Kulturë
Nuhi Veselaj: Drejt standardizimit të gjuhës shqipe (I)
E marte, 02.03.2010, 10:56 PM

I. rRETH PROCESIT TË
KOINEZIMIT TË SHQIPES SË
FOLUR DHE TË SHKRUAR PARA
periudhës
SË RILINDJES KOMBËTARE
Në procesin e formimit të
gjuhës letrare shqipe, sipas prof. A Kostallarit dallohen dy periudha të mëdha:
Periudha parakombëtare që nis me
dokumentet e para të shkruara në gjuhën tonë, shek.XVI deri në fillim të shekullit
XIX dhe Periudha kombëtare që nis nga
gjysma e parë e shekullit XIX dhe arrin deri në ditët tona. Ne, në këtë krye të
punimit, kemi për trajtim procesin e koinezimit vetëm për periudhën e parë, e
në të gjithë krerët e tjerë do ta trajtojmë periudhën e dytë.
Në të vërtetë, ne këtu, së pari, e shohim të arsyeshme të themi ca fjalë rreth kuptimit leksikor të termave koine koinezim dhe dialekt (nëndialekt e folme ose, grupe të folmesh), së dyti, do të njihemi rreth shtrirjes gjeografike të dy dialekteve të shqipes, përkatësisht të grupeve të të folmeve të shqipes në kuadër të dialekteve përkatëse, së treti, do të ceken shkurtimisht disa nga dallimet kryesore të trashëguara në raportin ndërdialektor gegërisht/toskërisht të shqipes dhe së katërti, do të ndalemi paksa rreth koinezimit të shqipes së folur dhe të shkruar të të dy dialekteve të shqipes gjatë periudhës parakombëtare.
1) Rreth përkufizimit të termave koine e dialekt
Fjalë-termat koine dhe dialekt si ndërkombëtarizma vijnë nga greqishtja e vjetër koinos, përkatësisht dialektos.
a) Çka quhet koine?
Kështu me fjalën koine quhej në fillim: “gjuha e përbashkët e grekëve në kohën e helenizmit të sajuar prej disa dialekteve të ndryshme”. (Shih Fjalor i fjalëve të huaja, IAP, Prishtinë 1988, f. 306), dhe së këtejmi kaloi si ndërkombëtarizëm që sipas prof. S. Rizës, me fjalën “koine nënkuptohet glossa, që do me thanë gjuhë botore, gjuhë e të gjithëve bashkë”, gjegjësisht në gjuhësinë e sotme fjalë-termi koine mbulon konceptin: njësimi i disa gjuhëve, i disa dialekteve të ndryshme në një gjuhë të përbashkët (Po aty f. 306) ose “çdo gjuhë e përbashkët e krijuar nga disa dialekte (FFShH, Prishtinë 1986 f. 289, respektivisht koine quhet: “tipi gjuhësor i përbashkët, por jo i njënjëshëm, i cili, edhe pse mund të përshkohet nga ndonjë karakteristikë dalluese specifike, është i kuptueshëm në disa treva folëse, ku përdoret për komunikim të gjerë”. (Shih: Mala enciklopedija Prosveta, Beograd 1978 f. 269).
Siç mund të shihet nga
pesë variantet e përkufizimit të mësipërm del se koineja, përkatësisht koinezimi
është një term që edhe në gjuhën tonë mbulon nocionin e një ligjërimi të përbashkët
të disa të folmeve, apo i të disa nëndialekteve në kuadër të dialektit përkatës
gegë ose toskë, dy dialekte kryesore këto që e formojnë shqipen e natyrshme
globale, ose shqipen e përbashkët, brenda truallit shqipfolës dhe në diaspora e
mërgata, ku manipulohet me këtë gjuhë..
Me fjalë të tjera, me
termin koinezim kuptohet procesi që ka ndihmuar dhe
ndihmon përafrimin e të folmeve në nëndialekte ose të nëndialekteve në
dialektin përkatës, por me synim për një gjuhë sa më të përbashkët të njëzuar.
Konkretisht në shqipe me fjalë-termin koine
kuptohet edhe përafrimi e të dy dialektve në një gjuhë standarde kombëtare
të përbashkët, kur një gjuhë e tillë ende
përshkohet me ndonjë veçori specifike dalluese, por që në vazhdimësi vijon të përgjithësohet e njënjëshmja, duke
iu shtruar edhe më tej procesit të konvergjencës: koinezimit ose përbashkimit.
Sipërfundim, mund të themi se koenizimi i gjuhës shqipe është kryer në periudha të mëhertshme, por edhe po kryhet spontanisht ende në të folmet rreth një dialekti të shqipes së folur popullore, por edhe i ndihmuar, qoftë nga nga njerëzi anonim të dijes, por edhe nga njerëzit tanë joanonimë të dijes, kryesisht në kuadër të një dialekti, por, që është me rëndësi edhe në suazat e raportit ndërdialektor, gjithsesi në kuadër të gjuhës së përbashkët kombëtare.
b) Çfarë kuptohet me fjalën dialekt?
Meqë në literaturën tonë
përktatëse ka ndodhur fakti që nuk janë dalluar mirë fjalë-termat dialekt,
nëndialt dhe e folme, këtu dë të përpiqemi të paraqitimin konceptin se çfarë
kuptohet me fjalë-termin dialekt se
sa nëndialekt
a e folme.
Sipas fjalorëve tanë normativë me fjalë-termin dialekt kuptohet:
nën 1. “variant i gjuhës, i cili përdoret nga një
grup njerëzish që banojnë në një truall pak a shumë të kufizuar ose që i
takojnë një shtrese shoqërore të caktuar” dhe
nën
2.: e folme. (Shih FGJSH 2006 f.
151).
Ndërsa në një burim tjetër ndeshëm këtë përkufizim:
“Dialekt quhet: të ligjëruarit e një grupi jo të vogël njerëzish, me karakteristika gjuhësore të veçanta ose me elemente të përbashkëta fonetike, gramatikore e leksikore, por paksa dalluese në krahasim ndaj viarieteve të të folmeve të trevave të tjera të së së njëjtës gjuhë ose ndaj gjuhës letrare a standarde nëse ekziston... Përcaktimi i koncepteve gjuhë dhe dialekt ka rëndësi shkencore e shoqërore, ngase ndodh që shpeshherë një dialekt të shndërrohet në gjuhë dhe anasjelltas një gjuhë të shndërrohet në dialekt.” (Sipas Mala enciklopedia Prosveta, Beograd f. 1978 f. 507).
Sidoqoftë, ne, për rastin tonë në shqyrtim për dialektet e shqipes, marrim në konsideratë vetëm përkufizimin e fjalë-termit dialekt, si variant i gjuhës globale, duke anashkaluar tri konceptet e tjera:
a) konceptin rreth
nocionit të shtresës shoqërore,
b) atë sinonimik në kuptim të një të folmeje të veçantë, si dhe
c) konceptin e shndërrimit të dialektit si gjuhë më vete.
Ndërsa për të folmen (ngjashëm me nëndialekt ose grup të folmesh) si term kemi në konsideratë vetëm konceptin si:
njësi e vogël e ndarjes së një dialekti ose të folurit e një krahine, të një fshati, të një qyteti. (Shih: FGhSh 2006 f. 286.), përkatësisht e folme quhet tipi i veçantë gjuhësor i një lokaliteti ose të një shtrese të bashkësisë përkatëse folëse (Sipas MEP, Beograd 1978, f. 425.)
Madje, do të shtonim ne, e folme quhet edhe e folmja e caktuar e një individi, e cila
përshkohet nga karakteristika të veçanta, por karakteristika të një të folmeje
të veçantë mund të vërehen edhe edhe në ndonjë vepër letrare- poetike e më pak
shkencore, ngase vepra shkencore u nënshtrohet domosdo kodeve të standardit.
Gjithsesi e folmja e tillë
kuptohet se bën pjesë në suaza të një nëndialekti ose të një grupi të folmesh
në kuadër të një nëndialekti apo konkretisht të një dialekti.
Nga kjo që u tha më sipër marrim vesh se koineja ka kuptim më të gjerë se dialekti sipas kuptimit të mirëfilltë.
2) Rreth shtrirjes gjeografike të dialekteve, përkatësisht të nëndialekteve dhe të të folmeve kryesore të shqipes
Është e vërtetë se kur është fjala tek shkrimi i shqipes, që në dokumentet e para të saj, ligjërimi shqip del i koinezuar, kryesisht në fytyrë të një dialekti: gegërisht ose toskërisht, shtrirja e të cilëve si atëherë edhe sot del pothuajse me kufi të qartë gjeografikë: gegërishtja në Gegëri, d.m.th. në veriun e Shqipërisë dhe toskërishtja në Toskëri, d.m.th. në jug të Shqipërisë.
a) Shtrirja e gegërishtes
Dialekti gegë, siç u tha, përfshin Gegërinë, emërtim ky i përgjithshëm që i takon kohës së re dhe përfshin krahinat etnografike të Shqipërisë së Mesme dhe ato të Veriut, duke u nisur nga krahu i djathtë i lumit Shkumbin. Në dialektin e Veriut (gegnishte) që përfshin mëse 2/3 e shqipfolësve në përgjithësi, dallohen dy nëndialekte, dialekti i nëngegërishtes veriore dhe nëndialekti i gegërishtes jugore që ndahen përafërsisht te lumi i Matit. Secili nëndialekt ndahet në dy grupe të mëdha të folmesh: siç është grupi i gegërishtes veriperëndimore, deri te lumi i Shalës në Dukagjin dhe grupi i të folmeve të Krujës, Mirditës, Matit, Lumës, Lurës, Dibrës që quhet gegërishte qendrore, kurse të folmet e Durrësit, Tiranës e Elbasanit formojnë grupin e gegërishtes jugore ose gegnishten e Shqipërisë së Mesme. (Shih FESh f. 188, 308). Këtij dialekti i përkasin edhe të folmet e Kosovës e të Luginës së Preshevës, të Maqedonisë Perëndimore, të Malit të Zi e më gjerë.
b) Shtrirja e toskërishtes
Ndërsa dialekti toskë, siç
u tha, përfshin tërë Toskërinë, emër i përgjithshëm ky për krahinat etnografike
të Shqipërisë jugore që shtrihen nga lumi Shkumbin deri në gjirin e Artës në
Jug. Sot emri Toskëri ka mbetur si një nocion historik-etnografik.
Edhe në dialektin e Jugut
(toskërishte) dallohen dy nëndialekte nëndialekti i toskërishtes veriore që
shtrihet përafërsisht deri te lumi i Vjosës
dhe nëndialekti i toskërishte jugore, në të cilin veçohen dy grupe të
folmesh : labërishtja dhe çamërishtja. (Shih: FESh, f. 188, 1105) duke përfshirë edhe të folmet e
arbrorëve ose arvanitasve në Greqi. Po këtij dialekti i takojnë kryesisht edhe
të folmet a nëndialektet e arbëreshëve të Italisë.
Në truallin shqiptar këto
dy dialekte (gegërishtja e toskërishtja) dallohen nga njëri tjetri prej disa tipareve fonetike, gramatikore e
leksikore, tipare këto që ndeshen në njëfarë simbioze në disa të folme ose te “një
grup të folmesh kalimtare me tipare të
përziera të të dy dialekteve”që
pëfshijnë zonën “duke u nisur nga Qafa e
Thanës në lindje e deri te derdhja e Shkumbinit në perëndim, kryesisht gjatë
bregut të majtë të këtij lumi”..(Po aty f. 188.)
Sidoqoftë, është i drejtë konstatimi se “dallime midis dialekteve të shqipes janë më të vogla se ato të dialekteve të disa gjuhëve të tjera të Europës” Shtrohet pyetja po cilat janë dallimet kryesore të trashëguara në raportin ndërdialektor të shqipes? Paksa më konkretisht do të përmendim në nënkreun vijues.
3) Rreth dallimeve kryesore të trashëguara ndërdialektore të shqipes
Ja cilat ishin dhe janë disa nga nga dallimet e trashëguara ndërdialektore nga periudha para Rilindjes Kombëtare, të cilat, me që i ndeshim të trajtuara në punime të tjera ose edhe në vijim sipas krerëve përkatës të këtij punimi, këtu vetëm sa po i përmendim, pa u thelluar në trajtimin tyre:
1) Si dallim kryesor për toskërishten ndaj gegërishtes del rotacizmi, fenomen ky që, pothuaj, nuk e ka prekur gegërishten. Është fjala për shndërrimin e -N-së (dhe të M-së në disa raste) në -R, kur ndodhej në pozicion ndërmjet dy zanoreve, si p.sh.:veRë/ veNë). Lidhur me këtë ndryshim ndërdialektor ja çfarë konstatonte prof. Selman Riza:
“Qysh prej kohës së bashkës shqipe të lashtë...që shqiptarët e jugut tue rotacizue dhe pajosisht tue denazalizue të folmen e tyre u banë shkaktarë të sonës dualismë kryedialektale; qysh prej kësaj kohe e tehu mund të thuhet se gegënishtja e gjithmbarshme nuk ka jetue ndonjë tejtrajtim madhuer që të mos ketë qenë edhe e shqipes edhe toskënishtes, po due me thanë. (Vepra e cit. f. 192)
Ndonëse konstatohet se ky fenomen është kryer
në shek III-I para e. Re, ka pushuar së vepruari para 10 shekujsh, megjithatë
edhe sot del i ravijëzuar thellë si në sistemin emëror ashtu edhe në atë foljor
në raport me gegërishten, ngase shqipja letrare i favorizon trajtat e tilla.
2) Toskërishtja ka vetëm zanore gojore, ndërsa
gegërishtja ka plus zanore hundore, mirëpo, me që toskërishtja ka zanoren Ë të
theksuar, e cila, pothuajse i mungon gegërishtes, në shqipen letrare
praktikohet që zanoret hundore të gegërishtes A dhe E, në të shumtën e rasteve,
jo vetëm në gjuhën e shkrimit, por edhe në atë të shqiptimit të zëvendësohen me
barasvlerësen -Ë, sidomos bie në sy zëvendësimi i hundores A me Ë në gjuhën e
shkrimit.
3) Dialekti jugor ka togun e zanoreve UA,
ndersa ai verior -UE ose -U pjesërisht
(nga një *On e protoshqipes). Megjithatë, në letrarishten e sotme bashkëjetojnë
UA/UE në funksione të ndryshme, si p.sh.
mësuar për të mësuar por mësues me mësue etj. Ndërkaq ka ende çështje të
disktueshme mbi këtë pikë.
4) Shqiptimi i grupeve konsonantike nd, mb, ng
në toskërishte, që në gegërishte (pjesërisht) janë reduktuar në konsonantin e
parë, por që norma e pranoi shqiptim-shkrimin e toskërishtes, por të
paasimiluara i ndeshim edhe te ndonjë të folme të gegërishtes.
5) Shurdhimi në toskërishte i konsonaneteve të
zëshme (pjesërisht) në fund të fjalëve dhe ruajtja e atij shqiptimi në
gegërishte, por që norma e pranoi
shqiptimin e gegërishtes dhe të ndonjë të folmeje të toskërishtes.
6) Toskërishtja ndryshe nga gegërishtja në të
shumten e të folmeve nuk e ka kthyer nj-në në -J ndërmjet zanoreve. Kjo dukuri që ka kapur të
dy sistemet: sistemin foljor e atë emëror mbetet e diskutueshme, ngase norma
në sistemin foljor ka pranuar kthimin e NJ-së në -J, ndërsa në atë emëror jo,
edhe pse jo e tërë toskërishtja e ka nj.
7) Nga sistemi emëror po e veçojmë si të
diskutueshëm faktin se NJ-ja del si mbaresë e normëzuar e shumësit të
emrave mashkullorë, e cila në gegërishten e sotme del pothuajse tërësisht në -J
ose në mbaresë zero, që sot për sot paraqitet çështje e diskutueshme.
8) Si dallim ndërdialektor përmendet nistorja va- të disa fjalëve në toskërishte që në
gegërishte del me vo-, si p.sh. vatër/votër, i
varfër/i vorfën -i etj. Nuk është numër i madh fjalësh, por le të dihet se
letrarishtja e sotme e normëzoi trajtën më VA- nistore.
9) Njëra nga ndryshimet ndërdialektore më me
peshë është çështja e ndryshimit të formimit të pjesores sipas tipave të
foljeve përkatëse, kështu foljet me konsonante marrin mbaresë-prapashtesën -UR
toskërisht, ndërsa gegërisht --UN ose -Ë; foljet me zanore në temë që në
toskërisht marrin -RË, në gegërishtë dalin tri varianteshe -m, mun dhe zero ose
pa mbaresë. Më e këshillueshme në gegnishte del ajo pa mbaresë ose me pjesore
të shkurtër. Po ashtu edhe foljet me -Oj. -Ej -Uaj në pjesore në toskërishte
marrin +R, në gegërishte marrin zakonisht mbaresë zero ose –m a –n në disa të
folme kosovarishte. Krahaso: shkoj shkuar
/shkue shkuem (shkuen). shkëlqej shkëlqyer/shkëlqye (shkëlqyem a shkëlqyen),
shkruaj shkruar/shkrue (shkruem shkruen ose shkruemun a shkruenun). U tha
se gegërishtja letrare ka
parapëlqyer pjesoren e shkurtër.
Problemi qëndron se letrarishtja gjoja nuk e
njeh pjesoren e gegërishtes, por megjithatë ajo del e pranuar domosdo në
fjalëformim e formëndërtim.
10) Dallohet fjalëformimi me prapashtesën -ri, i foljeve më -ro e në gegërisht me -ni,
-no, Edhe këtu ndonëse mbizotërojnë trajtat me -r, megjithatë norma pranon
edhe raste me n ose -no (Krahaso: vajzëri
/ çikni; pleqëri pleqëroj / pleqni pleqnoj).
11)
Format e mbiemrave prejpjesorë e të tjerë në gegërishte janë më të
larmishëm se në toskërishte, p.sh.: i (e) ardhur / i ardhun, i ardhshëm, por,
në gjininë femërore: e ardhme, e ardhshme), andaj standardi ka pranuar edhe
trajtat gege me -me pjesërisht dhe plotësisht
me -shëm ose -shme. Të diskutueshme mbesim edhe disa trajta të
mbiemrave me –T fundore si: i squet, i mbuluet, i ardhët etj.
12) Mungesa e paskajores me+pjesore në toskërishte, e cila del shumë e përdorur në gegërishte paraqet dallimin më të madh në mes të dy dialekteve. Për gegerishten ose ish-letrarishten mbi bazë të gegërishtes paskajorja ishte shtyllë themelore (kurrizore) e tërë sistemit foljor, por edhe emëror në njëfarë dore. Kjo paskajore me+pjesore në atë gjuhë përdorej në funksione të ndryshme, andaj edhe sot paraqet problemin më të madh të pazgjidhur në shqipen e sotme letrare. Gjithsesi kërkohet rehabilitimi i saj në standardin e shqipes, sidomos trajta e paskajores së mirëfilltë: me+pjesore të shkurtër: me dalë, me folë, me shkue, me shkrue etj, sepse mjaft koncepte që shprehen me paskajore në gegërishte në toskërishte nuk kanë barasvlerës paralel, andaj edhe barasvlerësia semantike nuk del e kënaqshme.
Që të gjitha këto dallime nuk janë të
një peshe e rëndësie të njëjtë dhe nuk janë tema të patrajtuara, madje disa
prej tyre ndërkohë ose janë rrafshuar ose janë në rrafshim e sipër, por
megjithatë disa kanë mbetur si çështje të pazgjidhura mirë, siç është çështja e
paskajores së mirëfilltë dhe për këtë e për mjaft gjëra të tjera mendimet e
diskutuesve ose të interpretuesve ndryshojnë.
Ka edhe dallime të tjera të trashëguara, por këto ishin ato më të dalluarat.
Siç e pamë e siç do të shohim konkretisht
gjatë analizës në krerët përkatës, në mjaft pika, dallimet dalin të zbutura në
normëzimin e sotëm, madje ndonjëra përtej tyre nuk dilte si dallim aq me peshë
as në dokumentimet e para, por ndërkohë gjatë 2-3 shekujve të kaluar kishin
pësuar edhe dallime, të cilat dalin mjaft të dukshme edhe sot, por siç u tha ka
mundësi rrafshimi të tyre pa pasoja.
Sidoqoftë, kur kemi
parasysh ndryshimet karakteristike, siç është rotacizmi, çështja e paskajores,
e -Ë-së së theksuar, e –Ë-së së patheksuar dhe e zanoreve hundore, pjesorja e
shkurtër dhe formimi i prejpjesorëve e ndonjë tjetër, vërtet, ende kanë mbetur
çështje të diskutueshme që sfidojnë e do të sfidojnë edhe në të ardhmen, nëse
nuk marrin zgjidhje të arsyeshme kompromisi sa më parë.
Megjithatë këto dallime ndërdialektore në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve asnjëherë nuk kanë ushqyer ndonjë mendim serioz separatist që dialekti përkatës të shndërrohet në gjuhë më vete, por gjithnjë është menduar që gjuha shqipe të mbetet si një trung i pandarë, por me dy degë, me dy dialekte. Është e vërtetë se kjo ndarje nuk ka penguar, madje as vështirësuar në asnjë rast komunikimin në mes të shqipfolësve të të dyja dialekteve, edhe pse pati ndonjë pengesë a mosmarrëveshje rreth unifikimit të standardit sipas bazës së caktuar dialektore. Duke i lënë hë për hë çështjet e hapura të trashëguara ndërdialektore si çështje aktuale të ditës, tashti në nënkreun vijues do të bëjmë fjalë pikërisht për temën rreth përpjekjeve të njerëzve tanë anonim e joanonim rreth koinezimit të gjuhës në kuadër të dialekit përkatës në periudhën parakombëtare.
4) Rreth procesit të koinezimit të shqipes së folur dhe të shkruar para periudhës së Rilindjes Kombëtare
Dihet nga historia se edhe
para periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në mjedise të caktuara
administrative në qytete ose në qendra të interesit, sidomos në qendra fisnore
e ndërfisnore, sa herë që paraqiteshin rrethana favorizuese, si me thënë, të
natyrës zyrtare ndërshqiptare, jo vetëm flitej shqipja që në lashtësi, por edhe
përdoreshin në ato situata marrëveshjore edhe shprehje e klishe të përbashkëta
komunikuese koenizuese të stilit përkatës. Këtu kemi parasysh mobilizimet e
caktuara, qoftë të rregullimit shtëpiak brendafisnor, por edhe më gjerë për
nevoja brenda fisnore, ndërfisnore, qoftë të natyrës fetare, ushtarake,
pushtetore e të tjera. E marrim me mend, qoftë në kuadër të shtetit të Arbrit,
qoftë edhe në kuadër të feudeve, arkondeve a principatave, ndërndikimi i të
folmeve do të ketë qenë i madh. Për këtë mjafton të kujtohen paragrafët e
pashkruar e të shkruar të institucionit të kanunit që ende frymojnë në disa
realitete tona. Ky ndërndikim me siguri kishte edhe përqendrim, por njëherazi
edhe rreze shtrirjeje si në epokën romako-bizantine e më pas edhe në
Perandorinë Osmane, por edhe në periudha më të vona, siç ishte epoka e Gjergj
Kastriotit - Skënderbeut e Dukagjinëve
etj. Natyrisht në rrethanat e tilla edhe ndikimi i fjalëve të huaja përkatëse
kishte prani dhe e bënte efektin e vet, por mbizotëronte gjuha vendëse me
konstruktet e veta eptimore origjinale të trashëguara.
Ndërkohë, për një periudhë
mjaft të gjatë, siç ishte Perandoria Osmane, shqiptarët jetuan e vepruan pa
kufi gjuhësorë të ndarë në të njëjtin shtet, ndonëse jetonin të shpërndarë në vilajete, kaza, bajraqe,
qytete e krahinëza të caktuara, por me formimin e sforcimin e Pashallëkut të
Bushatlijve të Shkodrës në Veri e më gjerë, ku zotëronte dialekti gegë dhe të
atij të Ali Pashë Tepelenës në Jug ku mbizotëronte dialekti toskë, ndërlidhja a
ndërndikimi reciprok i të folmeve dialektore të shqipes ishte më i madh, por
kishte edhe ndonjë dukuri të kundërt ose evoluime të veçanta vendëse a lokale,
por jo aq të mëdha.Themi kështu se në Pashallëkun e Shkodrës dihej për toskët e
toskërishten, ngase, veç tjerash, shtrihej edhe në disa treva në jug të
Shkumbinit, ashtu edhe në atë të Ali Pashë Tepelenës dihej për gegët e
gegërishten. Që nga kjo kohë shenjëzime a gjurmë të një përzierjeje të tillë koinesh (kupto: ndërndikim gjuhësor dhe njëherazi globalizim rreth një gjuhe me
elemente të përbashkëta) ndër të tjera ndeshen edhe në këngë popullore e në
ligjërimet përkatëse, për çka ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe
aksiomativisht të padiskutueshme.
Kjo përbashkësi
reflektohej edhe në sistemet gjuhësore, sintaksë e morfologji. Mirëpo,
përkundër ndryshimeve të natyrshme uniformëzohej a vazhdonte uniformëzimi
gjithnjë e më i madh i klisheve foljore, sipas interesave marrëveshjore të
folësve në treva të caktuara, por edhe të grup-elitave të caktuara udhëheqëse.
Madje kështu me kohë ravijëzohej gjuha edhe si koine e përbashkët, qoftë në
gjyqet, pleqnitë, lojnat e kremtet popullore, qoftë në rite darsmash, në këngë
e në takime për nevoja tregtie, qoftë në mobilizime ushtarake e në tubime të
natyrave të ndryshme. Në këtë periudhë sigurisht në simbiozë të shqipfolësve në
raportin qytet/fshat dallimet pësuan ndërlikime, por në hapësirë më të gjerë
ndodhnin edhe evoluime të përbashkëta të të folmeve a të nëndialekteve të
veçanta, të cilat edhe i larguan disa trajta nga origjina e përbashkët, por
shumë të tjera i afruan drejt trungut të përbashkët gjuhësor.
Me fjalë të tjera, në periudhën e hershme të
sundimit osman, kur nuk ekzistonin kufi shtetëror aq rigoroz, kur gjuha fetare
greke dhe ajo fetare sllave humbën paksa ashpërsinë e diktatit absolut plus
shtetëror të kamufluar me besim fetar, që e kishin pasur para ardhjes a
ndërhyrjes së Perandorisë osmane, gjuha shqipe filloi tashti të frymojë më
lirshëm në të dy dialektet, dhe si me thënë, me ndonjë përjashtim jo me peshë,
në mënyrë atavike vazhdoi t’i përforconte të gjitha tiparet e domosdoshme të
përbashkëta që i kishte të formëzuara qysh para ardhjes së sllavëve. Në këtë
kontekst vazhdoi të koinezohej edhe më tej në kushte e rrethana të tjera pak më
të favorshme, duke u bërë më komunikuese për folësit e të gjitha trevave
shqipfolëse, pa dallim konfesioni e në njëfarë mënyre pa u ndrydhur në korniza
të të folmeve të dialekteve përkatëse. Natyrisht, në këtë periudhë zhvillimi i
gjuhës ndërndikohej me elemente leksikore e fjalëformuese të reja nën ndikimin
a trysninë e gjuhës turko-arabo-persiane. Sidoqoftë në përputhje me atë që
thamë po përmendim, afrimin e trajtave të përbashkëta fonetike e morfologjike,
ashtu siç i pohojnë historianët e gjuhës sonë, pushimi i veprimit të fenomenit
të rotacizmit etj. Megjithatë ndërkohë në të folmet e gegnishtes dhe të
toskërishtes ndodhin ndryshime evolutive në kahe të ndryshme. Po përsërisim:
a) zbërthimin togzanorit dikur të përbashkët
*On ( ou/uo) që në toskërishte ndalet në -ua, ndërsa në gegërishte në
-ue;-u ;
b) asimilimi i togjeve konsonantike mb, nd,
ng, në gegërishte m, n, g, ndryshime këto, të cilat në kohën e Rilindjes e të
Pavarësisë do t’i rikthehen normës së përbashkët në respektim të togut,
c) prejpjesorët pandajshtesore, asnjanësit e
paranyjëzuar etj..
Sidoqoftë, është e vërtetë
se për të parën herë në Perandorinë osmane gjuha shqipe del e dokumentuar edhe
si gjuhë shkrimi, madje në të dyja dialektet, gjuhë kjo që do të shohë vetëm
rritje, pa marrë parasysh ndonjë përjashtim, të cilat dalin veç e veç të
koinezuara. Kështu në Veri në gegërishte u shfaqen veprat e veprimtarëve
katolikë:(Buzuku, P. Budi, F. Bardhi, P. Bogdani, Kazazi, P. Mazreku e ndonjë
tjetër, të cilët shikuar në tërësi dalin me një koine mjaft të theksuar
dialektore gegërishte. Mos të harrojmë se ndërkohë po në gegnishte dolën edhe
dy anonimet e Elbasanit si dhe gjuha Dh. Todrit.
Prof Martin Camaj, por edhe të tjerë koinezimin letrar e gjejnë sidomos te veprat e shkrimtarëve tanë të vjetër nga veriu me qendër Shkodrën, koinezim ky që pohohet edhe nga vetë hasjani Pjetër Bogdani, kur thotë se për shumë fjalë i është drejtuart të folmes së Shkodrës.
Gjithashtu edhe në Jug pak
më vonë, dalin shkrime në shqipe. Këtë e ndeshim në veprat e veprimtarëve të
Shkollës së Voskopojës të konfesionit ortodoks (T. Kavaljoti, Dh. Haxhiu), e
ndonjë tjetër si Vangjel Meksi, Evstrat Vithkuqari, gjuha e të cilëve sipas Th.
Dhimës ndonëse
“përfaqësonte gjuhën e komunikimeve të ngushta fetare dhe ajo ishte
dialektore, por gjithmonë në frymën e përpjekjes për të dalë jashtë kornizave
të ngushta dialektore krahinore..(Seminari 27/1, f. 214.)
Dhe pothuajse në të njëjtën kohë në toskërisht
po edhe në gegnisht dolën edhe disa shkrime nga veprimtarë me emra islamë,
madje edhe me përmbajtje jo thjesht fetare, po edhe laike, si janë shkrimet e
M. Kyçykut, Nezim Frakullës, H. Zyko Kamberit e të tjerëve, të cilët bashkë me
shkrimet e disa arbëreshëve të Italisë (J. Variboba, Gavril Dara Plaku, N.
Keta, N.Filja, N. Brankati e të tjerë, të cilët përdorën kryesisht dialektin e
toskërishtes në veprimtarinë e tyre, por njëherazi i shtuan ngjyrime koinezuese
më të mira dialektore mozaikut të shkrimit shqip të periudhës parakombëtare. Në
të vërtetë, shkrimtarët në fjalë, me të drejtë konsiderohen si pararendës të
veprimtarëve të Rilindjes sonë Kombëtare
Pra,
pasi dy dialektet e shqipes ishin formëzuar shumë para dokumentimit të shqipes
së shkruar kuptohet se edhe koinezimi ishte kryer domosdo, mbi bazë të gjuhës
dialektore, sipas trevash e jo mbi bazë mbarëkombëtare, jo aq për mungesë
koncepti, por për arsye se ka munguar një qendër afruese rrezatuese e forcës
shtetërore kulturo-administrative kombëtare shqipfolëse në truallin shqipfolës.
Sidoqoftë, në anën tjetër, siç konstaton prof. A Kostallari edhe pse: “në shkrimet e kësaj periudhe ka
mbizotëruar funksioni fetar,
megjithatë, që nga fillimi i shek. XVII e
më gjallërisht në shekullin XVIII filluan të përvijohen edhe funksione
jofetare, kulturore, sidomos në veprat e bejtexhinjve”. (Aty f. 350.), siç
e cekëm edhe ne pak më sipër.
Është e vërtetë se gjatë
periudhës osmane, siç u përmend më
përpara, mjaft individë me prejardhje shqiptare kishin arritur të bënin edhe
karrierë diturake, por edhe politike, madje kishin depërtuar edhe deri në
qarqet më të larta të shtetit turk, dhe ata domosdo do të mund t’i kenë
shërbyer shprehjes së lirë të shqipes, por jo shkrimit të shqipes në administratë
etj. Ky fenomen mbase do të ketë ndikuar sadokudo që pikërisht në Stamboll, si
qendër administrative e shtetit, të dalë shoqata më e organizuar për çështje të
arsimit shqip.
Ç’është
e drejta, jo vetëm në Stamboll, po edhe në vilajetet përkatëse, me shumicë
shqipfolëse brenda perandorisë osmane, por edhe në diaspora, si në Kairo,
Aleksandri (Egjipt), Bukuresht (Rumani), Sofje (Bullgari) deri edhe në disa
vise të Italisë së Poshtme, por edhe të Epërme, në Vjenë (Austro-Hungari) e në
disa qytete të Amerikës, atëbotë, pra, para dy tre shekujsh, filloi të
kultivohej gjuha e folur shqipe dhe ndërkohë edhe ajo e shkruara, e cila pak
nga pak pati shtrirje të konsiderueshme edhe në brendi të vendit shqipfolës.
Në këtë kontekst është
krejt normale që varësisht nga përbërja e shqipfolësve sadokudo shqipja të
përdorej sipas koineve folëse të trashëguara e në raste edhe e përzier me
elemente të të dy dialekteve kryesore toske e gege. Prandaj, shikuar në tërësi,
është krejt e natyrshme që mjaft herët b.f. në Gegërinë e skajshme si në veprën
e Buzukut (1555), të F. Bardhit (1635) të ndeshet ndonjë gjurmë toske, ashtu si
edhe në Toskëri, në poezitë e beratasit, Nezim Frakulla ndonjë gegizëm, siç
është paskajorja, meqë është elementi më karakteristik i dialektit të gegërishtes.
Prandaj nuk është befasi, gjithashtu, siç u tha, përveç në Fjalorin e F.
Bardhit të ndeshet ndonjë toskizëm i kulluar, por në anën tjetër në Fjalorin e
Theodor Kavaljoti ndonjë gegizëm. Siç dihet, prania e elementeve të dy
dialekteve edhe në gjuhën e arbëreshëve të Italisë është dukuri, pothuaj, e
rëndomtë, madje edhe përdorimi i
paskajores me+pjesore te N. Filja, N. Keta e të tjerë (sipas F. Altimarit për
ngulitjen e kësaj forme shumë më heret se që mendohej në të folmen e
toskërishtes).
Pra, një gjendje të tillë jo aq kaotike, por
edhe jo të njënjëshme, e trashëguan gjuhën e folur e ngapak edhe atë të shkruar
rilindësit tanë, të cilët të frymëzuar nga ideali tashmë i lartë iluminist me
synim edhe për bashkimin kombëtar, filluan edhe ta shkruanin më motivueshëm
këtë gjuhë dhe ta kultivonin edhe më me vullnet e dëshirë. Dihet se rilindësit
tanë, sidomos pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878 shkruanin ose vazhduan të
shkruanin individualisht kryesisht në folmen e tyre të origjinës, por meqë platforma a objektivi i tyre ishte
zgjimi e bashkimi i kombit, përkatësisht njëzimi i gjuhës së shkruar të të dy
kryedialekteve: gege e toske, prandaj përdornin në shkrimet e tyre me interes zyrtar-kombëtar dalin edhe me plot
elemente të njërit e të tjetrit dialekt. Në të vërtetë, varësisht nga qendra ku
jetonin e vepronin si dhe nga prejardhja e tyre përdoreshin variantet
përkatëse, por si ide, siç u tha, kishin njëzimin dialektor e njëherazi edhe
atë të përbashkët ndërdialektor
kombëtar..
Po shtojmë edhe këtë se për atë kohë nuk duhet
përçmuar as mësimi i organizuar fetar kristian, ku krahas mësimit fetar mësohej
edhe shqipja e shkrimi i saj, po as
fakti tjetër se në mejtepet jo të pakta ku jepej mësimi fetar me shkronja
turko-arabe, edhe në të gjitha trevat thjesht shqipfolëse, mësohej e flitej
domosdo shqipja. Këtë dukuri po e theksojmë në mënyrë të veçantë, sepse nuk i
është dhënë vendi i duhur i merituar në burimet tona përkatëse të deritashme.
Duhet thënë e vërteta, sidomos mësim-besimit islam në mejtepet përkatëse që nuk
ishin në numër aq të vogël dhe që ishte i pranishëm nëpër çdo lagje, fshat
mesxhide e xhami, veç mësimit fetar ndhmonte edhe shprehjet në gjuhën shqipe.
Është i ditur fakti se edhe në kuadër të familjeve të dëgjuara deri edhe në
fshatrat më të largëta mbanin mësues hoxhallarë (sidomos për ramazan etj.), por
jo të gjitha ndërmarrjet e tilla ishin të organizuara ose të financuara nga
qeveria qendrore dhe jo të gjithë mësuesit e qytetarët e kishin të zgjuar
vetëdijen kombëtare, po megjithatë, qoftë për interes personal, ngase merrnin hakun, (shpërblimin nga xhemati
shqipfolës), qoftë për ndikim më të madh te
klientët, komentet domosdo në masën më të madhe jepeshin në gjuhën e
popullit shumicë, në shqipe. Sidoqoftë edhe me këtë alfabet (turko-arab) të
adaptuar u shkrua gjuha shqipe, madje dolën me këtë alfabet edhe vepra jofetare
me vlera të qëndrueshme dhe gjithsesi të pamohueshme në gjuhën shqipe në të
gjitha trevat shqipfolëse. Nuk është fjala vetëm për krijimtarinë e bejtexhinjve, por edhe më gjerë. Është e
vërtetë se doli e nevojshme që edhe ai alfabet të përpunohej e përplotësohej në
mënyrë që të jetë sa më i përshtatshëm për pasqyrimin e tingujve të gjuhës
shqipe.
Po ashtu, edhe tri alfabetet e tjerë sllave,
greke e ai latin që ofroheshin si të gatshëm për përdorim kërkonin përplotësime
për tingujt e shqipes, pasi edhe faktikisht në njëfarë mënyre intelektualët
tanë të kohës ishin në kontakt në përmasa jo të vogla me alfabetet we caktuara,
sidomos ai latin, që u ofroheshin edhe mbi bazë ndihme sipas rrugës së
konfesionit përkatës, sidomos katolik.
Kështu lindi për shqiptarët edhe problemi i përzgjedhjes së bazës së alfabetit, përkatësisht të adaptimit të alfabetit përkatës për të shkruar gjuhën e tyre, siç bënin atëbotë edhe popujt e tjerë, andaj edhe përpjekjet individuale e institucionale nuk munguan edhe nga radhët e shqipfolësve të tri konfesioneve, por shkrimi latin ishte më afrueshëm tradicionalisht..
Po
përfundojmë këtë krye të cilin duhet kuptuar si parapërgatitje që të kuptohet
më lehtë dukuria e ndikimit të gjuhëve dhe i alfabeteve të huaja në periudhën
para Rilindjes, madje sa ndikoi ose sa ishte e pranishme edhe tradita e gjuhës
së folur dhe e shkruar shqipe në fazën e stinës së re të Rilindjes sonë
kombëtare, kur çështja e koinezimit merr natyrë tjetër, ngase tashti mendohej
më ndërgjegjësisht për një gjuhë sa më të përbashkët kombëtare me synim
përforcimi, madje duke i respektuar të dy dialektet të shqipes mbi bazë të
karakteristikave themelore të gjuhës ekzistuese popullore ose edhe të elemteve
të trashëguara nga gjuha e shkrimit aty ku kishte sadokudo njëfarë baze..