Mendime
Ruzhdi Sefa: Një përrallë moderne për studentët e Universitetit
E hene, 15.02.2010, 10:40 PM
Përvjetori I 40-të I Universitetit
NJË PËRALLË MODERNE PËR STUDENTËT E UNIVERSITETIT
Nga Prof. Ruzhdi SEFA, PhD
Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike
Universiteti i Prishtinës
Sinqerisht e në menyrë instiktive pata disa reagime inatqore përderisa Babi (*) perbledhte me mburrje një periudhë të rëndësishme jo vetëm vetjake por edhe për tërë popullin tonë të nëpërkëmbur. Këto reagime me cytën që të nis një shkrim të këtillë. E koncentruar dhe me reflekse të bretkosës grabitqare që zënë insektët, I kapja cdo fjalë nga përvojat e hidhura që Babi nxirrte nga goja..dhe sa vinte e isha e uritur edhe më teperër. Sa të painformuar që jemi ne, rinia, për sakrificat që janë bërë për të mbërrijtur në ditët e sotme.
Kur po vë në funksion gjithë receptoret e trurit , po qeshëm me ironi për dilemat e ne, studentëve në castët kur na zgjon alarmi I mobilit : “a me shkue a jo sot n;fakultet?” ... dhe përvojat që Babi tregonte, më silleshin nëpër kokë si mjegullë tymi :
“Me një rast, viti 1998, në pjesën e rrugës prej Graçanicës për në Prishtinë, autobusi në relacionin Prizren-Beograd u defektua. Një ditë përpara ishte raportuar se forcat e UÇK-së dhe ato militare serbe ishin konfrontuar në shumë pika të Kosovës dhe supozoja se nëse vonohem për ligjerata, studentët do të mendojnë se (me arsye) nuk kam marrë rrugën për Prishtinë fare dhe do të shpërndahen. Ndala një taxi, i cili për deri në Prishtinë më kërkojë 10 DM dhe vazhduam rrugën. Kërkova nga taxisti që të nxitonte ngase “studentët më presin”, “por edhe mund të shpërndahën!” . Sapo e kuptojë angazhimin tim dhe qëllimin e udhëtimit taxi sti, e shkeli papuqen e shpejtësisë dhe më zbarkoi me kohë, duke mos pranuar të paguaj cmimin sipas marrëveshjes, por vetëm deklaroi :” edhe unë po dua me dhënë argatin tim në këtë proces!”
Postoblloqet serbe
Babi vazhdonte “përrallen” I ngërthyer në kujtime dhe dukej sikur I shihte aq qartë ato pamje dhe bënte me gjeste:
“Rasti I kontrollit në postobllokun e tmerrshëm në Komoran: pasi na nxorrën të gjithëve nga autobusi , na urdhëruan që sikurse nëpër filmat me motive gangsterësh të hapim këmbët, të ngrisim duart dhe të kthehemi me fytyrë kah autobusi. Pasi ishim shumë udhëtarë dhe nuk mjaftonte vendi, udhëtarët tjerë formuan “shtresimin ” e dytë duke u mbështetur mbi supet e të rreshtuarëve të parë. Dhe pastaj policët serbë filluan me pyetje e provokime, me ofendime e shantazhime. Të rreshtuar atë ditë ishin edhe prof. Besim Bokshi, prof. Qamil Gexha, prof. Jakup Nushi, prof. Bardhyl Qaushi, prof. Neki Dervishi dhe unë.Të gjithë ishim të kërcnuar sikurse ishin edhe 45 udhëtarët tjerë të autobusit të ndaluar ! Kështu ka ndodhur më se një here, jo vetëm me udhëtarët e autobusit “tonë” por edhe me sa të tjerë, …. me një popull të tërë. Mirëpo mësimi, ligjeratat, ushtrimet,… nëpër hapësirat jashtëshkollore nuk ndërpriteshin…. Të gjithë na admironin për sakrificën, të gjithë na mburrnin për të vazhduar, na ndihmonin dhe na gjindeshin pranë e pranë në ditët e vështira dhe situatat e pamundura.”
Në prag te ditës që shënon 40 vjetorin e Universitetit unë e pashë të arsyshme një permbledhje për themelimin, ngritjen e rimëkëmbjet e Universitetit në vija të pergjithshme. Si një studente e vitit të parë, nismëtare në shijimin e krenarisë që ofron ky institucion, isha shumë kurreshtare të dija historikun për të. Lëxoj në Monografin e Universitetit :
Universiteti i Prishtinës është themeluar me Ligjin mbi Themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste të Kosovës më 18 nëntor 1969.
Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 Shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës. Rektor i parë i tij u zgjodh Prof. dr. Dervish Rozhaja.
Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të porsathemeluar ishin këto fakultete me seli në Prishtinë: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë. Universiteti i Prishtinës tani ka 17 fakultete (njësi akademike).
Mësimi në fakultete dhe në shkolla të larta (me disa përjashtime) fillimisht zhvillohej në gjuhën serbokroate.Kuadri mësimor në gjuhën shqipe ishte I pakët. Mësimi në gjuhën shqipe në disa degë ose në disa lëndë mësimore mbahej qysh në fillim të veprimtarisë së tyre (më 1960 vetëm në Degën eAlbanistikës. Dy vjet më pas mbaheshin shqip edhe lëndët: Pedagogjia e Sociologjia, si lëndëtë përgjithshme në shumë grupe studimore). Mësimi shqip do të intensifikohet, sidomos nga viti 1966. U intensifikuan, gjithashtu, edhe përpjekjet për formimin e kuadrit arsimor për mësim në këtë gjuhë.
Nga Fakulteti Filozofik, më 1971, mëvetësohet Fakulteti iShkencave Matematike-Natyrore, kur mëvetësohet edhe Fakulteti Juridik dhe Fakulteti Ekonomik, të cilët fillimisht ishin së bashku. Në vitin 1973 u themelua edhe Fakulteti i Bujqësisë në Prishtinë, pastaj Fakulteti XehetarMetalurgjik në Mitrovicë (1974), Fakulteti I Arteve në Prishtinë (1975), Shkolla e Lartë Pedagogjike "Skënderbeu" në Gjilan (1975),Shkolla e Lartë Teknike (Qendra për Arsimin e Lartë) në Ferizaj (1976), Fakulteti i Kulturës Fizike në Prishtinë (1979).
Periudha 1981-1991 e historikut të Universitetit të Prishtinës shënon numrin më të madh të studentëve dhe të kuadrit mësimor shqiptar, por shquhet edhe nga intensifikimi i represionit politik dhe policor serb ndaj profesorëve dhe studentëve shqiptarë, si dhe ndaj studimeve shqipe në këtë Universitet përgjithësisht.
Mbijetesa e Universitetit të Prishtinës 1991-1999
Në vitin akademik 1991/92, filloi periudha e rimëkëmbjes dhe e mbijetesës së Universitetit të Prishtinës (studimeve në gjuhën shqipe) në kushte të jashtëzakonshme. Më 26 nëntor 1991 u mbajt mbledhja e Kuvendit të Universitetit të Prishtinës, ku u vendos vazhdimi i mësimit në gjuhën shqipe jashtë lokaleve legale (të uzurpuara nga administrata dhe policia serbe). U zgjodh rektori i ri i Universitetit të Prishtinës, Prof. dr. Ejup Statovci. Në këtë kuadër u bë edhe konstituimi i organeve drejtuese të fakulteteve dhe të shkollave të larta të këtij Universiteti. Më 5 dhjetor 1991, Kolegjiumi i Dekanëve mbajti mbledhjen e parë ku u vendos për hapat që duhet marrë për organizimin e punës mësimoreshkencore në kushte të jashtëzakonshme, në lokale private. U vendos, gjithashtu që kjo veprimtari të jetë publike dhe e bazuar në dispozitat ligjore ekzistuese dhe në vendimet institucionale të Kosovës. Ndërkaq, në mbledhjen e Kuvendit të Universitetit, më 10 dhjetor 1991, rektori prof.dr. Ejup Statovci, paraqiti programin e punës dhe parashtroi vizionin e tij për organizimin e punës në këtë institucion. Kontribut të jashtëzakonshëm në nismën e aktivitetit për riorganizimin e punës në Universitet dha edhe prof. dr. Eshref Ademaj, me insistimin e të cilit u shpall Konkursi për regjistrimin e studentëve të rinj në vitin akademik 1991/1992. Realizimin e Konkursit dhe pranimin e studentëve të rinj e mundësuan institucionet e arsimit të lartë. Kjo bëri të mundur të vazhdojë puna legale në pranimin e studentëve e më vonë edhe në organizimin institucional në objekte private.
“Çdo shqiptar I shkolluar është një armik më shumë për Jugosllavinë”
Ketij fragmenti nga “perralla” por jo e zakonshme, ndryshe nga ato të cilat jemi mesuar ti dëgjojmë, Babi i dha nje intonacion ndryshe dhe pati efekt të veqant në mua...
Historia ime në Universitet
“Edhe sot e ruaj shkresën me të cilën prof.dr. Eshref Ademaj në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Pavarur të Arsimtarëve dhe Pedagogëve të Univeristetit të Prishtinës (SHPAPUP) përmes prof. Salem Lepaja me drejtohej me lutjen që ” në ditët e stuhishme për Universitetin e Prishtinës dhe arsimin e lartë- universitar, me të cilat po përballemi, Ju ftojmë që t’i përgjigjeni thirrjes së kohës që t’i ktheheni punës në UP”. Këtë ftesë-vendim e kuptoja jo vetëm si rehabilitim për të gjitha ato vuajtje dhe dënime që i pata përjetuar si pedagog universiteti, por edhe si thirrje për t’iu bashkuar, duke I ngjeshur rradhët e personelit akademik, gjithë atyre që u kishte rënë hise që në kushtet e krijuara, kur po tentohej të rrënohej gjithë ajo punë, gjithë ato investime në ngritjen e Universitetit….ta mbajmë gjallë procesin akademik në Kosovë dhe Universitetin para stuhive të reja që po ngriteshin. Nuk ishte ky kthimi i vetëm. Përkundrazi ! Njëlloj vepruan edhe intelektualët e lartë si: prof. Fehmi Agani, prof. Gazmend Zajmi, prof.Ymer Jaka, prof.Fehmi Rexhepi, prof.Mark Krasniqi, prof.Pajazit Nushi, prof.Sehadete Mekuli, prof.Skender Boshnjaku, prof.Shefqet Canhasi, prof.Rashid Alidemaj, prof.Hamdi Gashi, të cilët për shkak të qëndrimeve të tyre që ishin të papranueshme për regjimin e kohës dhe të diferencuar pas ngjarjeve të vitit 1981, ishin të larguar nga procesi mësimor (shih: Akademik Minir Dushi :”Universiteti I Prishtinës (1981-1983)”).
Lëxonë nga autobiografia e tij Babi ” Në kohën kur Universiteti i Prishtinës cilësohej “Kështjellë e nacionalizmit shqiptar” (Gjenarali serb Petar Graqanin,1981), principialiteti profesional dhe këmbëngulja për të mos lejuar cënimin e autoritetit të Fakultetit e Universitetit tonë, që rezultoi me një incident me një koleg serb, poashtu ligjerues në Fakultet, u bë shkas që të diferencohem ideopolitikisht. Angazhimi im legal nuk mbeti pa u rënë në sy survejuesve kujdestarë të sistemit dhe së shpejti privohem nga liria. Në procesin e montuar politik, dënohem për vepër penale të rrezikimit kundërrevolucionar të RSFJ (neni famkeq 114 i LPJ)”.
Si u ktheva në procesin mësimor
Para se të vendosi që sërisht t’i përkushtohem punës pedagogjike në Universitetin e Prishtinës, nga ku isha larguar me epitetin “ njëri nga nacionalistët më të skajshëm” (Shif librin e prof.dr. Vujadin Milanoviq: ”Universiteti i Prishtinës në rrjetin e stategjisë shqiptaromadhe.” Fq.173), së pari insistova të takohëm me gjithë përsonelin akademik të Katedrës, ku isha para së të burgosesha, dhe ua thashë atë që nuk e pata rastin gjatë diferencimeve të vrazhda të vitit 1981 se “I kam të ditura të gjitha të bërat dhe të pabërat E JUAJA dhe se nuk po kthehem në procesin akademik për t’u hakmarrur, jo, por mos kërkoni nga unë që t’i harroj ato që keni (keq)bërë kundër meje dhe bashkëmendimtarëve të mi”. Dhe e përfunduam me kaq! Vendosa t’i kthehem procesit arsimor në Universitet! Unë u mirëprita nga kolegët e Katedrës dhe fillova nga puna. Përplotë entuziazëm dhe vullnet.
Unë e kisha parasysh atë që Akademiku I njohur serb Millosh Crnjanjski, I indinjuar për hapjen e fakulteteve në Prishtinë, pati deklaruar “Mirë, të gjitha I kuptoj, por nuk mund të kuptoj përse hapen fakultetet në Prishtinë?” “Çdo shqiptar I shkolluar është një armik më shumë për Jugosllavinë”! Siç dihet, në atë kohë, kur kishte deklaruar kështu, mësimi është zhvilluar në gjuhën serbo-kroate ! I tëri iu përkushtova procesit arsimor në Universitet! Kështu vazhdova me ditë e me javë, me muaj e vite…për tetë vite. Dhe jo vetëm unë por një armatë e tërë e p e n d e s! Deri me 21.03.1999 (ditë e diele), kur organizova dhe mbajta provimin e fundit para intervenimit të NATO-së kundër caqeve militare të Serbisë. Jo për atë pagën prej 80 DM (sa paguhesha në fillim të kthimit në angazhimin në fakultet që ishte aqë sa fitonte një agjensi turistike nga shitja e një bilete avioni, me të cilën të rinjët e Kosovës largoheshin për në botën perëndimore), por pikërisht për ta penguar këtë largim. Këtu është I pashmangshëm falemnderimi për transportuesit privat të Gjakovës ( e para së gjithash atë “ShpatTurs”) të cilat jo vetëm mua por edhe prof. Qamil Gexhën, prof. Besim Bokshin, prof. Bardhyl Qaushin, prof. Minir Efendiu, prof. Jakup Nushi, prof. Qamil Haxhibeqiri, prof. Sutki Dafota, prof. Besnik Hoxha, e sa të tjerë na bartnin në relacionin Gjakovë-Prishtinë e anasjelltas pa asnjë pagesë, për vite. Dhe jo vetëm na bartnin, por kur policia e postoblloqeve na nxirrte nga autobusi “për një kontrollë rutinore”, nuk bënin lëvizjen më të vogël nga vendi pa mos iu bashkangjitur edhe ne që ishim marrë kinse për kontroll sigurie nga ana e milicisë serbe !
Në vitin 1998, kur rruga magjistrale Pejë-Prishtinë ( pikërisht Gryka e Lapushnikut) e më pas rruga Prizren-Prishtinë (pikërisht Qafa e Duhlës), ishin në zjarrin e luftës, ishim të detyruar të udhëtonim nëpër rrugët Prizren- Mushnikovo-Prevallë… dhe atë me autobusë që, pos udhëtarëve nëvojtarë për Spitalet e Beogradit, bartnin pasurinë e rrëmbyer e të vjedhur nga familjet shqiptare (“ gjahun e luftës”) nga ushtarët, policia e paramilitarët serbë.
Si ia bëja:
Sa herë që vinte dita për të udhtuar, unë përgatisja një dokument “zyrtar” udhëtimi (“putni nalog”--“urdhër udhëtimi”), të cilin ua prezentoja “ ruajtësve të rendit dhe qetësisë publike” që nuk lëshonin njeri sapo ndonjë nga udhëtarët ishte I dyshimtë në sytë e tyre.
Megjithatë, ka patur raste kur dyshimi nuk neutralizohej me këtë dokument dhe policët kërkonin …madje edhe komplet portfolin (rasti në postbllokun në Kijevë, kur po udhëtonim së bashku me Afrim Domin (veprimtar në çështjën kombëtare, I dënuar politik) ose edhe na nxirrnin të gjithëve nga autobusi.. si ndodhi pikërisht në postobllokun famkeq në udhëkryqin në Komoran, mu aty ku u rrah, u keqtrajtua dhe u përgjak profesori I UP-së, veprimtari I çështjës kombëtare , politikani I pagjetur - Ukshin Hoti (Profesorit Mr. Ukshin Hoti, iu dha titulli anëtar nderi i Universitetit të Prishtinës :Për merita dhe kontribut të jashtëzakonshëm intelektual dhe njerëzor në mbrojtjen e vazhdueshme të Universitetit në kohën e sfidave më të mëdha të çështjes sonë kombëtare.) apo rasti kur paramilitarët e Sheshelit e ndalën atobusin dhe na keqtrajtuan në postbllokun në Mushnikovo !”
Si për tu arsyetuar që në ato pak minuta heshtje që kshim gjatë bashkbisedimit kur Ai po derdhte një pervojë jo t’këndshme, Babi e përmbylli “përrallen e quditshme” .
“Përse I komunikoj mendimet dhe përjetimet e mija ? Motivet dhe shkaqet
që më nxisin në këtë janë të shumta e të llojllojshme. Kam lëxuar se, edhe te po I njejti shkrimtar gjatë jetës së tij dhe në pajtim me botëkuptimet në periudhat e ndryshme të jetës ato jorrallë ndryshojnë. Mua më pëlqen ajo që thuhet për shkrimtarët francezë, të cilët për të shkruar I kanë nxitur motivet e larta. Anatol Frans ka dëshiruar që fjalën e shkruar ta vejë në shërbim të idealit dhe aksionit- që të ndikojë te njerëzit. “Kur njeriu në vete ndjenë diç të fuqishme e të madhe , ai duhet edhe ta dëftojë, e me çfarëdo çmimi, madje edhe atëherë kur është I sigurtë në atë se nuk do të kuptohet ose keqkuptohet” (Romen Rolan), pavarësisht se me të rrëfyer shpesh hapen varrët e brendshme të sensibilitetit.”
Shumë emra e personalitete, plot vende e zona, data e shënime ma kishin atakuar trurin e po mundohesha që secilin ta stisja në skutat e kujtesës. Më të vertetë ishte një “përrallë” ndryshe, dhe nuk e kishte atë efektin qetësues për të cilat dhe rrëfehen përallat...por ishte shume interesante dhe mbresëlënëse.
Ne studentët konsiderojmë që për përralla jemi tashme të rritur, por mendoj që secili nga ne duhët ta rikujtojmë këtë “përrallë" cdo natë para gjumit për tu “rritur” edhe më tepër.
NORIKË (Ruzhdi) SEFA
Fakulteti i Arteve
* Është fjala për Prof. Ruzhdi Sefa,PhD në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Inxhinierike
Komentoni
Artikuj te tjere
Blerim Rrecaj: Në prag të një përvjetori
Cikël poetik nga Selim Hasanaj
Arbën Xhaferi: Thërrmimi i kauzës Kombëtare
Liri Universitetit të Tetovës në Përvjetorin e Ligjëratave të Para në shkurt të vitit 1995!
Xhevat Rexhaj: Istogasit që komunën e zhvilluan si duhet
Bardhyl Mahmuti: Marrëveshje të re për misionin e vjetër antishqiptar
Drejtori i Arkivit: Kemi emrat e saktë të ekzekutuesve të dënimeve me vdekje
QKISHAIBK: “Eulex”, kërkoni vrasësit e Mon Balajt, Arben Xheladinit dhe...
Abdullah Prapashtica: Një letër pas të cilës qëndron i tërë populli
Neki Lulaj: Takimi Topi, Berisha dhe Rama
Ilir Dardani: Halldupet e Sorrerise dhe Shqiptaret e Shqiperise
Xhevat Rexhaj: RTK Kohavizion - Rubikon fushatë komuniste kundër rugoviste
Miranda Vickers: Perspektivat ndërkombëtare të çështjes çame
Proklamatë e Këshillit të pavarur për ndryshime jopolitike në Universitetin e Tetovës
Gjergj Meta: Kriza e subjektit tjetër
Abas Fejzullahi: Çfarë na dhuruan nxënësit e çfarë duhanxhinjtë!?
Ilir Taraj: Qëndro o njeri!
Faik Krasniqi: Veprimi i z.Hoxha duhet te jete shembull per intelektualet tane
INEPRA: Autostrada e kombit: Bashkim kombëtar, apo bashkim i skandaleve, korrupsionit dhe mjerimit?
Fran Buzhala: Përkujtimet - supermarketet - kërkesat sociale