Kulturë
Vullnet Mato: ''Fllad psherëtimash'', libri i ri i poetes Lediana Kapaj
E premte, 05.11.2010, 10:07 PM
“FLLAD PSHERËTIMASH”
LIBRI I RI I POETES LEDIANA KAPAJ
Poezia ka flatrat e saj të shpejta, me të cilat kapërcen dete dhe lartësi malesh për të shkuar te njerëzit që e presin me dashuri. Kështu ndodhi edhe me vëllimin poetik te poeteshës LEDIANA KAPAJ, “Fllad Psherëtimash”. Flladi i ngrohtë i poezive të saj rendi nga largësitë kontinentale të Francës, ku jeton autorja e talentuar, për të ardhur te atdheu i saj, te dashamirësit shqiptarë, tek unë që përgatita redaktimin e këtij libri me vlera artistike të veçanta dhe te Shtëpia Botuese “ADA” që bëri botimin e tij me cilësi të admirueshme.
Në këtë përmbledhje të dytë me poezi, është zemra e një vajze të mbetur jetime, për të vuajtur mallin e emigrimit, është shpirti i madh i një gruaje që rrit fëmijët e saj në distancë të largët nga njerëzit e farefisit, është bota e pasur me ndjenja e një poeteshe që filloi të deklamojë e t’u japë formë vargjeve të saj qysh në fëmijëri. Për të ardhur deri në këtë nivel të artit të saj poetik që promovohet këto ditë nëntori në prag të Panairit Ndërkombëtar të librit në Tiranë dhe qarkullon në të gjitha libraritë e kryeqytetit.
Që në leximin e parë të kësaj përmbledhjeje të plotë me poezi, lexuesit i bie në sy shqetësimi njerëzor i këtij zëri me amplituda drithëruese në artin e magjishëm poetik, që ngrihet në lartësitë e thirrjes kumbuese të shpirtit të një femre për dashuri të fuqishme, të pastër e të përkushtuar me shokun e jetës. Për një vend të respektuar e të merituar që i takon femrës në shoqërinë njerëzore, si dhe për harmoninë e plotë familjare, me të cilën mund të përballet ecja e përbashkët në shtigjet e vështirë të jetës. Ky libër i dytë i autores Lediana Kapaj shënon edhe fillimin e suksesit të kësaj pene të artë femërore në fushën e begatë të poezisë shqiptare.
Vullnet Mato – redaktor i librit “ FLLAD PSHERËTIMASH”