E enjte, 31.10.2024, 11:01 PM (GMT)

Përjetësi » Kripa

Letër e hapur Hashim Thaçit, nga një grup intelektualësh vlonjatë

E marte, 28.12.2010, 06:34 PM


LETER E HAPUR  ASHIM  THAÇIT NGA NJË GRUP INTELEKTUALËSH VLONJATË

 

I dashur Kryeministër Ashim Thaçi!

 

Gjejmë rastin t’ju përshëndesim dhe t’ju urojmë nga zemra për rizgjedhjen Tuaj në krye të Qeverisë së Kosovës!

Ne jemi disa intelektualë vlonjatë, që aq sa e kemi për zemër  Kosovën e bekuar, po aq edhe jemi krenarë për të.

Nuk durojmë dot pa ju a thënë, se gjithë këto ditë na kanë revoltuar sa s’thuhet shpifjet e shëmtuara vulgare të z. Dik Marti. Padyshim, Qeveria juaj (ashtu si dhe Qeveria Shqiptare), do t’i japin përgjigjen e merituar, por ne do të dëshironim t’i kundërviheshim zotit Dik  edhe me këto argumente:

 

1.- Shpaloset një koincidencë , në dukje misterioze (që z. Dik do të duhet ta sqarojë), midis një ngjarjeje (të trilluar) para 4000 ditësh dhe shpalljes së akuzës, pikërisht në çastin e rizgjedhjes Tuaj, si Kryeministër. Ç’është kjo: e rastësishme, apo e qëllimshme?

Për t’u përgjigjur bindshëm z. Dik do të duhet të këshillohet me specialistë të matematikës (të teorisë së probabilitetit) dhe kështu ai vetë do të mësojë se afërsisht, me “sigurinë e tri sigmave” (d.m.th. me siguri të plotë matematike) do vërtetojë se kjo koincidencë  nuk mund të jetë e rastit. Kemi besim se asnjë matematikan, qoftë dhe zviceran, nuk do ta njollosë personalitetin e vetë, për të konfirmuar rrenat e z. Dik.

 

2.- Kur, si në këtë rast, bëhet fjalë për shit-blerje organesh, në vetë procesin e shkëmbimit kemi të bëjmë me dy palë: Shitësit dhe blerësit . Po, kush është blerësi? (Shqipëria, jo, se nuk e ka shkallën  e nevojshme për transplant organesh njerëzore). Në këtë rast, z. Dik, që sajon një akuzë kaq monstruoze e kriminale, madje publikisht dhe botërisht, duke shfrytëzuar dhe organizma të rëndësishme evropiane ku aderon, duhet ti përgjigjet qartë pyetjes: Kush është blerësi??!!, duke përcaktuar, të paktën emra shtetesh me teknologjitë përkatëse si, p.sh. Italia, Greqia, Franca, Gjermania, Anglia... Kush? Sqarimi i bërë nga z. Dik me pandehmën totale se këto organe janë tregtuar në tregun e zi, e fut atë në një grackë, ku bie brenda vetë, pa mundësi daljeje.

Së pari, se do të besonin që zoti Dik do  të kishte lidhje, apo do të ishte personi i besuar i  ndonjë organizate mafioze, që, në bashkëpunim me ta, të gatuante këtë shpifje të madhe.

Së dyti, nuk bëhet fjalë në këtë rast për tregti droge, ku zhduket fakti, pas konsumimit prej individëve të degraduar, që fshihen në skuta të errëta...Nuk është fjala as për trafik refugjatësh apo prostitutash, të cilët në vendin e mbërritjes, përpiqen se ku t’i fshihen syrit të policisë... Në këto raste, termi “treg i zi”, ka kuptim dhe lë hapësirë edhe për shpifje...Po, thuhet për trafik organesh trupore?! Këto farë lloj organesh, mendojmë se mafia vetëm nuk mund t’i përdorë. Do duheshin pas saj të kishte  klinika apo spitale me teknologji kirurgjikale speciale moderne, si blerës, apo ndërmjetës fundor. A di gjë për këto z. Dik? Ndryshe do të mendohet se është vetë ai, z. Dik, blerësi dhe ndërmjetësi.

 

3.- Ka edhe një fakt tjetër që duhet vënë në fokus dhe duhet denoncuar me forcë, në radhë të parë para Qeverisë Zvicerane, si dhe për vendet dhe institucionet demokratike të BE e kudo në botë: Del njëfarë “profesor” Oliver Shmid (?!) zviceran, që përmbys gjithë historinë botërore për figurën e Skënderbeut. Skënderbeu nuk na qenka shqiptar, “zbulon” ai. Por, përveç një mali literature që vërteton  përkatësinë e Skënderbeut, mjafton vetëm një pyetje: Po Skënderbeu pse e ka deklaruar personalisht përkatësinë e tij shqiptare, ndërkohë që dihet se ai luftoi 25 vjet  me heroizëm, në krye të shqiptarëve, duke mbrojtur deri Evropën nga pushtimi osman? Zvicerani Shmid thjesht kërkon demitizimin e kësaj figure legjendare dhe fatkeqësisht ndikon edhe te ndonjë shqiptar, që  kënaqet me shpërblimet e përkthimit dhe honorarët e huaj.

A do të lejonte Zvicra të demitizohej gjeniu virtuoz i sajë, Eiler? Po Rusia Kutuzovin; Italia Markonin, Da Vinçin dhe figura të tjera të shquara, deri botërore? Po Franca, qoftë dhe Paster, Gjermania Leibnitz, Anglia Shekspirin? Etj.

Do ti thoshim: Ke shumë punë z. Shmid!!!. Fillove nga Shqipëria, vazhdo, po ta mbajti, me shtetet e mëdha, me që ja more dorën kësaj pune. Me që dhe këto janë kategori shpifjesh, takohu dhe me Z. Dik, se me sa duket tani, terrenin e përshtatshëm dhe ndofta edhe ndihmën e qarqeve të dyshimta, e kini.

Dhe pikërisht kjo puna e bashkëpunimit  dhe kundërveprimit ndaj nesh na shqetëson edhe ne, që pyesim:

A kanë përgjegjësi të tillë njerëz të mbrapshtë? Para Zotit, absolutisht, po. Të fyesh (pa shkak), t’i biesh me qafë të tjerëve, e për më tepër, një kombi të tërë, besojmë se është po aq mëkat, sa ai i Judës ( i cili, të paktën u pendua dhe vrau veten). Po ne besojmë se gjithë forcat përparimtare të botës, vetë populli demokrat i Zvicrës , nuk do rijnë e t’i bëjnë sehir, këta shpifës e mashtrues, besojmë të shitur në qarqe të interesuara tradicionale antishqiptare e pro Serbe, që me veprimet e tyre  i kundërvihen politikave paqësore të Evropës dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës që ndihmuan dhe përkrahën UÇKën për krijimin dhe konsolidimin e Shtetit te Ri të Pavarur të Kosovës.

Ne, letërshkruesit, duke u përpjekur të jemi pranë jush në përkrahje dhe solidarizim të hapur, kemi besim se z. Dik do ta neutralizojnë dhe demaskojnë vetë forcat përparimtare të Zvicrës së shquar për maturi dhe popujt e  të gjithë botës demokratike.

Me këtë rast ne do përsërisnim vargjet e poetit gjerman Henrik Hajne:

“Është i tmerrshëm dyluftimi me një çimkë: Ta lësh - të bezdis, ta shtypësh - i vjen erë”

 

Vëllazërisht dhe me shumë respekt, konsideratë e dashuri:

 

Nexhat Mersini, Luan Çipi, Irfan Bregu, Axhem Gjoni, Agathokli Loli, Reshat Kripa,

Minella Mosko,  Sadedin Gjoka, Taulla Bimo, Fatosh Voshtina, Pirro Veshi, Vangjel Loli, Duro Mustafaj



(Vota: 3 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora