Udhëpërshkrim
Meri Lalaj: Të shkosh në Pogradec...
E hene, 09.08.2010, 06:52 PM
Të shkosh në Pogradec...
Nga Meri Lalaj
Të shkosh në Pogradec në cilën do stinë të vitit, por veçanërsht ia vlen të shkosh në Pogradec gjatë ditëve të bukura të stinës së verës atëherë kur dielli përvëlon Tiranën. Të shkosh në Pogradec e të shijosh freskinë mëngjesore, puhizën e mbrëmjeve, gjelbërimin e pafund dhe lulet që lulëzojnë në çdo stinë. Të shkosh në Pogradec për të takuar miq e shokë, për të prekur kujtimet e fëmijërisë.
Unë jam lindur e rritur në këtë qytet, të cilit natyra i ka falur gjithçka: së pari fushën mbi të cilën shtrihet qyteti, liqenin e kaltër një nga më të bukurit në botë, Malin e Thatë përballë tij, kodrën me emrin Kala dhe Lumin e Madh të përjetësuar nga Mitrush Kuteli. Ky qytet ka ndryshuar shumë sidomos gjatë viteve të fundit, krahasuar me qytetet e tjerë bregdetarë, të cilët bregun e detit e kanë të betonuar me pallate shumëkatëshe. Ndërsa Pogradeci e ka të lirë bregun e liqenit nga ndërtesat. Përgjatë bregut shtrihet një park me drurë pishash, bliresh, junapësh, gështenjash të egra, shelgjesh lotonjës, kaçubesh të gjelbëra dhe lulesh shumëngjyrëshe. Ky park zotëron krejt bregun për gati tre kilometra. Çdo mëngjes përgjatë rrugës buzë liqenit dhe anësoreve të rrugës kryesore që të shpie drejt Tushemishtit ecin me hap apo me vrap qytetarët e tij burra, gra e të rinj, që duan të forcojnë shëndetin. Ndërsa pasditeve qytetarët bëjnë shëtitjen e mbrëmjes. Pogradeci është një nga qytetet e paktë ku ka ujë njëzet e katër orë me radhë, ku nuk ka më ujëra të zeza që të derdhen në liqen dhe është një qytet me rrugë dhe sheshe shumë të pastra, të cilët freskohen nga shatërvanet. Më ka marrë malli për Pogradecin e dikurshëm dhe ngjitem tek Burimat. Rruga është e shtruar me gurë të bardhë kalldrëmi për të krijuar përfytyrimin se si ka qenë dikur dhe ujët e Burimave i sistemuar rrjedh duke kënduar. Tek një pllakë guri aty pranë janë shkruar dy vargje nga poezia e Lasgushit “Kroj i fshatit t’onë” “Kroj i fshatit t’onë ujë i kulluar / Ç’na mburon nga
Dikur pushuesit, që vinin në Pogradec vendoseshin tek ata tre a katër kampet: ai i punëtorëve, i pionierëve, i kuadrove dhe tek ata dy a tre hotelet e qytetit me shumë pak shtretër. Megjithatë në ato vite Pogradeci trefishohej apo katërfishohej, sepse pogradecarët me bujarinë e tyre hapnin shtëpitë dhe zemrat për kushërinjtë, shokët dhe miqtë. Dhe mbusheshin e plot e përplot si shtëpitë private ashtu edhe apartamentet me sipërfaqe të kufizuar, shpesh nga që bëheshin shumë njerëz në një banesë krijoheshin edhe situata gazmore. Por tani kanë ndryshuar shumë gjëra, njerëz që kanë mundësi financiare, banorë të Tiranës apo të qyteteve të tjerë të Shqipërisë mund të blejnë apartamente banimi në Pogradec për të pushuar në verë apo për të shijuar mrekullinë e dëborës së bardhë të dimrit, verës së kuqe të buteve apo koranit të pjekur në stufën me dru. Nëpër qytet në shumë vende pashë burra duke prerë me sharrë apo çarë me sëpatë e duke stivuar drutë e dimrit. E nga ana tjetër, megjithatë me trishtim shoh Kalanë e zhveshur, e cila dikur ka qenë e tëra gjelbëruar me vreshta dhe mollë apo pyllin e gështenjave që pothuaj nuk ekziston më.
Tek shtëpia e Anastas Kostandinit
Të shkosh në Pogradec, përveç kënaqësisë së të larit në liqen, ndoshta një jetë më e gjallë artistike do ta gjallëronte edhe më tepër qytetin (Nuk kam parasysh diskot e natës), por kjo jetë artistike thuajse mungon, me përjashtim të koncertit Maratona 5. Mikesha ime më pat pyetur për Gjergji Kostandinin, mikun e Lasgushit, të cilin ajo e pat njohur dikur, unë i thashë se mund të takojmë të birin, Tason. Kështu unë dhe mikesha ime, qemë me fat të vizitonim shtëpinë e piktorit të mirënjohur pogradecar Anastas Kostandini. Shtëpia e tij ndodhet në një rrugicë të kahershme poradecare dhe që tek porta e jashtme e metaltë e lyer me ngjyra të ndryshme të krijohet përshtypja për çka do të shohish brenda. Portën e hap e zonja e shtëpisë, Elsa, bashkëshortja e Tasos (siç e thërrasin Anastasin). Për fat të keq nuk e takojmë dot Tason pasi ka vajtur diku me punë, por takojmë bijën e tij, Marianën, e cila ndjek studimet për violinë në Paris. Që në oborr shohim se jemi futur në një shtëpi të pazakontë, e cila më tepër ngjan me një muze etnografik. Nëpër muret nga ana e jashtme shohim objekte që i kanë shërbyer dikur banorëve të shtëpisë si: sofra e bukës, jastagaçi, dyert e sobës me dru, majtas një rreth i stërmadh i thurur me thupra, një varg kungujsh të thatë stambolli (siç i quajnë në Pogradec) të futur njëri tek tjetri nga toka deri lart tek çatia e ateliesë, dy mozaikë punuar nga dora e Tasos me gurë të vegjël shumëngjyrësh. Dhe shumë lule të mbjella në çdo cep. Gjithçka është e ruajtur me mjaft kujdes që nga piktura e parë e tij me temë nga luftërat e Skënderbeut (kur Tasoja nuk e dinte se do të ndiqte rrugën e pikturës), autoportreti i parë si djalosh, e më tej nëpër dhomat e shtëpisë e në çdo cep të lirë piktura apo objekte artistike edhe kanatat e dyerve, edhe sipërfaqet e tavolinave të vogla janë të pikturuara. Vetëm tavanet nuk janë të pikturuar. Shoh e mrekulluar shumë peizazhe të qytetit të lindjes, Pogradecit në çdo stinë të vitit: shumë dëborë në dimër, gjithashtu shoh Pogradecin në periudha të ndryshme vitesh ashtu siç ka qenë dikur qyteti ynë pa këto ndërtesat shumëkatëshe, të cilat e zbehin bukurinë e qytetit dhe piktorin nuk e lënë që të shohë nga ballkoni i tij Kalanë apo liqenin. Në pullazinën e shtëpisë së tij të duket vetja sikur ke ardhur për të vizituar një ekspozitë të sapoçelur me peizazhe të ndryshme të Linit, Sarandës, Manastirit, Korçës, Vlorës, kompozimi i mrekullueshëm me piktorin Vangjush Mio në qendër. Portretet e bijave të tij, Ledias dhe Marianës që kur kanë qenë foshnja dhe më tej gjatë viteve të jetës, portretet e Luizës, nënës së Tasos, në mjediset e shtëpisë tipike pogradecare. Në oborr ndodhet atelieja e piktorit ku ai kalon të shumtën e kohës duke punuar. Kavaleti i vendosur poshtë dritares së madhe majtas nga e cila hyn drita, piktura të përfunduara me temën e verës dhe nxjerrjes së rakisë, të tjera të frymëzuara nga poezitë e Lasgushit (librat e poetit janë aty mbi tryezën e vogël të punës), të tjera piktura me temë nga tregimet e Mitrush Kutelit. Profesionin e të atit piktor e ka trashëguar bija e tij, Ledia, e cila ka mbaruar studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë. Midis pikturave të Anastas Kostandinit ndodhen edhe pikturat e bijës së tij, kompozimi me temë “Familja” dhuruar prindërve si edhe kompozimi tjetër shumë i veçantë “Natë Pashke”.
Në Kishën e Shën Mërisë
Dikur në fëmijëri veshur me fustanin dhe sandalet e reja prisnim me padurim mesnatën që të binte këmbana e kishës për të lajmëruar ngjalljen e Krishtit dhe festa vazhdonte atje në kishë dhe në oborrin e saj nën dritën e qirinjve dhe vezëve të kuqe. Sapo shtyj derën e Kishës së Shën Mërisë dhe futem brenda në atë gjysmëerrësirë pushtohem e tëra nga një ndjenjë solemne e hyjnore, që të mbërthen kur ndodhesh në një vend si kjo kishë e thjeshtë pa zbukurime të tepërta. Aty brenda nga diku kumbon një muzikë bizantine që të shenjtëron shpirtin. Më ka rënë rasti që të jem futur edhe nëpër kisha të Gjermanisë apo me orë të tëra kam vizituar Kishën madhështore të Shën Palit në Londër, por drithërima që më pushton këtu është e një emocioni krejt të veçantë e të madhërishëm sepse këtu janë kurorëzuar në martesë prindërit e mi dhe këtu jam pagëzuar unë. Falem duke bërë kryqin dhe ndez qirinj për njerëzit e mi më të dashur. At Vasili na tregon se kjo kishë është hapur së pari në vitin 1810 dhe se pjesa më e madhe e ikonave nuk u përkasin ditëve tona. Pllakat që janë të shtruara brenda në kishë si edhe një pjesë e vogël e kalldrëmit në oborr i përkasin pikërisht kohës së ndërtimit të kishës. At Vasili na tregon për shënimet që mbahen në kodikët e saj për ngjarjet dhe personat e rëndësishëm që vizitojnë kishën. Në vitin 1967 kur Shqipëria u kthye në një vend ateist, edhe kjo kishë e pësoi duke u shndërruar në magazinë dhe ofiçinë mekanike për të rregulluar makinat. Tani kjo kishë është rindërtuar thjesht e bukur e në ballë të saj ndodhen dy mozaikë të punuar nga dora e Anastas Kostandinit. Më kujtohet viti 1990 kur erdhi në Pogradec At Artur Liolini dhe njerëzit e ndiqnin nga prapa, ndërsa ai ikte me vrap, shumica e njerëzve asokohe nuk kishin parë kurrë me sy prift të veshur me raso të zezë. Të gjithë u ngjeshëm brenda në Kishën e Shën Mërisë, e cila kishte vetëm muret e zhveshur dhe çatinë, njerëzit bënin zhurmë kujtonin se ishin në mbledhjen e lagjes, ndërsa At Arturi duke iu lutur njerëzve që të mos bënin zhurmë, sepse ndodheshim në kishë na u lut që të përsëritnim pas tij lutjen “Ati ynë që je në qiell...” Të shkosh në Pogradec ia vlen që të vizitosh Kishën e Shën Mërisë për vlerat që ajo mbart në vetvete si edhe të ndezësh aty një qiri për më të dashurit e shpirtit tënd.
Bregu i liqenit
Të shkosh në Pogradec, patjetër duhet të pish një kafe në Drilon. Kjo fjali thuajse është një varg i poezisë së Agim Vincës. Fshati i tij Veleshta ndodhet fare pranë Pogradecit, por ne nuk mund ta takonim kurrë njëri tjetrin pa ardhur vitet ’90-të, ishim të ndarë për jetë e vdekje, as zogjtë nuk mund të fluturonin përtej kufirit. Driloni është një nga vendet me bukuri mahnitëse që ka Shqipëria, me gjelbërimin e lisave, plepave, mështeknave, shelgjeve lotonjës të gjitha të pasqyruara në ujërat e tij, me mjellmat dhe rosat që notojnë atypari. Veç mbi gjithë këtë bukuri duhet vënë dorë dhe duhet të mirëmbahet, nuk duhet të shkatërrohet. Pogradeci ka ndryshuar edhe nga ndërtimi i hoteleve përgjatë bregut në të cilët vijnë e pushojnë, kryesisht gjatë verës, njerëz nga trojet shqiptare dhe të huaj. Unë vendosa të prehem disa ditë tek Hotel “Perla”, i cili është një perlë e vërtetë midis perlave të tjera të qytetit. Hoteli ndodhet përballë liqenit midis luleve dhe gjelbërimit, një pastërti për t’u pasur zili, aq më shumë që këtë hotel e drejton një zonjë Mimoza Shuli, e cila i pret klientët me buzëqeshje dhe mikpritje. Netëve nga Hotel “1 Maji” (çfarë emri prozaik!) dëgjohet muzikë e bukur shqiptare luajtur nga një orkestër me djem të rinj aty tek lulishtja e hotelit, ndërsa pogradecarët shëtisin të qetë duke shijuar freskinë e mbrëmjes.
Gjatë rrugës nga hotel “Royal”, të cilin përsëri e drejton sërish një grua, zonja Natasha Hyskollari dhe deri në fund tek Vilat e dikurshme ka plot shitësa ambulantë, të cilët shesin fruta, misra të pjekur, petulla të gatuara aty për aty, si edhe biskota, karamele, cigare, rruaza pa vlerë e midis çikërrimave syri më kap kokën e Enver Hoxhës që shitet 8 mijë lekë të vjetër...