E enjte, 01.05.2025, 12:29 AM (GMT+1)

Mendime

Blerim Rrecaj: S’ka fjalë të lirë pa përgjegjshmëri

E hene, 08.03.2010, 10:55 PM


S’ka fjalë të lirë pa përgjegjshmëri

Nga Blerim Rrecaj

A të shkruaj diç a jo? Kjo është njëra prej çështjeve, kjo është njëra nga dilemat që më vërtitet në kokë. Jo se kam se kushedi çfarë të them me anë të fjalëve a fjalive por do të jetë një çlirim shpirti nga ky realitet e kjo kohë që mund ta emërtojmë secili sipas dëshirës. Atë hall them se e kam se mos po shkretoj tepër. E mos po e bezdis dikë siç më ndodh mua të bezdisem e nervozohem nga shumë shkrime që lexoj a më rastis t’i lexoj. Po mos të harroj të përmend se edhe gëzohem e këndellem edhe kur më bije të lexoj shkrime që më bëjnë të ec përtokë e të cilat shkruhen edhe me pergjegjshmëri të lartë. Dhe ndoshta lufta më e madhe sot bëhet në mes këtyre dy grupeve e sigurisht ata që i takojnë grupit të dytë (ata që lirisë së fjalës i shoqërojnë edhe përgjegjshmërinë) janë më të paktë e me ta mund të hasësh më rrallë. Edhe vetë çuditem jo pak se si shumë shkrimshkrues nuk përtojnë të lënë shenja dokumentare nëpër faqe të ndryshme gazetash a interneti ose deklarata për çfarëdo që t’i pyesësh. Do të ndalem te disa shkrime që më ra t’i lexoj tash së fundmi dhe do mundohem t’i them ca fjalë për to. Njëri ishte shkruar nën (shkruar) nga doktor kryeparlamentati i Kosovës dhe hidhte vrer mbi një siç shprehej ai një “çunak” për çështje gjuhës standarde letrare. Pa modesti e them se do të tregohem më i mençur se dr-parlamentari dhe këtë çështje do t’ua lë siç shprehet vetë ai gjuhëtarëve e ekspertëve. Do të them se kur e kritikon dikë duhet të jesh vetë shumë i pastër dhe për këtë arsye jo pa qëllim pyes se cili është niveli e kultura e gjuhës shqipe në Parlamentin e ashtuquajtur të Kosovës ku miratohen ligje me gjuhë shqipe të çalë e shumica e deputetëve nuk ua dijnë kuptimin. Vetë kryeparlamentarin e kemi dëgjuar duke u shprehur kullerski në stilin: Deputet e hup t’drejtën e fjalës a!? S’dua të ndalem më te ky shkrim e as te kundërpërgjegjja e Shkëlzen Gashit me titull: “Jakup Krasniqi punon kundër bashkimit kombëtar” sepse ndoshta qëllimi i këtij shkrimi është që të shkruaj diç për të përgjegjshmit dhe të papërgjegjshmit e fjalës së lirë. Kur jemi te te përgjegjshmit ata flasin dhe edhe ta këndellin bukur mirë mendjen e shpirtin duke menduar mirë para se t’i rradhisin fjalët me të cilat dojnë të dërgojnë porosi tek publiku. Dhe për fat të mirë nuk po jemi as pa ta. Të papërgjegjshmit ose mendjeturbulluesit mundohen të jenë më imponues e sidomos në prag datash të rëndësishme si të këtij fillimmarsi duke na folë me fjalë të mëdha si gjaku, liria, dëshmorët, atdheu, Shqipëria, Kosova që ecën titanikisht përpara për të m’u kujtuar libri “Punët e këtushme” për gjendjen e shqiptarëve nën Maqedoni i autorit Nijazi Muhamedit sepse siç shprehet ai me një vend për ata që flasin për Shqipërinë e punojnë për vete. Një ditë prej ditësh lexova një artikull, artikull në i thënçin me titull: “Mosparaqitja e Albinit-pranim i krimit”, ku autori, (Reshat Sahitaj)autor në i thënçin kishte shkruar një shkrim të superturbulluar. Ai e ftonte Albinin të paraqitej në gjyq ta dëshmonte pafajsinë dhe në fund të shkrimit thonte se nuk përkrah aksionet vandaliste të Lëvizjes Vetëvendosje. Mos ta lë pa përmendur se me një vend ky artikullshkrues kishte kritikuar intelektualët nga Tirana për nënshkrimin e peticionit ku ata ishin shprehur” Grupi i Pedagogëve të universiteteve në Tiranë proteston kundër gjyqit që ka nisur ndaj Albin Kurtit, i cili shënon një përpjekje për të cënuar integritetin politik dhe për të shtypur lirinë e fjalës të një aktivisti të çështjes shqiptare siç është lideri i Lëvizjes Vetëvendosje.”
Reshati vazhdon të na përrallisë se liria e fjalës eksizton në Kosovë pasi vetë Albin Kurti ka kritikuar me dhjetëra shkrime Qeverinë e ndërkombëtarët dhe këtë sipas tij e kemi bërë dhe ne të tjerët për të harruar Reshati se pikërisht për shkak se Albini dhe bashkëmendimtarët e tij me fjalë dhe me vepra po mundohen ta sendërtojnë lirinë për vendin, veten e popullin e tyre po tentohet t’u mbyllet goja e shtigjet aq sa të jetë e mundur. “Shkon gjatë me të kundërshtue”, thotë Koliqi në një tregim.
Por po kujtoj dy aksione të “Vetëvendosjes” dhe sidomos fjalët e ndrruesve të filxhanave të makiatopirësve. Pas skuqjes së objektit parlamentar nga kafehanet shumë vetë paten deklaruar se këta të huajt është dashtë të sulmohen e jo tanët. Kur u erdhi rradha e u rrotulluan xhipat e Euleksit, nga kafehanet kumbuan zëra se këtyne tonëve u dasht me ua ba kështu. Dhe këta janë ata që një lëvizje a një aksion e përkrahin vetëm po të jetë ai i shpejtë si rrufeja e me ndryshime të mënjëhershme e pa farë therre në këmbë për ta e për folur për meritokracinë. A e dini se çka më tha njëri një ditë: E kundërshtoj gjykimin e Albinit po çuditem qysh Euleksi s’po merret me hajnat por Albini vlla është total kundër të huajve.Llafet e qarshisë e plot fjalë e shkrime që ngjajnë e mbajnë vulën e papërgjegjshmërisë vazhdojnë. Dhe lutja e tyre për ata që po mundohen me mendue me kokë të vete do jetë: Ju që mendoni e shkruani kështu ishalla ju shkelin serbët me traktorat që ua dhuroi kryeministri. Për fund të këtij shkrimi po e përmend edhe një mendim të Sokratit të lexuar diku në një libër :“Mendimet e drejta, përderisa janë të qëndrueshme kanë vlerë dhe sjellin dobi, po ato nuk janë vërtet të vlefshme në qoftë se nuk janë të lidhura me arsyetimin e shkakut dhe pasojës. Kur lidhen mire me këtë arsyetim, në radhë të parë ato shndërrohen në dituri dhe, në radhë të dytë bëhen të qëndrueshme”.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx