E enjte, 01.05.2025, 11:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Hajdin Morina: Ndoc Gjetja - Emër ndër më të njohurit e letersisë shqiptare

E marte, 02.03.2010, 10:56 PM


NDOC GJETJA - EMËR NDËR MË TË NJOHURIT E LETËRSISË SHQIPTARE

Nga Hajdin Morina

Ndoc Gjetja (1944) është emër nga më të njohurit të poezisë shqipe dhe të letërsisë sonë. Është individualitet origjinal dhe i veçantë. Dallohet për një përkushtim specifik ndaj procesit krijues, ndaj bukurisë së fjalës. Që nga fillimet krijuese e deri më tash motivin e  frymëzimit për shkrimin e vet letrar e gjeti në fatin e vështirë të njeriut tonë, i cili në situata të shumta historike dhe politike humbi shumëçka nga vetja e vet, duke filluar nga dinjiteti njerëzor dhe identiteti kombëtar deri te kultura e tij shumë e pasur materiale dhe shpirtërore, u nëpërkëmbë dhe u mohua jo vetëm nga pushtuesit e shumtë, por edhe nga përçudnuesit e fisit të tij. 
Ndoci me shkrime letrare, me poezi, është marrë qysh si gjimnazist, kurse para lexuesit u paraqit me botime letrare në vitet ’70. I takon atij brezi letrar që i vazhdoi me sukses proceset krijuese që filluan në letërsinë tonë në vitet’60, në ballë të të cilave qëndronin Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Fatos Arapi etj. Brezi poetëve të viteve ’70, në saje të synimeve të tyre novatore, në saje të interesimeve dhe realizimeve të mirëfillta artistike, u afirmua shumë shpejt, u mirëprit nga lexuesi dhe u çmua nga kritika letrare. Në këtë brez të krijuesve tanë letrarë, përpos Ndoc Gjetjes, bëjnë pjesë edhe Ndoc Papleka, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Natasha Lako, Bardhyl Londo, Frederik Reshpja etj.
Për të njohur shpirtin e krijuesit dhe të njeriut Ndoc Gjetja, për të parë tematikën e tij krijuese, përkushtimin ndaj jetës, ndaj njeriut dhe ndaj së bukurës në përgjithësi, për të parë qëndrimet e poetit ndaj sistemit shumë të drejtë, shumë ligjor dhe shumë human të Demokracisë, të mjafton analiza strukturore, figurative dhe mesazhi i vëllimit poetik “Dhjata ime”, botuar më 1998.  
Vepra artistike me poezi “Dhjata ime” ndërtohet nga tri cikle poetike: “Ylli im nuk ndizet më” ku përfshihen 11 poezi; “Kohë bishtdhelpër” me 14 poezi dhe “Antarktida e shpirtrave” ku janë përfshirë 16 poezi. Këtyre cikleve u paraprin poezia “Autoportret”, e cila është poezi që zbërthen kodin e programit poetik të Ndocit, është krijim ku e kanë amën e vet pothuajse të gjitha temat dhe motivet e kësaj poezie, të gjitha interesimet dhe preokupimet e tij artistike. Në poezinë “Autoportret” i gjejmë fijet që na lidhin me historinë e jetës së poetit, me ndeshtrashat e asaj jete, aty e gjejmë përvojën jetësore dhe filozofike që ka ndërtuar autori, në këtë poezi shohim fytyrën e administratës shtetërore, trajtimin që u bën ajo krijuesve, vetëm pse janë antikonformistë, vetëm pse shkruajnë që ta promovojnë drejtësinë, të bukurën dhe moralin e vërtetë njerëzor. Poezia “Autoportret” është shpalim i fatit tragjik të poetit Ndoc Gjetja, i cili të vetmen pasuri e ka “dritën e mendjes me të cilën fitoi varfërinë”, sepse kështu ndodh aty ku vlerësohet se drita e mendjes nuk ka çfarë na duhet!
Në ciklin e parë “Ylli i nuk ndizet më” autori ka trajtuar temën universale të dashurisë, gjendjet shpirtërore kur të kapërthen ajo, të gjitha pritjet, të gjitha takimet dhe ndarjet e reja e të vjetra, të mbështjella me ëndrra dhe me net pa gjumë. Vargjet e këtij cikli shprehin konceptin e  poetit ndaj ndjenjës së dashurisë dhe ndaj kultivimit artistik të kësaj teme. Autori kur trajton këtë tematikë, sikur ka qëllimin që kudo ndër njerëz të fryjë era e dashurisë, pra ndjenjën e dashurisë dhe paraqitjen artistike të saj e shfrytëzon për ta përballuar gjendjen e keqe që ia sjell ambienti i ashpër shoqëror. Në poezinë “Dashurisë” dashurinë e koncepton si “mbretëreshë të gjithëpushtetshme të universit mashkull-femër”, me dashurinë poeti është në gjendje të jetojë “në zjarr, në det, në ferr, në baltë, në hon”, por nuk dëshiron të jetojë “në atë vend ku ajo mungon”. 
Në disa vargje të poezive të kësaj natyre autori ka futur edhe qëndrimin dhe mendimin e subjektit të vet lirik se dashuria si ndjenjë njerëzore i takon çdo moshe. Format e dashurisë, qofshin vetëm si ëndrra ose vetëm si kujtime, mund të sfidojnë katrahurat e jetës, me të cilat ballafaqohet njeriu i sotëm në çdo hap, për çdo ditë:

“Ti vjen dhe ikën dhe mbetesh ëndërr
Se ylli im nuk ndizet më
Me muzgun e moshës jam mbështjellur
Dhe ndihem i lodhur e dua të fle...” (Poezia “Ylli im nuk ndizet më”)

Sintagma “Kohë bishtdhelpër”, me të cilën titullohet cikli i dytë i vëllimit të Ndoc Gjetjes “Dhjata ime”, lexuesit i shërben për të njohur dhe për të zbërthyer përmbajtjen tematike figuracionin dhe mesazhin e autorit. Viti 1998, kur autori ka botuar vëllimin për të cilin po shkruaj, është njëri nga vitet e demokracisë shqiptare ose, më mirë të shprehemi, vit i demokracisë sonë të brishtë, sepse kjo kohë e demokracisë, kjo kohë e keqe, kjo “kohë bishtdhelpër”, ky tranzicion që nuk e di kush kur mbaron, me disa të bëma e ka tronditur popullin, e ka varfëruar atë, ia ka dhënë sërish rrugët e botës. Poezitë e këtij cikli dëshmojnë se në poezinë e Gjetjes zë vend të caktuar lirika qytetare-politike, e cila në çdo kohë, pra edhe në kohën e demokracisë dhe të tranzicionit,  demaskon dobësitë e sistemit shtetëror dhe të moralit njerëzor.
Pamjet e “kohës bishtdhelpër” autori më së miri i shpalos nëpërmjet poezisë “Gjergj Fishtës”, në të cilën gjejmë edhe këto vargje:

“Shqipnia u kthye në Dreqistan 
Me plehra, smog e duf partish
Në sofër të Atmes janë shtruar rrafshit
Palokë Cucat me tërë keçanat
Që hanë e pinë me pare të pista
                        Dedë Gjo Lulat lëpijnë pjatat...” (Poezia “Gjergj Fishtës”)     

Cikli i tretë i veprës “Dhjata ime” mban titullin “Antarktida e shpirtrave” dhe është vazhdimësi logjike e vjershave të ciklit të dytë, pra “koha bishtdhelpër” sjell “Antarktidën e shpirtrave”, humbjen e shpirtit, shpirtvogëlsinë, kultivimin e antivlerave dhe vrapin e pafund pas tyre. Vjershat e këtij cikli, por jo vetëm këto, dëshmojnë se syri i poetit depërton thellë në të gjitha shfaqjet shoqërore, vëren edhe ato pamje të shëmtisë së moralit shtetëror e njerëzor, të cilat kamuflohen për të marrë kuptime dhe pamje të tjera:

“Në ditën kur erdhi demokracia e dashur
Në palcën e gëzimit një pamje më theri:
Një ish spiuni im mori teserë të kaltër
Dhe fliste nga tribuna si Robespieri” (Poezia “Lexuesve të mi”)

Si poet, i cili është në gjendje t’i vërejë dukuritë dhe fenomenet jetësore dhe të ndjekë hap pas hapi dialektikën e jetës, Ndoc Gjetja krijon një poezi me horizont të gjerë dhe perspektivë të hapur. Në vargun e tij gjithçka mund të bëhet objekt frymëzimi, që nga historia e kombit e gjer tek lodrat e fëmijëve, mjafton që të ketë në vete frymën e jetës dhe shqetësimin e njerëzve të mirë, për të cilët këndon poeti (Agim Vinca, Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980), fq. 410) 
Për ta bërë këtë shkrim më të qartë për lexuesin, po ja shtoj në fund poezinë e Ndoc Gjetjes “Autoportret”, e cila meriton të lexohet dhe të komentohet shumëherë:


AUTOPORTRET

Vendbanimi:
Në Lezhë me trup dhe mendjen emigrante në yje.
Profesioni:
Thurës ëndrrash dhe mbrojtës besnik i tyre.
Gjendja sociale:
Mbetje teknologjike e administratës shtetërore
Se nuk diti t’u japë përkuljet e duhura eprorëve.
Gjatësia:
E mjaftueshme për të arritur një ditë mollën e ndaluar.
Pesha:
Sa vetja, sa ëndrra, sa fjala e thënë dhe e shkruar.
Shenja të veçanta:
Një pentagram rrudhash me nota trishtimi në ballë
Dhe një mjekër e thinjur nga moslejim kaq vite i saj.
Sytë:
Kafe me nuanca të turbullta pasionesh të djegura.
Ngjyra:
E errët për fshehjen e skuqjes nga faje të lehta.
Titujt:
I dekoruar Njeri qysh në ditën e lindjes nga Nëna.
Bindjet:
Njeriun në jetë e bën të lumtur vetëm Njeriu.
Antipatitë:
Burrat me Grada, gratë me shumë tule dhe miu.
Simpatitë:
Jezusi nga Nazareti, Don Kishoti i Mançës dhe Buda.
Frikërat:
Shëndoshja e trurit, uji, zjarri dhe turma.
Besimi:
Në kryqin e tij që e mban përditë në shpinë.
Pasuria:
Drita e mendjes me të cilën fitoi varfërinë.


(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx