Kulturë
"Teodor Keko" për Baxhakun, Andonin dhe Laçon ?
E shtune, 12.02.2011, 07:22 PM
Çmimi që mban emrin e gazetarit, publicistit dhe politikanit të njohur, u nda dje për herë të parë nga Ministria e Kulturës. Çmimet Kombëtare të Gazetarisë Kulturore "Teodor Keko 2010" shkuan për gazetarët Fatos Baxhaku, Ben Andoni dhe Pandi Laço?
Për herë të parë që prej vitit 2008, kur miratoi çmimin "Teodor Keko", Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka ndarë dje Çmimet Kombëtare të Gazetarisë Kulturore për vitin 2010. Çmimi që mban emrin e gazetarit, publicistit dhe politikanit të njohur, u krijua për të nxitur pasqyrimin në shtypin e përditshëm dhe atë periodik të arritjeve dhe problematikës në fushën e kulturës dhe arteve, për një trajtim sa më profesional të fenomeneve kulturore, si edhe për të vlerësuar figurën dhe kontributin e Teodor Kekos. Në sallën "Tefta Tashko", ku Dori ishte i pranishëm përmes vargjeve, por edhe kujtimit të shumë miqve, u nderuan me këtë çmim tre gazetarë.
"Edicioni Çmimet Kombëtare të Gazetarisë Kulturore ‘Teodor Keko 2010’ organizohet për herë të parë dhe fillimet janë të vështira, por është pikërisht profili i krijuesit dhe publicistit Teodor Keko, motivi që i jep vlerë këtij rrugëtimi të saponisur", - u shpreh ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj. Fatos Baxhaku, Ben Andoni dhe Pandi Laço janë vlerësuar me çmimin "Teodor Keko" nga një juri e kryesuar nga Remzi Lani, Artan Fuga, Etleva Domi, Aleksandër Çipa dhe Ermir Nika. Ky çmim i është dhënë gazetarit të mirënjohur Fatos Baxhaku për realizimet cilësore në ciklet televizive të telereportazheve dhe dokumentarëve të transmetuara nga Televizioni Kombëtar "Top Channel", që zbulojnë dhe evidentojnë vlera autentike etno-muzeale dhe kulturore shqiptare. Teksa ka marrë çmimin, Baxhaku është shprehur se ndjehet mirë kur i vlerësohet puna e tij rreth njëzetvjeçare, herë e lodhshme, herë me sakrifica e herë me zhgënjime. Për Baxhakun ky çmim ka një tjetër simbolikë, për vet emrin që mban. "Dori vazhdon të na mbledhë edhe pse pa praninë e tij fizike. Marrëdhëniet e mia kanë qenë të ndërlikuara, sepse e kam pasur koleg, mik e pastaj edhe mësues. Ai më ka mësuar që profesioni ynë është nga më modestët, por modestia është një mësim i mirë. Jemi si milingonat që mbajnë një thes 15- fish më të rëndë se ne. Dori na mësoi të mos merremi me fjalë të mëdha, por të jemi sa më pranë popullit, e po ashtu na mësoi se nuk mund të punohet pa mendje të lirë, por pa cenuar të tjerët", - ka thënë pas marrjes së çmimit, Fatos Baxhaku. Për publicistikën, çmimi i është dhënë Ben Andonit. Motivi: “Për kontributin në lëvrimin e gazetarisë së shkruar kulturore dhe paraqitjen para lexuesit shqiptar të profileve dhe personaliteteve të kulturës kombëtare”. I emocionuar Andoni ia ka dedikuar këtë çmim edhe kolegëve të tjerë. "E vlerësoj këtë iniciativë, që shpresoj të kthehet në një institucion. Ky çmim merr një tjetër vlerë kur mban emrin e Teodor Kekos", - ka thënë Andoni. Çmimi i tretë i ka shkuar Pandi Laços për spektaklin televiziv “100 Këngët e Shekullit”, transmetuar nga Televizioni Kombëtar “Klan”, për evidentim të pasurisë etno-kulturore, muzikale, për cilësinë e lartë të moderimit televiziv dhe vlerat e komunikimit me audiencën. "Unë ndjehem i vlerësuar dyfish, sepse kjo është një nismë për t'u përshëndetur, por edhe sepse mban emrin e Dorit, me të cilin më lidhin shumë kujtime, por edhe origjina", - ka thënë Laço në ceremoninë e çmimeve. Ndërkohë që tre gazetarët vlerësoheshin me këtë çmim, në një videoprojektor në cep të sallës, përmes fotografive, vinin copëza jete të Teodor Kekos.