Mendime
Mentor Nazarko: Kronikë e dy vetëvrasjeve të paralajmëruara
E merkure, 17.02.2010, 10:30 PM

Nga Mentor Nazarko
Zyra Duriçi 32 vjeç, është një grua nga Bulqiza që pakkush e njihte më parë, por mbase shumë kanë dëgjuar për të dhe familjen e saj. Në datën 20 dhjetor 2009 ndërsa Shqipëria bëhej gati për Krishtlindjet, shiu dhe bora përgatiteshin për të përmbytur Shkodrën, Ajaz Duriçi, burri i saj 33 vjeçar, realizoi premtimin fatkeq, të vetëvrasjes me djegie. Shumë borxhe të mbledhur gjatë punës së tij në minierë, apo si roje në Ndërmarrjen e Rrugëve, ku nuk arriti të merrte rrogën e tij përgjatë dy viteve, ishin shkak i mjaftueshëm që në orën 2 të natës ai të vendoste të digjej, ndërsa gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes flinin. Dy fëmijët bashkë me nënën panë plotësisht djegien e tij në 97% të sipërfaqes së trupit. Diçka që do shënojë përjetësisht jetën e tyre.
Ajaz Duriçi ishte një burrë i ndershëm 33 vjeç, i rritur jetim që në moshën 7 vjeçare, dhe nuk e përballonte peshën e borxheve. Kjo mund të duket diçka e çuditshme sa kohë që ka shumë njerëz, shumë biznesmenë, shumë shtete që rrojnë mrekullisht pa e vrarë mendjen për borxhet. Si gjithë bulqizakët e tjerë në moshë pune, ai e kishte mbështetur mbijetesën e tij dhe të familjes së vet rreth minierës. Një numër i madh bashkëqytetarësh të tij jetojnë me ndihmë ekonomike, dyqanet kanë listën e gjatë të veresieve që zgjatet akoma dhe puna në minierën e vërtetë apo në minierat e vogla të paligjshme që i kanë marrë jetën rreth pesëmbëdhjetë personave, ishte e vetmja mënyrë mbijetese. Ajazi kishte tentuar të punonte në ndërmarrjen e rrugëve si roje, por as atje s’kishte mundur të merrte rrogën, diçka që i thelloi borxhet e marra për të ndërtuar jetën familjare me dy fëmijët e tij. Shteti s’kishte para për të shlyer detyrimin ndaj qytetarit serioz Ajaz Duriçi dhe këtë detyrim nuk e ka shlyer as sot që Ajazi është vetëvrarë në mënyrë tragjike..
Jeta e familjes Duriçi pas vdekjes së Ajazit nuk është më mirë. Ai mjerisht me vetësakrifikimin e tij e rëndoi gjendjen. Familja Duriçi që tashmë udhëhiqet nga gruaja jeton në një shtëpi tjetër që kunati, binjak i bashkëshortit, jeton në Tiranë por dhe ajo pikon. Njëlloj si shtëpia e vjetër ku jetonin më parë dhe që i hëngri shpirtin Ajazit. Gruaja e sëmurë nga lagështia, tensioni i lartë, veshkat, etj duhet të jetojë për të mbajtur frymën e vet dhe të fëmijëve gjallë, duke mbledhur krom. Askush nga shteti, nga bashkia, nga Shqipëria humane në Vitin e Nënë Terezës nuk është kujtuar t’i hapë një rrugë shprese jetës së kësaj familje. A është Shteti, a është ndërmarrja private e ruajtjes së objekteve që i detyrohen 2 milionë lekë të vjetra, kjo çështje nuk është e sqaruar. Askush prej tyre nuk është bërë i gjallë, pas vdekjes së Ajazit për të marrë përgjegjësitë. Për të shlyer borxhin dhe lehtësuar jetën e pasardhësve të tij. Kronika e pamëshirshme mediatike i ka lënë jashtë vëmendjes së publikut tre njerëzit e mjerë. Komunitetet fetare gjithashtu kanë mbetur të shurdhët. Në lagjen Gjeologu ku konsumohet agonia e një familjeje të krijuar në tranzicionin e gjatë shqiptar, të gjithë flasin mirë për familjen Duriçi, por të varfrit s’kanë mundësi të ndihmojnë më të varfrit. Në qytetin që ofron kromin, i dyti në eksportet shqiptare, ndodhin drama apo tragjedi të tjera që bëjnë të harrohet tragjedia e Duriçëve. Dyqanet e veresieve, ku Ajazi blinte ushqime apo mjete shkollore për fëmijët nuk janë paraqitur me listën e borxheve në dorë, por kjo s’është e sigurt.
Në këto kushte dhe e shoqja e Ajazit, vendosi të vrasë veten në të njëjtën mënyrë. Kronikë e një vetëvrasjeje të paralajmëruar siç thoshte Markezi. Ajo e bëri të ditur qëllimin e saj fatkeq në një emision televiziv, por kjo s’bëri askënd më të ndjeshëm për tragjedinë e saj. Forca e fëmijëve, kuraja e tyre, bëri që ajo të tërhiqet nga qëllimi i saj -vetëvrasja. Një qëllim, realizimi i të cilit do të nxinte përfundimisht jetën e dy fëmijëve të vegjël, duke i vendosur mbi kurrizin e tyre të brishtë, borxhet e më të rriturve dhe pafuqinë e tyre për të përballuar jetën. Askush nuk u paraqit për të ndihmuar.
Mediat e përditshme merren me tryezën e elefantëve të politikës, interpretimet e tyre politike të rrathëve viciozë që nuk priten me njeri-tjetrin, por tragjedia e Duriçëve s’ka më hapësirë mediatike. Kudo në Perëndim, një tragjedi e tillë do të zinte për një kohë të gjatë faqet e para të gazetave, kronikat dhe emisionet e debateve televizive. Shoqëria do të duhej të shkundej dhe do të analizonte vetëdijen e saj, aftësinë e saj për të ndihmuar, e cila nuk është me fushata, por diçka permanente. Por kjo s’ka ndodhur. Në rastin e Duriçëve s’kemi të bëjmë me një vetëvrasje aksidentale, por një vetëvrasje të paralajmëruar që nxiti një të dytë fatmirësisht nuk u realizua. Zyra Duriçi dhe fëmijët e saj janë akoma gjallë, por mezi mbajnë frymën.. Mund të kishim sot kronikën e dy vetëvrasjeve të paralajmëruara dhe dy jetimë të bukur si drita, që do të mbeteshin pa shpresë. Ne do të kërkonim humanizmin, por ai nuk do të shfaqej të gjitha herët kur do thirrej në skenë. Ne jemi vërtet Kombi i Nënë Terezës, por ndjenja e mëshirës, e solidaritetit është strukur në brendësinë tonë dhe nuk është institucionalizuar si kudo gjetkë në botë. Nuk është endur rrjeta e solidaritetit që nuk do të linte pa shpresë një familje si ajo e Ajaz Duriçit.
Komentoni
Artikuj te tjere
Dy poezi nga Selim Hasanaj
Grigor Jovani:Epidemi në kohë të kolerës
Adnan Abrashi: Një kujtesë agurzezë në ditën e pavarësisë
Fehmi Ramadani: Kompromiset politike-pasojë e mungesës së planit të përbashkët ndërshqiptar
Ruzhdi Sefa: Një përrallë moderne për studentët e Universitetit
Blerim Rrecaj: Në prag të një përvjetori
Cikël poetik nga Selim Hasanaj
Arbën Xhaferi: Thërrmimi i kauzës Kombëtare
Liri Universitetit të Tetovës në Përvjetorin e Ligjëratave të Para në shkurt të vitit 1995!
Xhevat Rexhaj: Istogasit që komunën e zhvilluan si duhet
Bardhyl Mahmuti: Marrëveshje të re për misionin e vjetër antishqiptar
Drejtori i Arkivit: Kemi emrat e saktë të ekzekutuesve të dënimeve me vdekje
QKISHAIBK: “Eulex”, kërkoni vrasësit e Mon Balajt, Arben Xheladinit dhe...
Abdullah Prapashtica: Një letër pas të cilës qëndron i tërë populli
Neki Lulaj: Takimi Topi, Berisha dhe Rama
Ilir Dardani: Halldupet e Sorrerise dhe Shqiptaret e Shqiperise
Xhevat Rexhaj: RTK Kohavizion - Rubikon fushatë komuniste kundër rugoviste
Miranda Vickers: Perspektivat ndërkombëtare të çështjes çame
Proklamatë e Këshillit të pavarur për ndryshime jopolitike në Universitetin e Tetovës
Gjergj Meta: Kriza e subjektit tjetër