E premte, 25.07.2025, 08:46 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Baki Ymeri: Shqipëria dhe Kosova përfaqësohen në Festivalin Ballkanik të Poezisë në Braila të Rumanisë

E diele, 26.09.2010, 09:59 PM


Korrespondencë nga Bukureshti

Shqipëria dhe Kosova përfaqësohen në Festivalin Ballkanik të  Poezisë në Braila të Rumanisë

Nga Baki Ymeri

Braila ka qenë, është dhe do të jetë zemra e gjallë e admirimit shqiptar ndaj Naum Veilharxhit dhe shqiptarëve të saj. Braila kremtoi Festivalin e Poetëve nga Ballkani, është njëri nga artikujt e shumtë që e pa dritën e botimit në gjuhën rumune në gazeta ditore, në mediat radio/televizive dhe në Internet. Në Brailë këto ditë u mbajt edicioni IV i Festivalit Balcanica. Kësaj radhe, ky manifestim dinjitoz (organizuar nga Këshilli i rrethit dhe Biblioteka Panait Istrati), iu kushtua poezisë shqipe dhe asaj rumune. Në këtë festival morën pjesë: Bardhyl Londo dhe Ermir Nika nga Shqipëria, Sali Bashota nga Kosova, Baki Ymeri nga Bukureshti, poezitë e të cilëve u recituan në të dy gjuhët, shqip dhe rumanisht. Në të njëjtën kohë, edhe aktivitetet tjera të festivalit iu kushtuan letërsisë shqipe dhe asaj rumune. Me këtë rast, Dr. Luan Topçiu (ministër këshilltar i Ambasadës shqiptare në Bukuresht), paraqiti kumtesën Letërsia shqipe në hapësirën ballkanike, ndërsa Sami Piraj (drejtor i Departamentit të Kulturës në Ministrinë e Kulturës), paraqiti kumtesën Veprimtaria kulturore në Kosovë.   

Edicionet e mëparshme të këtij tubimi ndërkombëtar iu kushtuan poezisë bullgare, serbe dhe asaj maqedonase, ndërsa sivjet, sipas shtypit dhe kritikës rumune, u theksua fakti se vlerat e poezisë shqipe janë të jashtëzakonshme, rast me të cilit u identifikuan edhe një serë pikash të përbashkëta që i lidhin rumunët me shqiptarët gjatë shekujve. U promovua Antologjia e festivalit Balcanica, me autorët: Sali Bashota, Rodian Dragoi, Basri Çapriqi, Adrian Alui Gheorghe, Bardhyl Londo, Victoria Milescu, Ermir Nika, Horia Zileru, Skënder Rusi, Visar Zhiti. U përurua vëllimi Gëzimet e trishtme të Victoria Milescut në dy gjuhët shqip-rumunisht, morri pjesë edhe filoshqiptarja Ekaterina Aleku dhe u fol me përzemërsi për letërsinë shqipe dhe vlerat e saj.

Po kështu, u hap ekspozita me dokumente të panjohura të Naum Veqilharxhit, iluministi i parë shqiptar që e hartoi Abetaren e parë shqipe në Brailë (1844/1845), me ç’rast fotokopjet e kësaj Ekspozite iu dhuruan Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.  Festivalin e përcolli masmedia dhe radiotelevizioni i Brailës, Galacit dhe Jashit, duke i dhënë një publicitet të madh anembanë Rumanisë. Vlerat e lirikës shqipe u pritën me një interesim të jashtëzakonshëm, ndërsa në fund të festivalit u ndanë çmime dhe mirënjohje, edhe për pjesëmarrësit nga Shqipëria, Kosova dhe Bukureshti.

Tryeza e miqësisë së Kosovës me Bukureshtin

Në ndërkohë, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, Dr. Sali Bashota, u takua me drejtoreshën e Bibliotekës Nacionale të Rumanisë, Dr. Elena Târzman. Me këtë rast u këmbyen libra dhe u bisedua për vazhdimin e bashkëpunimit midis dy insitucioneve, duke u nisur nga fakti se këto dy qendra të larta të bibliotekarisë së dy shteteve, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që nga viti 2005. Ngjarje e veçantë kulturore në Bukuresht ishte edhe organizimi i tradicional i tryezës së miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Bukureshtit. Inisiator: Redaksia e revistës Shqiptari dhe autor i këtij shkrimi.

Me këtë rast morën pjesë personalitete të njohura kulturore dhe diplomatike, ndër të cilët Dr. Xhelku Maksuti (kryetar nderi i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë), Dr. Luan Topçiu, përfaqësuesi i parë i ambasadës shqiptare në Bukuresht, Gheorghe Micu, ish/ambasador i Rumanisë në Shqipëri, Gheorghe Bucura, ish/përfaqësues i Rumanisë në Kosovë, poeteshat Monica Monika Mureshan, Florika Bud, shkrimtarë, miq dhe dashamirë të shumtë të kulturës shqiptare. Me këtë rast u shpërndanë disa mirënjohje dhe u lansuan një serë mesazhesh admirimi ndaj miqve nga Kosova në Bukuresht, ndaj lidhjeve të lashta rumuno/shqiptare, ndaj poetëve shqiptarë të rikënduar në gjuhën rumune, si dhe ndaj poetëve rumunë të përkthyer në gjuhën shqipe.  

PAMJE NGA TRYEZA E MIQËSISË SË KOSOVËS ME BUKURESHTIN

 

 



(Vota: 29 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx