Kulturë
Fabula nga Vangjush Saro
E enjte, 23.12.2010, 09:18 PM
Fabula
Nga VANGJUSH SARO
Dajti dhe kullat
Një tufë me kulla, 
poshtë në Tiranë,
Dajtit kryelartë i thanë:
-E shikon or mik, puna si vjen?
Ja tek jemi kokë më kokë, 
ti dhe ne.
Me pak fjalë, 
asgjë më shumë nuk ke. 
Dhe Dajti 
i qetë, 
i patrazuar, 
ua dha përgjigjen shtruar-shtruar:
-Dëgjoni, moj zoçka, 
fodulle sa më s’ka.  
Edhe ju të larta jeni 
e të mëdha,
aq sa ia morët frymën njerëzisë
e bëtë atë të shkretë qytet, 
pis…
Por unë, o betonka, 
këtu jam i lirë, 
flas vetëm me Zotin, me ajrin e dlirë.
Dhe zili nuk kam askënd, 
pothuaj.
Me nder, 
as edhe pronarët tuaj…
Lumi
E gërryen sa mundën
ia prishën shtratin...
Dhe kur ai vërshoi 
e përmbyti dynjanë,
filluan ta shajnë: 
-Je çmenduar, ke shkarë.
Na bëre hatanë.
I marrë!
Dhe lumi i shkretë,
i lodhur, i lënduar:
-Jam çmendur, kam shkarë, 
është e vërtetë.
Veç ju, para meje,
o të uruar... 
E vërteta dhe gënjeshtra
E vërteta dhe gënjeshtra
Bënë fjalë sonte.
Kush jam unë 
e kush je ti(!)
sherri nuk mbaronte.
E vërteta skuqej,
dridhej
dhe bënte çudi:
-Ti shpeshherë del para meje.
Si ka mundësi?
Kjo nuk shkon, këtu ka hile.
Pse të vuaj unë?
Përse ty, 
moj motër skile,
të duan më shumë?
-Epo, tha gënjeshtra plakë,
jeta është lak.
Njerëzve ua ka ënda 
t’i gënjesh nga pak...
Gomari
Gomari, thonë,
është i urtë:
Kullot në gjemba
edhe mban drutë.
Duron të shara 
edhe shkopinj.
Shqyhet
për miq e fqinj.
Gomari, thonë
është i urtë:
I japin dru 
dhe…i mban drutë.
Por ndodh që kupa mbushet plot
dhe kafsh’ e urtë
s’e gëlltit dot.
Kështu durimi
në shkelma përfundon
dhe...mjerë ai
që i provon.









