E hene, 29.04.2024, 12:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjelosh Gjokaj: Si e kam njohur Koliqin e Camajn

E shtune, 12.02.2011, 07:23 PM


Martin Camaj
Martin Camaj
Kur e pyet se përse kaq vonë, sytë i njomen dhe përgjigjja është disi evazive. Kosova, probleme personale, gjetja e hapësirave... Piktori Gjelosh Gjokaj, një shqiptar i Malit të Zi, për herë të parë hap një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Tiranë. Titullohet “Shejzat”, ashtu si revista e Ernest Koliqit që botohej dikur nga shkrimtari Ernest Koliqi, e ku Gjokaj botonte punët e tij në grafikë e pikturë. Në një intervistë, piktori flet për evoluimin e pikturës së tij nga figurative në abstrakte, njohjen me Ernest Koliqin e Martin Camajn. Udhëtimi në jugun e Shqipërisë dhe frymëzimi që e mbushi duke parë blunë e detit.

Për herë të parë në Tiranë, me një ekspozitë personale...

Është ekspozita e parë dhe jam shumë i kënaqur që kam sjellë këtu punët e dhjetë viteve të fundit. Ky është një cikël abstrakt, i cili ka bërë vend në krijimtarinë time, së paku prej 10 vjetësh.

 

Duket se puna juaj është në kërkim të vazhdueshëm, nga piktura figurative kaloni në atë abstrakte. Si ka ndodhur ky proces kalimi?

 

Ky është një interes i ri i imi, që ka lindur prej figurativizmit që karakterizonte punët e mia më parë. Elementët e figurës janë rritur dhe janë kthyer në elementë kryesorë abstraktë. Me qëllim i kam vënë në fillim ca portrete dhe piktura me karakter figurativ, prej nga ka rrjedhur piktura abstrakte. E kamë parë që ndonjëherë figura mund të jetë edhe dekadente dhe për këtë arsye piktura abstrakte dhe harmonizimi i ngjyrave, figurat, mjetet, janë shumë më të përshtatshme për një krijues. Po kështu, është e kapshme për publikun dhe është e përshtatshme për ambientin. Kjo situatë dhe kjo fazë ka ardhur spontanisht në krijimtarinë time.

 

Ekspozita juaj ka një titull krejt të veçantë, “Shejzat”, cila është lidhja juaj me revistën e Koliqit?

 

Kur më pyetën se çfarë titulli mund t’i vija kësaj ekspozite, unë mendova “Një homazh Shqipërisë”, por Parid Teferiçi gjeti diçka më të hershme, “Shejzat”. Një revistë që botohej në Romë nga Ernest Koliqi. Ai shpeshherë ka botuar në revistën e tij grafika e piktura të miat dhe ky titull është krejt i qëlluar: Shenjat sepse këto janë shenja shpirtërore.

 

Si ka qenë komunikimi juaj me Koliqin, po personalitete të tjerë të kulturës shqiptare, a keni njohur?

 

Kur jam larguar nga Prishtina isha profesor dhe të parën ekspozitë në Romë ma ka hapur Ernest Koliqi. Ai për mua ka qenë një erudit, njeri i kulturës dhe i arsimit, shumë i fuqishëm për botën shqiptare. Është e njohur çka ai ka bërë për arsimin në Kosovë, për hapjen e shkollave të para atje. E kam njohur në Romë dhe kam pasur kontakte të vazhdueshme. Një herë më thotë: “Ne jemi njerëz që nuk e duam politikën e komunizmit, por t’i mos u përziej me askënd, as me ata, as me ne. Ruaje pikturën tënde dhe nga ata dhe nga ne”. Gjithashtu kam njohur poetin dhe shkrimtarin Martin Camaj, i cili ka qenë nxënës i Ernest Koliqit dhe ka drejtuar Katedrën e Gjuhës Shqipe, në Universitetin e Mynihut. Edhe ai e donte shumë pikturën time. Dhe sot, në vilën e tij ruhen rreth 25 piktura të miat. Madje, kam realizuar edhe një portret të tijin, të cilin shtëpia botuese “Onufri” e ka botuar bashkë me veprën e Camajt. Kemi qenë shumë miq, shkoja shpesh në shtëpinë e tij. Po kështu kam takuar shkrimtarin e madh Ismail Kadare, i vlerësuar nga e gjithë Europa. Ai është një multitalent.

 

Ju ka frymëzuar ai për ndonjë vepër tuajën?

 

Është interesante, por e para punë që kam realizuar në Romë ka qenë “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, ku tregohen dhjetë koka të ngulura me gozhdë të mëdha dhe busti i një gjenerali. Sot gjendet në Kosovë. Ka qenë e ekspozuar edhe në bienalen e Jugosllavisë. Kritika e vlerësuar së shumti. Ajo është marrë nga Roma, është ekspozuar në Zagreb, pastaj në Prishtinë, është blerë nga Galeria e Arteve dhe është e ekspozuar atje.

 

Keni jetuar gjatë larg vendit tuaj, si i mbani lidhjet me të?

 

Frymëzimin nga vendi i vet, artisti e mban gjithnjë në krah dhe përpiqet t’ia tregojë botës. Kritikët e artit e kanë gjetur gjithnjë atë thelbin fillestar prej trojeve tona, në punët e mia. Frymëzimet janë nga më të ndryshmet, që nga brumi i bukës së pjekur, struktura, ngjyrat, ambientet e katundit, oxhaqet prej nga bie hiri... Janë elementë që më kanë tërhequr dhe gjenden në pikturën time.

 

Ç’do të pasojë këtë cikël?

 

Nuk kam dëshirë të ripërsëris veten. Ky cikël ka marrë fund këtu dhe tani duhet të kërkoj për gjëra të reja. Se çfarë do të vijë, duhet t’ia lë spontanitetit.

Ndoshta edhe kjo vizitë në Shqipëri, do t’ju ofrojë një frymëzim të ri...

Patjetër. Edhe ky është një moment frymëzimi. Dje kam qenë në një vend, atje, në Himarë. Ishte një bukuri e rrallë. Vetëm detin të shihje, 100 ngjyra blu i gjeje aty. Më parë kam qenë deri në Durrës, jo më tej. Isha në Vlorë. Vlora ishte shumë e bukur. Kaluam në Parkun Kombëtar. Aaa, ishte bukuri atje. Duke kaluar andej pamë një pemë, që i thoshin “Pisha Flamur”. Atë do ta pikturoj dhjetë herë.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora