E enjte, 01.05.2025, 09:35 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Nexhmije Mehmetaj: Sa më të vjetra janë mërgimet tona në Evropë, aq më të hershme janë shkollat shqipe

E hene, 06.09.2010, 09:27 PM


Në Vlorë u mbajt seminari i VI kombëtar për mësuesit e gjuhës shqipe jashtë atdheut.

 

Sa më të  vjetra janë mërgimet tona në Evropë, aq më të hershme janë shkollat shqipe

 

Nga Nexhmije Mehmetaj, mësuese në Jura, Zvicër

 

Seminari për mësuesit e shqipes jashtë atdheut, i gjashti me radhë sivjet në Vlorë ka mbledhur mbi 100 mësues nga Diaspora. Ashtu si edhe herëve tjera Seminari i Vlorës ishte tregues i punës serioze që bënë dy ministritë, e Tiranës dhe Prishtinës.  Duke  krijuar vlera të rëndësishme në praktikën pedagogjike shqiptare, duke i dhënë  një ndihmes të veçantë ngritjes  dhe modernizimit të shkollës shqipe jashtë atdheut. Seminari kishte një rol shumëdimensional: Ngritja e nivelit profesional të mësimdhënësve të mësimit plotësues. Njohja me përvojat më të mira të mësimdhënies. Njohja e traditave të shkollave shqipe jashtë atdheut si: Suedi, Austri,Gjermani, Finland, Zvicër, Greqi, etj. Të pranishmit i përshëndeti zëvendësministri i MASH-it të Kosovës  zoti Agim Hyseni. Seminarin e hapen fëmijët e Qendrës Kulturore të Vlorës me një program të pasur kulturoro artistik. Programi i seminarit ishte konceptuar në seanca plenare dhe punë tematike në grupe. Në pjesën plenare, ligjeruan Dr Mimiza Gjokutaj ”Barrierat gjuhësore për fëmijët emigrantë, a mund t’i kapercejmë ato?” Dr.Shyqeri Nimani ”Artet pamore në funksion të qëllimeve të mësimit plotësues në diasporë”. Dr Albana Canollari ” Përfaqësitë sociale të prindërve shqiptarë rreth shkollimit të fëmijëve të tyre emigrantë. Driton Kajtazi (Zvicër) “Formimi i mësimdhënësve dhe strukturat e pritjes për nxënës të huaj” , Nuhi Gashi “Kampionatet/ konkurset e diturisë”,  Zana Vathi “Identiti etnik dhe mësimi i gjuhës amtare te fëmijët e shqiptarëve në Evropë”,  Besnik Rama “ Rolet e reja të mësuesit në procesin e të nxënit” Puna tematike në grupe trajtoi probleme që lidhen me temat: “Planifikimi, kusht i suksesit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe” Nexhmije Mehmetaj (Zvicër) “Mësimi plotësues në kantonin e Solothurnit në Zvicër”Abas Fejzullahu “Testimi në lexim” Raif Mehmeti ( Suedi ) Profili evropian i gjuhës dhe mësimit plotësues Nexhat Maloku (Zvicër) ,”Mësimi sipas metodës së rrathëve koncentrik” Rifat Hamiti etj. Ditën e dytë të seminarit Dr Dr Basil Shader udhëhoqi grupin e punës rreth hartimit të teksteve për ciklën e mesëm.Me mbështetjen e DAR-së Vlorë dhe në kujdesin e specialistes së arsimit, zonjës Tefta Caushaj, gjatë pasditeve, pjesëmarrësit e seminarit vizituan në mënyrë të organizuar Shtëpinë-muze ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, Manastirin në Zvërnec,  plazhin e Orikumit dhe Tragjasin. Kështu seminaristët patën rastin të shohin nga afër monumente kulture, pika turistike dhe vende historike, për të cilat kishin mësuar e dëgjuar jo pak nga historia e nga burime të tjera informacioni.

Mësuesit e diasporës që morën pjesë në seminaret trajnuese, shkëmbyen përvojat e tyre, mësojnë nga njëri-tjetri, kualifikohen përmes ligjëratave që mbahen nga specialistë e didaktë të njohur, nga Shqipëria e Kosova, të fushave të mësimdhënies dhe të të nxënit, diskutojnë e gjejnë zgjidhje për mjaft nga problemet që hasin në punën e tyre me nxënës në mërgim.

Seminaret e përvitshme po shërbejnë dhe për promovimeve të librave nga shoqata apo individë. Në këto botime pasqyrohet veprimtaria mësimore dhe aktivitetet e ndryshme nga jeta në mërgim, si dhe shkruhet për figura mësuesish shqiptarë që japin ndihmesën e tyre të pakursyer në diasporë. Sa më të  vjetra janë mërgimet tona në Evropë, aq më të hershme janë shkollat shqipe, të cilat u ofrojnë fëmijëve shqiptarë mësimin e gjuhës amtare dhe të kulturës shqiptare si shprehëse të identitetit kombëtar. Është shumë domethënës fakti se interesi i mërgimtarëve shqiptarë për arsimimin e fëmijëve të tyre në gjuhën amtare vjen e rritet. Janë për t’u përshëndetur shtimi e zgjerimi i shkollave shqipe, rritja e numrit të fëmijëve që ndjekin mësimin shqip, iniciativat vullnetare të shoqatave si dhe  shërbimi i mësuesve që, në shumicën e rasteve, punojnë me përkushtim e pa shpërblim.

Edhe pse shkollat shqipe të mësimit plotësues (SHSHMP) në gjuhën shqipe jashtë atdheut  janë produkt i nismave dhe i vullnetarizmit, dy ministritë e arsimit prej vitesh janë të angazhuara për t’i mbështetur mësuesit dhe nxënësit. Edhe  seminaret e përvitshme janë vetëm njëri nga treguesit konkretë të këtij angazhimi. MASHT e Kosovës, që në nëntor të vitit 2007 ka hartuar dhe publikuar kurrikulën e shkollës shqipe të mësimit plotësues në diasporë.  Janë bërë hapa konkretë dhe për hartimin e teksteve të posaçme për fëmijët tanë në diasporë. Është përgatitur libri i parë që përfshin para abetaren dhe gjashtë fletore tematike. Do të vijojë puna për hartimin e teksteve për ciklin e e mesëm dhe të lartë.

Vlen për të u përmendur se materialet e çdo seminari që zhvillohet me mësuesit e diasporës botohen në përmbledhje të veçantë "Shkolla për gjuhën dhe kulturën e Atdheut dhe identiteti kombëtar".

Në seminar u përmendën edhe problemet që e përshkojnë mësimin plotësues, që bëjnë pjesë mësues të kategorive të ndryshme të cilët, njëherësh mbartin dhe përvoja e nivele aftësish profesionale të ndryshme. Shkëputja prej vitesh nga mësimdhënia, mësues të pa kualifikuar e përballin mësuesin e shkollës shqipe me vështirësi që nuk kalohen me lehtësi kur dihet se puna bëhet me klasa  kolektive. Nisur nga ky realitet që ekziston në shkollat e mësimit në diasporë, seminaret mbarëkombëtare kanë vlera të pamohueshme, se i shërbejnë riformimit të mësuesve që punojnë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx