E shtune, 03.05.2025, 04:24 PM (GMT+1)

Speciale

Sami Islami: Pse shqiptarët i mbrojtën hebrejtë nga nazizmi?

E shtune, 12.02.2011, 08:59 PM


PSE SHQIPTARËT I MBROJTËN HEBREJTË NGA NAZIZMI?

 

Nga Sami ISLAMI

 

Është shkruar mjaft për shpëtimin e hebrejve në Shqipëri e Kosovë gjatë LDB, por edhe para saj. Është shkruar mjaft për sakrificën e shqiptarëve për t’i shpëtuar ata që po iknin nga plumbi nazist. Kjo gjë është e njohur, besoj ,  nga të gjithë.  Po ajo që më shtyri të shkruaj për këtë temë është se , në revistën “Albanica” të muajit gusht-shtator të vitit të kaluar, faqe 112,  lexova shkrimin: Shfaqet në Kongresin  Amerikan filmi dokumentar  “Besa” , nga autori Norman H. Gershman, fotograf  amerikan.  Ai  e kishte titulluar filmin kështu: “ Besa- myslimanët, të cilët i shpëtuan hebrejtë në LDB”(!) Që në fillim të bijnë në sy dy elemente: elementi i parë është “Besa” dhe i dyti,  ”myslimanët ua shpëtuan jetën hebrejve”!

 

Që në fillim mund të themi se filmi që u shfaq në Kongrein Amerikan nuk përkon me realitetin shqiptar ashtu siç ishte, gjë që duket madje edhe nga vetë titulli i filmit. Është e vërtetë që shqiptarët para dhe gjatë LDB qenë ndër  të vetmit  popuj (me sa di unë edhe danezët) që u angazhuan t’i mbronin  hebrejtë gjatë holokaustit. Është e vërtetë, poshtu, se edhe qeveria shqiptare (e  Shqipërisë londineze) ua kishte hapur dyert  t’i ndihmonte ata në mënyra të ndryshme. Po duhet të theksohet se hebrejtë nuk gjetën strehim vetëm në Shqipëri, por edhe  në Kosovë (kryesisht në Prishtinë, por edhe në qytete të tjera të Kosovës). Për këtë çështje ka shkruar edhe studiuesi Shaban Sinani, i cili thotë që, kjo gjë u realizua në sajë të marrëveshjes shqiptaro-izraelite, e cila datonte që nga viti 1930-33, kur ambasadori  amerikan me origjinë hebreje Herman Bernshtajn kishte bërë marrëveshje  me ambasadorin shqiptar në Uashington Faik Konicën, për grumbullimin e hebrejve në Shqipëri. Siç po shihet hebrejtë nuk ia kishin mësy rastësisht tokës shqiptare!

Një faktor pse hebrejtë erdhën në Shqipëri është se Shqipëria nuk ishte shtet i krijuar në baza fetare (edhe pse ekzistonin tri fe). Në Shqipëri dhe në të gjithë trevat shqiptare vepronte Kanuni dhe tradita, po jo feja. Këtë gjë e dëshmon edhe struktura e kreut të Mbretërisë së parë të shqiptarëve. Mbreti Ahmet  Zogu ishte me përkatësi fetare, mysliman, mbretëresha  Xheraldinë ( hungareze) katolike, kryeministri  Kostaq Kotte ishte ortodoks. Edhe pse,  pra,  në Shqipëri predikoheshin tri fe, kjo nuk çonte aspak peshë  kur ishte çështja e Kanunit,  traditës, sidomos çështja e mikpritjes. Në malësi ekziston edhe sot thënia e njohur se  “shtëpia është e zotit dhe e mikut”. Parim ky që  ka funksionuar për mrekulli gjithmonë ndër shqiptarë, pa marrë parasysh përkatësinë fetare. Gjatë LDB hebrejtë ishin informuar se strehimi në Shqipëri do të ishte i sigurt, prandaj Shqipërisë ia kishin mësy shumë sish.

 

Besa ishte akt i lartë moral, që e kishte vetëm shqiptari ( Po them “e kishte”, sepse sot pak ka mbetë nga Besa). Tek popujt e tjerë ky fenomen nuk ekzistonte e as nuk ekziston as sot  fare. Shpesh Besa krahasohet  gabimisht me ‘fjalën e dhënë”, sigurisht  duke mos e njohur Kanunin. Kanuni ishte një ligj  i cili i rregullonte fort mirë marrëdhëniet në mes shqiptarëve. Në kuadër të këtij ligji ishte edhe  Besa. Sipas Kanunit, kur jepet  Besa (pra fjala e dhënë), duhej të përmbushej patjetër! Besën  e “prishte” vetëm vdekja! Sot  shpesh keqpërdoret  kjo fjalë, me  “ta jap fjalën”, ashtu siç e kanë edhe popujt e tjerë që s’kanë lidhje me Kanunin shqiptar dhe traditën shqiptare. Gjeneratat më të hershme e dinë , që nëse dikush ka qenë në gjak, për shumbull, ka qenë i detyruar të qëndrojë  gjithnjë  i ngujuar. Ai ka  mundë të dalë jashtë shtëpisë  vetëm nëse ka qenë i siguruar nga dikush tjetër, nga i cili kishte kërkuar mbrojtje. Gjatë kësaj kohe,  edhe po të ishte takuar me hasmin,  hasmi në asnjë mënyrë nuk ka mundë të hakmerret ndaj tij, sepse ai njeri kishte qenë në  Besë të atij tjetrit.

 

Hebrejtë erdhën në tokat shqiptare në kohën kur,  të themi, Kanuni kishte forcë juridike , më shumë se çdo ligj tjetër i shtetit (Sot Kanuni  thuaja nuk  funksionon, apo funksionon shumë pak edhe atë  sidomos në Shqipërinë Veriore e në Kosovë).  Ata  që e njohin Kanunin e kanë të lehtë  për ta kuptuar se, për shqiptarin, miku (se ai që trokiste në derë dhe kërkonte mbrojtje konsiderohej mik), i cili  ishte  në rrezik, patjetër se do ta kishte mbrojtjen e tij, sikur që e pati hebreu para dhe  gjatë LDB. As  regjimi shtetëror i  Zogut, e as  regjimi pas tij në kohën e luftës,  nuk do të kishin pasë mundësi t’i  mbronin hebrejtë në atë masë,  po të mos ishte tradita e vjetër shqiptare bazuar në Kanun.  

 

 Sipas traditës shqiptari edhe sot e përcjell mikun deri te dera e shtëpisë, deri tek dera e oborrit. Më heret shqiptari e ka percjellë mikun jo vetëm deri tek dera e oborrit, por deri tek kufiri i fshatit të tij, aty ku territori tij kufizohet me territorin e fshatit apo fisit  tjetër. Dhe arsyja  ishte se, sipas  Kanunit, nëse e gjen ndonjë e keqe mikun deri në kufirin ku gravitonte  fshati apo vendbanimi i tij, do të ishte ligësi  dhe fyrje tepër e madhe  për të. Në të njëjtën kohë kjo do t’i binte hije e keqe edhe krejt fisit.

 

 Duke e pasë parasysh Kanunin dhe traditën shqiptare, do të ndalemi pak në artikullin, të cilin e kemi marrë si referencë. Në artikull bëhet fjalë për një vlonjat i quajtur Sezan Hoxha. Ky si trashëgimtar  i Nuro Hoxhës, flet se si babai i tij  i kishte  strehuar  katër familje hebreje. Fort mirë! Sezan Hoxha  më 1990,  kur e kishte  vizituar  muzeun e holokaustit në Izrael, kishte deklaruar :”Si myslimanë të devotshëm ne u dhamë hebrejve mbrojtjen humanitare. Pse ? Sepse kështu urdhëronte  miqësia, humanizmi, Besa”.  Po sikur Prenk Uli, që ishte sekretar i Prefekturës në Prishtinë, dhe i cili i kishte shpëtuar 52 hebrej  të kishin thënë, “si katolik i devotshëm…” , ose  doktori shqiptar Spiro Lito  që intervenoi të mos dërgoheshin 60 hebrej në Poloni, por në Shqipëri të prezentohej “si ortodoks i devotshëm…”, atëherë çfarë do të mbetej nga shqiparizmi? Them asgjë! A kështu duhet të na njohin të huajt, pra edhe hebrejtë, si “mysliman të devotshëm”? Ku është tradita shqiptare? Po kujt  po i çonte ujë në  mulli ky lloj identifikimi? Ky lloj “identifikimi” do t’i çonte ujë në mulli kujtdo tjetër, por shqiptarëve jo!

 

 Ne edhe në fillim e thamë,  se shqiptari kurrë nuk ka marrë për bazë identifikimi  fenë,  po kombin. E vërtetë! Po ja që nganjëherë, kur vërtetë   do të duhej që të identifikoheshim vetë si shqiptarë, nuk e bëjmë këtë ( siç ndodhi me personazhin e filmit)  po e bën dikush tjetër, siç ishte rasti i zonjës Shirley Cloyes  Diougardi, eksperte e çështjeve të Ballkanit, e cila në një nga emisionet e “Zërit të Amerikës”, me të drejtë,  pat deklaruar se “shpëtimi i hebrejve nuk ishte akt fetar, por akt shqiptar ”.

  

Në mbrojtjen e hebrejve  gjatë kësaj kohe ishin angazhuar plot shqiptarë me funksione shteti, si Musfafa Kruja  (kryeministër  shqiptar i asaj kohe), i cili   kishte bërë që shumë hebrej të largoheshin urgjentisht nga Kosova dhe të strehoheshin në Shqipëri. Në këtë kohë edhe  prefektët e Prishtinës,  Riza Drini dhe Hysen Prishtina, por edhe shumë të tjerë, ishin angazhuar me tërë qenien e tyre në këtë mision.

 

 Se shqiptarët ishin gjithmonë të gatshëm t’i ndihmonin njerëzit në rrezik, ishte edhe rasti , kur para LDB, shkencëtari Albert  Ajnshtajni (hebre) ishte paisur me  pasaportë shqiptare. Kjo ka ndodhur  në fillim të viteve ’30-ta, i ndihmuar drejtpërdrejt nga vetë  mbreti  Zog.

Pra, duke i pasë parasysh këtë e shumë fakte të tjera që, për shkak të hapësirës ,  nuk i kemi përmendë këtu,  mund të themi se  filmi  “Besa , myslimanet që i shpëtuan hebrejtë në LDB”  krijon  një imazh  jo të vërtertë për shqiptarët në përgjithësi.

Në fund, ajo që është domosdoshme të thuhet me këtë rast është se,   shqiptarët këtë gjest nuk e bënë për  shpërblim. Ata e bënë për arsye se kishin  në vete vlera të larta njerëzore mbështeur në traditën e tyre kanunore. Nuk mendoj se akti i shpëtimit të hebrejve në tokën shqiptare është i panjohur  edhe tek qeveria izraelite, e cila çuditërisht nuk e njohu,  as  pas tri vjetësh,  pavarësine e Kosovës?

Sido që të jetë shqiptarët në një moment historik e bënë të veten,  e tani topi është në taborrin e qeverisë izraelite dhe mbetet për të parë se çfarë vendimi do të marrë kjo lidhur me njohjen në të ardhmen.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx