E hene, 29.04.2024, 07:06 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Janaq Pani

E shtune, 12.02.2011, 07:00 PM


Janaq Pani, Toronto

 

 

KAMARE NË ZEMËR

 

Ajo moshë ëndërrimtare

të harruar s'ka që s'ka,

brenda zemrës një kamare

e ka lënë si për bela.

 

Rri de mbyllur si arkivë,

çfarë fsheh? Ky shpirt e di,

ca kujtime stivë-stivë

që na kthejnë në rini.

 

Te një klasë me djem e vasha

të harreshëm e lodërtarë,

erdh' një çast veten e pashë

se me zemrën diç kish ngjarë.

 

S'dija si ta pagëzoja

atë çast si një magji,

veç te njera e kërkoja

ëmbëlsinë e syrit të zi.

 

Unë - mëzi ergjele,

ajo - zanë e drenushë,

sa i ëmbël çasti qe

kur më la ta puth në gushë.

 

Shtjella-shtjella i derdh flokët

si ujvarë përmbi supe,

sa zili ma kishin shokët

synë e zi të asaj çupe...

 

Si një yll që nis të bjerë

ai çast mbeti një ëndërr,

veç të dyve do na lerë

ndarja, kamaren në zemër.

 

  

I RRJEDHUR

 

Sa këpucë do kem grisur

përmbas bukurive bredhur,

unë mustaqe pa dirsur,

ato më quanin të rrjedhur

e shkonin për ku ishin nisur.

 

U kam dhënë dikur të drejtë,

fati im e kish të shkruar

kur një ditë, e bukura vetë

m'erdhi si flutur në duar

e më mbushi gaz e jetë.

 

 

CA VARGJE SI QENGJAT KËRTHI

 

I nisa të puthen me ty

e vendin tim të zënë

ca vargje si qengjat kërthi

lodronjës e çapkënë.

 

Dil priti krah' hapur si di

se kryet për ty lënë

k'to vargje si qengjat kërthi

lodronjës e çapkënë.

 

M'i puth në buzë e sy

harreshëm krahë do vënë

k'to vargje si qengjat kërthi

lodronjës e çapkënë.

 

Provo e merri në gji

do bëhet shpirti këngë

nga vargjet si qengjat kërthi

lodronjës e çapkënë.

 

Të falin aq dashuri

të ngjitin dhe në hënë

k'to vargje si qengjat kërthi

lodronjës e çapkënë.

 

     

NJË FERRË

 

Te shtegu i Pane në fushë

përskuqur si një paparunë,

në udhën e saj, një drenushë

po kthehej e ngrata nga puna.

 

Dhe ish për ta pirë në kupë

e bukur si çika floriri,

sa djali i Pane drejt çupës

lëshoi shigjetat nga syri.

 

Po çupa me sytë mbërdhe

shigjetat thellë i ka ndjerë,

e për bela havale

iu bë për fustani një ferrë.

 

Më tej mendimin ç'ta ngas,

i bëri magji ai Pani,

dhe pesë dekada më pas

s'iu nda ajo ferrë nga fustani.

 

  

CA PËRJETIME

 

Te unë nuk gjej gjë të veçantë

e të veçantë nuk gjen as ti,

në çastin kur ne jemi bashkë

i vjelim qiellit pak lumturi.

 

Me mërmërimën e zërit tim

e me shkëlqimin e syrit tënd

një marramendje gjer n'amëshim

te njeri tjetri ky çast e gdhend.

 

Se dashuria e vërtetë

si shpirt shenjtori zemrat na mbush

e çdo qelizë e mbush me jetë

por për ta parë s'e sheh askush.

 

Si një aromë dashuria

na ndjek pas hapi nëpër mote,

më deh në çast kjo lumturia

e vjen troket te zemra jote.

 

Mundohem fjalën të përzgjedh

e truhem mos të të lëndoj,

ashtu si bleta nektarin mbledh

atë më t'ëmblën për ty qëmtoj.

 

Një plak i mençur më thosh dikur:

" Çdo çupe, bir, çastin e prit

e buzëqeshjen shpalose nur,

te njera do jetë dhe fati yt.

 

Dhe ai çast do jetë flu

e dita merr një tjetër vlerë,

një qiell aq të lartë e blu

ju s'kini parë tjetër herë..."

 

Ca përjetim tani mbas vitesh

sot për të tjerë i nisa flur

të laja borxhin, që nuk më pritesh

të plakut e mençur dikur.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora