Speciale
Mihal Gjergji: Evropa mes marrëveshjeve bashkëpunuese ndërshtetërore
E marte, 30.11.2010, 09:59 PM
Evropa mes marrëveshjeve bashkëpunuese ndërshtetërore
Nga sistemi i Vestfalisë drejt Globalizmit
Nga Mihal GJERGJI
Parë nga lartësia e këtij shekulli të ri, mendimtarët dhe studiuesit e gjykojnë botën në të cilën jetojmë tashmë, ”si një teren të gardhuar, në kuptimin që kemi ndarë dhe matur çdo gjë, që çdo gjë e kemi rrethuar me perimetër gjeopolitik dhe ekonomik...”.Kjo mesa duket, shprehet Makabe Zaharia në dialogun e saj kulturor me Moikom Zeqon, është një prirje që ka filluar qysh nga feudalizmi dhe që po përfundon tani me kartelën personale të njeriut, me mbulesën e tij gjenetike. Mirëpo njeriu, duke përsosur veten ndryshoi edhe botën, krijoi sisteme ekonomiko-shoqërore dhe përsëri i ndryshoi ato, përgjithësisht me dhunë dhe rrallëherë në rrugë paqësore. Historia është e mbushur me eksperiencat që kanë bërë të mundur kalimin gradual të shoqërisë njerëzore nga barbaria drejt qytetërimeve. E mes këtyre qytetërimeve, nga 21 që përmëndin analistët e historisë, njihet vetëm njëri prej tyre, ai që ka lënë gjurmë të thella në kohë, e që është bërë edhe objekt studimi e analizash prej tyre, ndërsa të tjerët u zhdukën në gërmadhat e rrënimeve mijëvjeçare.
Parë nga lartësia e këtij shekulli të ri, mendimtarët dhe studiuesit e gjykojnë botën në të cilën jetojmë tashmë, ”si një teren të gardhuar, në kuptimin që kemi ndarë dhe matur çdo gjë, që çdo gjë e kemi rrethuar me perimetër gjeopolitik dhe ekonomik...”.Kjo mesa duket, shprehet Makabe Zaharia në dialogun e saj kulturor me Moikom Zeqon, është një prirje që ka filluar qysh nga feudalizmi dhe që po përfundon tani me kartelën personale të njeriut, me mbulesën e tij gjenetike. Mirëpo njeriu, duke përsosur veten ndryshoi edhe botën, krijoi sisteme ekonomiko-shoqërore dhe përsëri i ndryshoi ato, përgjithësisht me dhunë dhe rrallëherë në rrugë paqësore. Historia është e mbushur me eksperiencat që kanë bërë të mundur kalimin gradual të shoqërisë njerëzore nga barbaria drejt qytetërimeve. E mes këtyre qytetërimeve, nga 21 që përmëndin analistët e historisë, njihet vetëm njëri prej tyre, ai që ka lënë gjurmë të thella në kohë, e që është bërë edhe objekt studimi e analizash prej tyre, ndërsa të tjerët u zhdukën në gërmadhat e rrënimeve mijëvjeçare.
Janë njohur shumë diktatura dhe emrat e ideatorëve të tyre, para dhe pas Aleksandrit të Madh, duke vazhduar me Cezarin e duke përfunduar me Napolonin apo themeluesin dhe njëkohësisht rrënuesin e Rajhut të Tretë, Hitlerin. Njerëzit që janë shumë afër pragut të çmëndurisë, e që fati apo vullneti i tyre i ka ngjitur në drejtimin e shteteve me potenciale të mëdha ekonomike dhe njerëzore, e kanë tepër të lehtë shpërthimin e një lufte të re. Mirëpo në kohën që po jetojmë, në shekullin e elektronikës dhe atomizimit moderrn, nëse ndodh,- shkruan Wlliam Shirer,- ajo nuk do të jetë e gjatë, ajo do të jetë e fundit...nuk do të ketë as ngadhnjimtarë, as pushtime, ajo do të lërë vetëm kocka të shkrumbuara të vdekurish mbi një planet, ku s’do të mbetet gjallë askush”. Ndërkohë, janë njohur edhe shumë mëndje të ndritura, njerëz moderatorë e vizionarë, që kanë projektuar prespektiva zhvillimi harmonik, për popujt e tyre dhe më gjerë, pa patur në themelin e platformave të tyre luftrat dhe konfliktet e përgjakshme. ”Nga studimi i historisë dhe teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare del mësimi i njohur se popujt e shtetet e mëdha janë prodhuesit e modeleve ekonomiko-shoqërore nacionale, por janë edhe krijuesit e sistemeve të marrëdhënieve ndërkombëtare përgjithësisht”. Këtë forcë krijuese s’mund ta kenë vendet e vogla, pavarësisht nga shkalla e zhvillimit të tyre, por kjo s’do të thotë se janë të parëndësishëm në krijimin e ekujlibrave ndërshtetërore dhe më gjerë. Duke parë me vëmëndje historinë europiane katërshekullore, që nga sistemi ’Raison d’Etat’ apo e ashtuquajtura e Vestfalisë, duke vazhduar me ’Koncerti i Europës’ që pati si fillesë apo nisje ’Kongresin e Vjenës’, duke vazhduar me ’Sistemi i Versajës’ që në thelb ishte ”një fazë e kalimit nga Lufta e Parë në Luftën e Dytë Botërore”, evidentohen edhe ideatorët e tyre, krahas jetëgjatësisë dhe efekteve ekujlibruese që patën platformat e mishëruara në sistemet e lartpërmëndura.
Miku im, Besnik Basha, specialist në strukturat e sigurisë kombëtare, më afroi dy libra interesante, nga të cilat merrte leksione gjatë një trajnimi kualifikues. I pari bën fjalë për ”Krizat ndërkombëtare” dhe ka si autor diplomatin e njohur Lisen Bashkurti, për inteligjencën e të cilit kam rezervuar qysh herët një vlerësim të veçantë, ndërsa tjetri ”Marrëdhëniet ndërkombëtare në vorbullën e diplomacisë”, me autor Gjon Boriçi. Libri i parë është shkruar me profesionalizëm dhe kulturë, me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme edhe nga lexuesi i paspecializuar për analiza. Në trajtesat e tij, Bashkurti spjegon krizat shtetërore e ndërshtetërore, rajonale dhe botërore, duke filluar me kontinentin afrikan, Lindjen e Mesme, krizat evropiane dhe ato ballkanike. Faktorët ekonomik, investimet në fushat e shëndetësisë dhe arsimit, papunësia dhe deri te identitetet e popujve e kombeve në kushtet e reja të zhvillimeve globale, janë trajtuar në mënyrë të detajuar nga diplomati me një karierë të sukseshme.
Edhe libri i dytë shoqërohet me një parathënie të gjatë po nga profesor Liseni. Pra, te fjalët e Boriçit është edhe zëri i Bashkurtit. Gjon Boriçi na afron ndryshimet e histrorisë botërore dhe rolet e tre përfaqësuesve tipik të shekullit të kaluar: Stalinin që përfaqëson sistemin komunist; Hitlerin që përfaqëson fashizmin dhe Çurçillin si përfaqësues të parimeve demokratike, paqes dhe ekuilibrit kontinental e më gjerë. Përballë tyre vendosen dy personalitete të shquara të historisë: francezin Rishëlje dhe Austriakun Meternik, politikanë largpamës, që krijuan sisteme të reja dhe arritën jo vetëm të vendosin paqen në Europë, por edhe të krijojnë ekujlibra të qëndrueshëm ndërshtetërore. Historiani i ri, jo pa qëllim i vë përballë këtyre dy politikanëve ideatorë, tamam si para dy pasqyrave verifikuese, Hitlerin dhe Stalinin, të cilët duken me të vërtetë të shëmtuar. I referohemi konkretisht sistemit të Vestfalisë dhe Kongresit të Vjenës, vlerave të tyre, për të parë qartazi edhe humnera ku e futën botën ideologjia komuniste dhe ajo e fashizmit. Evropa e shekullit të XVII ishte ”...një kontinent fanatik fetar i mbushur plot urrejtje dhe barbarizma të tmerrshme. Fondamentalizmi fetar dhe rrjedhimisht politik nuk është eveniment i kohërave të sotme , por është një fenomen i vjetër që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit”. Deri në vitet 1517 ”katoliçizmi ishte feja zyrtare e Europës dhe misioni politik i çdo shteti”. Drejtuesit e shteteve europiane, kryesisht diplomatët e koridoreve të tyre të errëta, kanë shfrytëzuar me mjeshtëri besimin shpirtëror të banorëve të vendit që përfaqësonin, dhe atyre aleate apo kundërshtare, duke i bërë pjesë të rëndësishme në krijimin e krizave, apo faktorë në zgjidhjen e tyre. Në këtë periudhë të vështirë, si një nevojë apo zgjidhje e diktuar nga rrethanat e pazakonta, formësohet dhe merr jetë Sistemi i Vestfalisë.
Pse pikërisht është zgjedhur veriu i lumit Rin, dhe pikërisht Katedralja e famshme e Vestfalisë, për të promovuar e dhënë jetë ideve interesante të Armand Zhan dy Plesis dë Rishëlje ? Për t’i shënjtëruar ato, për të marrë bekimin e zotit, apo për faktin se ai sistem njihte si ”arkitekt e realizues kardinalin më laik dhe shtetarin më klerik, francezin Rishëlje”?. Kështu e cilëson diplomati Lisen Bashkurti politikanin e mësipërm moderator. Të lind mendimi se francezi i mënçur ka dashur të ligjërojë vendin e shtetit brenda institucioneve të kultit, d.m.th, brenda shtëpisë së Zotit, ashtu sikurse ky i fundit kishte bërë vend të padiskutueshëm, gati në mënyrë të padukshme, në botën shpitrërore të shtetarëve dhe drejtuesve të lartë të tij. Për periudhën në të cilën ka jetuar Rishëlje, për të cilën jemi duke folë, duhet theksuar se: -Quhej herezi nëse mund të mendoje kufizimin e pushtetit të Kishës. -Ishte i pakonceptueshëm suksesi i politikës nëse do ti hiqje mburojën fetare. -Ishte krim nëse hartoje apo më keq akoma, publikoje platforma për ndarjen e Kishës nga Shteti. Mirëpo Rishëlje guxoi, e duke guxuar hyri në histori.
Para se të përshkruajm saktësisht se ç’përfaqëson Rishëlje, le të bëjmë një paraqitje të shkurtër të gjëndjes së Europës në këtë periudhë. Shekulli i XVII është i mbushur me luftra të përgjakshme, baza e të cilave ka qënë feja, më konkretisht përplasja mes katolikëve dhe protestantëve. Ishte koha kur ”fondamentalizmi i paepur i Kishës së pareformuar katolike nuk e pranonte që shtetet të ishin mbi fenë, e cila sipas mendimit të athershëm katolik duhet të ishte si Zoti, Universale”. Doktrina e mësipërme, gjersa vazhdonte të ishte gjallë, doemos që kishte edhe ata të cilët e ushqenin. Më të interesuarit për mbijetesën e kësaj doktrine ishin disa prej sundimtarëve të Europës, kryesisht përfaqësuesit e familjes së Habsburgëve . ”Një nga masakrat më domethënësve ndërmjet katolikëve dhe protestantëve ishte Nata e Shën Bartolemeut.Kjo natë e përgjakshme ndodhi në Paris më 24 gusht 1572 ku u vranë rreth tre mijë protestantë duke e kthyer urrejtjen fetare në një luftë të egër civile e cila do t’i kushtonte Francës shumë deri në një moment të caktuar”.Fara e kësaj urrejtjeje do të mbushte arenën europiane dhe do ushqente një luftë të gjatë prej tre dekadash, një rivalitet që do të kushtonte mijëra jetë njerëzore, nga përplasjet mes katolikëve dhe protestantëve. E ç’është më e keqja, të dy krahët luftonin për Zotin dhe në emër të tij. Në vitin 1620, ushtritë katolike të Ferdinandit II, i cili e përfytyronte botën nën një pushtet absolut, si besimi fetar, filluan një luftë frontale kundër protestantëve. Gjeografikisht, lufta mori përmasa kontinentale, sepse u ideua si e tillë. Edhe pse protestantët përfaqësonin një popullatë të konsiderueshme, Perandori gjerman donte që t’i shfarroste përfundimisht, me qëllim që të mbetej pa kundërshtarë. ”Nëse ai do të ishte paksa tolerant sa ç’ishte edhe parardhësi i tij karli V, me siguri Gjermania do të ishte bashkuar në një komb të vetëm dyqind vjet më parë dhe jo në fund të shekullit të XIX”.
Edhe pse s’janë trajtuar në librat e mësipërm, e gjykoj me vënd t’u referohem statistikave dhe Enciklopedisë Evropiane për të spjeguar pyetjet vijuese, për Francën dhe shtetet e tjera të cilat janë objekt i kësaj analize. Ç’përfaqëson historikisht Franca, me dhe pa perandorët e saj, në ç’lartësi është ngjitur ajo e parë nga vitet që jetojmë, cilat janë ndryshimet e realizuara në sajë të politikave vizionare, etj? Po shtetet e tjera europiane? Në ç’raporte janë marrëdhëniet e saj me fqinjët historikë dhe cila është ardhmëria e tyre? Franca, me vendndodhje në perëndim të Europës, me një sipërfaqe prej 543.965 km2, me një popullsi që aktualisht i kalon 62.000.000 banorë, nga të cilët 84% katolikë, 6% myslimanë, ndërsa pjesa tjetër,(10%): judaistë, ortodoksë, ateistë dhe protestantë, është një vend me inflyenca të padiskutueshme në kontinentin ku ndodhet. Janë rreth 80 milionë shtetas që përbëjnë Diasporën franceze: në Amerikë 13 milionë, në Kanada 9 milionë, në Belgjikë 3 milionë, në Zvicër dhe në Amerikën e Jugut nga 1.5 milionë, etj. Gjeografikisht kufizohet nga Belgjika, Luksemburgu, Gjermania, Zvicra, Italia, Spanja, Andora, Deti Mesdhe, Oqeani Atlantik dhe Kanali i La Manshit. Pra, interesat e saj janë të lidhura ngushtë me shtetet e mësipërme kufitare, ashtu si interesat e këtyre të fundit me Francën. Në vitin 1848, si rrjedhojë e revolucionit francez, për një periudhë 4 vjeçare, fuqinë e mori Napoleoni i III, (nipi i Napoleonit I). Më 4.9.1870, u shpall Republika e III. Bashkë me Rusinë dhe Britaninë e Madhe, në vitin 1904, vendosën bazat e aleancës, e cila në luftën e parë botërore (1914-1918) fitoi përballë Bllokut të Fuqive Qëndrore. Me 3.9.1939 sulmohet nga Gjermania naziste, ndërsa më 22.6.1940, gjenerali francez Petën, firmosi kapitullimin. Gjenerali tjetër francez Sharl dë Gol, deklaroi në Londër vazhdimin e luftës dhe krijoi Komitetin Kombëtar Francez. Parisi çlirohet nga gjermanët më 25.8.1944. Franca zë vendin e parë në prodhimin e drithrave, kryesisht grurë e misër (68 milionë tonë/vit) dhe prodhimin e mishit (6.5 milionë tonë/vit). Aktualisht, Franca është një shtet i konsoliduar, me një politikë të jashtme thuajse të pavarur, që ruan ekuilibrin mes Europës dhe Amerikës, në përputhje me interesat e vendit që përfaqëson. Franca është vendi i filozofëve të mëdhenj, i Volterit e Rusoit, i mendimtarëve dhe krijuesve të pakrahasueshëm si Viktor Hygo, Rembosë, Elyarit, Markesit, Honore dë Balzak, etj, i shkollave prestigjoze si ajo e Sorbonës, djepi i iluminizmit europian që ushqeu edhe vendet ballkanike, përfshi edhe Rilindasit shqiptarë.
Cilat janë arritjet e sistemit të Vestfalisë? Rishëlje përcaktoi qartësisht raportet midis fesë dhe politikës. ”Biografët e Kardinalit –shkruan Boriçi- kanë theksuar se në gjithë jetën e tij politike ai asnjëherë nuk e ka patur si synim të dëmtonte Kishën por, ai kishte lindur një armik i betuar i familjes mbretërore Habsburg...e thënë shkurt, politika e tij pati preçedencë mbi fenë. Ferdinandi i II përdori fenë në dobi të ekspansionit, politika e tij gjakatare mbante si mburojë katoliçizmin, duke u shëndërruar kështu në një presekutor të protestantëve”. Përcaktimi i Kardinalit Rishëlje vazhdon të jetë aktual edhe sot. Ballkani deri vonë, nëmos vazhdon ende ta shfrytëzojë fenë për qëllimet politike. Kishat serbe brenda teritorit kosovar dhe ato greke në zonën e pretenduar prej tyre si ”Vorioepiri”, janë shëndërruar në istrumenta të verbëra të qëllimeve shoviniste të fqinjëve tanë veriorë dhe atyre jugorë. Pushtimi shpirtëror ka mbetur motua e tyre e vetme, ndërsa rrugët e tjera janë të gjitha të konsumuara. Rishëlje ishte për krijimin e shteteve kombëtare. Kjo do të realizohej mbështetur në gjuhën, kulturën dhe ligjësitë që e normojnë një gjë të tillë. Rrjedhimisht, popujt e pushtuar nga mbretërit diktatorë, sapo të fitonin lirinë e grabitur padrejtësisht, s’duhet të ndërronin ozurpatorët, por duhet të krijonin shtetet e tyre sovrane, t’i forconin ato përmes dobësimit të kundërshtarëve ndërkombëtarë, duke mos përjashtuar edhe idenë e bashkëpunimit, të marrëveshjeve dhe aleancave deri në shkallën e Universalizmit. Bashkëpunimi mes shteteve dhe mandej mes kontineneteve është bërë mëse një domosdoshmëri. Po të shikosh me kujdes idetë e Rishëljesë dhe të bësh një krahasim me botën e sotme, parimi i tij i krijimit të alencave duket se vazhdon të jetojë. Është një nga rrugët më të suksesshme për të vendosur ekujlibrat ndërshtetrorë, rajonalë e më gjerë. Po të shikojmë globalizmin me vëmëndje do bindemi që s’është një shpikje e kohës, s’është një dukuri unikalisht e re në rrafshin e historisë, pavarësisht se mbart shumë të panjohura. Moikom Zeqo, në studimin e tij ”Globalizmi dhe shqipëtarët” shtron pyetjet: ”A mundet të ndalet apo është i pashmangshëm procesi i globalizmit? A është globalizmi një zhvillim objektiv dhe detyrimisht edhe subjektiv i botës, që përfshin tërë popujt dhe kombet? A është një utopi e oligarkisë? Mos kemi të bëjmë me një globaizëm të elitës të pronave dhe të pasurisë? A është globalizmi një interrnacionale e plotfuqishme e pakicës?...” Modele të globalizmit politik kanë qënë perandoritë e mëdha duke filluar nga antikiteti e duke vazhduar me mesjetën.
Rishëlje përcaktoi rolin parësor të ”forcës së diplomacisë dhe diplomacisë së forcës”. Diplomacia si arti i të biseduarit ” është një nga profesionet ku koncepti bazë është trinomi: ”Ndryshe mendohet, ndryshe flitet dhe ndryshe veprohet”. E që një diplomat të jetë i sukseshëm, duhet të jetë i shpenguar nga vargonjtë e injorancës që mbushin jo rrallë administratën shtetërore. ”Fuqia e një diplomati varet jashtëzakonisht shumë nga aftësia politike e shtetit që ai përfaqëson për të vendosur autoritetin dhe respektin në marrëdhëniet ndërkombëtare”. Synimi i diplomacisë është të çojë përpara interesat e shtetit, të cilat diktohen nga gjeografia, historia, dhe ekonomia. Diplomacia, si alternativë e luftës për të arritur synimin kombëtar, ka armë fjalën. ”Shpesh, por jo gjithmonë, ajo përpiqet të ruajë dhe forcojë paqen. Diplomacia përpiqet që të forcojë shtetin duke fituar avantazhe, duke bërë aleatë dhe duke neutralizuar oponentët”. Pra, ajo përpiqet që të krijojë vullnet të mirë në drejtim të shtetit që përfaqëson. Sigurisht që kjo nuk arrihet lehtë, në varësi të shtetit dhe fazës së zhvillimt të tij. Rishëlje bëri alenca të papritura me të gjithë kundërshtarët e familjes Habsburg, me princër protestantë gjermanë, vendosi ura bashkëpunimi me Sulltanin e Perandorisë Osmane, sepse turqit vazhdonin që prej dy shekujsh përplasjet ushtarake me Habsburgët etj.
Kush është në të vërtetë Kardinali Rishëlje dhe ç’përfaqëson ai? Një nga biografët e tij përshkruan kurbën e lartësimit kishtar dhe politik të kardinalit francez, që fillon të punojë si prift dhe mbas pak kohe duket sikur heq dorë nga predikimet dhe punët religjioze. Në vitin 1616 emërohet në funksionin e Peshkopit brenda Oborrit Mbretëror. ” Me natyrën e tij të mprehtë kuptoi se duhej t’i shërbente edhe Zotit, por edhe Cezarit, shkruan Irakli Koçollari. Kështu, veç ritualeve monotone, ai shpejt filloi të spiunojë te Maria de Mediçi, motra e mbretit. Nuk vonoi dhe ai u emërua Sekretar i Çështjeve me Jashtë... Po në vitin1621 shugurohet nga Papa me titullin e ”Kardinalit”. Në vitin1624 u bë Kryeministër i Francës, funksion të cilin e mbajti deri ditën që vdiq më 1642. Këtë gjë e arriti falë shërbimit efektiv sekret që ai ngriti në tërë skutat e shoqërisë, rrethet dhe labrinthet e oborrit...Ai ishte mjeshtër i vëzhgimit, prapaskenës, përçmues, dinak, egoist, herë i dukshëm dhe herë krejt në hije...” E në përgjithësi njerëzit e shërbimeve sekrete, këta misionarë të pakrahasueshëm, edhe pse në pjesën më të madhe sakrifikojnë edhe identitetin e tyre, duke mbetur anonimë për hir të interesave kombëtare, i sjellin vendit të cilit i shërbejnë, jo më pak kontribute sesa politikanët atdhetarë, artistët, mendimtarët dhe krijuesit e arteve. Këta misionarë të spiunazhit ”...sakrifikuan shumë nga jeta e tyre, vite të tëra të ndarë nga strehëza familjare, nga era dhe aroma e shtratit bashkëshortor, nga vështrimi i pafajshëm i fëmijëve që kanë pritur gjatë pas çdo të trokiture”- komenton Koçollari. Rishëlje është përfaqësuesi tipik i kardinalit laik, njëkohësisht model i shtetarit klerik, që do të thotë një intelektual i formuar, një politikan vizionar, simbol i mënçurisë tradicionale të popullit francez, që është një nga djepet e qytetërimit europian. Rishëlje është pasqyrë e patriotizmit francez. Nën drejtimin e tij imazhi i Francës u lartësua dhe emri i saj mori shkëlqimin e dikurshëm. Rishëlje është mishërim i atdhetarisë franceze. Me hapat e studiuar, të sigurt dhe të pandalur, bëri të mundur që gjuha franceze të bëhej gjuha e tribunave, pra gjuha e tij kombëtare u shëndërrua në gjuhë ndërkombëtare. Kjo është një meritë e tij e padiskutueshme. ”Kjo është arsyeja më madhore përse ai quhet më i sukseshmi ndër të gjithë politikanët dhe diplomatët e të gjitha kohërave”. Rishëlje është ëmishërim i unitetit kombëtar. Nën drejtimin e tij u frenua agresiviteti i popullsisë katolike, për të mos thënë që ata u presekutuan. ”Kjo vetëm e vëtëm që t’u ulte fanatizmin fetar për hir të interesave afatgjatë të Francës”. Ishte një leksion i mënçur që kardinali u jepte qytetarëve të shtetit që drejtonte: të mësonin bashkjetesën paqësore mes njëri –tjetrit, pavarësisht nga përkatësia fetare.
Nuk duhet harruar se edhe një zbulim i vetëm shkencor, një ideim i një platforme të re politike, një armëpushim apo një paqe e qëndrueshme brenda një shteti apo ndërshtetërore, të realizuara falë sakrificave të pamata, mund të mbushin jetën e një njeriu. Dhe Rishëlje, që dinte të shikonte larg dhe të parashikonte gjatë në profecinë politike, jetën e tij e bëri të qëllimtë, e mbushi plot shpresa dhe ja kushtoi atdheut që i përkiste. Është kultura franceze, gjuha frënge dhe individualiteti etnik i francezëve që janë njëkohësisht edhe mbijetesa e tyre. Linja kryesore të politikës së tij, që vlen të përmënden edhe sot janë:
a) Frenimi deri në shkallën e ndalimit të plotë të veprimtarisë shkatërrimtare të familjes mbretërore të Habsburgëve në gjithë Europën.
b) Franca arriti të forcohej ekonomikisht, problemet e brendëshme morën rrugën e zgjidhjes, imazhi ju përmirësua dhe mbrojtja e saj u bë e pathyeshme.
c) Marrrëveshjet e shumta dhe urat e bashkëpunimt me pothuajse gjithë vendet e kontinentit, i afruan Francës aleatët e nevojshëm edhe në raste të kërcënimit të sigurisë së saj. Kardinali dinak Rishëlje, për të promovuar idetë që rridhnin nga bindjet e tij politike, përdori median e shkruar si instrument të përpunimit të opinionit publik, nxorri një gazetë në të cilën merrnin jetë idetë e tij në shërbim të monarkisë. Pas 370 vitesh i shikojmë përsëri mediat të vëna në shërbim të pushteteve dhe politikës. ”Sado demokratik dhe parimor të jetë një rregjim ai do të përpiqet gjithmonë që të bindë median ta profilizojë botën dhe realitetin ashtu siç e dëshiron rregjimi, apo liderët politikë dhe qeverritarë që të duken”. Sistemi i Vestfalisë ose thënë ndryshe-Arsye Shtetërore-jetoi duke patur inflyenca të padiskutueshme në gjithë Europën edhe tre shekuj mbas ideimit dhe publikimit të saj. Koncerti i Evropës’ ose Sistemi Europian i ekujlibrit të forcave kishte si synime kryesore:
-solidaritetin mes shteteve
-zvëndësimin e forcës ushtarake me forcën e arsyes
-arritja e konsesusit nëpërmjet aktivizimit të diplomacisë
Të mendosh Europën në një klimë marëdhëniesh idelae, me një ekilibër të qëndrueshëm ndërshtetëror, me interesa të harmonizuara e reciproke, është njëlloj si të përfytyrosh një orkestër simfonike virtyoze, ku çdo instrument ka rolin e tij dhe çdo interpretues njeh mjeshtërisht pentagramin dhe notat që duhet të luaj. Po kush duhet të jetë dirigjenti i këtij koncerti nëse instrumentistët do t’i mendojmë të gjithë si politikanë? Padyshim që duhet të jetë diplomacia. ”Sa më e pakët të jetë eksperienca aq më e thellë është kriza ndaj një impakti të paparashikuar...Diplomacia si një nga aktet përmbushëse të mekanizmave njerëzorë në kuptimin e saj klasik rregullon pakënaqësitë nëpërmjet komunikimit në mënyrë që të ”ligjërojë” rendin ndërkombëtar në diskutim”. Zhvillimi i Europës ka kaluar përmes krizave të shumta që kanë prodhuar drejtuesit e lartë të shteteve të saj. Në periudhën 10-vjeçare, 1804-1814, Franca, e udhëhequr nga perandori i saj Napoleon Bonoparti, bëhet kërcënuese për gjithë Europën. Si rezultat, të imponuar nga çmënduria e perandorit francez, u mblodhën përfaqësues të tre shteteve europiane: Austrisë, Anglisë dhe Rusisë, për të marrë vendime jetike, të cilat krijuan ekujlibra të rëndësishëm për gjithë kontinentin, në një shtrirje kohore 50-vjeçare. Kongresi i Vjenës që u mblodh në vitet 1814-15, me Aktin Final që u amendua më 1918 në Aix-la Chapelle, pothuajse përcaktoi saktësisht katër klasa të kryetarëve të misioneve diplomatike, pra bëri një përcaktim të rregullave të diplomacisë. Rritja e numrit të entiteteve shtetërore dhe gati shtetërore, e bën të detyrueshëm rritjen e rolit dhe të funksioneve të diplomacisë. Shifrat dhe diversiteti, ishin pasqyrë e programeve të reja të diplomacisë, dhe ritheksim i detyrave të vjetra klasike. Konfrontimet e armatosura do të zvëndësoheshin nga një luftë më moderrne, gati e padukshme, por e pashmangshme, nga Lufta e Ftohtë.
Diplomacia mund të stabilizojë gjëndjen e tensionuar, mund të parandalojë shtrirjen e konflikteve, mund të rregullojë atë që ende s’është shkatërruar, por kur i jepet fusha në të cilën di të luaj, tavolina e palëve për të biseduar dhe për të bërë marrëveshje. E që të realizohet kjo, duhet më parë të ekzistojë dëshira për një proces të tillë. Diplomatët janë ”...ata njerëz që ngrejnë zërin në kohën e duhur ndaj një rreziku por, kur rreziku nuk kuptohet nga shefat e tyre, ata konsiderohen si alarmistë”. Prishja e ekujlibrave ndërshtetërorë dhe rajonalë sjell në mënyrë të pashmangshme acarimin e marrëdhënieve dhe ky acarim ka edhe një prag fundor-konfliktin e armatosur. Që mos ndodhë kjo, diplomacia duhet të veprojë jo atherë kur është ndezur zjarri, por kur zjarrvënësi se ka kryer akoma aktin barbar. Nëse diplomacia s’aktivizohet sepse neglizhohet roli i saj, pasojat janë të pallogaritshme. Lexoni me vëmëndje librin e Bashkurtit dhe analizat e Boriçit dhe do shikoni se në tërësinë e tyre ka leksione të çmuara për studentët e shkencave politike, për punonjësit e diplomacisë dhe ata të sigurisë kombëtare.
Shumë drejtues shtetesh duan që bota të zhvillohet sipas ideve të tyre dhe pushtetin ta kenë të pakufizuar. Ideatori i rendit të ri botëror ishte princi Klemens von Meternich, Ministri i Jashtëm i Austrisë. ”Historia moderrne ka treguar se aplikimi i parimit të solidaritetit ndaj interesave më të vogla ka sjellë një ekujlibër më të qëndrueshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Sipas Meternikut, forca mund ta pushtojë botën, por asnjëherë nuk mund të legjitimonte pushtimin. Të nxitësh luftën për të fituar paqen, kjo ishte motoje me të cilën luftoi princi austriak. ” Është një nga rastet më të rralla kur një njeri nxit luftën për të arritur një paqe legjitime e cila do të mund të riparonte me një durim ekstrem , mashtrim dhe vetëpërmbajtje të këqijat që i ishin shkaktuar sistemit ndërkombëtar të deriatëhershëm nga kapriciot e një njeriu”. Meterniku kishte bindjen se Franca duhet të frenohej nëse s’do vetëpërmbahej. Sidoqoftë ai llogariste edhe rolin e pazvëndësueshëm të Rusisë, shtet që kishte kontribuar shumë në mposhtjen e Napoleonit. Mbështetja e Rusisë, megjithëse e domosdoshme, në heshtje pranohej me rezerva nga shteti austriak, sepse pas saj mund të fshihej frika e së nesërmes. Ky ishte një shtet i fuqishëm krahasuar me Austrinë. Ja gjëndja e Rusisë e parë në fillimin e shekullit të ri: Rusia shtrihet në lindje të Europës dhe në veri të Azisë. Ka një sipërfaqe 14.075.400 km2 dhe një popullsi rreth 144 milionë banorë. Në Rusi jetojnë 130 kombësi dhe popuj, ndaj praktikohen rreth 40 besime fetare, por shumicën e zënë ortodoksët me 35 milionë besimtarë. Në kohën e sundimit të carit të fundit, Nikollaj II, (1894-1917), Rusia, e cila ndjente kërcënimin gjerman, u afrua me Francën dhe Britaninë e Madhe, duke formuar kështu një bllok politiko-ushtarak. Më 1914 hyri në luftë kundër Gjermanisë, Austro-hungarisë dhe Turqisë.
Nga pikëpamja ekonomike Rusia është një nga fuqitë më të mëdha në botë, fuqia e dytë ushtarake , me një kapital njërëzor dhe natyror të konsiderueshëm, me rezerva nëntoksore të pamata( qymyr, gaze natyrore, naftë, minerale, etj.) Rusia zë vendin e parë në kontinentin europian për prodhimin e: patateve (31 milionë tonë /vit), mbarështimin e gjedhëve (32 milionë krerë/vit), prodhimin e karburanteve (303900 milionë tonë/vit), prodhimin e energjisë elektrike (827 milionë këh/vit), etj. Le të kthehemi përsëri te Meterniku, ideatori i alencës tre palëshe. Vetë Austria, të cilën e përfaqësonte Ministri i saj i jashtëm, do luante rolin e organizatorit dhe do siguronte ligjshmërinë e paqes. Sipas Meternikut, këtë rol ja kishte caktuar lidhja e shenjtë. Për të arritur qëllimin final, që ishte mundja e Napoleon Bonopartit, ai ndërmorri një fushatë intensive që do të finalizonte edhe krijimin e koalicionit. Politika e kujdesshme e Meternikut për të shpëtuar vëndin e tij nga shkatërrimi, bëri që Austria të njihte ritme të dukshme zhvillimi dhe sot të jetë në nivelin që po referojmë : Austria, një vend që s’ka dalje në det, e vendosur në Europën Qëndrore, me një popullsi rreth 8.5 milionë banorë ( 80% katolikë), dhe një sipërfaqe prej 83.853 km2. Gjeografikisht kufizohet nga: Gjermania, Çekia, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia, Italia dhe Zvicra. Nga viti 1278 deri në vitin 1918, Austria është udhëhequr nga dinastia e Habsburgëve. Më 1867 u krijua Perandoria Austro-Hungareze, me 676.000 km2, 55 milionë banorë dhe 12 popuj të pushtuar. Pas luftës së parë botërore, Perandoria u shkatërrua. Më 12.12.1918, Austria u shpall Republikë, shtet federal, me kufinj të njohur më 1919. Më 11.3.1938 pushtohet nga Gjermania, ndërsa në pranverë të viti 1945, edhe pse u çlirua nga aleatët, u nda prej tyre në katër zona. Në vitin 1955 u vendos sovraniteti, ndërsa më 26 tetor të po këtij viti, u miratua ligji Kushtetues i neutralitetit. Austria është një vend me ekonomi të zhvilluar, me eksporte të shumta dhe një turizëm malor që preferohet nga rreth 18 milionë vizitorë në vit…
Aleati tjetër i rëndësishëm që ishte edhe armik kryesor i Napoleonit ishte Britania e Madhe. Përfaqësuesi i saj ishte caktuar Sekretari i Jashtëm, lordi Kestëllrag. Diplomati anglez e shikonte vendin e tij në rolin e mediatorit ndërmjet fuqive fituese. Mbretëria kërkonte që kontinenti të ishte i qetë, pa tensione, ndryshe edhe interesat e saj mbrojtëse dhe kryesisht tregëtare do i dëmtoheshin. Austria është një vend shumë i vogël krahasur më shtetet e fuqishme europiane, prandaj i duhej një aleancë e fortë dhe e qëndrueshme “…për të shkatërruar Napoleonin, por jo Francën…rënia e një udhëheqësi që ka shkaktuar prishjen e stabilitetit nuk është e nevojshme të shoqërohet patjetër edhe me rënien e shtetit të tij”. Sipas lordit britanik, ekujlibri ishte dhe duhej të mbetej politik. Për të mënjanuar rolin hegjemonist që mund të luante Rusia mbas rënies së Napoleonit, lordi britanik parashtroi: a) Vendet që ishin pushtuar nga Franca dhe që nga casti në cast mund të pushtoheshin nga Rusia pas humbjes së Napoleonit, të njiheshin menjëherë si shtete sovrane. b) Franca do të kthehej në kufijtë natyrorë përpara Revolucionit të vitit 1879. c) Kur paqja të rivendosej, shtetet e mëdha të koalicionit do të hartonin një dokumet për mbrojtjen, sigurinë e kontinentit dhe dhe vendosjen e jë rendi të ri botëror që do të sanksiononte ligjarisht këtë marrëveshje. “Politika britanike është karakterizuar gjithnjë ndaj të parandaluarit të çdo rreziku dhe mund të themi se është më e suksesshme në rang botëror”. Falë kësaj politike të mënçur Britania ka arritur një zhvillim të admirueshëm, pa treguesit e së cilës s’mund të kuptohet fuqia e saj ekonomike.
Britania e Madhe, e vendosur në perëndim të kontinentit, nga të gjitha anët rrethohet nga kufiri ujor: Oqeani Atlantik, Deti i Veriut, Deti i Irlandës dhe Irlanda. Ka një sipërfaqe toke prej 244.110 km2 dhe një popullsi rreth 61 milionë banorë, nga të cilët 54% protestantë, 10% katolikë, 3% myslimanë, ndërsa shumica e pjesës tjetër janë ateistë. Më 1707, Anglia bashkohet me Skocinë dhe krijojnë Britaninë e Madhe. Pas luftës fitimtare me Hollandën, Britania u bë për dy shekuj me radhë fuqia kryesore detare e botës. Marrëveshjet me Francën (1904) dhe me Rusinë (1907), vendosën bazat e Antantës, aleanca kundër bllokut të Fuqive Qëndrore (Gjermania, Austro-Hungaria). Më 1.1.1973 bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Ka një ekonomi shumë të zhvilluar dhe të qëndrueshme. Zë vendin e katërt në Europë dhe të gjashtin në botë për P.K.B. Gjithashtu, në prodhimin e naftës (140 milionë tonë /vit) zë vendin e tretë në Europë dhe të tetin në botë. Britania zë vendin e parë në kontinent për mbarështimin e deleve (45 milionë kokë /vit), gjithashtu, vendin e parë zë edhe për exportet (100 mld dollarë/vit).
Duhet theksuar se Britania ka një turizëm shumë të zhvilluar, që frekuentohet nga 25-27 milionë vizitorë në vit dhe siguron kështu më shumë se 20-22 miliardë dollarë buxhetit të shtetit… Napoleon Bonoparti ishte një njeri me të cilin s’mund të negocioje. ““Një njeri që është mësuar të fitojë gjithmonë ushtarakisht e ka thuajse të pamundur të negociojë për arsyen se negociata është fillimi i fundit ndaj një pushteti absolute”. Edhe pse ishte dhëndrri i Perandorit të Austrisë, nga Napoloni s’mund të shpresoje për paqen aq të tronditur. Takimi i fundit i perandorit francez dhe Meternikut u zhvillua në 26 janar 1813, mirëpo “…njeriu i vullnetit humbi sepse ishte i paaftë të kuptonte kryesoren në politikë: njohjen e kufijve personalë”. Meterniku llogariste hollësisht çdo gjë. Ai këmbëngulte në humbjen e Napoleonit dhe jo të Francës, sepse një shtet i madh si Franca, me një qëndrim të dukshëm miqësor ndaj Austrisë, do ishte një pengesë serioze ndaj ekspansionit të mundshëm rus. Përfundimisht, në pranverë të vitit 1814, Napoleoni pësoi humbjen e parë. Aleatët “nderuan” Car Aleksandrin të hynte i pari në
Pas fitores së parë mbi Napoleonin, përfaqësuesi anglez sygjeroi që paqja e vendosur të njihte tri faza zhvillimi: -Abdikimi i Napoleonit; -Paqja me Francën; -Vendosja e ekulibrit Evropian. “Fuqitë fituese s’duhet të ngatërronin ligjshmërinë me forcën. Kjo ishte pika ku nuk duhet të gabonin dhe ku nuk gabuan aspak . Vërtet ata mundën dhe poshtëruan Napoleonin por jo Francën. Ky ishte një nga mësimet më të cmuara të diplomacisë botërore”. Kongresi i Vjenës që u zhvillua në tre muajt e fundit të viti 1814, kaloi disa faza zhvillimi: 1-Përaqësuesi britanik bëri përpjekje për të rregulluar çështjet e Polonisë dhe të Saksonisë, fillimisht duke i apeluar direkt Carit pastaj duke ndërsyer fuqitë evropiane kundër tij. 2-Meterniku bën përpjekjet e tij për t’i trajtuar veçmas çëshjet e Polonisë dhe të Saksonisë mbështetur nga konsesusi për të drejtat historike. 3-Shpërbërja e koalicionit anti-francez dhe ndërhyrja e Ministrit të Jashtëm francez Talejran për të ndryshuar qëllimet e aleatëve. 4-Humbja përfundimtare e Napoleonit dhe negociatat për vendosjen e jë rendi të ri botëror…“Politika dhe diplomacia nuk kërkojnë njerëz të ekzaltuar për arritjen e synimeve të caktuara. Dallimi i udhëheqësit ndaj pushtuesit është se, i pari jeton me kohën, i dyti me ëndrrën e papërmbushur të vizionit të tij”
Aktualisht, politologët dhe studiuesit e historisë, theksojnë se sot më shumë se kurrë, Greqia dhe Serbia kanë nevojë për një Rishëlje, i cili të realizojë ndarjen e kishës nga shteti. Evropa gjithashtu ka nevojë për një Meternik të ri, vizionar dhe ekujlibrues të forcave ndërshtetërore të këtij kontinënti. Në përfshirjen dhe përballjen me globalizmin, duhet të kapërcehen vështirësi serioze si: identiteti, kultura dhe komunikimi i çdo populli. Nuk ka asgjë më të vështirë se sa ta pranosh tjetrin si të barabartë me veten. Zhvillimet teknike dhe teknologjike moderrne kanë bërë të mundur afrimin mes vendeve dhe njerëzve, porse kanë zbuluar largësinë e pabesueshme të distancave kulturore. Ndryshe nga homogjeniteti i teknikave, bota është heterogjene. Bota e zhvilluar perëndimore s’duhet ta mbështet suksesin te imponimi me forcë i koncepteve të informacionit, lirisë dhe demokracisë, për popujt dhe vendet e pazhvilluara. Popujt dhe kulturat dëshirojnë të respektohen për vlerat që kanë krijuar. A mund të jesh i lirë, ndërkohë që do pranosh të lidhesh prej detyrimeve gati të padukshme, por imponuese të globalizmit? Ç’vënd do kenë në kuadrin e këtij globalizmi elitat (klasike, mediatike, erudite)? Këto janë pyetje që bëhet përgjithësisht. ”Identiteti, - shkruan sociologu francez Dominique Wolton,-është si të thuash kufoma e fshehur në dollapin e Evropës”. Mos vallë referimi ndaj rrënjëve fetare dhe kulturore mund të pengojë ndërtimin e një Evrope laike? Aspak. Ndërkohë që Evropa do pranojë diversitetin kulturor, rruga drejt globalizmit do jetë më e lehtë.
Përsëri Domenique, në librin e tij ”Të shpëtojmë komunikimin”, sqaron: ”...Evropa e Perëndimit nuk kishte aspak shkëlqimin e Bizantit. Dhe Bizanti para se të zhdukej në shekulllin e XV, mundi t’i trasmetonte tri traditat: greke, romake dhe bizantine- Evropës së Perëndimit që u mbështet tek ato për të ndërtuar rilindjen e saj, pasardhësit e së cilit jemi ne...Kisha e parë e krishterë qe lindore, pikërisht armeniane”. Franca që s’është më e bardhë, do luftojë për të legjitimuar gjuhën e saj si gjuhë të parë evropiane ndërkohë që kontinenti do jetë globalizuar dhe si gjuhë të dyta do jenë ato të popujve përbërës. Besoj se po. Franca ka mbështetje të fuqishme frankofoninë (përtej detit) dhe marrëdhëniet me ish kolonitë e saj. Po marrëdhëniet mes islamit dhe krishtërimit në evropën e bashkuar, cilat do jenë? Kultura arabe dhe popujt që e krijuan atë, ruajnë në kujtesën e tyre momente të rëndësishme të cilat ndikuan në dekadencën dhe prapambetjen e botës islame.
Në shekullin e XIII-të, bota e krishterë dhe mongolët, thyen fuqinë ushtarake islame, duke shkatërruar dy prej qëndrave kulturore të kohës- Kordovës në vitin 1236 dhe Bagdadi në vitin 1258.
Në shekullin e XIV-të, u fiksua ideja në jurisprudencën islame, e cila u shtri edhe në bashkësinë në tërësi: gjithçka që është e vlefshme nga dituria, më është e njohur dhe më mirë e kuptuar nga gjeneratat e para që ishin më afër burimit. Kjo krijoi probleme të mëvonshme në mënyrën e arsimimit.
Sipas teologëve myslimanë, një goditje tjetër vdekjeprurëse, ishte ajo që Qemal Ataturku i dha islamit, konkretisht me heqjen e HILAFETIT.
Nëpërkëmbja dhe mohimi i vlerave të krijuara nga islami, kryesisht nga perëndimi, e detyruan këtë fe të përdoret nga politika, për të mos thënë që u shndërrua si e tillë dhe ndihmoi realizimin e qëllimeve të saj, mandej lindi edhe terrorizmin që po kërcënon stabilitetin në shumë vende të botës.
Le të ndalemi pak edhe te krishtërimi. A e pranon ndryshimin feja e krishterë? S’besoj. Edhe po e pranoi teorikisht, ajo s’ka forcë për të hequr dorë nga dogmat e saj. “Çasti vendimtari i zhvillimit njerëzor-shkruan Kafka-zgjat përjetësisht. Prandaj kanë të drejtë lëvizjet shpirtërore që shpallin gjithçka të mëparshme asgjë, sepse vërtet ende nuk ka ndodhur asgjë”. Analizën më të thellë, më të argumentuar dhe më shkencore të këtij besimi e ka realizuar flozofi tjetër gjerman, Fridrih Niçe. Ja ç’farë shkruan ai:
“Ç’gjë është lumturi? Ndjenja për faktin që fuqia rritet, që një pengesë kapërcehet. Jo shpërblim, por më shumë fuqi; jo paqe në mënyrë absolute, por luftë; jo virtyt, por vlera (...virtyt i zhveshur nga hipokrizia morale)”...”Krishtërimi është quajtur fe e dhembshurisë. Dhembshuria u kundërvihet ndjenjave nxitëse, atyre që rrisin energjinë e vitalitetit:dhembshuaria ka efekt ndrydhës. Atherë kur tregohesh i dhembshur humb forcë.Dhembshuria shkel totalisht ligjin e evolucionit, që është ligj i sekleksionimit...Mbi një terren të gatuar me një baltë të tillë fallco në të cilën çdo natyrë, çdo realitet, kishte kundër vetes instiktet më të thella të klasës sunduese, u rrit krishtërimi, formë deri më sot e pakapërcyeshme e kundërshtimit për vdekje të realitetit. Të gjitha konceptet e Kishës njihen për ato që janë, falsifikimi më i egër që ekziston, me synim uljen e natyrës dhe vlerave të saj; prifti vetë njihet për atë që është, qënia më e rrezikshme parazite, merimanga helmuese autentike e jetës...”
Sa më shumë që i afrohemi qytetërimit dhe vlerave që ai krijon, aq më shumë i largohemi fesë, kushdo qoftë ajo. Lindja e përvitshme e sekteve të reja fetare, të kristianizmit, myslimanizmit apo feve të tjera, tregon krizën e tyre të thellë. Teologët, predikuesit apo besimtarët s’duhet të krijojnë idhuj të rremë. Nëse besojmë te Zoti, Ai është vetëm një.
Ndërsa popujt jetojnë pothuajse të qetë dhe të sigurt nën obrellën shtetërore që i përfaqëson, dhe që në një farë mënyre është edhe mbrojtësja ligjore e tyre, e kundërta ndodh me drejtuesit e shteteve, politikanët, diplomatët dhe punonjësit e sistemit të sigurisë. Mitra e superfuqive mund të rilindë papritur një Stalin më të shpërfytyruar nga ai që njohim, një Hitler më shfarrosës se i pari, një Napoleon më të pangopur e të pathyeshëm se ai që shkatërroi Europën e viteve 1804-1814. Prandaj, ata qëndrojnë vazhdimisht duke përcaktuar prognozat e klimës shtetërore e rajonale, duke pritur ndryshimet e klimës politike në thellësi të kontinentit dhe në periferi të tij. Në një farë mënyre politikanët janë edhe kirurgët e historisë. Bisturia e tyre duhet të operojë pjesët e atrofizuara që s’duhet të jenë në drejtimin e shoqërisë dhe as pjesë e saj, duhet të shterojnë burimet që gjenerojnë kriza, duhet të varfërojnë pa hezitim dhe me të gjitha mjetet ushqimin e miliarderëve kancerozë që nën ethet e parave dhe të çmëndurisë për pushtet, janë gati të sakrifikojnë gjithë planetin. E këtë mision kaq fisnik, politika s’mund ta realizojë dot pa ndihmesën e pazëvëndësueshme të diplomacisë bashkëkohore.
Në shekullin e 17-të, juristi holandez Grotius, botoi De Jure Belli et Pace (Mbi Ligjin e Luftës dhe të Paqes). Libri i tij konsiderohet i pari libër i të drejtës ndërkombëtare. Ai hodhi konceptet e sovranitetit të shtetit dhe barazisë midis shteteve sovrane, koncepte bazë për sistemin modern diplomatik. Në vitin 1626 Kardinali Rishëlje, krijoi të parën ministri të jashtme moderne në Francë, – Ministrinë e Punëve të Jashtme, - për të centralizuar politikën dhe për të siguruar kontroll mbi të dërguarit në ndjekje të politikës së tij të re: raion d’etat – interesit kombëtar (të shtetit). Ai iu përmbajt mendimit se shteti i kapërcente kufijtë e kurorës dhe të territorit, të princit dhe të popullit. Ai nuk ishte dakord me dëshirat dhe ndjenjat e sundimtarit. Për Rishëlje, shteti ka interesa dhe nevoja që i kalojnë caqet e ngushta. Arti i qeverisjes qëndron në njohjen e këtyre interesave dhe veprimit në përputhje më to, pavarësisht nga konsideratat etike, emotive apo fetare. Richeli shpalli atë që është bërë tashmë aksiomë, për ata që drejtojnë politikat e jashtme të shteteve sovranë. Sistemi francez u imitua nga shtetet e tjera të mëdha gjatë procesit të ngritjes së Ministrive të tyre të jashtme, në shekullin 18-të. Sistemi i Rishëljesë dhe marrëveshja e Meterrnikut e finalizuar në Kongresin e Vjenës, ende janë leksione të çmuara eksperience për politikën evropiane dhe aktorët e saj, janë shinat e shtruara në trasenë ku pritet të kalojë treni i globalizmit.