Kulturë
Poezi nga Sejdi Berisha
E merkure, 01.09.2010, 08:13 PM
 P  o  e  z  i
P  o  e  z  i
Sejdi BERISHA:
FORMULË E KËNGËS SIME
Pafajësia e syve
Rrëfimi i zemrës
Dhembja e shpirtit
Dashuria dhe lumturia
Formulë e këngës sime janë
Ju lutëm mos i vritni 
Janë engjëj 
Çuditshëm që këndojnë
DËSHMI 
Mos e lëndoni lumturinë
Dhembjen mos e lëkundni 
Dy dëshmi janë që digjen
Vetëm kënga është gjurmë e tyre 
Si legjendë ëndrrash
KUR TË RRITËN VARGJET...
Kur të rritën vargjet e mia të vogla
Do të janë krenarë
Për dorën time të vockël
E, kur të plakën poezitë e mia
Mbi këngën e njeriut
Me pëlhurë të bardhë veshur
Dritën dhe këngën duke  mbrojtur 
Këngët e njeriut do çmenden 
I cili edhe sot 
Është udhëtar i çuditshëm
Kur të rritën vargjet e mia
Ndonjëherë
Kur të bëhen të mëdhenj 
Burra kur të bëhen
Mbi një kodër do të gufojë bari
Në mes të tij një lule
Rri duke shikuar
Duke qeshur e duke qarë
Për fjalën time të pagjetur
Për shkrumbin që më djegë
Kur të rritën vargjet e mia të vockla
Kënga do të plaket
Amshim do bëhet
Rrezja në dritare
KËSHILLË
Këngën 
Kurrë mos e fillo kah mesi
Se fillimi do të lëndohet
Kurse fundi
Fundi në gënjeshtër 
Mund të shndërrohet
Kurrë mos këndo
Pa të kënduar zemra
E pa të qarë shpirti
LUTJE KRYENEÇE
Kënga ime
Kah do që të shkosh
Më merr me vete
Përralla t’i rrëfejmë njëri-tjetrit
Ëndrrat në shi t’i murosim
Në lotin e shiut
Aty do të gufojë gjelbërimi 
Për tu prehur e për t’pushuar
Edhe kënga
Edhe pritja 
Edhe unë
Kënga ime
Mos më le vetëm 
Se më mallkon shiu
Që shumë e dua 
Se do t’më mallkojë 
Për këngët që ia kam kushtuar
Pranoje këtë lutje kryeneçe
Kënga ime e pambaruar

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










