ishte një mashtrues i nivelit të lartë, që në vitin 1974 shkaktoi rrëzimin e kancelarit Willy Brandt. Guillaume ishte spiun i R. Demokratike Gjermane, por arriti t’i afrohet aq shumë kancelarit gjerman, sa të bëhet njëri ndër bashkëpunëtorët e tij të ngushtë.

 

Oto Vite mbret i Shqipërisë

 

Ju kujtohet romani  “König von Albanien” i gazetarit dhe shkrimtarit gjerman Andreas Izquierdo. Aty flitet për një mashtrues të nivelit të lartë. Disa njoftime nga recensioni i librit: Oto Vite nga Dortmundi dëgjon në Konstantinopël se froni shqiptar është bosh dhe vendos të bëhet mbret i Shqipërisë. Ai gjithashtu kupton se i përngjante nipit të sulltanit, Halim Edine, që llogaritej si pretendues i fronit tonë. Shkon në Vjen, porosit një kostum gjenerali të ushtrisë turke dhe dërgon dy telegrame në Shqipëri për të paralajmëruar ardhjen. Në vitin 1912 shoumeni, endacaku nga Dortmundi, që nuk din as shkrim, as lexim, që fitonte bukën e gojës me cirk dhe mashtrime me qerren e tij “Kështjella në rrota”, merr komandën mbi dy garnizone turke. Ai prezantohet si princ Edine, kurse miku i tij Maks, si sekretar . Dy ditë më vonë i ofrohet kurora mbretërore e Shqipërisë. Populli shqiptar e nderon atë dhe i jep një pallat dhe një harem. Ai u premton shqiptarëve mirëqenie dhe pasuri. (Si Saliu dhe nga mirëqenia kanë braktisur vendin gati një milion shqiptarë, në mesin e tyre mijëra intelektual).Pesë ditë më vonë merret vesh mashtrimi. Oto ikën dhe merr me vete arin dhe stolitë mbretërore. Doganierët austriak e ndalin në kufi. Kur u thotë atyre se ai është mbret i Shqipërisë, ata e dërgojnë në spitalin psikiatrik. Mjeku Shilheger dëgjon rrëfimin e tij dhe i premton se do ta shkruaj këtë dhe lëshon Oton si të shëruar. Ky është “Hochstapler”, mashtrues i rangut në romanin e Andreas Izquierdo me titull, “Mbreti i Shqipërisë”.  (Ai vdiq në vitin 1958 në Hamburg dhe në varrin e tij shkruan: 1872-1958, Witte Otto "Mbret i Shqipërisë")

 

Anëtarësia e PD-së  din se Saliu nuk është demokrat, por nuk e dërgon në psikiatri! Shqiptarët e vitit 1912 në roman u mashtruan nga një mashtrues karriere, po pse mund të mashtrohen shqiptarët e vitit 2011në realitet? Këtë duhet ta shpjegojnë psikologët dhe sociologët shqiptarë. Kjo është detyrë e tyre. U zhdukën si shurra e pulës miliona Euro nga “Autostrada e Kombit”. Me këto lekë ka mundur të dëmshpërblejë mijëra të burgosur politik. Por, siç dimë, Tartufi dëshironte pasuri për vete, jo për të mjerët. Edhe Oto mori me vete stolitë dhe arin. Edhe në Afrikën veriore despotët po ikin apo përgatiten të ikin me ar dhe stoli.

Në situata të vështira gënjeshtra nuk është e pamoralshme. Fshehja e hebrenjve në Shqipëri gjatë luftës dhe gënjimi para oficerëve gjerman, shpëtonte jetën e tyre.  Edhe një shqiptar, që mohonte praninë e tij në UÇK, mund t’ i shpëtonte ekzekutimit.

Sipas Ron Hubbard në “Diantetics” gënjeshtarët patologjik posedojnë në tru “fabrikën e rrenave”. Rrena dëshmon për inferioritetin dhe komplekset,  si dhe dëshira e tepruar për t’ u imponuar në një rreth të caktuar apo shoqëri. Madje, sot kemi edhe shkencën e cila merret me studimin e tyre: mentiologjia. Zakonisht gënjeshtrat e paskrupullta përdoren nga politikanët. Edhe atë, me një qëllim: për të mbetur në pushtet. Këtyre mashtruesve karriera u shndërrohet në mani. “Maninë” FGJSSH e shpjegon si :” Gjendje psikike e sëmurë e një njeriu, të cilit i ngulet mendja te diçka pa ndonjë arsye...dëshirë e tepruar dhe e vazhdueshme për të bërë diçka”. Pra, dëshirë e tepruar. Dëshirë e tepruar për të bërë diçka! Dhe po bën.

 

Nikolo Makiaveli

 

Ju kujtohet ati i këtyre politikanëve të pamoralshëm. Para 490 viteve Nikolo Makiaveli u rekomandonte politikanëve në rast nevoje të gënjejnë në mënyrë të paskrupullt, edhe atë vetëm për një arsye: për ta mbajtur dhe ruajtur pushtetin. Ai u mëson nxënësve të tij artin e shtirjes dhe të hipokrizisë dhe u thotë ta zbatojnë në mënyrë rigoroze, qoftë edhe duke ecur mbi kufoma.  Dhe u bërtiti atyre: “ Ai që dëshiron të mashtrojë, gjithmonë gjen një njeri, i cili lejon të mashtrohet. Një pushtetar nuk duhet të ketë cilësi të mira, ai vetëm duhet të shtiret se i posedon ato, para së gjithash, ai duhet të kujdeset që njerëzit të besojnë se ai është i mirë, i butë, besnik, orator, i njerëzishëm dhe se ka frikë Zotin!” Pas britmës, Makiaveli heshti, por tiparet e politikanëve të shthurur janë përshkruar aq qartë në librin e tij “ il principe”, sa sot lehtë kuptojmë zbatimin praktik të tyre në vitin 2011.

Po si ecet mbi kufoma? Në fillim, si parapërgatitje, disa pjesëtarë të popullit shpallen: banditë, puçistë dhe kriminel. Pasi të jenë demonizuar dhe stigmatizuar djallëzisht, pasi të jetë shpallur kompatibël për ekzekutim, atëherë mund të vriten, sepse pikë së pari merret në nishan njeriu që duhet shndërruar në kufomë, e pastaj shtihet. Marrja në shenjë, është parapërgatitja psikologjike që i bëhet popullit, për t’ u mos brengosur dhe alarmuar për disa “banditë” të vrarë. Pyetja ishte si ecet mbi kufoma? Mbi kufoma ecet duke përligjur vrasjen, duke fshehur gjurmët dhe duke paralajmëruar rok-koncert në Tiranë, thua se nuk ishin vrarë katër shqiptarë, thua se nuk janë akoma katër familje në zi dhe tani duhet festuar fitoren. “ Zgjidhni ju këngëtarin, që doni dhe unë do ta sjellë në Shqipëri, mirëpo zgjedhjen duhet ta bëni  ju.”  Demokrati, babadimri, analiza e atij mendim tregon këtë:  “ duhet ta festojmë fitoren time mbi puçistët. Mbi ata puçistë që Ministri Basha tha se kishin ndërmend të organizojnë zgjedhje të lira, dmth. ta rindërtojnë shtetin ligjor. Puçin e bën armata, por nejse, në Shqipëri e bën grushti, sepse gjuha shqipe i ka fajet që e quan grusht shtet!

 

Parashikim: meqenëse për vrasjen e 26 vetave në Gërdec nuk ka asnjë fajtorë, atëherë deri sa të jetë Berisha në pushtet, shteti ligjor do të jetë vetëm hije e shtetit dhe pavarësia e institucioneve do të jetë verbale dhe kaotike. Në dhjetor të vitit 2009 pata shkruar për “Shtetin Privat” në Kosovë dhe Shqipëri, sot po i përjetojmë pasojat. Për vrasjen e katër shqiptarëve fajtorët nuk do të gjenden me Berishën në krye ose nëse gjenden, do të mungojnë provat dhe do të lirohen.  Ose lirohen si të sëmurë. Kryeministri duhet të bëjë çdo gjë për t’ i falënderuar ata, që vranë puçistët imagjinar. Meqenëse ai ofron bashkëpunim në hetime, nëndija e tij tregon në mënyrë eksplicite se provat nuk do të gjenden kurrë. Jo deri sa të jetë ai në krye të vendit dhe kuvendit.

 

Mizogjin dhe femicidi

 

Saliu veç mashtrues dhe manipulues i rangut të lartë është edhe mizogjin (urrejtës i grave) dhe këtë qëndrim e ka shprehur zëshëm dhe e ka vizatuar në një tablo të madhe. Kjo ka ndikuar që femicidi (vrasja e grave) përbuzja ndaj tyre dhe keqtrajtimet, të rriten në Shqipëri viteve të fundit. Mësimet merren nga Kryeministri. Ai ofendon motrën e një deputeti, edhe pse motra e tij nuk ka ndonjë pozitë në hierarkinë shtetërore dhe nuk është me rëndësi për politikën dhe ekonominë e vendit. As nuk është temë shqyrtimi e debati. Ai i shanë nënën tjetrit, edhe pse nëna e tjetrit nuk e rrezikon pozitën tij. Ai ka paragjykime ndaj grave, i urren ato dhe i konsideron të pamoralshme, të gjitha, prandaj ofendon ato edhe pse nuk i sulen karriges së tij. Ai i thotë një deputeti se ka veshur fustan. Pse? Sepse sipas tij ato që bartin fustan janë qenie inferiore, labile dhe e kanë vendin në motele e hotele, ku mund të bëjnë prostitucion, mirëpo burrat që veshin pantallona, vetëm në bazë të gjinisë, janë qenie sipërore, të moralshme dhe fisnike. Ky qëndrim i tij  mund të shpjegohet me Frojdin dhe kompleksin e Edipit, por edhe kjo është detyrë e specialistëve. Në bashkësinë ku ai dëshiron të aderojë, nuk mund të sulmohet dikush pse vesh fustan, edhe nëse është një specie mashkullore, dmth. nga gjinia sipërore sipas rezonimit dhe bindjeve të tija të para dy shekujve.

 

Ai  kupton demokracinë sipas rregullave të kanunit dhe nëse një njeri është kundër tij, atëherë hakmarrja e “demokratit” Sali, do të godasë në familjen e atij, që nuk pajtohet me të dhe meqenëse urren gratë, atëherë nuk shanë kundërshtarin, por nënat ose gratë e tyre. Fisin. Ai len të kuptohet se nuk kontrollon veten, por mund të ndërsehet sa herë që e dëshiron këtë kundërshtari i tij. Sipas psikologut nga Hamburgu V. Novotny, njerëzit që dëshirojnë t’ u imponojnë të tjerëve qëndrimet e veta, përdorin manipulimin për të ruajtur kontrollin mbi ta. Ata shfaqen arrogant dhe kështu përpiqen ta zhvleftësojnë dhe asgjësojnë tjetrin për ta dominuar. Atyre nuk u intereson asgjë tjetër, pos vetja. Ata janë narcist, thotë Novotny. Si Tartufi, them unë.  Tiranët mendojnë se askush nuk din më mirë se ata. Ata janë të bindur se “mundus vult decipi” (bota dëshiron të mashtrohet). Kështu mendonte edhe Makiaveli. Gënjeni dhe mashtroni, se gjithmonë do të gjeni një njerëz, që do t’u besojnë rrenave tuaja, që dëshirojnë të mashtrohen dhe që dëshirojnë të ndjehen viktima. Rrugaçët për herë të parë në historinë shqiptare mund të krenohen se kanë përfaqësuesin e vet në Kuvend dhe në Kryeministri.

 

"Je l'ignore, mais je dois etre a leur tete"

 

Djali i mullisit gënjen për karrierë dhe për ta shtirë në dorë mbretërinë. Atë e ndihmon maçoku me çizme. E tërë anëtarësia e PD është shndërruar në një maçok unik me çizme dhe nuk ka kundërshtime. Tartufi i mjerë përfundon në burg. Saliu ndryshon partinë për t’ u hakmarrë. Kalimin prej partie në parti e përshkruan shkëlqyeshëm një artikull i dy shkurtit në gazetën franceze “Le monde”. Në apelin dramatik dhe emocional për ta shpëtuar Shqipërinë nga Saliu, autori tregon se Saliu mishëron në mënyrë të përkryer politikanin e rrëfyer nga P.J.O’Rourke. Një ditë një njeri paska parë nga ballkoni i tij popullin duke protestuar dhe vendosë ta udhëheq. Kur asistenti i tij pyet, a dinte se ku po shkonin ata njerëz, ai thotë: : "Je l'ignore, mais je dois etre a leur tete". „Nuk e di, por unë duhet të jem në krye të tyre! Dhe ja ku e kemi, në krye, në qafë dhe mbi krye.

 

Populli sipas tij ishte armatosur me armë të sofistikuara, mirëpo u vranë katër veta të armatosur deri në dhëmbë dhe për fat, asnjë polic. Pse Kryeministri sheh skena lindore, kamion me dinamit, çadra si minahedhës, stilolapsa si mitraloz, edhe këtë imazh, edhe këtë perceptim të tij duhet ta shpjegojnë ndonjë psikiatër shqiptar apo ndonjë psikolog që merret me psikologji emocionale.

Djali i mullisit, Guillaume, Oto Vite falë finokërisë, gënjeshtrës, bëjnë karrierë. Saliu falë finokërisë, manipulimit dhe besimit naiv, për 20 vjet mbetet mbret i vetëm i PD-së dhe Makiaveli nda ndihmon të vizatojmë portretin e tij.

Na duhet një fjalë shqipe për “Hochstapler” dhe ky është propozimi: si folje të përdoret:“saloj” që dmth.: i bëj hile dikujt apo një institucioni, mashtroj për karrierë një turmë; premtime të rrejshme për të mbetur në pushtet; shajë nënën dhe motrat nga një institucion shtetëror; gënjeshtra të paskrupullta duke manipuluar dhe shfrytëzuar mirëbesimin e një shtrese të ngritur apo të popullit. “Salisht” të përdoret si ndajfolje, kurse “salik” si mbiemër cilësor: qëllime salike; Ilir Meta ka synime salike; dukuri salike; parime salike; fjalimi salik në Kuvend i Jozefina Topallit! “Hochtapler" të përkthehet thjesht me : “sali”, natyrisht të shkruar me germë të vogël! “Salishmëri” të emërtohet tërësia e rregullave, tipareve, që përdor një mashtrues i rangut të lartë. Shembull: “Kuvendin e pllakosi salishmëria”...

 

09.02.11



(Vota: 16 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora