E enjte, 01.05.2025, 05:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Lamtumirë bërllok

E shtune, 12.02.2011, 08:58 PM


LAMTUMIRË BËRLLOK

(E vërteta në tri fytyra)

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Ngjarja zhvillohet në Shkup. Dhe, në rrugën Kumanovë - Shkup.

 

PERSONAZHET

 

POETI

NUSJA ME DY SHAMIA

DEN RRAPI

MIKJA

GON FYELLI

FANTA DUDI

SHOFERJA E MALIT dhe

TRI XHINDET KËNGËTARE

 

Fytyra e parë: DHOMË E ERRËT

 

Skena:

Dhomë e errët. Një qiri i ndezur mbi tavolinë. Rafti me libra. Portreti i Poetit në mur. Edhe i Lasgush Poradecit… Naim Frashërit… Pranë dritares, një pikturë e Kalit të azreti Aliut, që është kthyer vetëm nga lufta në përqafimin e grave të veshura në të zeza… Dikur, ngadalë errësohet skena. Nëpër terr mezi shihen Tri Hije. U biejnë dajreve dhe këndojnë:

 

TRI XHINDET KËNGËTARE

 

Poeti jem o more pllum,

a po lyp nuse najkun,

a n’Shkup apo n’katun?

E katunit ma mjel lopën,

E Shkupit ma fshin odën;

e katunit këmishë mitan,

e Shkupit fustan e kollan…

 

(Tri Xhindet këngëtare dalin nga skena. Drita dalëngadalë përforcohet në skenë. Poeti i ulur në tavolinën e punës e lëshon televizorin. E ngre shtambën me verë të kuqe).

 

POETI: Lamtumirë, bërrllok!..

NUSJA ME DY SHAMIA: (Hyn në skenë me dy shamia lidhur për brezi.) Edhe sot paske shkalluar?! A të ka thënë dikushi se je i çmendur?

POETI: Po. Ja, posa dolën në lëmë. E hoqën një valle dhe ma kënduan një këngë me dajre…

NUSJ ME DY SHAMIA: E, a të dhanë çotek?

POETI: Jo. Më thanë se do të vijnë përsëri sonte, pasmesnate të më hedhin dorë më dorë mbi çatia…

NUSJA ME DY SHAMIA: O Zot, më ndihmo! E paskan pushtuar krejtë. Natë e ditë e dhunojnë në mesin e librave…

POETI: Edhe më rrahin. Pasmesnate më martojnë e më ndajnë nga Nusja me pashterkë të kuqe…

NUSJA ME DY SHAMIA: Mëshirë, o Zot! Këtheja përsëri në kokë!…

POETI: E kotë. Tashti, kam filluar ta pastroj bërllokun rreth vetes, në Maqedoni.

NUSJA ME DY SHAMIA: E pastaj?!

POETI: Edhe në Shqipëri…

NUSJA ME DY SHAMIA: Vetëm kaq?!

POETI: Jo. ( E ngre përsëri shtambën me verë të kuqe ). Edhe në Kosovë…

NUSJA ME DY SHAMIA: Zoti e bëftë për hajër!…

DEN RRAPI: ( Hyn me çantën në krah.) Mirëdita.

POETI: Mirëdita. Sa kërraba për bar i solle sot në shtëpi?

DEN RRAPI: Pesë. A i ke mjaftë sivjet për mullarët me bar në mes të livadhit?

POETI: Mjaftë. Vetëm, nuk kemi barinj për Kopenë. Gati të gjithë u bënë doktorë të shkencave. Agai i Çelikëve, edhe ai kërkon çoban me fakultet…

DEN RRAPI: Punemadhe. E keni ti dhe mami…

POETI: Shkëlqyeshëm! Vetëm, mos gabo gjithë ato kërraba të mi vësh mua në shpinë, mbi samarë!… Moti kam hequr dorë nga profesioni i çobanit…

DEN RRAPI: Jo, mos u trembë. E kam mamin… Porfesionin tënd e kam të qartë, i mjel vetëm lopët e katundit…

POETI: Edhe të qytetit…

NUSJA ME DY SHAMIA: Dhentë… Lopët, lëre djalin rehat! E di ai punën e vet.

POETI: Po. Vetëm, në fund të vitit shkollor, mos dal unë përsëri fajtor…

GON FYELLI: (Hyn me çantën krahut). Mirëdita, bandë!

POETI: Mirëdita. E ty, a të ra sot të fikët? Mos ndonjëra të dha frymëmarrje artificiale?…

GON FYELLI: Po, Vjollca. Ma shpëtoi jetën…

POETI: Përsëri të ra të fikët?!…

GON FYELLI: Po. Përpak desh vdiqa në breg të Liqenit…

POETI: E pse nuk të dha libri?

GON FYELLI: Nuk e di. Pyete librin! Unë i jap fyellit… E Vjollca mua, kur më bie të fikët…

POETI: Ashtu, ë?!… E, a të bien shpesh të fikët?

GON FYELLI: Po. Dy - tri herë në ditë…

DEN RRAPI: Mjaftë më me ato lopë! Frymëmarrje artificiale… Ndërroje kanalin e televizorit!

GON FYELLI: Jo. E dua këtë film! I ka marrë pesë oskarë…

DEN RRAPI: Ndërroje kanalin! Është një film me “Musli të pastër”…

GON FYELLI: Jo. Do ta shohim filmin “Lopët e babait”… (Në ekran dalin femra gjysëm lakuriqe me sisat për mejdani…)

DEN RRAPI: (Nervozohet). Ndërroje kanalin, kur të them!

GON FYELLI: Thashë, njëherë jo. Unë e babi do ta shohim këtë film…

DEN RRAPI: E unë e dua filmin “Musli të pastër”! (Në ekran vazhdojnë të dalin femra lakuriqe…)

GON FYELLI: Mami, mami!… (E lëmon mjekrën me dorë duke shikuar tinës babain). Babi kësi lopësh i ka mjelë në katund…

NUSJA ME DU SHAMIA: Mbylle gojën, rrugaç! Kështu të mëson mësuesja?! Libri…

GON FYELLI: Po. Mësuesja thotë se lopët  katundit japin më shumë tëmbël se ato të qytetit… E mbushinë kusinë…

NUSJA ME DY SHAMIA: Edhe kos… Po, ty kush do të të mbajë në jetë me tëmbël?

GON FYELLI: Vetë. Mësime nga fyelli do t’i jap Denit… Edhe atë, si vëlla me çmim më të lirë…

NUSJA ME DY SHAMIA: Vetëm kaq?! E kush do t’ju pajtoj me librin?!

GON FYELLI: Babi. Edhe nëna, ata ia kanë parë më së shumti hajrin…

DEN RRAPI: Unë nuk kam çka kërkoj më këtu. Ende jam i sharë me librin… (Del jashtë.)

GON FYELLI: Edhe unë. Mirëupafshim, lopë të babait! Frymëmarrje artificiale duhet dhënë edhe Fitores… (E hap derën dhe del nga skena).

NUSJA ME DY SHAMIA: Tashti, a u kënaqe?! A, je i lumtur?! I nxorre fëmijët në rrugë. Folë, pse hesht?!…

POETI: Hi-hi-hiii… (Qesh.) Shkollën ua jep rruga…. E ne, vetëm bukën…

NUSJA ME DY SHAMIA: ( E nervozuar). Pse qesh?!

POETI: Qesh se, mu kujtua Murgoja. Qeni im i fëmijërisë… Herë pas here ikte nga shtëpia. E kalonte natën nëpër kojshi…

NUSJA ME DY SHAMIA: E çka ka këtu për të qeshur me Murgon?!..

POETI: Ka, si nuk ka. Babai sa herë që ikte Murgoja, mua më dërgonte ta sjellë në shtëpi…

NUSJA ME DY SHAMIA: Dhe, ti e sillje në shtëpi. E lidhje me zingjirë. I hudhje edhe një copë bukë… Punemadhe…

POETI: Po. Vetëm, ai përsëri e këpuste zingjirin. Ikte nga shtëpia. E kalonte natën te kojshitë…

NUSJA ME DY SHAMIA: Punemadhe. Asgjë interesante…

POETI: Jo. E ke gabim. Vonë, e mësova shkakun e ikjes së Murgos…

NUSJA ME DY SHAMIA: E çka ka lidhje kjo me fëmijët tanë?!

POETI: Ka, si nuk ka. Murgoja ikte pas një buçe… E këpuste zingjirin…

NUSJA ME DY SHAMIA: E fëmijët tanë nuk kanë zingjirë…

POETI: Edhe më keq… E kërcejnë gardhin…

NUSJA ME DY SHAMIA: Punemadhe. E kërcejnë gardhin. Ruaju ti mos e kërcesh gardhin! Se, po e kërceve, vështirë e kam edhe njëherë të të kthej në shtëpi…

POETI: Mos u trembë! Unë meditoj. Trurin pesdhjetë përqind e kam vënë në përdorim. I kam vënë vetes detyrë, plotësisht të unjisohem me natyrën…

NUSJA ME DY SHAMIA: O Imzot! Së paku ia ruaj ato pesdhjetë përqind, që i kanë mbetur në kokë!…

POETI: E kotë. Është vonë. Për çdo gjë që kam nevojë, nëpërmes të dikujt mi dërgon Zoti…

NUSJA ME DY SHAMIA: Mëshirë, O Zot! E pamundur…

POETI: Unë jam njeriu i  Zotit… Profet… Melaqe…

NUSJA ME DY SHAMIA: Hi-hi-hiii… (Qesh). Ti Melaqe?! O Zot, shpëtom nga kjo Melaqe!…

POETI: E kotë. Mos iu lut Zotit, po mua! Unë jam i dërguari i Zotit…

NUSJA ME DY SHAMIA: Mos ia fut kot! Bjer në tybeistifa! Ende ke kohë…

POETI: Jo. Unë jam i zgjedhuri i Allahut. E pastroj bërllokun rreth vetes…

NUSJA ME DY SHAMIA: Vetëm rrethe vetes?!

POETI: Edhe nga rruga… Qyteti… Katundi…

NUSJA ME DY SHAMIA: E kush ta ka dhënë fshisën?!

POETI: Mikja.

NUSJA ME DY SHAMIA: Hi-hi-hii… (Qesh me ironi). Mos do të thuash se edhe ajo mediton. E ka vënë në përdorim “trurin”…

POETI: Po, vetëm natën…

NUSJA ME DY SHAMIA: Hi-hi-hii… (Qesh përsëri me ironi). Kur, në ç’kohë?!

POETI: Pasmesnate… E hap dritaren…

NUSJA ME DY SHAMIA: Cilin e pret?!

POETI: Melaqen…

NUSJA ME DY SHAMIA: Hi-hi-hiii…(Edhe më me zë qesh). E pse nga dritarja?!

POETI: Që, t’ia përzë xhindet…

NUSJA ME DY SHAMIA: E ty kush do të t’i përzë, hedhë në lëmë?!

POETI: Nusja me pashterkë të kuqe…

NUSJA ME DY SHAMIA: Nuk e ke frikë?!

POETI: Jo.

NUSJA ME DY SHAMIA: E pse, atëherë ankohesh se të mbyti çotek gjithë natën?…

POETI: Ngase, është e rrezikshme. Natë për natë më dhunon mbi çati…

NUSJA ME DY SHAMIA: Nuk ka faj. E thirr vetë, ia hap dritaren…

POETI: O Imzot, ma nxorri shpirtin! Pak para mëngjesit më la gjysëm të vdekur në mes të librave…

NUSJA ME DY SHAMIA: E pastaj, kush të ringjall?!...

POETI: Tri xhindet me dajre.

NUSJA ME DY SHAMIA: Edhe të këndojnë këngë?

POETI: Po.

NUSJA ME DY SHAMIA: Edhe ti e heq vallen?

POETI: Po. Edhe atë, me shami…

NUSJA ME DY SHAMIA: Në fund edhe të dhunojnë në mesin e librave?

POETI: Po. E ku e di ti?!

NUSJA ME DY SHAMIA: Vetë më ke thënë një natë. Dihet, në kulminacionin e meditimit…

POETI: Mos u tall se, e përdori trurin. Nga kuzhina, të nxjerr në dhomën e fjetjes…

NUSJA ME DY SHAMIA: Nuk të kam frikë. Edhe kësaj radhe bën shaka…

POETI: Mos thuaj dy herë! E vura në përdorim trurin…

NUSJA ME DY SHAMIA: Provoje! Përsëri, bën shaka…

POETI: Shikom në sy! (Ia ngul sytë).

NUSJA ME DY SHAMIA: (E shikon në sy. Dikur, i mbyllë me dorë). Mjaftë më! Mjaftë!… Mjaftë!...

POETI: Vetë e kërkove belanë. Tashti, qëndro deri në fund. E kam me shaka…

NUSJA ME DY SHAMIA: Jo, nuk mundem. I ke sytë e dreqit… (Ngadalë fillon ta heq këmishën)…

POETI: E, pse e heq këmishën?

NUSJA ME DY SHAMIA: Nuk e di. Duart nuk i kam nën kontroll… Edhe trurin… Edhe bereqetin…

POETI: E shpirtin?

NUSJA ME DY SHAMIA: Edhe shpirtin…

POETI: Tashti, shtrihu në mesin e librave!…

NUSJA ME DY SHAMIA: Ja, u shtriva. (Shtrihet).

POETI: E, ku e ke pashterkën e kuqe?!

NUSJA ME DY SHAMIA: Nuk e di.

POETI: Shpejt, çohu! Ngjeshe pashterkën e kuqe!…

NUSJA ME DY SHAMIA: (Çohet). E ku ta gjej mes gjithë këtyre librave?!

POETI: Nën tavolinën e punës. Aty më duket se e hoqe natën e kaluar, kur u çmende në mesin e librave…

NUSJA ME DY SHAMIA: (Kërruset nën tavolinë, ndërsa bythët i dalin na, në hava). E gjeta!...

POETI: (Ia hudhë këmishën mbi kokë. E rrok nga pas dhe ia rras deri në herdhe). Ngjeshe, tashti! Mbështille mirë lyrekun!… E hë… E hëë… E hëëë…

NUSJA ME DY SHAMIA: Oh!… Ooh!… Oooh!… Më fortë!… Më fortë!… U çmenda… Ma nxore shpirtin…

POETI: Qëndro, bëj shaka… Fajin e kanë xhindet… Patjetër duhet të t’i përzë, hedh në lëmë… Matanë gardhit…

NUSJA ME DY SHAMIA: Bjeru sa të mundesh! Oh, ooh, oooh… (Piskat).

POETI: Mos u dorëzo! Edhe pak do të ta vari një hajmali për qafe deri në fund të këmbëve…

NUSJA ME DY SHAMIA: I dua dy! Tri, sa të duash varmi për qafe. Vetëm, m’i përzë xhindet me shkop! U çmenda! (Piskat)…

POETI: Qëndro! Është xhindi i fundit ky, që po ta përzë me një mjekërr të gjatë deri në fund të këmbëve…

NUSJA ME DY SHAMIA: Mos është Baba Shehu?!

POETI: Jo. Baba Shehun e kemi lënë në Katund t’ua përzë xhindet Nuseve shterpa, mbi varrin e Baba Shehut…

NUSJA ME DY SHAMIA: E mua kush do të mi përzë pasmesnate?!…

POETI: Unë… Unë, me shkopin me kërrabë…

NUSJA ME DY SHAMIA: Edhe unë dua të bëj fëmijë! Nuk dua gjithë jetën të mbes shterpë…

POETI: Edhe ti do të pjellish fëmijë. Ndodhë, t’i bësh edhe me gjithë këpucë… Mjekërr… Ndonjërin burrë pushteti…

NUSJA ME DY SHAMIA: Nuk bën shaka?!

POETI: Jo.

NUSJA ME DY SHAMIA: Oh!… Ooh!… Oooh!… U çmenda (Piskat). Edhe më fortë!… Edhe më fortë!… Dua fëmijë! Fëmijë, dua!… Burra pushteti!...

POETI: Jo. Kësaj radhe bëj shaka… (E bën këmbë e krye bashkë).

 

(Errësira bie në skenë.)

 

 

Fytyra e dytë: NJË DHOMË TJETËR

 

Skena:

Një dhomë tjetër.

Rrapi ka ca gjethe. Vjeshtë e vonshme. Rreth e rrotull dy-tri tavolina. Hyn Poeti dhe e lidh Gjokun nën hije. Armën e varë në një degë. Dikur, ulet në tavolinë. Kamarieri vjen dhe ia vë përpara dy shtambat me verë. Pinë. Papritmas në skenë hyjnë Tri xhindet këngëtre dhe këndojnë me dajre:

 

TRI XHINDET KËNGËTARE

 

Bini, o trumbeta, bini

Maleve të Zajazit, te Drini

Nga gjumi na zgjoni

Këngë kaçakësh na këndoni

Që s’i trembë Sulltani, as Krajli

Bini, që të tundet mali!

 

Bini, o trumbeta, bini

Të dridhet Bit - Pazari. Zengjini

Shadërvanit t’i dalë gjumi

Këngën të mos e ndalë lumi!

Që me vite ecën nën atë Urë

Bini sokaqeve nëpër gurë!

 

Bini, o trumbeta, bini

Edhe në vdeksha, prapë më prini

Përmes Shkupit, në Shadërvan

E kam Rrapin që më qan…

 

POETI: (U bie duarve). Edhe një! Edhe një. Edhe një!…

TRI XHINDET KËNGËTARE: Mjaftë e ke një! Mjaftë. Ndodhë, të hash dru. Dru… (Dikur, dalin nga skena).

MIKJA: (Hyn në skenë). Përsëri, ti nën Rrap?!

POETI: Po.

MIKJA: E mua nuk më fton t’i rrokullisim shtamabat me verë?!

POETI: Po, me një kusht. Që, nëse mi ke sjellë edhe dy shtamba të tjera me verë…

MIKJA: Po, ti kam mbushur plot me grykë. (Ulet në tavolinë përballë Poetit).

POETI: E kam ditur se sot do të të takoj nën Rrap. (E ngre shtambën me verë).

MIKJA: E ku e ke ditur?!

POETI: Kohën e fundit e kam vënë në përdorim pesëdhjetë përqind trurin. Kend të dua e takoj në rrugë… Kend të dua e përzë nga tavolina… Rrapi…

MIKJA: Vetëm kaq?!

POETI: Jo. Nëse më duhet makinë, menjëherë më vjen makina përpara këmbëve…

MIKJA: Tjetër?!…

POETI: Edhe lekë nëse më duhen, menjëherë mi dërgon nëpërmes të dikujt Zoti…

MIKJA: E pabesueshme?!

POETI: Ja, kohën e fundit lekët m’i dërgon nëpërmes të Gruas sime besnike…

MIKJA: E pse nëpërmes të Gruas e jo ta zëmë nëpërmes të dikujt tjetër, Mikes?!…

POETI: Ashtu e kemi marrveshjen. Unë më së shumti i besoj Gruas sime…

MIKJA: E shtambat me verë, mbas kujt t’i dërgon nën Rrap?

POETI: Pas Cucës Boheme…

MIKJA: Vetëm, nëpërmes të saj?!…

POETI: Jo. Herë pas here edhe pas Mikes…

MIKJA: E ti e pret nën Rrap Miken me dy shtamba verë?!

POETI: Po.

MIKJA: E nëse nuk vjen nën Rrap?!

POETI: I them të m’i dërgoj pas Cucës Boheme…

MIKJA: E, kush është tashti kjo Cuca Boheme?!…

POETI: Është ajo që më ringjalli në Voskopojë… Edhe njëherë më futi në luftë…

MIKJA: Edhe këtë ta ka dërguar Zoti?!

POETI: Po. Sa herë duhet të të them që i pranoj vetëm dhuratat e Zotit, e jo të njeriut…

MIKJA: Tjetër?

POETI: Zoti më porositë edhe me cilën të rri nën Rrap… Cilin ta përzë nga tavolina…

MIKJA: Edhe Patriotin e Vonuar e ke përzënë nga tavolina?…

POETI: Po. Përditë po vjellë “patriotë” kuqezi… Argatë në Qeveri… “Intelektualë” nga Unioni i viçave… Heronj të “Vëllazrim - bashkimit”…

MIKJA: E kur i beson kaq shumë Zotit, pse nuk shkon në xhami?!... Ose, kishë?!...

POETI: Jam përpjekur disa herë, po kot. Nuk ka për mua vend. Përpara këmbëve të hoxhës dhe priftit luten “patriotët” kuqezi… Rrospitë Meshkuj, që gjithë natën bëjnë mëkate… Vjedhin… Vrasin… E ditën shkojnë në xhami dhe kishë…

MIKJA: Edhe Haxhi Deputeti?!

POETI: Po. Pesë vakte i falë në ditë në mesin e xhematit. E ditën e shesin popullin një krah bar në Qeveri…

MIKJA: E pamundur. Në Partallment zjarr e flakë nxjerrin nga goja… Emisione televizive… Gazeta të varura e të “pavarura”…

POETI: E mundur. E kanë shitur veten një torbë taxhi…

MIKJA: Me kët do të thaush se, edhe i kanë lidhur me kërpesh në grazhd?!…

POETI: Po. Edhe atë, me dy pëllëmbë litar… Që, të mos u ngatërrohen këmbët… Qafa…

MIKJA: E kush i kullotë në livadh? U qetë bar në grazhdin e Qeverisë?… I mjelë… U kërcen në shpinë…

POETI: Qeveria. Edhe atë, vetëm për një krah kashtë… Një torbë taxhi…

MIKJA: Vetëm, aq pak?!…

POETI: Po. Se, e këpusin litarin. E ngrejnë bishtin mbi shpinë nëpër livadhe… U turret pas Zekthi… Qesin shqelma…

MIKJA: E populli, kur do t’u qesë bar? … Taxhi…

POETI: Në pranaverë… Atëherë, kur do të shpërthej dushku… Gjelbërojë mali… Këndojë Qyqja…

 

(Dritat shuhen në skenë.)

 

Fytyra e tretë: PRANVERË

 

Skena:

Pranverë.

Drita që e simbolizon Diellin. Ngadalë e përzen terrin. Në skenë shihet një xhip pa kulm, të cilin e grah Shoferja e Malit. Në ulësen e parë rri ulur Poeti. Në ulësen e fundit: Nusja me dy shamia, Mikja dhe Fanta Dudi.

 

MIKJA: Zoti Poet, shpërtheu dushku…

POETI: Edhe mali

MIKJA: E kush do të na i kullosë dhentë? … Lopët… Viçat e pa lëpi…

POETI: Kasapi…

NUSJA ME DY SHAMIA: Kam të ftohtë te këmbët. Edhe pak më shumë lëshoje nxemjen!…

POETI: Ja, e lëshova. (E lëshon deri në gjysëm).

MIKJA: Pranverë me dhëmbë…

POETI: Me siguri janë plakat…

MIKJA: Jo, ende është herët…

POETI: Nuk dihet. E lëvizin kohën. Tri ditë.. një javë përpara…

MIKJA: Shyqyr Zotit, që i kanë vetëm tri ditë e jo më shumë…

POETI: E unë nuk trembem nga plakat, po nga të rejat…

MIKJA: E di unë. Ti do furtunë… Vetëm ajo ta mbush mendjen, të bënë zap...

NUSJA ME DY SHAMIA: Përsëri kam të ftohtë… Ngriva…

FANTA DUDI: Edhe unë. Dhëmbët më kërcasin sikur thyej arra… Lëshoje ende nxemjen e makinës!…

POETI: Ja, e lëshova deri në fund. (E kthen pas kokën). Hi-hi-hiii… Çka jeni mbështjellur ashtu me peshkirë si haxhica?!...

NUSJA ME DY SHAMIA: Kemi të ftohët… Na ngrinë plakat…

POETI: Hi-hii-hiii… E mua të rejat… Durim!...Unë do t’ju shkri…

MIKJA: E pabesueshme?!… Kemi vendosur të shkojmë në Mekë haxhica…

FANTA DUDI: Pse jo, edhe në xhami… Tyrbe…

POETI: Vetëm, kini kujdes hoxha mos u hipë në minare?!…

MIKJA: Punemadhe. E shohim Mekën… E thirrim Sabahun…

POETI: Mekën, patjetër. Por, edhe pesë vakte ndodhë t’i falni në ditë…

FANTA DUDI: Sa mirë! Edhe atë, para këmbëve të hoxhës.

MIKJA: E unë nga Minarja do të fluturoj në qiell…

POETI: Edhe Hoxha deshi të fluturojë në qiell, po fluturoi kokëteposhtë në tokë…

MIKJA: E pamundur… Na e rrëfe ngjarjen!…

POETI: Vetëm, me një kusht!…

MIKJA: Cilin kusht?!

POETI: Përpara duhet të pajtoheni që të ma plotësoni një dëshirë… E pastaj ua rrëfej ngjarjen…

MIKJA: (Kthehet prapa nga të tjerat. Ata pohojnë me kokë). U pajtuam. Na e rrëfe ngjarjen!…

POETI: Edhe Nusja me dy shamia duhet ta japë besën…

NUSJA ME DY SHAMIA: E dhash…

POETI: Edhe Fanta Dudi..

FANTA DUDI: Edhe unë e dhash…

POETI: Në fund, edhe Shoferja e Malit…

SHOFERJA E MALIT: Edhe unë…

POETI: Mirë. E dini çka?!…

MIKJA: Hajde de, më thauje se, na e nxorre shpirtin!…

POETI: Fanta Dudi të ma japi atë shtambën me verë, që e vodhi në Manifestimin kulturor tradicional:”TAKIME NËN RRAP“…

MIKJA: Fantë, ia jep më atë shtambë me verë!…

NUSJA ME DY SHAMIA: Jepja më, se na plasi nga kurrizi!…

FANTA DUDI: E ku e di ti se unë  kam një shtambë me verë?!

POETI: Jo një, po i ke dy shtamba…Të pash kur i vodhe nga tavolina…

FANTA DUDI: Ja, merre! (E nxjerr njërin gji na, hakaret…)

MIKJA: Tashti, na e rrëfe ngjarjen se si fluturoi Hoxha nga minarja në tokë!…

POETI: Jo, këtë shtambë! Atë tjetrën!…

FANTA DUDI: (E nxjerrë edhe gjirin tjetër për mejdani). Ja, ngreje me fund!…

POETI: Jo. E dua atë tjetrën shtambë!…

FANTA DUDI: (E nervozuar). Po, unë nuk i kam tri shtamba me verë?!…

POETI: I ke, e dua shtambën e tretë me verë!… Dy shtambat e para i shtera para një jave…

FANTA DUDI: (E nxjerrë nga gjiri shtambën e tretë). Ja, merre! Tashti, na e rrëfe ngjarjen se, si fluturoi Hoxha nga minarja!…

POETI: Patjetër. (E ngre shtambën me verë). Bismilahim - rrahmani rrahim… Hoxha natë për natë e vizitonte një vejushë. Një ditë këtë e hetoi djali i vejushës. I tha së ëmës: nënë, do ta vras Hoxhën! Mos, or bir i tha e ëma, do ta gjejë nga Allahu. Djali pritë një ditë, dy, tri javë, një muaj… Po, Hoxhën se gjeti gjë nga Allahu. Një ditë, përderisa Hoxha e thirrte mesditën, ai u përvodh tinës xhematit dhe hipi lartë në minare. Ia ngriti këmbët Hoxhës dhe bythekrye në tokë… E ëma kur dëgjoi për ngjarjen, i tha të birit: a të thash o bir, se Hoxha do ta gjejë nga Allahu. Po, oj nënë. Vetëm se, edhe unë i ndihmova pak Allahut…

MIKJA: Hi-hi-hiii… (Qesh). Me këtë do të thaush se edhe unë mund të flututoj një ditë në tokë?!…

POETI: Jo. Ti do të fluturuosh në shtrat…

FANTA DUDI: Ngrimë!… Lëshoje deri në fund nxemjen!…

POETI: E kam lëshuar deri në fund. Nuk ka më ku shkon më larg, vetëm në Xhehenem…

MIKJA: E pamundur?!.. Fryn ftohtë… Ma jep një shkrepsë!

FANTA DUDI: Ja, merre!

MIKJA: (E ndez shkrepsën dhe e afron të sustat e nxemjes). O Imzot, dikushi e ka lëshuar të ftohtin në mes të Dimrit!?…

POETI: E pamundur?!… (E kërrus kokën). O zot!?… Susta, vërtetë qënka te i ftohti!!!…

MIKJA: E ka lëshuar me qëllim Shoferja e Malit…

SHOFERJA E MALIT: Unë, jo…

FANTA DUDI: E poshtër… Ti e ke lëshuar vetë, na e ke bërë me qëllim…

NUSJA ME DY SHAMIA: E poshtra e botës!... E ka bërë që të na hakmerret…

FANTA DUDI: Pritë, t’ia shkuli flokët!… (I lëshohet me duar).

POETI: (Ia kap dorën). Budallaqe, do të na hedhish në kanal… Edhe për ne, nesër “patriotët” të ngrisin përmendore?!... Pritni, njëherë! Mos u ngutuni!…

MIKJA: Kurva e thiut… Flokët t’ia shkulim!… Flokët… (Edhe ajo i turret).

POETI: Pritni njëherë! (U del përpara). Shpërtheu dushku… Lulëzoi mali…Dolëm në pranverë!… Lamtumirë, bërrllok…

Errësira ngadalë bie në skenë. Ndizen dritat. Njëri pas tjetrit defilojnë heronjtë… Duartrokitje… Fishkëllima…

 

(Fund)

Shkup, 14 shkurt 2002



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx