E enjte, 24.07.2025, 11:27 PM (GMT+1)

Kerko: a

Nuhi Veselaj: Drejt standardizimit të gjuhës shqipe (VII)

E marte, 23.03.2010, 10:55 PM


DREJT STANARDIZMIT TË GJUHËS SHQIPE

 

Nga Dr. Nuhi Veselaj

 

VII. Rregullat e drejtshkrimit TË SHQIPES

(Projekt 1967) dhe

Kongresi i Drejtshkrimit  (1972)

 

            Ngjarje e rëndësishme në procesin drejt njëzimit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe shënon botimi i doracakut Rregullat e drejtshkrimit të shqipes (projekt) 1967. Lëndën e këtij Projekti po e trajtojmë në këtë krye, duke e ndarë në katër nënkrerë:

            së pari, do të përmendim konstatime të përgjithshme rreth Projektit,

së dyti, vërejtje të veçanta,

së treti, Projekti dhe Kongresi i  Drejtshkrimit dhe

së katërti, rreth materialit të Projektit që nuk është inkorporuar në Drejshkrimin e gjuhës shqipe (1973).

 

a. Konstatime të përgjithshme rreth

                        Projektit 1967

 

Si konstatime të përgjithshme lidhur me materialin e Projektit në shqyrtim përzgjodhëm këto katër pika:

 

E para, kjo ortografi del më karakteristike se ortografitë e mëparshme, ngase është më e plotë si nga pikëpamja përmbajtësore, ashtu dhe nga gjithëpërfshirja e paraqitjes së rregullave dhe njëherazi passhoqërohet edhe me një fjalor, në numër të konsiderueshëm fjalësh  të përdorura si material ilustrues.

E dyta, materiali i këtij projekti u pranua en bloc si ortografi e bërë së pari në Tiranë e pa u vonuar shumë edhe në Prishtinë. Në të vërtetë, rregullat sipas Projektit në fjalë të shoqëruara me një propagandë të bardhë përcjellëse të fuqishme, të organizuar mirë institucionalisht, filluan të implementoheshin jo vetëm në Shqiperi, por edhe në Kosovë e viset e tjera shqipfolëse në ish-Jugosllavi pas miratimit të tyre si të pranueshme e të përqafueshme në Konsultën gjuhësore të Prishtinës 1968, d.m.th u bë sendërtimi i tyre në Kosovë e më gjerë si në Shqipëri pa kaluar një vit pas botimit të këtij Projekti në Tiranë (1967).

U përmend Konsulta e Prishtinës, andaj këtu e shohim të arsyeshme t’i themi dy fjalë lidhur me këtë akt, me të cilin u deklarua pranim-miratimi i Projektit në fjalë. Në të vërtetë, nga teksti i Konsultës gjuhësore të Prishtinës (1968), që përbëhej prej 9 pikash, këtu do të mjaftohemi me shkëputjen prej tyre të parafrazuara prej nesh, vetëm nja dy fragmente nga dy pika paksa kundërthënëse:

 

Së pari, ndonëse, siç ceket aty, Tubimi i vlerëson si të drejta vendimet nga mbledhjet e viteve 1952, 1957 dhe 1962/63 të gjuhëtarëve të Prishtinës, rreth ortografisë mbi bazë të gegërishtes letrare, sepse ortografitë e tilla vërtet paskan luajtur rol pozitiv në stabilizimin e shqipes letrare te ne, megjithatë hiqet dorë me lehtësi nga vazhdimi i zbatimit të përmbajtjes së tyre, në dobi të Rregullave sipas Projektit të Tiranës, edhe pse ky projekt për nga përmbajtja binte ndesh në shumë pika me ato ortografi, prandaj ky fakt duket se del pak a shumë kundërthënës. Por, sidoqoftë, sipas këtij tubimi, njoftohej ”Universiteti i Tiranës se Konsulta e mbajtur më  22 e 23 prillit  të vitit 1968  në Prishtinë e “njeh njëzëri si gjuhë të veten gjuhën  letrare të vendit ëmë”.

 

Së dyti,  ndonëse edhe në një pikë tjetër konstatohet se “Projekti në disa pika, ka nevojë të shqyrtohet më me kujdes dhe vërejtjet e argumentuara dhe shkencërisht të arsyetuara mund të jenë vetëm të dobishme” megjithatë, po aty sigurohet Qendra në Tiranë se  te ne “Diskutimi rreth pikave kontestuese nuk pengon zbatimin e drejtshkrimit në fuqi”.

 

 Në të vërtetë, edhe pse konstatimi nga fragmenti i dytë i konkluzionit përkatës nga Konsulta e Prishtines linte shteg për diskutim, për pikat kontestuese, me sa dimë, nga gjuhëtarët e kësaj anë, jo vetëm nuk pati oponencë serioze, por nuk pati pothuajse as diskutime serioze shkencore për pikat kontestuese lidhur me çështjet e anashkaluara ose të lëna jashtë Rregullave në fjalë çështje këto, disa prej të cilave u cekën në kreun e mëparshëm prej nesh. Me fjalë të tjera, nuk u mbrojt fare as parimisht as konkretisht asnjë pikë e rëndësishme e me vlerë e drejtshkrimit të mëparshëm të Prishtinës, d.m.th. të ortografisë së traditës mbi bazë të gegërishtes letrare.

E treta, po ky material i Projektit u shoshit dhe u vlerësua sadokudo ndërkohë gjatë implementimit për një periudhë të caktuar 4-5 vjeçare, por aq më tepër, ky Projekt, për pika të caktuara u trajtua dhe u përpunua në mënyrë mjaft cilësore, në seancat e vetë Kongresit të Drejtshkrimit (1972), diskutime këto, të cilave do t’u kushtohet nënkrye i veçantë.

E katërta, pothuajse i tërë materiali, siç do të konstatohet, në kreun vijues u përfshi, me ndonjë ndryshim a plotësim, si të themi, jo aq me peshë, në tekstin përfundimtar të drejtshkrimit të shqipes, i hartuar nga i njëjti Komision, i cili u botua si doracak më vete një vit pas Kongresit të Drejtshkrimit me titull  Drejtshkrimi i gjuhës shqipe, Tiranë (1973).

 

 

B.    Vërejtje për çështje të veçanta rreth

             Projektit të drejtshkrimit

 

            1. Teksti paraprihet nga parathënia e titulluar Dy fjalë për lexuesit, ku thuhet se Rregullat e drejtshkrimit të shqipes, janë hartuar nga Komisioni i drejtshkrimit të Institutit (Tiranë) dhe se këto këtu paraqiten si projekt, i cili do të shërbejë si bazë për një diskutim të gjerë e të gjithanshëm.

Pra, fillimisht kërkohej diskutim i gjerë dhë i gjithanshëm, por si duket  nevoja dhe vetë natyre a punës, si dhe situata ishte e tillë, që lënda e Projektit nuk priste diskutime të gjera e të gjithanshme e pastaj të implementohej, ngase në të njëjtën kohë, ashtu siç diktonin kushtet, edhe filloi me u sendërtue, madje në mënyrë të organizuar dhe i shoqëruar me një propagandë të bardhë të pashoqe, shumë të fuqishme, për çka shteti kishte siguruar organizmat përkatës si dhe bazën e nevojshme materiale financiare.

Sidoqoftë, kërkesa e tillë për diskutim, mbase, shikuar nga pikëpamja formale a tendencioze e dikujt sot mund të cilësohet si blofi, po nuk duhet kuptuar ashtu, sepse nuk ishte kurrfarë mashtrimi për shoqërinë e organet shqiptare të kohës, ngase materiali gjuhësor i përkiste një natyre të veçantë dhe ishte krejtësisht transparent për shoqërinë e politikën e atëhershme që i dedikohej. Ishte hartuar nga ekspertët më me kompetentë të kohës dhe fundja, sipas procesit që ndiqej pritej një kurorëzim i tillë normal i normës gjatë vetë zbatimit praktik të rregullave drejtshkrimore në fjalë. Po themi kështu, sepse ne nuk dimë shumë sa janë diskutuar e vlerësuar gjithanshëm, në mënyrë kritike e pa nguti dhe në thellësinë e merituar çështjet e diskutueshme drejtshkrimo-gramatikore si të sistemit foljor ashtu edhe atij emëror të shqipes, apo vetëm ishin mënjanuar ashtu alla partizançe(!), me direktiva, pa kurrfarë procedure, që ne disa nga karakteristikat themelore të ish-shqipes letrare mbi bazë të gegnishtes i përmendëm pak përpara, të  cilat si më kryesoret, sipas nesh po i rishpërmendim edhe tani, siç janë:

 

-          paskajorja e mirëfilltë, përkatësisht pjesorja e shkurtër e gegërishtes;

-          çështja e asnjanësit në gjuhën shqipe;

-          çështja e nyje-mbaresave të emrit në të dyja gjinitë aktive: mashkullore e femërore,

-           çështja rreth trajtës përfaqësuese të emrave të përveçëm e

-          probleme të tjera drejtshkrimo-gramatikore, fjalëformuese e leksikore që paraqitnin atëherë interes të veçantë dhe siç po imponohen sot si çështje të pazgjidhura,

 

të cilat edhe sot e kësaj dite kanë mbetur si tema serioze të pastudiuara mirë dhe që kërkojnë zgjidhje, andaj edhe ne bashkë me ndonjë problem formal i kemi trajtuar, qoftë në këtë punim, qoftë në punime të tjera.

 

Sido që të jetë, ne kemi mendimin se  çështjet e tilla po të trajtoheshim më në thellësi e hollësi atëherë, edhe teksti përfundimtar i Rregullave të drejtshkrimit do të dilte formalisht e përmbajtësisht sigurisht shumë-shumë më i përkryer dhe më funksional dhe sot do të kishte më pak vërejtje dhe së këtejmi drejtshkrimi do të kishte përfaqësim më të denjë në realitetin e sotëm të shqipes standarde kombëtare.

 

Ja disa vërejtje konkrete rreth tekstit të Projektit në fjalë:

1) Shembujt ilustrues përfaqësues është dashur me u grupue sipas kategorive a pjesëve të ligjëratës: emra, mbiemra, folje, ndajfolje etj., pra, veç e veç, ngase siç ishin parashtruar, ashtu të përziera, në mjaft raste paraqitnin, siç paraqesin edhe sot, huti tek konsultuesit e shfrytëzuesit e tekstit, ngase këto parregullsi, siç do të shohim, mjerisht, si të tilla u përcollën edhe te teksti përfundimtar i drejtshkrimit në fuqi.

            2) Shembujt e pranuar nga gegërishtja, sipas Projektit, ndoshta do të duhej të shënoheshin të gjithë, pa pasur nevojë për treguesin etj., pasi nuk ishte numër aq i madh i tyre.

            3) Bashkë me foljet apofonike l. ll. rr nuk do të duhej të dilte e shënuar fare R-ja, ngase folje të tilla apofonike me –r fundore nuk i kishte të pranuara as si alternativë shqipja letrare.

            4) Përmenden foljet me zanore dhe ato me togzanor mbi bazë të pjesores së shkurtër, por aty, në të vërtetë, një fakt i tillë nuk del i sqaruar fare me shembuj konkretë. Problemi nuk qëndron te baza reale, sepse e vërteta është ashtu, por anomalia qëndron në faktin se pjesorja e tillë e shkurtër e foljeve të tilla përkatëse, edhe pse ekziston në realitet, për çudi, sipas këtij Projekti, nuk del e pohuar qartë si trajtë e domosdoshme normative. Pra, gafa qëndron te Projekti ose te hartuesit e materialit të tillë e jo te realiteti.

            5) Aty thuhet se SH-ja nistore përveç para bashkëtingëlloreve f, k, p, q, t, th., përdoret edhe para bashkëtingëlloreve të tjera të shurdhëta. Po cilat janë ato bashkëtingëllore të tjera nuk shënohen fare. para të cilave përdoret a mund të përdoret Sh-ja nistore?  Nuk shënohen pra shkronjat: c, ç, s, h, para të cilave siç nënkuptohet nga teksti, mund të përdoret –SH-ja, por në të vërtetë, në Fjalorin e shqipes së sotme nuk e gjejmë asnjë fjalë të tillë të regjistruar me SH nistore. Mbase është menduar në perspektive a ku ta dimë, sidoqoftë diçka e domosdoshme si sqarim në këtë pikë i mungonte tekstit.

            6) Aty (në tekst) nuk shihet një dorë edhe sa i përket shquarsisë së emrave përfaqësues, ngase herë shënohet emri në trajtën e pashquar e herë në trajtën e shquar?

7) Nuk dimë arsyen e plotë pse u vazhdua me një metodë pune jofunksionale të filluar e të rekomanduar që në Ortografinë e 1956-s, ku lidhur me shumësin e emrave mashkullorë parashihej zgjidhje me fundore, jo vetëm pse janë përzier aty emra e mbiemra bashkë pa nevojë, por për arsye se shumësia enorme e fundorëve përkatës si rregull, del aq në numër të madh e ngatërrueshëm, saqë është e vështirë ose del si diçka e pamundur ta përthekojë çdo mbamendje normale a mesatare të respektuesit të normës së tillë. Janë. shënuar 41 fundorë, afro 2O më shumë nga ortografitë e mëparshme (1956/1963). Pra, është fjala për 40-60 fundorë që në shumës marrin mbaresën –Ë, të cilët (të njëjtit fundorë) në mjaft raste dalin të involvuar të njëjtët fundorë edhe te shembujt me mbaresa të tjera shumësi –E ose –A apo kanë ndonjë zgjidhje tjetër. Ne, në një punim për zgjidhjen e çështjes në fjalë sugjerojmë dhe sprovojmë një metodë tjetër pune, të cilën e pandehim më të suksesshme, e cila lidhet me kritere semantike rreth përdorimit të mbaresave të thjeshta e jo me fundore.

8) Vështirësi paraqiste jo aq NJ-ja në trup të fjalës sa ajo në fund të fjalës si formant shumësi. Edhe këtë çështje e kemi trajtuar më gjerësisht në një vend tjetër, prandaj këtu nuk po zgjatemi.

 

Në të vërtetë, këto dhe disa çështje të tjera të diskutueshme, sipas mendimit tonë, mund të evitoheshin, po të ishte bërë paraprakisht ndonjë studim i veçanta kritik më i thelluar për çështje të këtilla. Po shtojmë me keqardhje se pothuajse të gjitha këto që u thanë më sipër prej nesh nuk u vunë re, ose mund të jenë parë e kalimthi a sipërfaqësisht nga diskutuesit e caktuar, para ose edhe gjatë seancave të Kongresit, por siç do të shohim po këto çështje përcillen të pazgjidhura dhe si të tilla u bartën, pra, mjerisht edhe në drejtshkrimin përfundimtar, duke mbetur kështu si çështje të hapura shumë të diskutueshme deri në ditët e sotme.

Po e ritheksojmë faktin që u cek pak më sipër se si duket oponencë serioze ndaj këtij Projekti nuk pati as në Prishtinë, as në Shqipëri. Madje edhe atje (Shqipëri) në mënyrë të organizuar me korrektësi të plotë vazhdonte zbatimi pikë për pikë i rregullave të drejshkrimit sipas Projektit në fjalë. Sigurisht, kjo ndodhi se anëtarët e Komisionit hartues, veç autoritetit nga pozita e vendit të punës, gëzonin edhe miratimin e autoritetit tjetër shkencor, dhe njëherazi kishin përkrahje eksplicite e implicite nga institucionet përkatëse pushtetore si andej si këndej dhe pikërisht në këtë frymë u mbajt edhe Kongresi i Drejtshkrimit.

 

 

c. Projekti dhe Kongresi i Drejtshkrimit (1972)

                 (konstatime nga materialet e botuara)

 

                   Në këtë nënkrye, së pari, do të paraqitim ndonjë fragment karakteristik nga referatet e tre studiuesve të paraqitura në Kongres, dhe së dyti, do të shkëpusim disa çështjeve të veçanta të diskurtuara në Kongres.

 

(I). Pjesë nga referatet e paraqitura në Kongres

 

Këtu do të shkëpusim shkurt fare..ndonjë fragment  për me pa  se çfarë

është thënë në Fjalën hyrëse a referatin kryesor të prof. A. Kostallarit të praqitur në Kongres si dhe  nga  referatet e parapërgatitura të studiuesve prof. E. Çabejt dhe prof. Mark Krasiniqi.

 

1. Pjesë të shkëputura nga referati i prof. A. Kostallarit

 

Kongresi u mbajt në Tiranë në nëntor të vitit 1972. Referatin kryesor e mbajti prof. A. Kostallarit, kryetar i Komisionit hartues, nga referati në fjalë, po shkëpusim, të përzgjedhura prej nesh, vetëm këto pak konstatime:

 

Kujdesi për fatet e gjuhës amtare është ushqyer kurdoherë nga heroizmi i heshtur i masave të gjera, nga gjallëria e tyre e pandërprerë gjuhëkrijuese e gjuhëmbrojtëse përshkuar shekuj si një shqetësim i thellë... Procesin e kristalizimit të dhe ka normës gjuhësore letrare e udhëheq kurdoherë gjuha e shkrimit,,,,. Gjuha (e njësuar letrare kombëtare) do të përsoset gjithnjë e më shumë si në planin e përmbajtjes, ashtu edhe në atë të shprehjes. Në të do të pasqyrohen në mënyrë edhe më të shumanshme e më të thellë se deri më sot veçoritë dhe pasuritë shpirtërore të popullit shqiptar, rrugë ngjitëse e dinamike jo vetëm e brezave të sotëm, por edhe një vargani të tërë brezash të ardhshëm ... Gjuha paraqitet edhe si sistem edhe si zhvillim... Në marrëdhëniet shoqëri – gjuhë  nuk duhet mohuar mundësinë që populli të ndikojë mbi normat gjuhësore që i krijon dhe i zhvillon vetë ai gjatë historisë... Bie në sy se krahas rotacizmit, që është një fenomen tashmë i vdekur prej mëse 10 shekujsh, shqipja e sotme letrare ka pranuar dhe vazhdon ta pranojë edhe jorotacizmin verior që është një fenomen i gjallë dhe që në gjuhën letrare kombëtare vepron si antirotacizëm...  Sistemi si tërësi e mundësive strukturore të gjuhës letrare, është më i gjerë, ndërsa struktura, si tërësi e mundësive të realizuara është më e ngushtë dhe ka kufizimet e veta... Drejtshkrimi nuk është vetëm një çështje shkencore, por edhe një problem i rëndësishëm shoqëror, sepse është shprehje e drejtpërdrejtë e njësimit të gjuhës letrare kombëtare, e cila luan një rol të dorës së parë në forcimin e vetëdijes kombëtare, në zhvillimin e jetës mendore...

 

Edhe pse të shënuara fragmentarisht të gjitha këto konstatime nuk mund të cilësohen vetëm si shprehje retorike e një propagande të bardhë a si tema konverzacioni për studentët, por mund të cilësohen edhe si konstatime të përgjithshme universale të qëndrueshme me peshë jo të vogël.

Sido që të jetë, megjithatë, konstatimet e mësipërme edhe japin mundësi për të shprehur edhe mendime e sugjerime pak më ndryshe ose mbase edhe të kundërta, të cilat mund të shpiejnë përpara frymën për përsosjen dhe njëherazi edhe për përplotësimin e ndonjë zbraztësie të dukshme ose për zbardhjen e ndonjë paqartësie të gjuhës letrare kombëtare, duke përfshirë edhe vlera të gegërishtes sipas konstatim-porosive të mësipërme që do të dalin të shprehura edhe në Porositë e vetë Kongresit.

 

       2. Pjesë nga  dy referime të tjera

 

a) Nga fjala e prof. E Çabejt

 

Në këtë vazhdë rreth përplotnisë së konceptit për kuptimin jo të ngurtë të shqipes letrare, po shkëpusim nja dy konstatime me interes nga referati i prof. Eqerem Çabejt:

 

E para, siç theksonte ai  “për hir    së vërtetës do të duhet të thuhet se  kjo punë jo e pakët (Është fjala rreth formimit të gjuhës së përbashkët të shkrimit n.v.) u arrit  që në  fazën e Pavarësisë prej masës anonime”, d.m.th. autori nuk e mohon rolin që ka luajtur norma me anë të gjuhës së administratës, shkollës etj. në periudhën e Pavarësisë, kur siç dihet mbizotëronte ish-shqipja letrare mbi bazë të gegërishtes, e shpallur edhe si gjuhë zyrtare, por pa i mohuar edhe vlerat nga dialekti i toskërishtes, gjuhë letrare kjo që atëherë nuk dirigjohej nga shteti e organet e tij si tani, përkatësisht nuk fryhej propagandisht e euforikisht normëzimi si në kohën  para e gjatë mbajtjes së këtij Kongresi.

E dyta, sipas një konstatimi tjetër të tij  (prof. E. Çabejt) nënkuptohet se gjuha e sotme letrare, d.m.th. tash mbi bazë të toskërishte si “gjuhë e përbashkët e shkruar” për hir të unifikimit të vërtetë është gjë e natyrshme që ajo të lërë                                              edhe “jashtë elemente të dialektit bazë dhe të përvetësojë me kohë edhe elemente të dialekteve të tjerë. Në këtë mënyrë kjo gjuhë bëhet një “njësi brenda ndryshimeve”,  ngase siç  e arsyeton në fund vetë autori: “hartuesit  duhet të udhëhiqen nga një ndjenjë e lartë përgjegjësie”, sepse “në formulim të çdo rregulle do të jetë e pranishme vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta,  por për katër miliona njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare”, d.m.th edhe për gegërishtfolësit e të gjitha trevave.

 

Edhe lidhur me këto konstatime, si me thënë, jepet e drejta për të dhënë vlerësimin e duhur kritik se si është vepruar me normën mbi bazë të ligjërojës së Elbasanit në krahasim me normën e njëzuar letrare në fazat vijuese lidhur me realitetin e ri normëzues gjuhësor, pikërisht në plan kombëtar, dhe sa është menduar, apo jo,  për të gjithë ata që e kanë shqipen gjuhë amtare, siç shprehej prof. Çabej. Prof. E.Çabej përmend 4 milion, dikush tjetër 7-8 milion e më në fund sipas  z. Zavalanit janë 11 e sipas Burim Vokrrit 15 milion shqiptarë.

 

        b) Nga fjala e prof. M. Krasniqit

 

Po përmendim po sipas këtij ravijëzimi edhe konstatimin e prof. Mark Krasniqit, i cili theksonte në referimin e tij se unifikimi i shpallur i gjuhës letrare, ndonëse i pranuar edhe nga Prishtina e më gjerë. nuk ishte si diçka i përkryer, andaj ai kod i përzgjedhur a si normë e gjuhës letrare kombëtare “mund të bëhej më shpejt pronë e masës së gjerë popullore, vetëm atëherë  kur këtë e shohin (bashkësitë folëse edhe ato gege n.v.) se ajo është gjuhë e tyre, se ajo i ka rrënjët në truallin e tyre të begatshëm. Vetëm në këtë mënyrë mund të ketë lule me erë të këndshme dhe fryte ëmbla ajo pemë që shtrin degët vigane mbi një popull që e quan gjuhë letrare” ose po shtojmë ne: gjuhë të përbashkët standarde kombëtare.

Sigurisht prof. M. Krasniqi ishte i vetëdishëm se gjuha letrare kombëtare duhet të jetë sa më afër popullit, gjuhës së folur, por e përpunuar, e cilas assesi nuk duhet të bjerë në nivelin e të folmeve të thjeshta popullore.

Pati edhe diskutime të tjera, por ne, he për he, nuk po përmendim shembuj të tjerë.

 

Sidoqoftë konstatimet e tilla që lënë vend për të kuptuar se një njëzim i tillë i letrarishtes më tepër ishte i për të dëshiruar se i arrirë, po i përmbyllim me një fjali të prof, A. Kostallarit, i cili në Fjalën e mbylljes të Kongresit ishte mjaft real dhe i sinqertë, kur theksonte se “ndër të tjera përpara gjuhësisë shqiptare nga kjo pikëpamje (d.m.th nga aspekti i kulturës së gjuhëse e përvetësimit të saj) marrin një rëndësi të veçantë, veç tjerash edhe studimet në fushën e morfologjisë, të cilat ende nuk kanë filluar”. 

Pra, duhet kuptuar të vërtetën, se në atë përiudhë gjuha shqipe globale, madje as ajo letrare sipas stileve përkatëse e stileve përkatëse funksionale nuk njihej si duhet, ngase mungonin studimet e thelluara në fushën e morfologjisë, të cilat, madje ende nuk kishin  filluar.

 Në të vërtetë, te citati i fundit i prof. Kostallarit kanë gjetur mbështetje edhe përpjekjet tona modeste, jo ta vështrojmë çështjen e normës letrare vetëm në apektin njëdialektor ose edhe ndërdialektor, por në përgjithësi lidhur me trajtimin e disa temave të veçanta të prekura jo sa do të duhej nga të tjerët sipas metodës atomiste, d.m.th. çështje të veçanta të shtjellohen përthellësisht strukturalisht e gjithanshmërisht deri në imtësitë më të vogla, por gjithnjë pa u shkëputur nga sistemi përkatë i gjuhës sonë letrare.

 

     (II). Çështje të veçanta lidhur me diskutimet

                     dhe me Projektin

 

Këtu do të bëjmë fjalë rreth disa çështjeve të veçanta që u prekën shkararazi në diskutimet në seancat e Kongresit, por që paraqitin interes për temën tonë.

 

1) Paskajorja dhe ndonjë çështje tjetër të prekura

                        rrëshqanasi në sesionet e Kongresit

 

Sidoqoftë, të shohim tani se sa janë diskutuar në sesionet përkatësetë të Kongresit ato çështje, të cilat në interesimin tonë i kemi vënë në qendër të vëmendjes, siç janë temat, të cilat i përmendëm disa herë, si p.sh.:

-          çështja e paskajores së mirëfilltë,

-     çështja e pjsores së shkurtër,

-          çështja e identifikimit të asnjanësit në shqipen e sotme,

-          çështja e nyjë-mbaresave të emrit të gjinisë femërore,

-           çështja e nyjë-mbaresave të emrit të gjinisë mashkullore e femërore,

-          çështja e trajtës përfaqësuese të emrit  dhe

-          ndonjë çështje tjetër sfiduese me interes.

 

Më poshtë po ndalemi vetëm në ndonjërin segment nga temat që përmendëm, të prekura rrëshqanasi në seancat e këtij Kongresi.

 

a) Çështja e paskajores së mirëfilltë

Ndonëse përdorimi i paskajores me + pjesore e shkurtër ishte e njohur dhe e zyrtarizuar që nga Komisia Letrare e Shkodrës dhe gjatë tërë periudhës së Pavarësisë e më vonë, ajo pas LDB gjithnjë e më tepër u injorua ose me thënë më butë, u anashkalua tërësisht, siç e pamë në ortografitë e Tiranës  (1948, 1951 1956 dhe 1967), ndërsa në ortografitë e Prishtinës (1952, 1957 dhe 1963) ajo qëndronte e theksuar deridiku mjaft qartë.

Kjo çështje në Kongresin e Drejtshkrimit, nuk u trajtua si temë më vete, por megjithatë, u prek paksa, si me thënë, kalimthi, nga ndonjëri nga  pjesëmarrësit e atij tubimi.

Prof. Idriz Ajeti në referatin e tij vetëm sa kujton se në ortografinë e vitit 1952 të Prishtinës paskajorja me+pjesore e shkurtër paska qenë normative, por nuk mund ta dimë se me një përkujtesë të tillë, profesori i nderuar dëshironte të nxiste interesimin për një çështje të tillë të pazgjidhur apo jo? Veprimet e mëpastajme rreth kësaj pike tregojnë se ai ishte pajtuar tashmë me shokët për zhdukjen e paskajores së mirëfilltë nga shqipja standarde(!).

Prof. Remzi Nesimi e përmend paskajoren vetëm si rast që folësit po kanë vështirësi rreth zëvendësimit të saj me trajtën përkatëse të lidhores dhe nuk ndalet në faktin se jo të gjitha konceptet e paskajores së mirëfilltë në realitet  mund të mbuloheshin me format e lidhores, siç është orgumentuar tashmë nga studiuesit tanë.

Në të vërtetë, një referues tjetër, Ylli Resuli, duke u shprehur se nuk po përmendim karakteristikat themelore të gegërishtes, si A-ja hundore në vend të Ë-së së theksuar, mungesa e rotacizmit, përdorimi i paskajores, ç’është e drejta, ai mjeshtërisht dhe me një guxim të përmbajtur vë në dukje pikërisht tri probleme të tilla madhore, të cilat Kongresi i  përjashtoi, por ato, në të vërtetë,  do të mbesin çështje të hapura të pazgjidhura përfundimisht në raportin shqipe e sotme letrare/ gegërishte, çështje këto, të cilat po dalin e po rrahin gjithnjë e më zëshim në kokën e ndërgjegjes së standardologëve tanë, si çështje që domosdo kërkojnë zgjidhje, ndër të cilat paskajorja del si më e spikatura.

Edhe Thanas Feka përmend trajtat e paskajores (gege) me lanë me zanë në kontekst krahasimi me trajtat e pjesores së letrarishtes: lënë, zënë. Por më me guxim shkencor se të tjerët çështja e paskajores është përmendur nga arbëreshi Josif Ferrari, i cili, veç tjerash, bën pyetje shumë me vend,: Pse mos të mbesin në normë edhe pjesorja e shkurtër edhe pjesorja e zgjeruar, përkatësisht edhe paskajorja e mirëfilltë edhe ajo dytësorja?  Pyetje kjo që mbeti pa përgjigje aty, por që është aktuale edhe sot e kësaj dite, e cila në kohë të fundit po shtrohet individualisht e institucionalisht më me forcë se asnjë herë më parë dhe mjaft argumentueshëm.

Po e përmendim edhe zërin e guximshëm, po mjerisht të vetmuar të Pren Lleshit, i cili veç tjerash, duke folur për ngulitjen e trajtave dialektore gege e përmend  edhe paskajoren si trajtë të ngulitur thellë në ligjërim, d.m.th. si trajtë të veçantë, prandaj si me thënë kërkon konsideratë lidhur me përdorimin e saj.

Këto ishin disa konsiderata në të mirë të paskajores me + pjesore, por nga një anë tjetër, si me thënë, pati konstatime të kundërta absurde ndaj kësaj forme, ngase paskajorja me + pjesore konsiderohej nga dikush si trajtë e huaj për letrarishten kombëtare(!). Mjerisht, edhe sot mbase mund të ketë “studiues” me gjykime të tilla që paskajoren e quajnë organizëm të vdekur, ashtu siç e quajti, pa ironi, atbotë Spiro Floqi, i cili në kumtesën e tij. duke kërkuar që lidhëza shkakore meqenëse të shënohet jo si lokucion po si një fjalë e vetme e përngjitur, këtë trajtë (mbi bazë paskajoreje) e quan huazim(!) nga gegërishtja(!), duke e arsyetuar sepse “në gjuhën letrare nuk ekziston dhe ndonjë gjymtyrë fjalie paralele që të ketë këtë trajtë”, d.m.th. trajtën e paskajores. Siç po shihet ky infinitivin me qenë(!!??) e quan inekzistent për shqipen letrare kombëtare(!).

Po edhe më ekstrem e alergjik ndaj paskajores a gegizmave përgjithësisht paraqitet gegërishtfolësi i deriatëhershëm, mbase edhe i tashëm(!), Sefedin Sulejmani nga Shkupi, i cili jep vërejtje se s’duhen përdorur as tash e tashmë, po tani e tanimë, madje as meqenëse, po duke qenë se,  sepse i duken më shqip tani e tanimë(!) (me njëfarë kundërmoje të lehtë greke) se tash e tashmë e të ngjashme (me frymim krejtësisht shqip) dhe mendimin e tij e arsyeton: kështu “unë besoj se po t’i evitojmë këto gjëra që në moment na duken të vogla, do t’i mbyllim të gjitha shtigjet që të mos mbijë më bar i egër”... Mendimet e tilla  për vlerat e vërteta të gjuhës sonë, siç janë ndajfolja shumë frekuentuese tash, tashmë si dhe paskajorja me qenë, të quhen bar i egër(!), mjerisht të bëjnë me qeshë dhe me qa njëherazi, kur kujtojmë formimin gjuhësor intelektual e kombëtar të ndonjë pjesëmarrësi a përfaqësuesi të trevave shqipfolëse në atë Tubim - Kongres, ku me hallka unazorë lidhej fati i drejtshkrimit të gjuhës letrare kombëtare, pra kurorëzohej standardi jo e një dialekti, por i gjuhës shqipe, si pronë mbarëkombëtare.                                                                                                                                                               

 

  b) Çështja e pjesores së shkurtër

 

Edhe rreth çështjes së pjesores së shkurtër, nuk u zhvillua ndonjëfarë diskutimi, por në këtë kontekst vlen të përmendet mjaft cilësor kumtesa e prof. Latif Mulakut, i cili theksonte në mënyrë të veçantë rolin e pazëvendësueshëm të pjesores së shkurtër (gege) në fjalëformim.

 

c)  Çështja rreth asnjanësve të shqipes

 

Rreth asnjanësit si duket nuk ekzistonin koncepte të qarta atëbotë. Emrat e kësaj gjinie përmenden kalimthi, po gjithnjë nën hije a paralel me emrat e gjinisë mashkullore. Madje nuk duket se kishte koncept të qartë rreth identitetit të asnjanësve të paranyjëzuar prejmbiemërore e prejpjesorë dhe shtrirjes së tyre në realitetin gjuhësor të shqipes në përgjithësi dhe në gjuhën  letrare në veçanti, ndonëse kumtesa e B. Hajrullajt, në kuadër të  lokucioneve përmend gjëra me interes të veçantë pikërisht edhe për temën mbi  asnjanësit.

 

            ç)  Rreth shumësit të emrave femërorë

 

       Emrat e gjinisë femërore, sidomos shumësi i tyre nuk trajtohet në tema të veçanta, por është indikative detyrë-porosia që jepet nga Kongresi i cili kërkon  që “në Rregullat e drejtshkrimit të trajtohen çështje gramatikore ndër të tjera edhe“përcaktimi i mbaresave të shumësit ë, a ose zero tek emrat  në femërore, tek të cilët vihet luhatje.” Për ne, vetë formulimi është i paqartë, për mos me thënë i shprehur gabim, ngase emrat e gjinisë femërore në shumës nuk kanë fare mbaresë –Ë, por vetëm kanë mbaresë zero (=–Ë), e cila reflektohet nga njëjësi i emrit përkatës. Por në anën tjetër janë disa raste që mbaresa –E shfaqet vetëm në shumës me rastin e ndryshimit të gjinisë të disa emrave të gjinisë mashkullore,  por kjo çështje nuk ceket nga askush.

        Sidoqoftë, sapo e thamë se emrat e gjinisë femërore kanë mbaresë të mirëfilltë shumësi vetëm mbaresën –A. e jo –E as Ë, a si mbaresa normale, çështje kjo, e cila  do ta trajtohet prej nesh në një punim tjetër, ku do të jepen sqarime më të hollësishme dhe më të përfillshme

 

         d) Rreth shumësit të emrave mashkullorë

 

       Edhe lidhur me shumësin e emrave të gjinisë mashkullore dalin mjaft çështje të pasqaruara ose të sqaruara jomirë. Lidhur me këtë po ndalemi vetëm rreth një porosie të Kongresit që ka të bëjë rreth bashkëtingëllores  NJ. Veç tjerash,  thuhej aty “të ruhet bashkëtingëllorja  nj në trup të fjalës te emrat si brinjë, shkronjë etj. dhe të përcaktohet  norma në mbaresën  e shumësit me –nj  ose –j për emrat e tipit  ari, bari, ulli, ftua përrua etj. Si alternativë për emrat e tillë nuk përmendet fare prapashtesa zero. Sido që të jetë, edhe këtë temë (rreth shumësit të emrave me prapashtesën NJ/J e 0 /zero ) e kemi trajtuar në një vend tjetër, prandaj këtu nuk po zgjatemi më shumë.

 

 

      C. Materiali nga Projekti që nuk u inkorporua

         në Drejtshkrimin e gjuhës shqipe 1973

 

Në pikën e katërt të konstatimeve të përgjithshme rreth Projektit të drejtshkrimit në fjalë kemi konstatuar se materiali i Projektit u përsfshi pothuajse i tëri në tekstin përfundimtar të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1973) me ndonjë ndryshim. Po në të vërtetë, cilat ishin ato ndryshime që ne i cilësuam si simbolike me treguesin ndonjë,  që nuk u inkorporuan  nga Projekti në Drejtshkrimin e ri po i paraqitim,  më poshtë, në tri pika:

 

  pari,  nga teksti i Projektit u korrigjuan  këto fjalë:

shembëll, shembëllor në shembull shembullor, arësye arësim në arsye arsim; dhëndërr – dhëndër; maqinë, maqineri, maqinist – makinë, makineri, makinist; marrëdhënje, mirëqenje – marrëdhënie, mirëqenie;  studjoj, studjim – studioj, studim; shtegëtoj, tregëtoj – shtegtoj, tregtoj e ndonjë tjetër..

Së dyti,  nuk u  përcollën në drejtshkrimin e vitit 1973 këto fjalë:

     çapëz-a, shtërg-u, gërxh –i, lepurushkë-a, xhuxh-i; mylk-u, shut-i shutoj, 

     ylbe-ir, zdryp; zgavriq, picër, vendore  si dhe gegizmat:  kam pru, kam  

     vu, mujta, shkamb.

Së treti, u bënë ndërrime a ndryshime, madje edhe fuzionime paragrafësh:

nuk u përfshinë paragrafët lidhur me raportin g/k, th/f nistore, por pati edhe shtim paragrafësh të rinj si p.sh. te Çështje gramatikore rreth emrave e mashkullorë, por  u bënë edhe shtesa a shënime të veçanta si sqarime, por në mënyrë të veçantë po përmendim shtojcën  Treguesi i çështjeve.

Në të vërtetë,  bashkë me këto ndryshime, mjerisht u përcollën në tekstin e Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1973) edhe lëshimet e dobësitë që i përmendëm si vërejtje në këtë krye.

 

                   Përfundim

 

Sidoqoftë, po përfundojmë këtë krye me konstatimin se Komisioni i drejtshkrimit ishte plotësisht i ndërgjegjshëm se këtë detyrë kaq të ndjeshme, të ndërlikuar e njëkohësisht kaq të rëndësishme nuk mund ta zgjidhte vetëm një grup specialistësh të gjuhës, sa do të përgatitur që të ishin, prandaj edhe kërkojnë që “Përveç vërejtjeve që do të bëhen në organet e shtypit, Komisioni do të mirëpresë me kënaqësi e mirënjohje edhe vërejtje e sugjerime të tjera ...ngase  mendimi i masave të gjera punonjëse, i krijuesve, i përpunuesve dhe i zhvilluesve të gjuhës sonë amtare, do të jetë për Komisionin e drejtshkrimit një bazë e shëndoshë për hartimin përfundimtar të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipes”.

Pra, janë konstatime për t’u dëshiruar. Nuk dimë për vërejtjet e caktuara të bëra nëpërmjet shtypit, por dimë se materiali i këtij burimi u vlerësua lartë përgjithësisht, si nga ana teorike, ashtu edhe nga ajo praktike.

Gjithsesi Rregullat në fjalë u përcollën me një propagandë të bardhë politike të organizuar mirë si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë e gjetiu, me një fjalë, pothuajse në mbarë trojet shqipfolëse, me përjashtim, siç thuhej, të ndonjë personi që nuk ishte në rrjedha të lumit që lëviznin ngjarjet.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx