E premte, 03.05.2024, 10:43 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Arbëria e Vogël e Azem Galicës bërthama e shtetësisë së Kosovës

E enjte, 26.08.2010, 09:19 PM


Reportazh kulturor-historik

 

Bedri TAHIRI

 

Arbëria e Vogël e Azem Galicës bërthama e shtetësisë së Kosovës

                                        

Galicë, e enjte, 15 korrik 2010. Dielli përcëllinte ashpër, si gjarpër helmues, por kot, krushqit e atdhetarisë nuk i pengonte dot. Atë ditë, të gjitha rrugët e rrugicat, shpienin në një vend, në Galicën heroike të Drenicës së pamposhtur. Që me kohë, dy javë më parë, ishte lëshuar kushtrimi: Në 86-vjetorin e Epopesë së Arbërisë së Vogël, në Galicë, do të vihej gurthemeli i Kullës së Azem Bejtë Galicës!

Dhe, paskëtaj, i madh e i vogël, burra e gra, luftëtarë e komandantë, invalidë e veteranë, qytetarë e politikanë, deputetë e misnistra, kryetarë e parlamentarë, policë e ushtarë, historianë e shkencëtarë, artistë e këngëtarë, valltarë e krijues, diplomatë e ambasadorë, majtistë e djathtistë, priftërinj e hoxhallarë, nxënës e studentë, për fat edhe shumë e shumë  mërgimtarë tanë zemërzhuritur, ngarendnin drejt Arbërisë së Vogël. Ajo, e stolisur si nuse dhe tërë buzagaz, të gjithëve u bënte temena dhe i priste me dorë në zemër.

Organizatorët, Galica dhe Kuvendi Komunal i Vushtrrisë, kësaj here ndjeheshin më të lehtësuar së kurrë, ngase ua kishte shtrirë dorën i forti, PTK-ja. Ndarja e pesëdhjetëmijë eurove për fillimin e rindërtimit të Kullës- Muze ishte një sihariq i mirë edhe për vetë historinë tonë kombëtare.

Ora 11 e 45 minuta. Kënga e vallja jehonin deri në qiellin e ndezur flakë nga të nxehtit. Bina e bukur moderne, me foton e madhe të heroit kombëtar, Azem Bejtë Galica, dhe me flamujtë që valviteshin hareshëm, priste folësit e këngëtarët. Të gjithë po vinin radhë- radhë. Galicasit po i prisnin dhe po i përcillnin sipas rendit dhe zakonit. Në rreshtat e parë të ulëseve zinin vend më të meriturit: bacë Rifat Jashari, akademik Rexhep Qosja, z. Bajram Rexhepi, z. Naim Tërnava, ambasadori i Shqipërisë, z. Islam Lauka, deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarë komunash, ministra, zëvendësministra, drejtorë e shefa departamentesh.....

Mirëpo, ende nuk po dukej ai që më së shumti kontribuoj për këtë ditë, z. Shyqyri Haxha!  Jo, ai nuk mund të vijë, sepse EULEX-i e ka penguar. Ky lajm na ra si rrufeja për së kthjellti. Obobo, sa keq! Vallë, ishte kjo një koinçidencë apo...

 

 

Lufta e Azem Galicës më e madhe sesa legjenda për të

 

-Të nderuar të pranishëm mirë se erdhët në Arbërinë e Vogël të Azem Galicës!- ishin këto fjalët e shqiptuara ëmbël nga moderatorja, Gresë Pallaska, me të  cilat nisi këtë eveniment të madh kulturor- historik e artistik.

Fjalën e hapjes e mbajti i pari i Komunës së Vushtrrisë, z. Bajram Mulaku, i cili, pos tjerash tha:” Azem Bejtë Galica ishte frymëzim legjendar i gjeneratave që erdhën pas tij, i shumë heronjve të UÇK-së, ishte edhe frymëzim i komandantit legjendar Adem Jashari. Vushtrria, Drenica, Kosova dhe gjithë Shqipëria sot jemi krenarë me historinë e këtyre burrave që jetën e tyre dhe të familjeve e flijuan për lirinë kombëtare, për tokën e Kosovës. Përveç ndërtimit të Kullës ka kohë që ekzistojnë iniciativa të institucioneve të vendit për rivarrimin e eshtrave të Shotës nga Fushë - Kruja në Galicë…

Ndërkaq kryekuvendari dhe historiani, z. Jakup Krasniqi theksoi se: ”Na ka bashkuar sot, këtu në Galicën e traditës trimërore, përvjetori i një epopeje të lavdishme të luftëtarëve trima të këtyre maleve të lirisë, të prirë nga strategu i mençur dhe trimi me fletë, Azem Bejtë Galica.  Azem dhe Shotë Galica në ballë të çetave në dhjetëra beteja mbrojtën jetën dhe dinjitetin e pjesës së kombit të pushtuar, duke shpallur të lirë dhe të paprekshme Arbërinë e Vogël, që përbën bërthamën e shtetit të Kosovës.

Në këtë vend me gur stralli, si një pirg vëzhgues ngriheshin bedenat e Kullës së Azem Galicës. Ajo nuk ishte thjeshtë një objekt banimi me vlera të traditës sonë të pasur të arkitekturës popullore, por edhe kështjellë e pamposhtur e qëndresës shqiptare nder vite. Sot po ngremë nga themelet, Kullën kala të Azem Galicës, për të kujtuar luftën heroike që bëri në krye të çetave çlirimtare, për t’i bërë roje të zotit të kullës dhe fitoreve të atdheut të tij dhe për të simbolizuar pavdekësinë e idealeve që ai përfaqësonte.

      Kulla e Azem Galicës përbën vlerën e një monumenti kulturor, historik dhe muzeor. Këtu, në afërsi të kullës, prehet i qetë në tokën e lirë të Kosovës së tij të dashur, trimi i Shqipërisë - Azem Galica i madh. Ai ishte i pandarë ndër beteja me shoqen e tij të jetës e të luftës, heroinën e popullit, Shotë Galicën, prandaj edhe këtu duhet të jenë bashkë e të pandarë, ashtu siç ishin të bashkuar për idealin e çlirimit e të bashkimit të Atdheut.

Akademik Rexhep Qosja në fjalën e tij tha:”Sot, këtu, vihet gurthemeli i një kulle historike. Është kjo kulla të cilën historike e ka bërë Azem Galica, me luftërat dhe sakrificën e vet. Është kjo kulla në të cilën janë mbledhur ata që kanë krijuar dhe ata që e kanë qeverisur shtetin e parë shqiptar në Kosovë: Arbërinë e Vogël. Është kjo kulla që ishte zemra e Drenicës, që Drenicën do ta bëjë zemër dhe mendje të Kosovës...

Kulla e Azem Galicës po rindërtohet me gurët e Kullës së rrënuar, që e ka rritur Azem Galicën. Kosova po e gjen identitetin shtetëror, jo vetëm në të sotmen, por edhe në të kaluarën e vet. Dhe, po e gjen në zemrën e saj; në Drenicë. Dhe, po e gjen në zemrën e Azem Galicës...me jetën, me luftërat dhe me vdekjen, Azem Galica është historia e ngjeshur e Kosovës...sot është dita kur duhet të thuhet: Azem Galica ishte shumë më tepër se ç’është ditur për të, shumë më tepër se ç’është thënë në legjendën epike për të, shumë më tepër se ç’është kënduar për të. Ai nuk ishte vetëm luftëtar me pushkë; ai ishte edhe luftëtar me mendime, me ide, me program politik. Me jetën, me trimërinë, me idealin dhe me vdekjen ai na përkujton trimin tjetër legjendar të Drenicës: Adem Jasharin. Edhe fati i Kullës së tij dhe fati i kullës së Jasharëve janë i njëjti fat: tragjik dhe madhështor...

Liria dhe zhvillimi i çdo populli varet nga dy faktorë: mençurisë së të urtëve dhe trimërisë së heronjve. Kjo u arrit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, ky njësim i mençurisë dhe i heroizmit, i frymëzuar në zemrën e Kosovës, në Drenicë, i solli Kosovës sendërtimin e idealit të Azem Galicës dhe të luftëtarëve të tij: lirinë dhe pavarësinë.

Le të jetë e përjetshme lavdia e tyre!

 

Referatin kryesor për veprimtarinë luftarake të Azem Galicës dhe sidomos për betejën e tij të fundit e mbajti eksperti i kësaj lëmie, prof. dr. Liman Rushiti, duke kostatuar:”Figura më e ndritur e kombit tonë mbetet Azem Galica. Ai, gjatë jetës rrezatoi me trimëri, përkushtimin kombëtar dhe aftësitë për organizimin e luftës guerile kundër okupatorëve të trojeve shqiptare. Aftësitë i trashëgoi, por edhe i mësoi nga rinia Për së gjalli u bë legjendë, ngeli dhe do të jetë ndër legjendat shqiptare me luftën dhe kontributin e tij për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin kombëtar...”  

                     

Azem Galica na ka mbajtur gjallë edhe ne në Shqipëri

                                                              

Në foltore, për ta pëshëndetur manifestimin mbarëkombëtar te Galicës, dolën edhe personalitete nga të gjithë trojet shqiptare:

Për kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), z. Ali Ahmeti, luftërat e Azem e Shotë Galicës kanë bërë që kombi ynë të radhitet ndër kombet që mburren me historitë e bujshme dhe heroike...“Një popull që e nderon të kaluarën dhe e ndërton të ardhmen e ka të sigurt fatin e vet, sepse e di se kush dhe ku ka qenë si dhe e ka të qartë se çka dhe ku synon. Çdokush që ka sadopak informacione nga historia jonë dhe lufta e popullit tonë për liri e ka të qartë se emri i Azem Galicës është i lidhur në mënyrë të pandashme me atë të Shotë Galicës, bijës së Drenicës trime e bujare.

“Gjithë bëmat e tyre, krejt historia e asaj periudhe lidhet me ata dy emra të cilët gjithmonë kanë shkuar bashkë: Azem e Shotë Galica. Breza të tërë jemi frymëzuar, jemi rritur dhe kemi vepruar sipas shëmbëlltyrës së pavdekshme të birit të Drenicës heroike dhe luftëtarit të madh Azem Galica. Ky fillim simbolik që po shënojmë sot për rindërtimin e Kullës zulmëmadhe të Azem Galicës dëshmon se Kosova tashmë është bërë shtet dhe shtetësinë e vet e vërteton edhe me kujdesin që po tregon për familjet e mëdha të kauzës sonë kombëtare”.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Islam Lauka, i entuziazmuar nga kjo madhështi ka thënë se vënia e gurthemelit të kësaj kulle është nderim dhe përjetësim i figurës dhe veprës së Azem Galicës. Në fund ai u shpreh: “Azem Galica na ka mbajtur gjallë edhe ne në Shqipëri. Duke nderuar atë, nderojmë historinë... Ai, paskëtaj foli edhe për probleme  dhe sfida të ndryshme nëpër të cilat po kalon populli shqiptar, në përgjithësi. Pos tjerash ai njoftoi të pranishmit edhe për pullën e re postare “Azem e Shotë Galica”, të cilën, po të mos kishte pengesa do ta promovonte vetë menagjuesi i PTK-së, prof. dr. Shyqyri Haxha.  

Profesoreshë Salë Ahmeti, tepër e emocionuar, që mezi i nxirrte fjalët nga goja, pos tjerash tha:“Azem e Shotë Galica janë shembull unik në historinë e popujve të Evropës se si duhet luftuar për lirinë e Atdheut. Shota dhe Azemi janë metaforë e lirisë. Kjo metaforë u rilnd me shëmbëlltyrën e tyre, tek brezi i luftëtarëve të UÇK-së”.

Në emër të Këshilit Organizues dhe në emër të Arbërisë së Vogël përshëndeti profesori, shkrimtari dhe veprimtari galicas, z. Bedri Tahiri: ”Sot gjendeni në truallin ku, para 86 vjetësh, pra më 15 korrik 1924, u zhvillua beteja e fundit e Azem  Galicës, e cila në histori njihet me emrin Epopeja e Arbërisë së Vogël. Ardhja Juaj është një nder i veçantë për ne dhe për heronjtë, sepse: Kush nderon historinë, krijon ardhmërinë!

Azem e Shotë Galica  për 12 vjet rresht nuk i lëshuan armët nga dora. Ata zhvilluan mbi gjashtëdhjetë beteja fitimtare kundër pesë pushtuesve të kohës. Më 1923 krijohet ARBËRIA E VOGËL, e cila, si bërthamë e parë shtetërore, pati jehonë të madhe, saqë shpejt u detyrua ta njoh edhe mbretëria serbosllave. Më 11 tetor 1923, deputeti i Kosovës, Jovan Magovçeviqi, u tha në Beograd: “Zotërinj, unë i kam dy vota; një si deputet i rregullt i Kuvendit Popullor dhe një si deputet i jashtëm i shtetit të Azem Galicës”.

Pra, Azem Galica, mbetet frymëzuesi më i madh i brezave liridashës. Edhe luftëtarët e UÇK-së shumicën e betejave i fituan nën thirrjen: O prite, prite Azem Galicën!

 

 

 

 

Jubileun e sotëm po e shënojmë me vënien e gurthemelit te Kullës së  kryekomandantit,  e cila është simboli më i qëlluar i rezistencës për liri. Roje e saj do të jetë vetë kapedani, eshtrat e të cilit, më 1971, i nxori nga shpella atdhetari i madh Abdyl Krasniqi. Ama,  atij po i mungon Shotë Galica. Bashkimi i tyre nënkupton bashkimin tonë shpirtëror e kombëtar!

Falënderim i veçantë u takon atyre që bënë hapin e parë në mbështetjen e Projektit,  PTK-së, me drejtuesin e suksesshëm dr. Shyqyri Haxhën dhe KK të Vushtrrisë, udhëhequr nga Bajram Mulaku. Shpresojmë së kjo nismë e mbarë do të përkrahet nga Qeveria, nga Ministria e Kulturës, dhe nga donatorë të tjerë, sepse vetëm ashtu lajmë një borxh të vockël ndaj atyre që sollën Ditën e Bardhë- LIRINË!

Ju mirëpresim vitin e ardhshëm në përurimin e Kullës-MUZE!

 

 

O prite, prite Azem Galicën!

                                    

Dhe, vapa përvëluese na sulmonte pamëshirshëm. Njerëzit që ishin thelluar në histori e sfidonin suksesshëm. Sakaq erdhi edhe pika kulmore e manifestimit: Vënia e gurthmelit! Sipas skenarit ai vinte fill pas programit foljor. Në fakt, pritej edhe Dekorata e Presidentit të Kosovës për heronjtë Azem e Shotë Galica, por ajo mungoi, pa i ditur arsyet.

Dhe, Gresa, ftonte gurëvënësit; z. Jakup Krasniqi...z. Bajram Mulaku...z. Rifat Jashari...z. Ali Ahmeti...z. Bedri Tahiri...z. Qamil Sahiti...z. Ismet Haxha...

Lart, mu tek trualli, ku 86 vjet më parë themelet e Kullës së vjetër u kishin bërë ballë topave serbë, u hodhën themelet e Kullë së re, e cila për jetë e mot do të rrezatojë atdhedashuri. Jehu i këngës së Arif Vladit ”O prite, prite Azem Galicë!” dhe betoni që hidhej në themel, u mbuluan me krisma armësh. Ashtu e do puna, këto krisma i kanë hije këtij vendi e kësaj ngjarjeje, sepse, mu këtu, para 86 vjetësh është luftuar gjithë ditën!- u pajtuan të gjithë të pranishmit.

Atmosfera festive vazhdonte. Tashmë Galica gumëzhinte nga këngët dhe vallet. Ilir Shaqiri, Ganimete Asllani, Qazim Beka dhe anëtarët e SHKA ”Hasan Prishtina” të Vushtrrisë përformonin dhe promovonin para një publiku të larmishëm, që në fakt përfaqësonte gjithë shqiptarinë...



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora