Udhëpërshkrim
Gëzim Llojdia: Me Kozeta dhe Qemal Zylon në Radhimë
E premte, 17.09.2010, 09:58 PM
ME KOZETA DHE QEMAL ZYLON NË RADHIMË
Nga GËZIM LLOJDIA
Haberi më erdhi nga eteri. Emaili është aktualisht posta më e shpejte dhe çudibërëse e kohës së sotme. Kozeta Zylo, një publiciste e shkëlqyer, poete dhe mësuese, një “Dora Distria” e diasporës më shkruante qartësisht se do të mbrinte në Radhimë këtë javë. Rreth orës 20:00 të mbrëmjes i bëra këtë telefonatë Këzes :”
-Jam G.Llojdia mund të vijë familjarisht t’ju takoj ?
-Oh po ju presim së bashku me Qemalin tek “Paradise Beach”, pergjigjet ajo.
Errësira sa ishte pikur. Me një Mercedes të zi mezi çava varganin e makinave, që gufonin në stradën Vlorë-Ujë i Ftohtë.
Parkova pranë një vendqëndrimi me pagesë te: “Paradise Beach”. E kam zemrën foshnjore, më kujtohen këto vargje poetësh në këtë vend buzë detit në këtë mbrëmje zhegu. Dhjetëra turistë, të veshur me rroba të lehta vere lëviznin sa nga hoteli në të majtë të udhës, sa në verandën ku shkëlqimi i dritave mbushte errësirën. Deti rrudh dallgët. Muzg i thelluar atje përtej ku nxinë vargmali. Të qetuara valët rënkonin lehtazi.
Qemalin dhe Kozeten i gjetëm në verandën verore të hotelit.
Nga vizioni i fotografisë njoha Kezën pikërisht në takimet e para që ne bëmë me gruan e njohur mezhgoransen patriote, gruan arsimdashëse dhe njëherësh gruan që mbanë gjallë gjuhën dhe arsimin shqip atje në dhe të huaj, shtatë male larg. Kozeta ishte me bashkëshortin e saj Qemalin. Njoha për herë të parë një tepelenas nga Arrëza e Madhe Qemal Zylon. Serioz dhe punëtor. Me vullnet dhe karakter. Me moral dhe dinjitet. U përqafuam si të njohur të dikurshëm. Dhe në mes, shumë më tepër kishte mall.
Qemal Zylo në fotot e hershme që Kozeta dërgonte nëpër forume dhe media ishte po ai, por në foto nuk shquhej aq karakteri dhe as vullneti. Amerika i kishte zgjuar shumë ëndrra dhe dëshirën e madhe, që zgjonte puna atje në tokat e largëta përtej oqeanit. Inxhinieri Qemal më tregoi se jeta aktive në Amerikë kishte ndjesira të reja. Qemali kishte punuar fillimisht në M.Mbrojtjes.
-E pyeta Qemalin: “E keni vizituar Pashain? Pashai në gjuhën vendase atje në Jug nënkupton: Pashalimanin, pra bazën ushtarake detare të vendit ?
-Oh sigurisht më tha, dhe më tregoi se kishte qenë edhe në ishullin shqiptar të Sazanit .
Dhe nisi të më rrëfej : Ishte viti që ne historinë tonë shqiptare njihet vit i mbrapshtë. Ngjante diku me novelën e hershme të Kadaresë. Ishte më keq se ajo kohë kur luftonin shqiptarët për...dhe me kë? Dhe viti quhej ’97 . Pra çfarë ngjau pikërisht dhe atëherë?
Në fundvjeshtë këtu fluturimet u fshinë. Ka aeroport. Pista avioni. Terminal pasagjerësh. Por nuk ka avion për t’u nisur. Ose ka avion për t’u nisur, por nuk ka viza për të udhëtuar me avionët. Qemali punonte me “ Korpusin e Paqes” . E dini se çfarë më kallëzoi?
Kur shkova në ambasadë tregoi ai, nëpunësi më pyeti anglisht, befasisht buzëqeshi dhe më tha: Me këtë CV mund të ishe në vendin tim. Ikëm dhe nga avioni syri na zuri se këtu ekzistojnë, ose më mirë rrojnë këtu, qyshkur bregore bukuroshe, nga male të Shqipërisë. Një malësi rrethuar nga një shkëmb si me fortesë. Poshtë ishte mëmëdheu.
Po kthehemi tek biseda që bëmë me Këzen dhe Qemalin. Kozeta na njoftoi megjithëse ne e dinim se kishin një TV “Alba Life” dhe një shkollë shqipe në New York .
Qemali dhe Kozeta punonin ditën, ndërsa pasditeve merreshin me përhapjen e arsimit shqip dhe nuk janë pak. Dy modele për shqiptarët e tjerë që parate i hodhën për tregti dhe shqipen e harruan. Kozeta, Qemali dhe një grup shqiptarësh intelektualë po bëjnë punën e atyre emigrantëve shqiptarë të asaj diaspore, që atje në dhe të huaj u organizuan dhe nxorën gazeta e formuan shoqata dhe mbrojten të drejtat e kombit të tyre në kohë rreziqesh. Kozeta dhe Qemal Zylo duhen të vlerësohen për këtë akt dhe gjest fisnik që kanë ndërmarrë me financimin e tyre. Si nuk u kujtuan të mëdhenjtë e këtij vendi, ministri i jashtëm apo i arsimit dhe kulturës për të pritur vajzën publiciste që në Amerikë ka TV dhe shkollë shqipe? Më e çuditshme mua më duket fakti që për shkollën shqipe nuk ka pasur asnjë interes nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme. Kemi shkuar tek Y.P është edhe publicist dhe nuk kemi pasur asnjë përkrahje për librat. Kur ikën Kozeta në avion merr me vete çantat me libra shqip për shkollën shqipe. Në bagazhet e saj nuk ka dhurata, por abetare e libra shqip për nxënësit shqiptarë atje, përtej kontinentit tonë që ata të mos e harrojnë gjuhën e mëmës dhe të babës. Dhe kur vjen në mëmëdheun tonë Kozeta vjen ngarkuar me libra që janë krijimtari e saj në prozë ose në poezi . Vjen dhe ikën si bleta punëtore, bija e Mezhgoranit , bleta ”mëma punëtore” dhe e mirësjellshme . Këzja që ne e kemi parë foton e saj nëpër forume dhe në ekranin e TV “Alba Life” në youtube.
Këzja më tregoi se atë e kishte pritur edhe Presidenti i Kosovës, z.Sejdiu, ndërsa këtu në atdheun e saj vetëm heshtje sikurse në vendlindjen e saj, ku fare mirë mund të shpallej qytetare nderi e Tepelenës. A ka bashki ky qytet i vogël dhe a ka njerëz që merren atje me kulturën, si dhe përse nuk i kanë evidentuar vlerat atdhetare të njerëzve të bashkisë së tyre apo qarkut të Gjirokastrës? I vetmi veprim kurajoz ishte ai i shkrimtarit Novruz Shehu i cili mblidhte firma për t’ja paraqitur Presidentit për një vlerësim të figurës së saj. Dhe mes firmëtarëve të tjerë ishte edhe emri im. Në Radhimë qëndruam deri vonë dhe biseduam për letërsinë. Për botimet që bëjnë shqiptarët atje në dheun e huaj dhe krijuesit e tjerë këtu në qytetin tonë. Urat lidhëse që ne hedhim janë ura të forta me hekur, beton dhe gjak, janë ura që në vetvete përmbajnë forcën e shpirtit si përbërës kryesor. Ura që ka ngrehur letërsia janë ura qelqore, hënore dhe diellor. Të fortat ura sot lidhin brigje kontinentesh mijëra km distancë. Ne na lidhi letërsia dhe komunikimi në eter. Në mesnatë ne ikëm. Të nesërmen me Myrteza Marën dhe Laureta Petoshatin udhetuam me mercedesin gri të Marës dhe shkuam në Radhimë. Ishte një takim krijuesish me Klubin e shkrimtarëve “Petro Marko “ .
Si fillim Qemal Zylo bëri surprizën. Me kamerën e TV “Alba Life “ u filmua secili prej nesh ku shfaqi potencën e vetë në fushën ku ndihej secili mbret. Myrtezai foli për klubin që mbanë emrin e Petros, ai përmendi edhe emra krijuesish nga qyteti i Vlorës, ata kanë vite që kanë filluar apo konsoliduar udhën e bukur të krijuesit njëkohësisht kjo eshte udhë qiellore me frymëzim shpirtëror. Laureta nisi një ligjërim për lirikën dhe krijuesit e saj nga më të dëgjuarit si Ali Asllani dhe më tej përmend krijimet e Fatos Arapit, poetit të heshtur nga vendi i detit dhe lagunës. Unë përmenda se kisha një frymëzim qiellor nga bektashinjtë të cilët më kishin dhënë frymën mistike për të shkelur livadhe të reja dhe të sodisja këtë udhë mistike, por që shoqërohet njëkohësisht nga pena dhe krijimi vjershëror. Por kisha dhe një frymëzim tjetër që e gjeja kur përshkoja nëpër tokat e poetit. Kur shkoja në Plocë në sitin arkeologjik, shkoja çdo ditë nëpër tokat e Ali Asllanit dhe nëpër tenien e trurit bluaja këtë poezi të Ali Asllanit për fshatin Vajze: ”Ne krye te fshatit ka një deli krua/ujë i tija akull derdhet ne përrua/ dhe ne krahun tjetër varet nga një mal/ një përrua i rreptë me uturimë e valë / Mu ne mes te tyre bregu Allatoj / dhe shtëpitë e fshatit si fole fajkoj/ fshati babagjyshit fshati më i mirë / nga ata që thuhen Labëri e lirë? Aty ndën shkallë blegërin shelegu / aty përmbi shkallë po gjëmon dybeku/rreth e rrotull lëmit djemtë heqin valle/ nën rrap,në hije pleqtë qajnë halle/ Lahure qëndisur bedene-bedene/ seç i paska hije asaj protone / asaj protoene me një furk në sqetull / që e ther e që e gris me sy e me vetull/andej disa koce shkojnë në krua / këtej bagëtia varet në përrua/ me kërrabë në dorë një djalosh/ përmbi sy kësulën, vërshëllen përposh”.....
Dita e tretë me Kozetën dhe Qemalin. Mysafirë janë edhe Presidenti i gjimnazit jo publik ‘Perla”, Petrit Golemaj dhe djali i tij Rezi. Ne ngjitemi në katin e dytë të ”Paradise Beach” . Qemali producent dhe Kozeta gazetare pranë TV “Alba Life” na ngjeth mishtë me urimin e saj kuptimplotë: “Të nderuar bashkatdhetarë, jemi këtu në Vlorë dhe po bisedojmë me Presidentin e gjimnazit jo publik ‘Perla”....
Në gjimnazin jopublik “Perla”, zhvillohet konferencë shtypi. Presidenti i gjimnazit Petrit Golemaj uron mirëseardhjen. Flet Kozeta Zylo dhe Qemal Zylo. Lidhjet e tyre më tokën amerikane. Marrin pjesë 5 stacione televizive. Vizitohen ambientet e gjimnazit. Takime dhe në fund: “Mirë ardhëshi të shtunën, në ditën e përurimit të dy librave të Kozeta Zylos në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Zuri shi e shtuna. Vesonte qielli.
Ne nga Vlora u nisëm në dy grupe. Në mercedesin e Myrtezait vinte dhe një shkrimtar dhe botues nga Athina. Ai ishte Nase Jani që ndërkaq rrugëtimin e kishte marrë për veprën e Kozetës. Ne të tjerët ishim në makinën e dytë. Gjithsej nga Vlora 6 shkrimtare, poete dhe drejtues në këtë udhëtim nëpër shi drejt Tiranës. Ora 10 shënonte në kryeqendër të vendit më pak shi dhe një qiell gri. Dhjetëra krijues emra të njohur më kanë befasuar në përurimin e librave të Kozetës. Njoha prof.Sadik Bejkon, Pandeli Kocin, Novruz Shehun, Reshat Kripen. E hapi përurimin e librave gazetari i “Top Chanal” , Arben Mevlani .
Spiro Dede, botuesi i librave mbajti referatin kryesor të librave të Kozetës. Prof Sadik Bejko foli shkoqur për poezinë e Këzes.
Foli studiuesi Behar Gjoka, krijuesja Dhurata Hamzai, regjisori Miho Gjini, L. Petoshati, G.Llojdia, N.Shehu, Edlira Birko, një gazetare e TVSH si dhe disa personalitete dhe lexues e nxënes të shkollave. Në këtë përurim njoha edhe Kozeta Zavalanin. Qëndronte përpara meje duke naviguar në një laptop. Kur Myrteza Mara na prezantoi me një krijuese me emrin Lisiana, Zavalani u befasua dhe tha: -po këtë e kemi në F.B.
Në këtë përurim autorja e dy librave Kozeta Zylo shqyrtoi shumë prej gjërave që e kishin ngacmuar për të hedhur në letër poezinë apo essen në librin publicistik. Pas mbylljes takova P.Kocin, S.Bejkon ,B.Gjoken tek cocteili. Në fund, duar që shtrëngohen.
Nëpër vesimin e shiut ne vetëm ikim për t’u rikthyer në Jug. Ishte takim që mrekullisht do ta shënoja më i bukur se cdo takim tjetër pra bukurisht i bukur. Po t’i lexosh shpirtin një krijuesi do të gjesh atë hare që herë shfaqet dhe herë ngec nga çaste të këtilla.
Njeriu shkon atje ku e ndjen se gjen ambient krijuesi dhe zemra i thotë: shko mik.
Shtator, 2010
Vlorë