E enjte, 01.05.2025, 01:42 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Engjëll Serjani: Udhëtim real dhe historik nëpër luginën e Kardhiqit

E enjte, 02.09.2010, 08:34 PM


Udhëtim real dhe historik nëpër luginën e Kardhiqit

 

Nga Engjëll Serjani

 

Të udhëtosh sot nëpër luginën e lumit të Kardhiqit ka vetëm një “portë” nga ku mund të depërtosh dhe kjo është Qafa e Zeneles. Vetë lumi i Kardhiqit derdhet në Drino afër kalasë së lashtë romake të Palokastrës, por në fakt rajoni gjeografik i luginës së Kardhiqit, nuk di pse, por konsiderohet krahinë qysh nga Ura e Kardhiqit, përbri së cilës kalon rruga nacionale Tepelenë - Gjirokastër, e deri thellë mes maleve në Qafë të Skërficës. Udhëtimi nëpër këtë krahinë aktualisht është kënaqësi dhe mundim njëherësh. Çepuna dhe Zenelaj, dy vendbanime të jetësuara në gjysmën e parë të shekullit XX kalojnë lehtë. Janë fshatrat më shumë të banuar të zonës për shkak të afërsisë me rrugën nacionale, por kurrsesi nuk kanë peshën dhe rëndesën e fshatrave të tjerë të kësaj zonë si Plesati, Prongjia, Kardhiqi, Kakodhiqi, Zhulati dhe Fushëbardha. Peizazhi natyror dhe peizazhi historik këtu shkrihen në një dhe vetëm, ndërsa rruga ekzistuese të lodh, ndërprerja e punimeve në rrugën e re që lidh Pëzomën me zonën e Kardhiqit, apo Gjirokastrën me Delvinë-Sarandën, të trishton. Traseja e rrugës së re nuk është gjë tjetër veçse një shteg e korridor i lashtë rrugor mes maleve, që është përdorur në të gjitha periudhat e jetës njerëzore qysh nga prehistoria, antikiteti e mesjeta prej ilirëve, epirotëve, maqedonasve, romakëve, sllavëve, turqve, grekëve, italianëve, gjermanëve. Por punimet për ndërtimin e rrugës së re që ka nisur në këto gjurmë të lashta qysh 3 vjet më parë, ka mbërritur deri në afërsi të Kardhiqit, fakt që zona të vazhdojë të mbetet e izoluar nga bota. Banorët e pakët të mbetur në fshatrat gjysmë apo tërësisht të braktisur nuk mund të lëviznin lirisht. Në këto 20 vitet e fundit fenomeni i shpopullimit ndodhi me shpejtësi marramendëse. Fshatrat dikur “hijerëndë” me emër e histori me nga 200-300 shtëpi si Fushëbardha, Kardhiqi, Zhulati e Prongjia, sot janë katandisur në vendbanime pa jetë e gjallëri.

Ringjallja këtu pritet të vijë nga ajo rruga e re e lënë përgjysmë, rruga Ura e Kardhiqit - Sarandë me gjatësi 37 kilometra, ku deri tani ka vetëm 7 kilometra trase. Kësisoj shtegu i udhës së lashtë, nga ku rreth 2300 vjet më parë Mbreti Skerdilajd, kunati i Teutës së Durrësit, i solli fitoren mbi foinikasit Mbretëreshës ilire, vetëm sa ka zgjuar shpresat te banorët e mbetur dhe te bashkëfshatarët e ikur “në kurbete, e në qytete”.

 

Guri i lartë i Cepos dhe manastiri i kuvendeve labe

 

Për të udhëtuar është e vështirë nga rruga, për të nisur reportazhin është e vështirë nga historia. Nga ta nisësh këtu, nga “porta e madhe” e krahinës, manastiri i Cepos, apo nga lavdia e dikurshme e Kardhiqit, nga lashtësia e Zhulatit, apo nga historia e Fushëbardhës. Manastiri historik i Cepos nuk është vetëm një gjurmë e ndritur e krishterimit të hershëm të Labërisë, por edhe vendi i kuvendeve historike. Ai ndodhet poshtë një prerjeje shkëmbore të shpatit verior të Malit të Gjerë, në një nga pikat më strategjike të dy luginave, asaj të Kardhiqit dhe Luginës së Drinos. Përreth manastirit, ca tufa cangadhesh mërzejnë nën hijet e pemëve të rralla e të lashta. Ca fëmijë që luajnë bri tufave, ndërsa vështrimi ynë rrok një hapësirë të paanë që nis nga gryka e Dragotit dhe e Tepelenës, në Odrie e Lunxhëri, në Picar, Kolonjë e Golëm, dhe në perëndim në brendësi të fshatrave Prongji, Kardhiq dhe Kakodhiq që shtrihen në të djathtë të rrjedhës së lumit Kardhiq. Tej qafës së Taroninës janë Fushëbardha, Zhulati dhe më tej Tatzati i Rrëzomës së Delvinës.

Aq strategjik është ky vend i lartë, saqë mjafton të themi se përveç se vendi i shenjtë i faljes, bekimit dhe lutjeve të vendasve ndaj Zotit, të paktën qysh nga koha e kryengritjeve antiosmane të fundshekullit të nëntëmbëdhjetë e deri në vitin 1992, ky vend ka shërbyer edhe si kazermë ushtarake, si vendkomandë, vendgrumbullim luftëtarësh, pikë referimi për kuvendet e labëve. Lame Aliko, një banor i Çepunës, na thotë se ky vend ka parë dhe ka pritur shumë nga luftëtarët më të njohur të Jugut: Sulo Beqiri, Çelo Picari, Çerçiz Topulli, Barjam Ligu, Hito Lekdushi, Riza Veipi, Mustafa Matohiti, Shefqet Peçi, e shumë të tjerë. “Në Cepo te manastiri / Gjëmon pushka e tundet briri/ Sokëllin Sulo Beqiri/ Sa dëgjohej nga Erindi/ E nxori pallën nga milli”, thotë një këngë e vjetër për ngjarjet që ka përjetuar ky vend. Si vendi i kuvendeve më të mëdha ku janë marrë vendime historike, kronikat e këtij manastiri ruhen brez pas brezi në këngë. “U thotë Idriz Agai / Mbani vesh o kapedanë / Dhe ju bejlerë e agallarë / Të madhe ju bëj rixhanë (lutjen) / Të lidhim mirë ixhanë (pajtimin), këto vargje këndohen edhe sot.

 

Plesati dhe historia e kallogre Ksenos

 

Por historia e Ksenos, kallogresë së fundit të manastirit të Cepos është më e dhimbshmja që kam dëgjuar. Një i moshuar nga fshati Plesat, fshati më pranë manastirit, na tregon se gjatë një operacioni ushtarak gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtarët fashistë dogjën të gjallë një kallogre në flakët që i kishin vënë hajatit të manastirit historik të Cepos. “Ksenon e gjorë, një nga kallogretë e këtij manastiri historik, e dogjën të gjallë sepse ajo nuk u tregoi se nga kaluan pjesëtarët e një çete partizane që ishte e dislokuar dhe strehuar për disa muaj në manastirin e Cepos”, rrëfen plaku nga Plesati. Ai na tregon me gisht rrugën këmbësore që gjarpëron poshtë majave të këpucëve tona. “Ishte nisur të shpinte bukë te partizanët që ishin fshehur në shpellën sipër manastirit në mal. Ja, aty tek ajo kthesa me përralle, aty e gjetëm trupin e saj të masakruar”, përfundon rrëfimin e tij plaku nga Plesati.

Manastiret, përveçse vende të shenjta fetare, kanë funksionuar edhe si institucione publike në shërbim të banorëve, udhëtarëve dhe vizitorëve të huaj që lëviznin në këto anë. Vetë kompleksi i ish-manastirit, me kishën madhështore, hajatin e kafshëve, trapezarinë ku dikur shtrohej përditë ushqim për kalimtarët, hanharët, lëmi etj., lënë të kuptojnë këto funksione publike. Prej tij kanë mbetur sot vetëm dy objekte, kisha e tipit bazilikë me kupolë dhe një nga dhjetëra konakët e dikurshëm.

Plesati, fshati me fytyrë nga perëndimi, duket tërësisht i fjetur. Lesko Hida është një nga barinjtë e fundit në Plesat. Ai ka një kope me dhen, familjet e tjera kanë vetëm ca cangadhe për djathë e dhallë. Njerëzit kanë ikur nga Plesati. Poshtë në përrua gjendet Prongjia e Bajram Ligut, që vrau bimbashin e Gjirokastrës bashkë me Hito Lekdushin, fshati që e ka marrë emrin nga përrenjtë e shumtë që e rrethojnë. Çuditërisht nga fshati i përrenjve vjen një zhurmë dhe gjallëri që na bën përshtypje. “Ka takim brezash na thotë një grua që takojmë diku pranë një lapidari të madh ‘pa shkronja’, që sikurse na thonë, është vendi i krijimit të një formacioni partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Jo vetëm në Prongji, fshat me tradita të lashta historike, po në të gjitha fshatrat e zonës në muajin gusht bëhen festa të cilësuara ‘takim brezash’. Vinë nga janë e nga s’janë, nga kurbeti dhe qyteti, kënga dhe vallja popullore hidhet në sheshin e fshatit deri në mëngjes”, na thotë çobanesha nga Prongjia. Pse janë të njohur prongjotët”, pyesim gruan që për pak çaste bashkudhëton me ne. “Kështu për histori njëlloj si kardhiqiotët dhe zhulaqiotët. Për të tjerat: ujët e Vrisit dhe të Mbreteve të Prongjisë janë me emër në të gjithë krahinën. Jemi të njohur edhe si mjeshtra të qymyrit të drurit. Pylli i Piksit dhe ai i Mbreteve kanë furnizuar me qymyr gjirokastritët, që e përdornin për ngrohje, për pjekje dhe për të ngrohur hekurat e hekurosjes së shajakëve”, thotë me modesti çobanesha nga Prongjia.

 

Zhulati, vendi i origjinës së Kanunit të Labërisë

 

Zhulati, sot një fshat i zakonshëm me dy mëhalla që u përkasin dy besimeve, me siguri dikur ka qenë një qytet. Për të mjafton të kujtojmë se është fshat me kështjellën më të vjetër se ajo e Kardhiqit dhe se është vendi ku lindi Kanuni i Labërisë. Një nga shoqëruesit tanë, kryetari i Komunës së Cepos, Dragush Logli, është zhulaqot dhe këtu nis shpërthimin e tij me legjendat dhe rrëfenjat e Zhulatit. Papa Zhuli, sipas tij, ishte një prift i mençur dhe atij i atribuohet grumbullimi dhe përpunimi i të drejtave zakonore të krahinës së Labërisë. “Ndonëse Kanuni i Labërisë ka origjinë që nga lashtësia, gojëdhëna popullore ia atribuon Kanunin e njohur të Labërisë Papa Zhulit nga Zhulati, që mendohet se ka jetuar në shekullin XI. Për të gojëdhënat dhe dokumentet thonë se ka qenë prift dhe është njohur si prijës i Kurveleshit nga normanët gjatë pushtimit të tyre ndoshta në vitin 1081”, tregon Dragushi. Në fakt edhe shumë historianë thonë se figura e Papa Zhulit i takon kohës së Bizantit, çka dëshmon se gjurmët e Kanunit të Labërisë gjenden qysh atëherë dhe kanë vepruar në praktikë krahas monokanunit bizantin. Për këtë legjendë ka shkruar edhe Eqrem Vlora (Shejzat 1957), pavarësisht se ende nuk janë gjetur dokumente të shkruara.

Një nga këngët më të vjetra dhe më të bukura në Zhulat është ajo e trimit Petro. “Lum, o bir, Petro Zhulati / Kal i kuq sa gjysmë shpati / Me Bizant të zu inati / Ç’i bëre gjithë ata trima / Me kuaj si vetëtima / Jataganët vringëllima”. Një përplasje me përmasa të mëdha duhet të ketë ndodhur derisa gojëdhëna që sjell kënga e moçme ruhet me fanatizëm për afro 9 shekuj.

Me gjithë atmosferën legjendare dhe pamjet e papërsëritshme të peizazheve dhe dramave të natyrës dhe historisë, përsëri ka trishtim. Maleve të larta dhe të aksidentuara nga rrëketë që presin si me thikë shpatet shkëmbore, forma nga më të çuditshmet të shkëmbit, bimëve dhe ujërave. Fushëza të gjelbra në hapësirën e ngushtë të maleve. Idetë përthyhen dhe mendimi rrëzohet në honet që të shfaqen papritur ngado. Imazh i mahnitshëm, pa limit e kufi ngjyrash. Brenda kësaj mrekullie të natyrës dallohet lehtë varfëria e sotme dhe aty-këtu edhe ndonjë shenjë e vogël nga lavdia e dikurshme. Banorët me urtësinë dhe thjeshtësinë e tyre fisnike të rrëfejnë historinë me këngët e tyre të vjetra. Zhulati ruan më shumë se kushdo tjetër në këtë krahinë krenarinë e pamohueshme të origjinalitetit. Me krenari dhe sinqeritet të tregojnë “Mëhallën e të krishterëve” vendosur në shpatin përballë fshatit të sotëm. I fundit i krishterëve është larguar nga fshati në vitin 1960.

Shtëpitë e fshatit, edhe pse disa prej tyre të reja, ndërtuar 10 - 15 vjet më parë, shumica janë të braktisura. Një plakë nga fisi i Alikajve na vështron me habi dhe na përshëndet butësisht. “Ku është kalaja?”, e pyesim plakën e Alikajve. Ajo ngre supet pastaj me përtesë na thotë: “Kalaja ka qenë atje në majë të bregut. Nuk ka më mure e gurë. Ka vetëm ca radhoj guri. Ikën gurët, janë bërë mure për shtëpi, për shkollën, për dylbene”, thotë dhe na fton bujarisht për një “gotë ujë” në shtëpinë e saj.

Një grua tjetër rreth të 60-ve, që nuk e “fshehu” emrin dhe që quhej Begzo Çela, na thotë se nga 250 shtëpi që kishte në vitin 1990, sot kanë mbetur rreth 90 shtëpi. “Të shumtat banohen nga pleq të vetmuar, të rinjtë kanë ikur. Nga 500 nxënës që ka pasur, tani në shkollë ka vetëm 30 fëmijë”, thotë Begzo. Megjithatë, Zhulati edhe me këto “statistika” spontane e në rënie, aktualisht mbetet fshati më i madh i krahinës. Në fakt, deri para 30 vjetësh gjurmët e lashtësisë, muret, mbishkrimet dhe dokumentet ishin më të dukshme. Ato u përkasin periudhave të hershme ilire.

Kronikat e vjetra për fshatin Zhulat, dikur ai përmendet me emrin Julius, diku Zhul, diku ndryshe. Sundimtarët bizantinë e më vonë venedikasit, jo aq shumë për vetë Zhulatin, por më shumë për pronat e banorëve të Zhulatit përgjatë bregdetit jonian, fushat e luginës së Rrëzomës, e në gjithë pellgun e begatë të Delvinës. Historiani turk, Evlia Çelebi, shkruan se Zhulati ndodhet në një zonë të thellë malore, ka 200 shtëpi të vendosura pranë një fortifikimi natyror tepër mbrojtës. Shpatet e maleve dhe kodrave përreth tij ishin të mbuluara me vreshta. “Banorët e tij merren me shkëmbime të produkteve të zejtarisë me qytete të tjera brenda dhe jashtë krahinës... Kështjellën e Zhulatit e ka themeluar mbreti i Spanjës, kur këta banorë ishin aleatë të tij. Më vonë, me dredhi e shtiu në dorë Duka i Venedikut e më pas në shekullin e Bajazitit të shenjtë e zaptoi Qedik Ahmet Pasha... Ajo ngrihet drejt qiellit në mënyrë madhështore... Kështjellë e pashembullt në bukuri, që mund t’i përngjasë ajo e Kordusit ose ajo e Benefshes në Peloponez”.

Kryetari i Komunës së Cepos, Dragush Logli, është vetë nga Zhulati, prandaj nuk rresh së foluri për të. “Zhulati ka jetuar gjithmonëë i lirë dhe i organizuar në bashkësi fshatare, me ekonomi natyrore dhe me një vetëqeverisje zakonore që nga koha e Kanunit të Papa Zhulit”, thotë Dragushi. Njeriu nuk la gur pa lëvizur në qeveri për financimin e rrugës Kardhiq - Sarandë.

 

Jeta nën rrënojat e Kardhiqit

 

Zhulati dhe Kardhiqi mbahen më “rëndë” për sa i takon së shkuarës. Dy fshatrat “me kala” dhe pretendim për qytetari të hershme, ngjajnë pak me njëri-tjetrin. Zhulati shtrihet në një gropë dhe kalanë e ka mbi krye. Kardhiqi shtrihet në brinjë paralel me kalanë. Zhulati ka më shumë gjurmë kishash dhe krishterimi. Kardhiqi ka më shumë gjurmë xhamish dhe tyrbesh. Rrënojat bëjnë më të vjetër Zhulatin. Por dhe e sotmja duket më favorizuese për Zhulatin. Në Kardhiq sot banojnë vetëm 3-4 familje dhe jo më shumë se 15 banorë. Të tjerët janë larguar. Shtëpitë janë kthyer në stalla bagëtish dhe era e bajgës përhapet anembanë. Më thonë se një vit më parë kau i fshatit mori përpara brirëve të zotin dhe e “lanisi” deri sa vdiq në muret e kështjellës.

Si në çdo vend të braktisur, degët e pemëve hyjnë nga dritaret në brendësi të banesave, ndërsa rrënjët e tyre kanë plasaritur, pragjet, dyshemetë dhe tarracat prej betoni. Rrënojat e shtëpive “të reja” të braktisura në vitet e fundit, natyrisht ngjajnë më shëmtuar se shtëpitë me qemerë guri, kullat me fërngji e oxhakë dhe xhamitë e rrënuara të mesjetës kardhiqote. Fshatit i ka humbur edhe “urbanistika” e dikurshme. Nuk ka qendër apo periferi. Banorët e paktë të mbetur në Kardhiq janë mbledhur dhe jetojnë të gjithë poshtë kullës jugore të kalasë. “Për të qenë më pranë njëri-tjetrit. Ata që ikën mbase nuk kthehen prapë. Pastaj bujrum le të vijnë, këtu i kanë muret e koshtrat, këtu i kanë binatë”, thotë grua nga fisi i Shehe.

Pavarësisht nga trishtimi dhe braktisja totale, muret e Kalasë së Kardhiqit rrezatojnë diçka nga shkëlqimi dhe madhështia e dikurshme. Por kur shikon sipër mureve të gurtë, ca dhi të hirta që ushqehen me gjethe kulprash e gjethe hardhie mendimi të shkon tek përsëritja e shëmtuar e historisë. Atë që nuk e bënë dot hakmarrja e Ali Pashës dhe luftërat e shumta, e bëri më shpejt varfëria dhe skamja. Këtë të vërtetë e beson më shumë kur lexon opinionet e Pukëvilit për Kardhiqin. Për konsullin francez të Napoleon Bonapartit në Oborrin e Ali Pashë Tepelenës, zotin Pukëvil, mbijetesa në shekuj e banorëve të zonës së Cepo - Kardhiq - Zhulatit, krahinës malore por mjaft të lakmuar për pozicionin strategjik, lidhet me qëndresën, shtëpitë gjysmëfortesa dhe të mbrojtura nga burra të vendosur, si dhe në aftësinë e vendasve për t’u përshtatur në momente të vështira të invazioneve dhe pushtuesve. Banorët e Kardhiqit, shkruante Pukëvili, shfaqen arianë në kohë të Alarikut që shkatërruan Epirin, kristianë ortodoksë gjatë kohës që perandorët e Kostandinopojës zotëronin Epirin, katolikë gjatë invazionit të normanëve dhe katalanëve, e së fundi myslimanë pas pushtimit të Epirit prej turqve; ata i kishin shpëtuar syrit të të gjithë pushtuesve dhe duke kaluar nëpër këtë metamorfozë fetare, ata kishin ruajtur identitetin e tyre.

Megjithatë, midis legjendave dhe historive reale të Kardhiqit, ajo më e tmerrshmja mbetet hakmarrja e Ali Pashë Tepelenës ndaj kardhiqoteve.

Qysh nga vegjëlia e tij, Aliu mbajti të fshehur synimin për të marrë hakun për Mëmë Hankon dhe Motër Shanishanë që ishin turpëruar kur ai nuk ishte veçse 10-12 vjeç. Thonë se deri në momentet e fundit të jetës, kur kishte zënë shtratin e vdekjes, Mëmë Hankua lëshonte nëma e mallkime për kardhiqotët që t’i kujtonte Aliut turpin dhe që t’i kërkonte atij shpagim.

Kur ishte në kulmin e lavdisë, afro 40 vjet pas çnderimit të Hankos ai gjen kohën, vendin dhe mënyrën që të vinte nderin në vend. Në vitin 1812, ai rrethoi Kardhiqin dhe fillimisht ekzekutoi 60 burra të parisë kardhiqotë që i kishte marrë peng. Por historia nuk mbaroi me kaq, Aliu në krye të ushtrisë më pas hyri në qytetin e Kardhiqit dhe kërkoi që të gjithë burrat, të paarmatosur, të niseshin për në Hanin e Xharahajve pranë Valaresë, duke i konsideruar kardhiqotët të falur, si vëllezër dhe djem të tij. Por në mes të atij udhëtimi fatal e tragjik, befas ndizet urrejtja e Aliut, ndizet flakë ndjenja e hakmarrjes dhe në çast vjen urdhri për rrethimin e Hanit të Valaresë dhe vrasjen e masakrimin e 640 burrave kardhiqotë. Kadhiqotët e mbetur gjallë, nuk harrojnë dhe brez pas brezi përcjellin qëndrimin burrëror të luftëtarëve mirditorë të Aliut që refuzuan të vrisnin kardhiqotët e paarmatosur. “Armatosi pasha, pastaj le të luftojmë, nuk qëllojnë mirditorët mbi burra të paarmatosur”, i është drejtuar Aliut një nga komandantët mirditorë i quajtur Ndrek Gazulli, një nga pasardhësit e Abacisë së Mirditës.

Por, pavarësisht nga kundërshtimi i mirditorëve, mes ushtarëve mercenarë të ushtrisë së Ali Pashës u gjendën disa të kryesuar nga Thanas Vaja, që e përfunduan masakrën.

 

Fushëbardhë dhe Fushvërri, kurrë mënjanë

 

Cepo, Kardhiq e Zhulat, nuk mjaftojnë për të ndriçuar epokat me lavdi, apo traumat tragjike të banorëve të kësaj ane, që gjithsesi tregojnë lashtësi, qëndresë dhe identitet. Më dhurojnë një libër të një fushbardhjoti, ku janë përmbledhur shumë këngë popullore të zonës, një pasuri e pallogaritshme mbledhur me dashuri nga i ndjeri Mitat Kondi. Lexoj mes tyre një version të këngës së vjetër "Tanë moj Tanë”. Tanë moj Tanë /Dëgjoje vëllanë / Ngreju dhe zgjo babanë / Muarr dhëntë e vanë / Kaptuan Kacullanë / Korbecin në shtrung e vranë / Dash llajushin në hell e kanë / Mua lidhur me mbajnë”.

Pastaj, brenda librit të Mitat Kondit, gjej historinë e komandant Idriz Alidhima, që në 15 ditë luftime të ashpra shpartallon grekët. “Zhulati vajton me dhimbje e krenari 40 mandate, 40 heronj, prandaj ne zhulaqotët dhe fushëbardhasit jemi krenarë, se në asnjë epoke, asnjëherë s’u hoqëm mënjanë”, thotë një burrë i imët që çapitet nëpër zallin e bardhë të Fushbadhës me ca dhi të pakta përpara.

Për të na treguar se një pjesë e lavdisë së Zhulatit i përket edhe Fushbardhës, plaku na thotë se deri në vitin 1900 Fushëbardha dhe Fushëverria, fshat që ndodhet matanë Qafës së Skërficës, funksiononin si lagje të pandara të Zhulatit.

Biznesmeni fushbardhas Qazim Muho, është kthyer në fshatin e origjinës në Fushbardhë së bashku me vëllezërit e tij, Atdheun dhe Arjanitin. “Fushëbardha dhe e gjithë zona e luginës së Kardhiqit është një zonë që ofron shumë gjëra për një turizëm natyror, ambiental dhe historik. Nga nisja e punimeve të rrugës Kardhiq - Sarandë shpresuam shumë dhe u përgatitëm për të investuar në zhvillimin e turizmit, por ndërprerja e gjatë e punimeve, ndërpreu edhe vrullin dhe entuziazmin tonë për të nisur investimet”.

Duket qartë se ritmi ka rënë edhe më për më optimistët, ndërsa strumbullari i shpresës mbetet rruga e nisur dhe e ndërprerë, Kardhiq-Sarandë. Realiteti dhe historia, të dyja të bëjnë të mendohesh. Varfëri dhe prapambetje gjen në mes të këtyre maleve. Njerëz që kanë braktisur vatrat shekullore, por ka ende njerëz që jetojnë ende në këtë zonë ende të izoluar. Ata shpresojnë që nga përmirësimi i infrastrukturës rrugore të ketë një hov ekonomik, ta zëmë investime ose turizëm, sepse kanë trashëgimi historike dhe natyrë të bukur. A ka vërtet shanse!? ...Sidoqoftë, realiteti mbetet i hidhur dhe i trishtë.

 

Historia e Skerdilajdit që kaloi Skërficën

 

Qysh në lashtësi kur Antigonea, kryeqendra e luginës së Drinos përjetonte një zhvillim të shpejtë rreth vitit 230 p.e.s., pikërisht kur Teuta kishte vënë një ushtri nën komandë të kunatit të saj, Skerdilajdit, u drejtua për të pushtuar Kaoninë nga toka, kur flota ilire e Teutës kishte zbarkuar në Butrint, Onhezëm (Saranda e sotme) dhe Foinike, pikërisht kjo “portë” kishte vendosur fatin e një lufte të madhe të asaj periudhe. Arkeologu Dhimitër Çondi që udhëton së bashku me ne për të fotografuar gjurmët e lashtësisë në këtë zonë, thotë se Skerdilajdi kishte marshuar me ushtarët e tij pikërisht nëpër ngushticën e lumit të Kardhiqit, poshtë “këmbëve” të Cepos. Sipas shkrimeve të historianit grek Polibi, thotë, Çondi, kur kaonët; “...me që morën vesh se Skerdilajdi me 5000 ilirë po vinte kundër tyre nëpër tokë, duke kapërcyer ngushticën e Antigonesë, dërguan një pjesë të forcave të tyre për të mbrojtur këtë qytet”. Pozita gjeografike kyçe e luginës së Drinos si pikëtakim i rrugëve të Epirit, Ilirisë dhe Maqedonisë ishte edhe fati edhe fataliteti i banorëve të saj. Kështu historia përsëritet pak më vonë në vitin 198 p.e.s., mbreti Filipi V u vu në krye të ushtrisë maqedonase dhe u nis për të pushtuar “ngushticat e Antigonesë”. Historiani romak Tit Livi, shkruan se ushtria romake e udhëhequr nga konsulli romak Tit Kuinkt Flamini, e ndihmuar edhe nga një bari vendas që i dinte shtigjet, goditi nga pas shpine kampin maqedon në anë të lumit Aos (Vjosa). Por përplasja më e madhe me maqedonasit ndodhi rreth 20 vjet më vonë kur komandanti romak Ap Klaudi u godit befasisht nga maqedonasit në “ngushticat e Antigonesë” dhe pasi i shpëtoi goditjes u vendos në Meleona (Memaliaj). Fushata e maqedonasve vazhdoi më pas mbi antigonasit dhe me vënien nën kontroll të “grykave të Antigonesë”. Në këto rrethana të humbjeve me maqedonasit, antigonasit u detyruan të bashkohen me maqedonasit dhe molosët kundër romakëve, ndërsa kaonët vazhduan të mbajnë anën e Romës.

 



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx